Shejh Muhamed ibn Salih ibn Uthejmin
Falënderimi i takon Allahut, i Cili ia zbriti robit të Tij Librin dhe nuk lejoi në të asnjë shtrembërim;përkundrazi e zbriti të drejtë e të qëndrueshëm, për të paralajmëruar me një dënim të ashpër nga ana e Tij dhe për t’u dhënë lajmin e mirë besimtarëve që bëjnë vepra të mira se për ta ka shpërblim të bukur, ku do të qëndrojnë përgjithmonë; dhe për të paralajmëruar ata që thanë: “Allahu ka marrë një fëmijë”. Ata nuk kanë asnjë dijeni për këtë, as etërit e tyre. Sa e rëndë është fjala që del nga gojët e tyre! Ata nuk thonë tjetër veçse gënjeshtër (El-Kehf: 1–5).
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i pashoq, Ai që ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij dhe ka numëruar çdo gjë me saktësi.
Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që i pasuan me mirësi; dhe selam i plotë.
Pas kësaj:
O njerëz, kini frikë Allahun e Lartësuar dhe shtoni leximin e Kuranit në këtë muaj; Allahu do t’ua madhërojë shpërblimin për këtë, sepse për çdo shkronjë të Kuranit ka dhjetë shpërblime. Kanë ardhur hadithe të shumta për vlerën e leximit të Kuranit në përgjithësi dhe të disa sureve në veçanti. Në Sahihun e Muslimit përcillet se Xhibrili i tha Profetit ﷺ: “Gëzohu për dy drita që t’u janë dhënë ty e që nuk iu janë dhënë asnjë profeti para teje: Surja El-Fatiha dhe përfundimi i sures El-Bekare; nuk lexon asnjë shkronjë prej tyre veçse të jepet shpërblimi për të”.
Po ashtu, Profeti ﷺ ka thënë: “Shtëpia në të cilën lexohet surja El-Bekare nuk hyn shejtani”.
Usejd ibn Hudajri, Allahu qoftë i kënaqur me të, po lexonte natën suren El-Bekare, ndërsa kali i tij ishte i lidhur pranë tij dhe djali i tij ndodhej afër. Kali u trazua, ai pushoi së lexuari dhe kali u qetësua; pastaj filloi të lexonte përsëri e kali u trazua sërish; pushoi dheai u qetësua; lexoi për herë të tretë dhe kali iu trazua përsëri! Ai u frikësua se mos e dëmtonte djalin, u largua dhe ngriti kokën drejt qiellit, por nuk pa më asgjë; e kishte mbuluar diçka si re e errët me drita si llamba. Në mëngjes ia tregoi këtë Profetit ﷺ, dhe ai i tha: “E di çfarë ishte ajo?” Tha: “Jo”. Tha: “Ato ishin engjëjt që u afruan për shkak të zërit tënd; sikur të kishe vazhduar leximin, njerëzit do t’i kishin parë në mëngjes, pa u fshehur prej tyre”.
Profeti ﷺ ka treguar gjithashtu se surja El-Bekare dhe Ali Imran do ta mbulojnë dhe do të mbrojnë shoqëruesin e tyre Ditën e Kiametit, duke ndërmjetësuar për të.
Surja El-En’am i zbriti Profetit ﷺ në Mekë, dhe me të zbritën rreth shtatëdhjetë mijë engjëj, nga një skaj i horizontit në tjetrin; ata kishin zhurmë të madhe në tesbih, toka dridhej prej tyre, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ vetëm thoshte: “Subhanallahi-l-adhim I pa të meta është Allahu i madhërishëm”.
Po ashtu ka thënë ﷺ: “Një sure nga Kurani, me tridhjetë ajete, ndërmjetëson për shoqëruesin e saj derisa t’i falen mëkatet: ( Suretul mulk) ‘Tebareke-l-ledhi bijedihi-l-mulk – Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem’”.
Është përcjellë se ajo e shpëton nga dënimi i varrit. Po ashtu është vërtetuar se ai ﷺ ka thënë se suretul Ihlas: “ ‘Kul huvallahu ehad’ vlen sa një e treta e Kuranit”.
Një burrë i tha Profetit ﷺ se e donte këtë sure, dhe ai i tha: “Dashuria jote për të do të të fusë në xhenet”.
Një tjetër tha: “Ajo është përshkrimi i të Gjithëmëshirshmit dhe unë dua ta lexoj”, dhe Profeti ﷺ tha: “Njoftojeni se Allahu e do atë”.
Dhe i tha njërit prej shokëve të tij: “A të mësoj dy sure nga më të mirat që njerëzit i lexojnë?” Pastaj tha: “Thuaj: Kul eudhu bi rabil Felek‘Kërkoj mbrojtje te Zoti i agimit’ dhe Kul eudhu bi rabbi Nnas ‘Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve’”.
Prandaj lexojeni Kuranin me përsiatje dhe kuptim. Kur të kaloni pranë një ajeti të mëshirës, kërkojini Allahut nga mirësia e Tij; kur të kaloni pranë një ajeti kërcënimi, kërkoni mbrojtje tek Allahu nga dënimi i Tij; dhe kur të kaloni pranë një ajeti sexhdeje, bëni sexhde në çdo kohë, sepse sexhdeja e leximit nuk është e ndaluar, pasi ajo pason leximin. Kur të bini në sexhde, thoni “Allahu Ekber” dhe në sexhde thoni: “Subhane rabbijel-a‘la”; dhe kur të ngriheni nga sexhdeja, mos thoni tekbir dhe mos jepni selam, sepse kjo nuk është përcjellë nga Profeti ﷺ, përveç nëse lexuesi është duke u falur, atëherë ai bën tekbir për sexhde dhe për ngritjen prej saj.
Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Vërtet, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe shpenzojnë nga ajo që Ne u kemi dhënë, fshehurazi dhe haptazi, shpresojnë një tregti që kurrë nuk humbet, që Ai t’ua plotësojë shpërblimet e tyre dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij; vërtet Ai është Falës dhe Mirënjohës” (Fatir: 29–30).
O Allah, na e beko për ne Kuranin e madhërishëm dhe na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë myslimanët.
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



