- Përkufizimi i udhëheqjes
Udhëheqja i referohet procesit të lëvizjes së një grupi njerëzish në një drejtim të planifikuar, duke i nxitur ata të veprojnë me anë të mjeteve jodetyruese. Udhëheqja e mirë i lëviz njerëzit në një drejtim, që me të vërtetë është në interes të tyre më të mirë për një periudhë më të gjatë kohore. Drejtimi mund të jetë aq i përgjithshëm, sa është shtrirja e Islamit në botë ose aq i veçantë sa mbajtja e një konference për një çështje të caktuar. Në çdo rast, mjetet dhe përfundimet (qëllimet) duhet t’u shërbejnë interesave më të mira të njerëzve në një kuptim real dhe të gjatë kohor. Udhëheqja është edhe rol edhe proces i ndikimit mbi të tjerët. Udhëheqësi është anëtar i grupit, të cilit i është dhënë një rang i caktuar dhe nga i cili pritet të sillet në një mënyrë që është në përputhje me atë rang. Po ashtu, udhëheqës është një person brenda grupit, nga i cili pritet të ushtrojë ndikim në formimin dhe në arritjen e qëllimeve të grupit. Udhëheqës i ndershëm është ai i cili udhëheqë, e jo ai i cili manipulon për të udhëhequr.
Dukuria e udhëheqjes mund të shpjegohet me terma të koncepteve fundamentale vijuese:
- Ajo paraqet një forcë që në një mënyrë të panjohur rrjedh (qarkullon) ndërmjet udhëheqësve dhe ithtarëve, dhe që i nxit ithtarët që t’i derdhin energjitë e tyre në harmoni drejt qëllimeve të formuluara kolektivisht. Të punuarit drejt një qëllimi dhe arritja e tij është kënaqësi si për udhëheqësit, ashtu edhe për ithtarët.
- Ajo u jep karakter rrethit, mjedisit dhe atmosferës në të cilën funksionon, dhe njëkohësisht merr karakter nga kjo. Ajo nuk vepron në vakuum, por në një atmosferë të krijuar nga shumë elemente.
- Ajo është vazhdimisht aktive. Mund të luhatet në shkallë, në intensitet apo në shtrirje, mirëpo nuk kyçet e shkyçet. Ose është dinamike ose është joekzistuese.
- Ajo, në një mënyrë qëllimplote shfrytëzon parime, mjete dhe metoda me ndonjë përkufizim dhe qëndrueshmëri.
- Udhëheqja efektive
- Ç’është udhëheqja efektive?
Udhëheqje efektive është procesi i krijimit të vizionit, zhvillimit të strategjisë, fitimit të bashkëpunimit dhe motivimit të veprimit.
Udhëheqësi efektiv:
- krijon një vizion për të ardhmen, që merr parasysh interesat afatgjate të palëve përkatëse;
- zhvillon një strategji racionale për lëvizjen drejt atij vizioni;
- bën për vete ndihmën e qendrave kyç të fuqisë, bashkëpunimi, pëlqimi dhe puna grupore e të cilave është e domosdoshme për prodhimin e lëvizjes së tillë; dhe
- e motivon lart atë grup thelbësor njerëzish, veprimet e të cilëve janë qendrore për përmbushjen e strategjisë.
Kombinimet e proceseve të ndërlikuara biologjike, shoqërore dhe psikologjike e potencialin udhëheqës të një individi. Për të qenë efektiv, ky potencial duhet zbatuar me sukses. Mund të posedohen cilësi të udhëheqjes, e të njëjtat mos të ushtrohen. Në jetën e njerëzve të ndryshëm, këto cilësi mund ta shprehin veten në një llojllojshmëri situatash dhe të shfaqen në shkallë të ndryshme. Mbi ushtrimin e udhëheqjes ndikon mjedisi së bashku me të gjitha mundësitë dhe kufizimet e veta.
- Udhëheqësit, mbikëqyrësit dhe ithtarët
Udhëheqësit i drejtojnë të varurit e tyre drejt qëllimeve të tyre me anë të motivimit dhe shembullit personal. Mbikëqyrësit sigurojnë sjelljen e dëshiruar duke e ushtruar autoritetin e tyre më të lartë zyrtar në strukturën organizative.
Udhëheqësit e mirë janë të vetëdijshëm se ata duhet të jenë edhe ithtarë të mirë. Pothuajse gjithmonë, udhëheqësit i raportojnë dikujt ose ndonjë grupi. Kështu, ata gjithashtu duhet të jenë të aftë të ndjekin. Një ithtar (ndjekës) i mirë duhet t’i shmanget garës me udhëheqësin, të veprojë si ‘mbrojtës besnik i djallit’ dhe në mënyrë konstruktive t’u kundërshtojë ideve, vlerave dhe sjelljes së udhëheqësit.
Ithtarët dhe udhëheqësit janë të lidhur në një marrëdhënie qëllimore. Udhëheqësi duhet gjithmonë të kujdeset për mirëqenien e ithtarëve.
III. Karakteristikat e një udhëheqësi islamik
Pejgamberi alejhi selam ka thënë se udhëheqësi i xhematit është njëkohësisht shërbëtor i tij. Që këtu udhëheqësi duhet të merret me shërbimin dhe ndihmën që të tjerët të shkojnë përpara. Disa nga faktorët e rëndësishëm, të cilët e karakterizojnë udhëheqjen islame, janë vijuesit:
- Besnikëria
Udhëheqësi dhe i udhëhequri janë të lidhur në besnikëri ndaj Allahut të Madhërishëm.
- Qëllimet globale islame
Udhëheqësi i shquan qëllimet e organizatës jo vetëm në terma të interesave të grupit, por gjithashtu edhe në terma të qëllimeve më të gjera islame.
- Ndjekja e Sheriatit dhe mirësjellja islame
Udhëheqësi nuk vihet mbi respektimin e urdhëresave islame, ndërsa postin e vet mund ta vazhdojë vetëm derisa e ndjek atë që e ka urdhëruar Sheriati. Në qeverisjen me çështjet e veta, ai duhet ta ndjekë mirësjelljen islame, veçanërisht kur ka të bëjë me opozitën apo me disidentët.
- Amaneti i ngarkuar
Udhëheqësi e pranon autoritetin e tij si bartës i amanetit Hyjnor, me përgjegjësinë e vet të madhe. Kur’ani e urdhëron udhëheqësin që ta kryejë detyrën e tij ndaj Allahut të Madhërishëm, si dhe të tregojë mirësjellje ndaj atyre, të cilët gjenden nën autoritetin e tij.
”Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” (Surja Haxh, ajeti 41)
- Parimet themelore vepruese të udhëheqjes islame
Ekzistojnë tre parime themelore që e drejtojnë operimin e udhëheqjes islame:
shura (këshillimi i ndërsjellë), drejtësia dhe liria e mendimit.
- Shura (Këshillimi i ndërsjellë)
Shura paraqet parimin e parë të udhëheqjes islame. Kurani e ka bërë të qartë se udhëheqësit muslimanë janë të detyruar të konsultohen (këshillohen) me të dijshmit ose me ata që mund të ofrojnë ndonjë këshillë.
“Për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne” (Surja Esh-Shura, ajeti 38)
Vetë Pejgamberi alejhi selam është urdhëruar nga Kurani që të këshillohet me shokët e vet:
”Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Surja Ali Imran, ajeti 159)
Praktika e shurasë u mundëson anëtarëve të organizatës islame të marrin pjesë në procesin e vendim-marrjes. Njëkohësisht, shura shërben si kontrolluese e sjelljes së udhëheqësit në rast të devijimit nga qëllimet kolektive të grupit.
Natyrisht, udhëheqësi nuk është i detyruar që të merret me shuranë për të gjitha çështjet. Me çështjet rutinore duhet marrë më ndryshe sesa me ato që e formojnë politikën e veprimit. Atë se ç’është rutinë e çka jo, duhet caktuar dhe përkufizuar nga çdo grup varësisht nga vëllimi, nevojat, resurset njerëzore dhe nga rrethanat që mbizotërojnë. Udhëheqësi duhet t’i bindet vendimit të marrë brenda fushës së shurasë ashtu të themeluar, dhe duhet ta përmbushë atë. Ai duhet t’i shmanget manipulimit dhe lojës me fjalë për t’i shërbyer mendimeve të veta apo t’i hedhë poshtë vendimet e arritura nga shura.
Thënë në përgjithësi, pikat vijuese na ndihmojnë për ta përcaktuar fushën e shurasë:
E para: Çështjet administrative dhe ekzekutive duhet t’i lihen udhëheqësit.
E dyta: Çështjet që kërkojnë vendime urgjente dhe të atypëratyshme duhet të
trajtohen nga udhëheqësi dhe t’i paraqiten grupit për rishqyrtim në mbledhjen e
ardhshme ose nëpërmjet thirrjes telefonike (telefonatës) për tubim.
E treta: Anëtarët e grupit dhe përfaqësuesit e tyre duhet të jenë në gjendje që
lirisht dhe pa kurrfarë ndjenje ngurrimi ta verifikojnë dhe ta vënë në pyetje
sjelljen e udhëheqësit.
E katërta: Politikat duhet miratuar, qëllimet afatgjate duhet caktuar dhe vendimet kryesore duhet të merren nga përfaqësuesit e zgjedhur në shura. Këto nuk duhet t’i lihen vetëm udhëheqësit.
- Drejtësia
Udhëheqësi duhet të merret me njerëzit në mënyrë të mirë dhe të drejtë, pavarësisht nga raca e tyre, ngjyra, prejardhje kombëtare apo religjioni. Kurani i urdhëron muslimanët që të jenë të drejtë madje edhe kur kanë të bëjnë me ata, të cilët i kundërshtojnë.
“Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” (Surja Nisa, ajeti 58)
“…Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë…” (Surja El-Maideh, ajeti 8)
“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë…” (Surja Nisa, ajeti 135)
Si plotësim i kujdesit ndaj parimit të gjithanshëm të drejtësisë, që është themel i një shoqërie islame, udhëheqësi i një organizate islame duhet të themelojë një komitet të brendshëm juridik apo arbitrar, që do ta zgjidhte cilëndo mosmarrëveshje brenda grupit. Anëtarët e komitetit të tillë duhet të zgjedhen nga njerëzit e dijshëm, të devotshëm dhe të mençur.
- Liria e mendimit
Udhëheqësi islamik duhet të parashikojë, e madje edhe të kërkojë kritikë konstruktive. Anëtarët e grupit duhet të jenë në gjendje ta ngrejnë lirisht zërin për pikëpamjet apo vërejtjet e tyre si dhe të kërkojnë të marrin përgjigje për pyetjet e tyre. Halifët e Drejtë e konsideronin këtë si një element thelbësor të udhëheqjes sē tyre. Kur një grua në moshë e ndërpreu Umer Ibnul Hattabin (r.a.) për ta përmirësuar gjatë fjalimit të tij para popullit në xhami, ai sakaq e pranoi gabimin e vet dhe falenderoi Allahun se kishte të tillë, të cilët do ta përmirësonin kur të gabonte. Njëherë Umeri (r.a.) pyeti të pranishmit se ç’do të bënin ata po qe se ai do të përdhunonte ndonjë parim islam. Kur një burrë u përgjigj se ata do ta përmirësonin me shpatat e tyre, Umeri (.a.) iu falënderuar Allahut (xh.sh.) se në Ummetin e tij kishte njerëz, të cilët do ta përmirësonin poqëse ai largohej nga rruga e drejtë.
Udhëheqësi duhet të përpiqet të krijojë një atmosferë të të menduarit të lirë, shkëmbimit të shëndoshë të ideve, kritikës dhe këshillimit të ndërsjellë, deri në atë masë që ithtarët të ndihen shumë të rehatshëm në bisedat rreth çështjeve me interes për grupin.
Muslimanët kēshillohen të japin kēëshillë të sinqertë kurdo që është e nevojshme. Temim Ibn Evsi rrëfen se Pejgamberi Muhamed (a.s.) ka thënë: “Feja është këshillë! Thamë: Për kë o i Dërguar i Allahut? Tha: Për Allahun, librin e Tij, të dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe për myslimanët në përgjithësi.” (Buhariu dhe Muslimi)
Shkurtimisht, udhëheqja islame nuk është as tiranike e as e pakoordinuar. Udhëheqësi islam, pas mbështetjes së tij në parimet islame, pas konsultimit respektues dhe objektiv me shoqëruesit e vet, merr vendime në mënyrën më të drejtë të mundshme. Ai është përgjegjës jo vetëm para ithtarëve tē vet, por, gjithashtu, e që është edhe më e rëndësishme, edhe para Allahut të Madhërishëm.
Ky lloj i udhëheqjes pjesëmarrëse është më i miri. Ai ushqen unitetin ndërmjet anëtarëve dhe nxit cilësinë e ekzekutimit të tyre.
- Udhëheqja në praktikë
- Vazhdimësia e udhëheqjes
Në praktikë, stilet e udhëheqjes ndryshojnë nga vetësundimi (autokracia), deri në laissez-faire (lëre të bëhet).
Autokrati (Vetësunduesi):
- ka pak besim në anëtarët e grupit
- beson se vetëm shpërblimet materiale i motivojnë njerëzit
- jep urdhra tē plotësohen pa kurrfarë pyetjesh (diskutimi)
Vetësunduesi mirëdashēs:
- i dëgjon me vëmendje ithtarët
- jep përshtypjen se është demokrat
- gjithmonë e çon në vend vendimin e tij/saj personal
Demokrati:
- ndan vendim-marrjen me anëtarët e grupit
- ia shpjegon grupit arsyet për vendimet personale
- objektivisht e kumton kritikën dhe lëvdatën
Lëre të bëhet:
- ka pak besim nē aftësinë e tij udhëheqëse
- nuk cakton kurrfarë qëllimesh për grupin
- e zvogëlon komunikimin dhe bashkëveprimin brenda grupit
Stili demokratik i udhëheqjes është më efektiv dhe më produktiv. Ai po ashtu është stil që është në përputhje me Sheriatin. Ai shpie nga ide të reja, ndryshime pozitive dhe nga një ndjenjë e përgjegjësisë grupore.
- Shprehitë e udhëheqjes
Kēto janē pesë shprehi, të cilat udhëheqësit muslimanë duhet t`i kultivojnë.
- Dije ku të shkon koha. Më mirë kontrolloje ti atë sesa ajo ty, duke bërë që çdo sekondë të punosh për Islamin.
- Përqëndrohu mbi rezultate konkrete. Më tepër përqëndrohu tek rezultatet sesa vetëm mbi punën. Shiko lart nga puna jote dhe shiko nga jashtë drejt qëllimeve.
- Ndërto mbi fuqitë e jo mbi dobësitë. Kjo nuk e përfshin vetëm fuqinë tënde, por edhe ato tē vëllezërve (motrave) të tjerë. Njih dhe prano fuqitë dhe dobësitë e tua dhe bëhu i aftë ta pranosh më të mirën te të tjerët, pa pasur ndjenjën se pozita jote është rrezikuar
- Koncentrohu mbi disa sfera kryesore, ku puna e vështirë dhe e qëndrueshme do të japë rezultate të jashtëzakonshme. Këtë bëje duke i caktuar dhe duke i ndjekur përparësitë.
- Mbështete besimin tënd të plotë tek Allahu dhe syno lart, në vend që t’i kufizosh qëllimet e tua vetëm në gjërat e sigurta dhe të lehta. Përderisa je duke punuar për Të, mos u frikëso nga asgjë.
- Parimi i Shterjes
Parimi i Shterjes thotë se çdo person, në një hierarki, tenton të ngjitet deri në shkallën e jokompetencës së tij apo të saj. Kjo do të thotë se personi fillon pa qenë kompetent, pastaj ngjitet nëpërmjet avancimit deri në një pozitë, ku ai apo ajo nuk janë kompetentë për ta kryer punën e përcaktuar. Çdokush, përfundimisht, ballafaqohet me këtë situatë.
Parimi i Shterjes rezulton nga një gjendje e quajtur mbingarkim kërkesash. Personi punon deri në maksimum të mundësive të tij apo të saj, e prapëseprapë nuk mund ti plotësojë kërkesat e punës. Shkathtësitë, roli dhe dituria e nevojshme për atë punë janë përtej mundësive të tij.
Shembull klasik i Parimit të Shterjes në një organizatë islame në praktikë është kur kryetari i kuvendit më të mirë lokal zgjedhet si përfaqësues rajonal, e kështu me radhë përpjetë. Përfundimisht, ky person mund të arrijë deri te posti i zëvendës-kryetarit prapë të kryejë punë të mirë. Mirëpo, kur zgjedhet si kryetar i organizatës kombëtare, ai mund të dështojë. Ai ka mundur të funksionojë mirë deri aty, por mund të mos ketë aftësi për të marrë vendime të pavarura si kryetar.