I lavd-falënderuar është Allahu i Lartësuar. Ai i cili meriton “salavatet dhe selamet” është i dërguari i Allahut, Muhamedi sal-Allahu aljehi ve selem.
Dëshiroja që në fillim t’i lutem Allahut tim për sinqeritet në çdo gjë dhe i përgjërohem Atij që namazin ta bëj kënaqësi të shpirtit tim.

Njëri ndër adhurimet “ibadetet” fundamentale dhe themelore të Islamit është namazi. Qasja në këtë temë është shumë dimenzionale, pakëz është e vështirë të përfshimë shumëçka në këtë shkrim, por me lejen e Allahut do të mundohemi t’i rikujtojmë vetëm disa dobi, vlera, fryte dhe tablo.
Namazi është kënaqësia shpirtërore e të përkushtuarve të devotshëm, shija shpirtërore e njësuesve të Allahut, shqetësimi dhe interesim i të sinqertëve dhe peshojë e gjendjes së besimtarëve. Për të pasur mundësinë dhe privilegjin e përjetimeve shpirtërore, kërkohen njohuri dhe dije të nevojshme nga besimtarët, për vlerat dhe dobitë e namazit.

Në vazhdim po rikujtojmë disa prej tyre:
Namazi si detyrim nga Allahu ka marrë formën e prerë në Natën e Miraxhit, ndërsa të gjitha adhurimet tjera u ligjësuan në tokë.
Namazi është adhurimi i vetëm që përsëritet pesë herë në ditë, dhe nga ky adhurim nuk përjashtohet askush përveç grave në ciklin mujorë dhe lehoni.
Namazi është njëri ndër veprime më me vlerë, puna më e mira dhe afrimi më i favorshme te Allahu i Lartësuar.
Namazi është shtylla e fesë dhe fondamenti i bindjes “jekinit”.
Namazi është adresë e besnikërisë dhe dëshmi e pastrimit nga dyfytyrësia.
Namazi është prej temave më të mira dhe projekteve më fitimprurëse.
Namazi ngritë pozitat, largon të këqijat, pastron mëkatet, shlyen gjynahet.
Namazi të largon nga zjarri i xhehenemit, mburojë nga rreziqet, shpëtim te Allahu i Lartësuar dhe shpërblim me Xhenet.
Namazi është adresë e fitores dhe shpëtimit, udhërrëfyes i pranimit dhe suksesit.
Namazi është harxhi i rrugës së dynjasë, qetësi e shpirtit, pushim i gjymtyrëve, dritë dhe shpëtim i zemrës.

 

Të nderuar muslimanë!
Kujtoje këtë dhjetëshe duke rifreskuar njohurit për madhështinë e namazit. Për ta thjeshtësuar edhe më tej, duke i ligjëruar mendjes dhe arsyes po e gjej këtë mënyrë të shprehjes: namazi si detyrim duhet të ekzistoj sepse pa një “ibadet” si namazi nuk mund të paramendohet besimi, Islami nuk do të ishte i qëndrueshëm.
Për të pushuar edhe më tej shpirtërisht, e më i bindur logjikisht doja të kujtojmë edhe disa argumente nga fjalët e Allahut të Lartësuar dhe të dërguarit të Tij.
Po filloj me disa vargje nga Kurani Fisnik:
Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre”(Muminun, 1-2); “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.”(Muminun, 9-11); “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!”(Aëla, 14-15); “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!” (Bekare, 45); “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.” (Enam, 162-163); “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” (Ankebut, 45)

Hadithet profetike:
Abdullah bin Mesudi r.a. thotë: E kam pyetur të Dërguarin e Allahut: Cila punë është më e vlefshme? Ai tha: “Namazi në kohën e tij”. Pastaj cila? Ai tha: “Mirësjellja ndaj prindërve”. I thashë përsëri: Pastaj cila? Ai tha:“Lufta në rrugën e Allahut”. (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Hurejre r.a. thotë: e kam dëgjuar Pejgamberin sal-Allahu aleji ve selem duke thënë: “Çfarë mendoni, po të ishte një lumë pranë derës së ndonjërit prej jush e të pastrohej në të pesë herë në ditë, a do t’i mbetej ndonjë ndyrësirë?” Thanë: jo, nuk mbetet asgjë. Atëherë tha: “Kështu është edhe rasti i pesë namazeve, Allahu me to shlyen mëkatet.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Pesë namazet dhe xhumaja deri në xhumanë (tjetër) shlyejnë mëkatet e bëra mes tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.” (Shënon Muslimi)

Vëllezër dhe motra!
Namazi është adhurim i cili përbëhet nga fjalët dhe veprimet e caktuara, fillon me lartësimin e emrit të Allahut “Allahu Ekber” dhe përfundon me përshëndetjen selam. Ky adhurim madhëro duhet të përjetohet dhe të shijohet. Çdo gjë ka shije, po edhe besimi “Imani” ka shije, për këtë na mësoi Muhamedi sal-Allahu aljehi ve selem kur tha: “Ëmbëlsinë e Imanit e ka shijuar kush kënaqet që Allahu të jetë Zoti i tij, Islami feja e tij dhe Muhamedi sal-Allahi alejhi ve selem i dërguari i tij”.
Ta shijojmë ëmbëlsinë e adhurimit me namaz, duke mësua disa dobi nga fjalët dhe veprimet gjatë kryerjes së namazit. Po shkëpusim disa tablo.

Tabloja e abdesit dhe kibles.

Me abdes nënkuptojmë larjen e fytyrës, duarve, krahëve, kokës dhe këmbëve me ujë. Nëpërmjet këtij veprimi besimtari prezantohet para Zotit të tij i pastër me abdes në anën e jashtme dhe me pendim “teube” anën e brendshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222)
Ndërsa Muhamedi sal-Allahu alejhi ve selem na mësoj që pasi të mbarojmë abdesin ta shprehim “shehadetin” dhe të lutemi me lutjen: “Allahu im! Më bën prej atyre që pendohen dhe nga ata që pastrohen.” (Shënon Tirmidhiu)
“Shehadeti” të pastron nga shirku, pendimi (teubeja) të pastron nga mëkatet, kurse uji nga ndyrësitë e jashtme. Mu për këtë Allahu i Lartësuar e kërkoi abdesin para se të qëndrojmë para tij në namaz.
Drejtimi në anën e kibles për besimtarin ka një domethënie të veçantë, i gjithë trupi, gjymtyrët qëndrojnë para Allahut të Lartësuar me zemër të përulur, duke demonstruar robërinë e plotë ndaj Krijuesit Fuqiplotë. Robi është i kthyer me fytyrë kah Qabeja dhe me zemër nga Allahu i Lartësuar.
Çdo njëri i cili i mendon thellë këto veprime padyshim kënaqet në namaz duke shijuar ëmbëlsinë e adhurimit.

Tabloja e “tekbirit”, “subhanekes” dhe “istiadhes”.

Me fjalët “Allahu ekber” e fillon namazin. Allahu është më i Madhi janë fjalët që i paraqet gjuha, kur “tekbiri” është në një linë me zemrën vërtetë pas kësaj zemra më nuk njeh diçka më të madhe se Zoti dhe e gjithë qenia është e angazhuar për ta treguar robërinë e plotë gjatë adhurimit.
Tekbiri e nxjerr robin nga ndjenja e mendjemadhësisë dhe e pengon zemrën për të anuar diku tjetër pos Allahut të Lartësuar.
“Subhaneke” lexohet pasi të hymë në namaz që do të thotë: “ I lartësuar je Ti, o Allah! Ty të takon falënderimi, i bekuar është emri Yt, i lartësuar është serioziteti Yt dhe s’ka të adhuruar tjetër veç Teje.”
Besimtari me këtë lartësim, lavd-falënderim e çel namazin, vërtetë duhet analizuar thellë kuptimin e “subhanekes”!
“Istiadheja” është “Eudhu bilani mineshejtanir-raxhim” do të thotë: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundër shejtanit të mallkuar në mënyre që
ai të mos më pengojë nga feja ime apo nga punët e kësaj bote, apo te me zmbraps nga
ajo që Ai më ka urdhëruar, apo të më mashtrojë nga ajo që Allahu më ka ndaluar”.
Patjetër robi duhet të kërkoj ndihmën e Allahut sepse ai është në një pozitë më të mirë se kurdo herë, kur ai është në këtë gjendje duke qëndruar para Allahut atakohet nga shejtani, dhe për të mbrojtur nga vesveset, dyshimet dhe cytjet e shejtanit duhet kërkuar mbrojtjen e Allahut të Lartësuar.

Tabloja e “fatihasë”.

Kulmi i përjetimi të adhurimit dhe shijimi i ëmbëlsisë së namazit është kur të lexohet “Fatiha”. Kjo kaptinë nuk mundë të zëvendësohet me asgjë. Tani të meditojmë në vargjet e kësaj kaptine. “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”(Fatiha,1-7)
Allahu ka thënë: “E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy gjysma, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur. ”Kur robi thotë:“El- hamdu lil-lahi rabbil ‘alemin”. Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi.” Kur robi thotë: “Er-rahmanir-rahim”. Allahu thotë: “Robi Im më lartësoi.” Kur robi thotë: “Maliki jeumid-din”. Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi (robi Im i është bindur Madhërisë Sime).”Kur robi thotë:“Ijjake na’budu we ijjake nesta’in”. Ai thotë: “Kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim dhe ai do ta fitojë atë, për të cilën është lutur.” Kur robi thotë: “Ihdinas-siratal mustekim, siratal ledhine en ‘amte ‘alejhim, gajril magdubi ‘alejhim ve led-dalin”. Ai thotë: “Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar.” (Shënon Muslimi)

Kësaj radhe do të mjaftojmë me këto tre tablo, duke i sugjeruar lexuesit dhe lexueses të meditojnë në “rukunë”, “sexhden”, “teshehudin”, “selamin”, etj.. vetëm në këtë mënyrë do të përjetojnë ëmbëlsinë e namazit.

 

Të nderuar muslimanë!

Këto ishin disa fjalë mbi shtyllën më të rëndësishme të Islamit, namazin; kur themi kështu, nuk duhet harruar pozitën dhe statusin e namazit në legjislacionin Islam. Allahu i Lartësuar i qorton ashpër ata të cilët nuk tregojnë seriozitet në namaz, duke thënë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken” (Maun, 4-6)
Personi i cili nuk falet ose e mohon namazin është në një gjendje dhe krizë të identitetit Islam se ai a mundë ta gëzoj statusin e besimtarit apo jo?
Lexoni me vëmendje transmetimin e Xhabirit r.a të fjalëve të Muhamedit sal-Allahu aljehi ve selem ku thotë: “Midis njeriut dhe mosbesimit është namazi.” (Shënon Muslimi)
Tregon Burejde se Muhamedi sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Marrëveshja midis nesh dhe atyre është namazi, kushdo që e braktis atë është mosbesimtar.” (Shënon Ahmedi)
Padyshim që mohuesi i namazit nuk mund të jetë besimtarë, ndërsa mosfalësi është në një gjendje kritike, Allahu na ruajt.
Në fund, apeloj që të gjithë të jenë rojtarë të denjë të namazit duke e respektuar atë, sepse ky adhurim është detyrim nga Allahu i Lartësuar. Kujdes që fëmijëve tuaj tua mësoni namazin kështu që e gjithë familja të përjetoj lumturinë e dy botëve.
Fjala përmbyllëse është lutja e Ibrahimit alejhis-selam: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim, 40)

 

Ulvi Fejzullahu