Mënyrën e funksionimit të ligjësisë hyjnore në vendet ku ka drejtësi apo korruptim, të shoqëruar me besimin e drejtë në Zot apo jo, e ka shtjelluar edhe Ibën Tejmija.
Leximi sipërfaqshëm i historive të rrënimit të popujve të mëparshëm në Kuran të lë përshtypjen se dënimi i tyre ka ardhur si shkak i mohimit të besimit të drejtë te Zoti dhe kundërshtimit të Profetëve. Një përfundim i tillë nuk është i saktë dhe thellimi në historitë kuranore e konfirmon këtë. Për të kuptuar arsyen e vërtetë të rrënimit të një vendi, është i nevojshëm shqyrtimi i një termi të rëndësishëm në leksikun e Kuranit dhe disa prej ajeteve që lidhen me të. Ky term është “fesad”-i.
Sipas Raghib el-Isfahanit, “fesad” quhet “devijimi apo dalja e diçkaje jashtë kufijve të harmonisë dhe përshtatshmërisë, e vogël ose e madhe qoftë ajo. Ky term është i zbatueshëm për moralin, trupin dhe materien lëndore.” Kjo fjalë përdoret kur “diçka, apo një njeri, prishet, zvetënohet, shtrembërohet, apo kalbëzohet. E kundërta e “fesad”-it është “salah”-u, term i aplikueshëm për atë gjë që është e drejtë, e virtytshme dhe në vendin e duhur“ (William E. Lane). Këto dy terma vihen përballë njëra-tjetrës shpeshherë në të njëjtin ajet kuranor, për t’i dhënë qartësi kuptimit të secilës fjalë nëpërmjet anitezës, si në ajetet: “… e Allahu e dallon korruptuesin (mufsid) nga rregulluesi (muslih)” (El-Bekarah 2, 220) dhe “Mos shkaktoni korruptim (la tufsidu) në tokë pas vënies në vend të gjërave në të (islahiha)” (El-A’araf 7, 56 & 85). “Aftësia e njeriut për të shkaktuar korruptim në tokë është vënë përbri qenies së gjërave në tokë në vendin e tyre prej Zotit. Vënia në vend e tyre nga ana e Zotit nënkupton themelimin nëpërmjet shpalljeve dhe ligjeve të sjella prej Profetëve të Tij të një rendi shoqëror moral dhe të drejtë, si dhe krijimin e harmonisë dhe drejtpeshimit që përshkon rendin natyror” (Seyyed Hossein Nasr).
Fjala në anglisht që përkon me domethënien e “fesad”-it në arabisht është ‘corruption’, e cila ka kuptimin e “shmangies së diçkaje nga origjina ose prej asaj që është e dëlirë apo e drejtë” (MerriamWebster Dictionary). Në shqip kjo fjalë mund të përkthehet si ‘korruptim’. Ky term e përfshin atë që në zhargonin e përditshëm njihet me emrin korrupsion – dhënien e ryshfetit nën dorë një nëpunësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit – i cili është një prej formave të korruptimit. Zoti e shpreh qartë në Kuran se korruptimi, i shoqëruar me mungesën e frenimit të tij, ka qenë shkaku i zbritjes së dënimit mbi popujt e mëparshëm: “Si nuk pati në brezat përpara jush zotërues virtytesh të mbetura që të frenonin korruptimin në tokë, përveç një numri të pakët prej tyre të cilët i shpëtuam?! Ata që bënë padrejtësi shkuan prapa lukseve që ju ishin dhënë; ata ishin keqbërës” (Hud 11, 116). Duke e paraqitur në formë pyetjeje këtë dije, Zoti ka për qëllim të shkaktojë habi dhe çudi te Profeti me faktin që në bashkësitë e mëparshme ka patur vetëm pak njerëz të drejtë, ndërsa pjesa tjetër ishin të korruptuar që merituan dënimin.
Fjala që në ajet cilëson virtytet si ‘të mbetura’ në arabisht është “bekijah”, e cila gjuhësisht ka kuptimin e “pjesës së ushqimit që njeriut i mbetet në trup pasi ka nxjerrë atë që nuk i nevojitet. Trupi nuk mban vetëm se pjesën më të mirë dhe cilësore, prandaj “bekijeh” u shndërrua na nja fjala që nënkupton cilësinë” (Muhammed esh-Sheukani).
Virtytet e lavdëruara prej Zotit të njerëzve që frenojnë korruptimin nuk janë eksluzivisht të sferës së fesë. Tabariu është i mendimit se ato janë “të kuptuarit dhe intelekti”, ndërsa Sheukani i identifikon tek “arsyeja, intelekti dhe feja”, sepse këto i mundësojnë ata që i zotërojnë “t’i pengojnë bashkëqytetarët e tyre nga korruptimi në tokë, ngase Zoti ju ka dhënë në të njëjtën kohë përsosmërinë e intelektit dhe fuqinë e fesë.”
Bërja padrejtësi e përmendur në ajet është përkthim i foljes “dhalamu”, e cila ka kuptimin e “vënies së diçkaje në një vend të ndryshëm nga vendi i posaçëm për të. Kjo bëhet nëpërmjet shtimit ose pakësimit të saj, apo nëpërmjet shmangies nga koha ose vendi i saj” (Raghib el-Isfahani). Nisur nga ky përkufizim, mos-kryerja e një veprimi që e kërkon momenti klasifikohet si padrejtësi. Mos-frenimi i korruptimit është drejtësi e munguar, mosvënie e gjësë në vendin e duhur, një formë korruptimi e rendit të gjërave. Prandaj, si ata që shkaktojnë korruptim nëpërmjet veprimit, edhe ata që shkaktojnë korruptim nëpërmjet mos-veprimit, trajtohen në të njëjtën mënyrë nga drejtësia hyjnore. Sipas komentimit të Sujutit dhe Mahalit për ajetin, të padrejtë nuk ishin vetëm ata të cilët kryen korruptim, por edhe ata që neglizhuan ndalimin e tij.
Qenien e korruptimit arsye për rrënimin e një vendi e përforcon akoma më tepër ajeti pasardhës i ajetit të cituar më lart nga surah Hud: “Zoti yt nuk ka për ta rrënuar një vend padrejtësisht (bi-dhulm) ndërkohë që banorët e tij i vënë gjërat në vendin e duhur” (Hud 11, 117). “Islah”-u dhe “fesad”-i vihen përsëri përkundër njëri-tjetrit. Në atë vend ku ekziston korruptimi dhe njerëzit shpërfillin frenimin e tij vjen rrënimi; aty ku njerëzit i përmirësojnë gjërat, duke i kthyer në vendin e duhur ato, vendi gëzon siguri dhe mirëqenie, sepse rrënimi i tij do të ishte padrejtësi nga ana e Zotit. Ajetet nuk bëjnë dallim mes vendeve që banohen nga besimtarë dhe të tjerave që banohen nga jobesimtarë. Kriteri i rrënimit apo prosperitetit të një vendi sipas këndvështrimit kuranor nuk është besimi fetar ku aderojnë banorët e tij, por niveli i korruptimit të tyre. Ai shfaqet, mes të tjerash, në padrejtësitë që ata i bëjnë njëri-tjetrit dhe atyre që përpiqen të ndalojnë korruptimin.
Ky është përfundimi i disa dijetarëve të mëdhenj, që kanë cekur konceptin e ligjësisë hyjnore që gjen zbatim në vendin ku mbizotëron korruptimi dhe njerëzit nuk e frenojnë atë. Fjalën “dhulm” të përmendur në ajetin 117 të sures Hud ata e kanë interpretuar se nënkupton idhujtarinë. Si rrjedhojë, përkthimi i ajetit do të
ishte: “Zoti yt nuk ka për ta rrënuar një vend për shkak të idhujtarisë (bi-dhulm) ndërkohë që banorët e tij i vënë gjërat në vendin e duhur.”
Duke ju referuar këtij interpretimi, Tabariu thotë se kuptimi i ajetit është se Zoti “nuk ka për ta rrënuar një vend për shkak të idhujtarisë, sa kohë banorët e tij nuk bëjnë padrejtësi dhe i japin të drejtën që i takon njëri-tjetrit, qofshin ata idhujtarë. Zoti ka për t’i rrënuar njerëzit vetëm nëse i bëjnë padrejtësi shoqi-shoqit.” Kurtubiju shprehet se Zoti “nuk e rrënon një vend vetëm për shkak të mohimit të besimit të drejtë tek Ai, derisa mohimit t’i bashkëngjitet edhe korruptimi. Kështu populli i Shu’aibit u shkatërrua për shkak të ngrënies në peshë dhe mos-matjes drejt, kurse populli i Lutit për shkak të homoseksualizmit.” Edhe Razi ofron një interpretim të ngjashëm për ajetin: “Zoti nuk i rrënon popujt vetëm për shkak të idhujtarisë nëse njerëzit e trajtojnë njëri-tjetrin me ndershmëri dhe korrektësi. Argument për këtë është fakti se Zoti ka treguar që popullit të Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit dhe Shu’aibit nuk ju zbriti dënimi me shkatërrim total vetëm se pas lëndimit të njerëzve dhe kryerjes së padrejtësive ndaj tyre.”
Mënyrën e funksionimit të ligjësisë hyjnore në vendet ku ka drejtësi apo korruptim, të shoqëruar me besimin e drejtë në Zot apo jo, e ka shtjelluar edhe Ibën Tejmija. Ai shkruan: “Mirëqenia e njerëzve në këtë botë ka qëndrueshmëri më të madhe kur ka drejtësi, e cila mund të përzihet në disa lloje mëkati, sesa kur ka padrejtësi të papërzier në mëkate. Për këtë arsye është thënë: “Zoti e ngre shtetin e drejtë, edhe nëse ai është i jomuslimanëve, ndërsa shtetin e padrejtë nuk e ngre, qoftë ai i muslimanëve.” Kjo botë ka vazhdimësi nëse ka drejtësi, edhe nëse shoqërohet me mohimin e Zotit, dhe nuk ka vazhdimësi kur ka Islam nëse ai shoqërohet me padrejtësi. Kjo, sepse drejtësia është në bazë të çdo gjëje. Nëse çështjet e kësaj bote ngrihen me drejtësi, atëherë ajo ka për t’u ndërtuar, edhe pse banorët e saj nuk do të kenë pjesë nga bota tjetër. E nëse çështjet e saj nuk ngrihen me drejtësi kjo botë ka për t’u shembur, edhe pse banorët e saj mund të kenë besim që do t’ju shpërblehet në botën tjetër.”
Prishja e ekuilibrave moralë dhe natyrorë në një vend është shenja më e qartë e korruptimit të banorëve të tij: “Korruptimi është shfaqur në tokë dhe në det për shkak të veprave të duarve të njerëzve, që t’i bëjë të shijojnë një pjesë të asaj që kanë bërë, se ndoshta kthehen” (Er-Rum 30, 41). Shijimi i përmendur në ajet nënkupton se “Zoti do t’i lejojë njerëzit të përjetojnë disa forma sprovimi dhe dënimi në këtë jetë, në mënyrë që t’i ndihmojnë të kthehen drejt pendesës. Në këtë mënyrë ata do të falen prej Zotit dhe do të çlirohen nga përjetimi i dënimit të plotë në botën tjetër. Në përgjithësi, kur njerëzit ndjekin kapriçot e tyre në vend të urdhëresave hyjnore, ai që vjen pas është korruptimi: “Sikur e vërteta të ndiqte kapriçot e tyre, qiejt, toka dhe ata që gjenden në to do të korruptoheshin” (El-Mu’minun 23, 71) (Seyyed Hossein Nasr).
Leximi i thelluar dhe i plotë i pasazheve kuranore që trajtojnë temën e shkatërrimit të popujve çon në përfundimin se arsyeja e zbritjes së dënimit në forma të ndryshme, si katastrofat natyrore, pllakosja e urisë apo epidemive, apo konflikti i brendshëm vetëshkatërrues, është përhapja e gjerë e padrejtësisë, zvetënimit moral dhe korruptimit gjithëpërfshirës. Ndonëse të rrëfyera si histori të së shkuarës, thirrja qiellore që atyre t’u qasemi për të marrë mësim është tregues i drejtpërdrejtë se këto ligjësi janë të zbatueshme për çdo popull në çdo kohë.
Burimi: Punoi: Gerdi Demneri