Është një nevojë e domosdoshme që besimtari të kujdeset për ruajtjen e identitetit të tij. Nuk ka ndonjë popull në botë përveç se kujdeset për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së tij. Çdo vend dhe çdo popull për ta ruajtur atë popull duhet të krijoj vlera dhe të promovoj gjërat të cilat krijojnë prosperitet në atë popull.

Sot ne jemi në një periudhë ku kemi nevojë që të bashkojmë përpjekjet tona, angazhimet dhe forcat tona në përballjen me sfidat e rrezikshme, që synojnë humbjen e identitetit dhe kulturës sonë. Duhet të krijojmë kulturë e cila përshtatet me realitetin dhe shoqërinë. Të krijojmë një kulturë të mendjes së shëndosh, jo një kulturë të verbët, një kulturë e cila ruan dhe respekton vlerat në shoqëri, jo një kulturë e cila përmbysë atë çka ne e kemi ruajtur me dekada.

Kultura e popullit ton dhe vlerat e kësaj kulture janë të lidhura ngushtë me fenë, sepse feja është pjesë e pandashme e këtij populli. Andaj, përmes ruajtjes së vlerave fetare ne ruajmë edhe vlerat kombëtare.

Feja islame është një program i jetës, që synim parësorë ka ta ruaj njeriun dhe vlerat e tij. Njeriu është i dalluar nga të gjitha krijesat, falë vlerave të cilat ia ka dhuruar Krijuesi dhe nëse ai (njeriu) nuk angazhohet që ti ruaj vlerat e tij e humb vlerën si njeri. Ngritja e myslimanit është përmes fesë së tij. Ashtu sikur që ka thënë Umeri, shoku i Pejgamberit: “ Ne jemi popull që Allahu na ka bërë krenarë me Islam. Kurdo që kërkojmë krenarinë diku tjetër nuk do ta gjejmë atë”.

Shkalla më e lartë e kulturës së besimtarit është besimi i tij, bindja dhe mbështetja e tij në Krijuesin. Besimi i drejt i besimtarit nuk përfshinë vetëm një pjesë në fushën e jetës së tij. Por ai është me besimtarin ku që gjendet ai. Besimi është gjëja e pandashme për besimtarin. Ai nuk është vetëm rituale, apo dogma që lidhen vetëm për vendet ku besimtari adhuron Zotin e tij. Besimi i mirëfilltë e përcjell besimtarin në çdo segment të jetës së tij. Kur besimtari është në vendin e adhurimit, besimi reflekton në jetën e tij. kur besimtari është në shtëpi, besimi reflekton në jetën e tij. Kur ai është me familjen e tij, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari është me farefisin e tij, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari është me shokët e tij, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari është në rrugë, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari është në treg, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari është në punën e tij, në zyrën e tij, besimi reflekton në jetën e tij. Kur besimtari krijon raporte me të tjerët, besimi reflekton në jetën e tij. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ Besimtar i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit të tjerët ndihen të sigurt”. Pra besimi i drejtë përfshinë tërë jetën e njeriut, duke u nisur në gjërat më të mëdha e deri në ato më të voglat, gjërat më të fshehta e deri te ato që janë publike. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ Imani ( besimi) është shtatëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala LA ILAHE IL-LALL-LLAH ndërsa me vogla është largimi i një pengese nga rruga, dhe turpi është prej imanit”. Besimi në Allahun i krijon njeriut një kulturë shumë të lartë dhe e ngritë njeriun në një shkallë shumë të lartë të qenies së tij. Njerëzit mundohen të krijojnë kulturë te njerëzit përmes ligjeve strikte dhe rigoroze, por kjo shpesh herë del të jetë i pasuksesshëm. Ose është i suksesshëm vetëm sa ai njeri e sheh që është në mbikëqyrjen e ligjit. Në momentet kur ai largohet nga sytë e ligjit, apo nga vendi ku zbatohet ligji ndryshon edhe njeriu. Udhëheqësi, kur e sheh që nuk po e sheh askush, ose nuk po hetohet nga askush, atëherë e gjen në vjedhje, e gjen në korrupsion, e gjen në ryshfet, në përgjithësi e gjen të pandërgjegjshëm në kryerjen e punës së tij. Ndërsa besimtari i mirë, që është në këtë pozitë nuk vepron kështu. Sepse, ai ka frikën e Atij i Cili e përcjellë në çdo gjendje dhe në çdo vend. Ai ( besimtari) mendon se një ditë do të dal para Allahut dhe do të jap llogari për gjithë punën dhe veprën e tij. Besimtari i mirë nuk vjedhë rrymën të cilën ai e harxhon. Sepse ia ka frikën Allahut dhe e din se vjedhja është një gjë e ndaluar në islam. Pra të gjitha degët e imanit që i Dërguari i Allahut tha se imani është shtatëdhjetë e ca degë, të gjitha këto kanë për qëllim të krijojnë një kulturë të mirëfilltë të besimtarit. Andaj ruajtja e fesë dhe kujdesi për të është edhe ruajtja e kulturës sonë dhe identitetit tonë.

Kultura e besimtarit është e vjetër aq sa është e vjetër edhe vetë feja e tij, e që feja është së bashku me njeriun e parë, Ademin alejhi selam. Kultura e besimtarit për bazë ka librin e Allahut dhe synetin (traditën) e Pejgamberit. Kapja për këto dy burime e ngritë besimtarin në piedestalin më të lartë të krijesës njeri. Kapja për këto dy burime është garantë për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së besimtarit. I Dërguari i Allahut në Haxhin e lamtumirës iu drejtua besimtarëve me këto fjalë: “Ju kam lënë pas meje dy gjëra. Nëse kapeni për to nuk do të humbni asnjëherë, Librin e Allahut dhe synetin (traditën) time, kapuni për to me dhëmballë”.

Libri i Allahut, zbatimi i tij në jetë është garantuesi më i fuqishëm i ruajtjes së kulturës dhe identitetit të besimtarit. Ai e ngritë njeriun, e edukon, e nxitë në dije dhe në vepër. Dija dhe vepra janë dy shtyllat kryesore që tregojnë kulturën e një populli. Ndërsa Kurani këto dy shtylla i konsideron parësore për besimtarin. Dhe në shumë ajete në Kuran na ka treguar se besimi, e që është dija ndaj Krijuesit është e pamjaftueshme nëse nuk ja bashkëngjitim edhe veprën.

Po ashtu fjala e Pejgamberit, i cili përmes saj tregoi çartë misionin e tij dhe qëllimin e dërgimit të tij, është një garantë i madh i krijimit dhe formimit të besimtarit. I Dërguari i Allahut tha: “Jam dërguar që të përsosi virtytet e larta të moralit”.

Morali është ai i cili e ngritë një shoqëri, ndërsa ç’thurja e moralit është shkatërrim i një shoqërie. Për këtë, besnikëria, sinqeriteti, ndërgjegjja e pastër, , sjella e mirë, edukata e mirë janë virtyte që i kultivon islami. Ndërsa mashtrimi, tradhtia, gënjeshtra, vjedhja, alkooli, amoraliteti , zhveshja, humbja e turpit, janë gjërat që më së shumti i lufton islami. Sepse, ato humbin dhe shkatërrojnë kulturën e një populli dhe popullin në përgjithësi.

Kultura e besimtarit nuk është e ngurtë, nuk është e mbyllur dhe nuk është e izoluar, por është e hapur për çdo vlerë që njeriu mund ta gjej diku. Urtësia është gjëja e humbur për besimtarin. Ku do që e gjen e merr. Andaj besimtari , prej nga do që vjen, ku do që jeton duhet që në vendin e tij ti sjell të mirat e tij vendi që jeton. Jo të importoj kultura të cilat bien ndesh dhe shkatërrojnë kulturën tonë. Sikur ata që jetojnë dhe veprojnë në vendet e ndryshme të sjellin kulturën e administrimit të mirë, rregullin e mirë, dijen dhe teknologjinë e përparuar, higjienën e atij vendi, ne do të pasuroheshim me këto gjëra të mira. Sikur mos të importonim kultura të cilat bien ndesh me dhe shkatërrojnë kulturën tonë. Të mos importojmë mosrespektim ndaj njëri tjetrit, ndaj prindërve dhe ndaj të afërmve. Të mos importojmë respektin e qenit më shumë se të njeriut. Të mos importojmë devijimin moral, ç’thurje, përhapjen e dukurive negative, si prostitucioni, gjërat narkotike, alkooli etj.

Nuk është kulturë e vendit tonë që të festojmë dukurit negative dhe të bëjmë ditë të veçantë që popullit tonë, e në veçanti rinisë sonë ti afrojmë gjërat më të këqija dhe më të shëmtuara. Alkooli është nëna e të këqijave, dhe porta e çdo të keqe.
Të gjithë kemi obligim që ta ruajmë këtë popull dhe ti ofrojmë vlera. Sikur që të gjitha jemi përgjegjës për devijimin e këtij populli dhe humbjen e vlerave që kemi.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati