Ata që pretendojnë se na mjafton Kurani dhe nuk ka nevojë për Sunetin (hadithet), edhe pse kanë kaluar vite e vite që e kanë stisur këtë ide, askush prej tyre deri më sot nuk ka mundur (dhe sigurisht nuk do të mundet) të formulojë dhe të sjellë një korpus të plotë islam, që të përfshijë doktrinën, adhurimin, jurisprudencën e marrëdhënieve ndër njerëzore, përshpirtmërinë dhe etikën islame, ashtu siç ajo gjendet sot, aq e pasur dhe solide, pikërisht falë Sunetit.

Për të mos u zgjatur pastaj me faktin se zakonisht këta ‘kuranistët, janë vetëm polemizues për të zhvlerësuar Sunetin, dhe jo ndërtues të ndonjë sistemi të kompletuar, ku përfshihen të gjitha aspektet e jetës, siç i përfshin Suneti.

Edhe sikur të mendonim -në mënyrë hipotetike- për një moment, që të mos ekzistonte Suneti, ai do të ishte i domosdoshëm të ‘shpikej’, sepse pa të, Kurani është i pamundur të kuptohet dhe shpjegohet, pa Sunetin i gjithë ai korpus i dijeve islame që përfshin aspektet që përmendëm, nuk do të mund të ekzistonte.

Shembulli më i qartë për këtë është Krishterimi, tek i cili nuk ekziston diçka e ngjashme si Suneti, ndaj dhe pikërisht këtë element, ai e ka zëvendësuar me atë që njihet si ‘tradita e kishës’, apo me atë që kanë lënë trashëgimi etërit e Kishës, duke nisur që nga dishepujt e Isait, por më së shumti ata që erdhën pas tyre, duke filluar që me Palin.    

Kështu që të ashtuquajturit ‘kuranistë’ (në fakt e meritojnë të quhen anti-Kuran), janë produkt shterp që vetëm zhurmë dhe polemika idiote prodhojnë, ndaj dhe nuk kanë vazhdimësi dhe jetëgjatësi, prandaj dhe zërat e tyre veniten me kalimin e kohës, ashtu siç edhe mbijnë papritmas kohë pas kohe, pa harruar këtu faktin, se janë injorantë që as ia kanë haberin as të arabishtes, e as gramatikës së saj, e as të historisë islame dhe të asnjë dijeje minimale, mbi të cilën të mund të formulojnë një ide të qëndrueshme, qoftë edhe të gabuar e të devijuar.

Kështu që të biesh pre’ e ideve të tyre shterpe dhe idiote, do të thotë të hedhësh poshtë gjithë trashëgiminë qindra vjeçare që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe të pretendosh se mund t’ia nisësh sot nga zero! A thua se gati të gjithë muslimanët paskan qenë në humbje dhe sot na u zbulua e vërteta nga x apo y?!

Kush ka dy pare mend në kokë e kupton se sa pa vlerë dhe çfarë broçkullash llomotisin këta njerëz, duke përfshirë këtu edhe vetëpëlqimin e nënkuptuar të këtyre “shpëtimtarëve”, që me injorancën e tyre të thellë hedhin baltë, direkt dhe indirekt, mbi mbarë ymetin, sigurisht për të ngritur veten, sikur janë të vetmit dhe të paktët që e paskan kuptuar dhe njohur të vërtetën, pas kaq e kaq vitesh!

إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ ٱلۡأَبۡتَرُ

“S’ka dyshim se ai që të urren ty është farëshuar.” (el-Keuther: 3)