Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, ndërsa paqja dhe bekimet qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

Dita e Ashurasë nuk është thjesht një ditë agjërimi, por një ditë që mbart mësime të mëdha mbi ligjet e Allahut në historinë e popujve. Ajo ruan në vetvete faqe të rëndësishme nga historia e Benu Israilëve, që nga koha kur ishin të shtypur nën tiraninë e faraonit, e deri te periudhat kur Allahu i sprovoi me mirësi dhe fatkeqësi, pastaj i paralajmëroi për prishjen që do të bënin në tokë dhe për pasojat e saj. Kush e vështron gjendjen e hebrenjve mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, sheh se Ashuraja është dëshmitare e fillimit të historisë së tyre, Kurani ka treguar rrugëtimin e tyre, ndërsa ligjet e Allahut tregojnë përfundimin e tyre.

Ashuraja – një ditë dëshmitare kundër tyre

Dita e Ashurasë është një nga ditët e mëdha që historia e ka përjetësuar. Ajo është dita në të cilën Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam dhe Benu Israilët nga faraoni dhe ushtria e tij. Kjo ditë ka mbetur një dëshmi e mirësisë së Allahut ndaj tyre dhe e mëshirës së Tij kur ata ishin të dobët, të shtypur dhe të nënshtruar ndaj padrejtësisë.

Benu Israilët përjetuan vuajtje të mëdha nën sundimin e Faraonit. Ata shijuan hidhërimin e robërisë, vrasjeve dhe torturave, pasi faraoni ua vriste djemtë dhe ua linte gjallë gratë. Kjo vazhdoi derisa erdhi ndihma e Allahut: deti u ça, të shtypurit u shpëtuan dhe tirani bashkë me ushtrinë e tij u fundosën. Për këtë arsye, dita e Ashurasë mbetet një dëshmi e përhershme se Allahu s.v.t. e ndihmon të shtypurin kur ai qëndron në të vërtetën dhe e kërkon sinqerisht atë, si dhe se tirania, sado e fuqishme të duket, e ka fundin e saj të pashmangshëm.

Megjithatë, kjo ditë nuk dëshmon vetëm për shpëtimin e tyre. Ajo dëshmon gjithashtu për atë që ndodhi më pas me shumë prej tyre: thyerjen e besëlidhjeve, mohimin e profetëve dhe shtrembërimin e fjalëve të Allahut nga kuptimi i tyre i drejtë. Për shkak të këtyre devijimeve, ata u qortuan dhe u dënuan në shumë vende të Kuranit Fisnik. Prandaj, Ashuraja nuk është vetëm kujtim i një shpëtimi të madh, por edhe një mësim i madh se mirësitë hyjnore kërkojnë falënderim, bindje dhe qëndrueshmëri në të vërtetën.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kujtoni kur ju shpëtuam nga ithtarët e faraonit, të cilët ju mundonin me dënimin më të rëndë; ju thernin djemtë tuaj dhe linin të gjalla gratë tuaja. Në këtë kishte një sprovë të madhe nga Zoti juaj.” (El-Bekare, 49)

Po ashtu thotë: “Me të vërtetë Faraoni ishte ngritur me mendjemadhësi në tokë dhe banorët e saj i kishte ndarë në grupe; ai dobësonte një grup prej tyre, duke ua therur djemtë dhe duke ua lënë të gjalla gratë. Ai ishte vërtet prej shkatërrimtarëve.” (El-Kasas, 4)

Pastaj erdhi shpëtimi i madh: “Atëherë Ne i shpallëm Musait: Godite detin me shkopin tënd! Dhe ai u nda, e secila pjesë u bë si një mal i madh… Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, pastaj i fundosëm të tjerët.” (Esh-Shuara, 63-66)

Në këtë kontekst kur  Profeti ﷺ  arriti  në Medinë, gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashurasë. Ai  i pyeti për këtë, e ata thanë: “Kjo është dita kur Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij.”

Atëherë Profeti ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritor ndaj Musait se ju.” ( Buhariu dhe Muslimi)

Pastaj e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohej.

Këtu shfaqet një e vërtetë e madhe: muslimanët janë pasuesit e vërtetë të të gjithë profetëve dhe janë më afër Musait sesa ata që e kundërshtuan udhëzimin e tij dhe e ndryshuan fenë e tij edhe nëse pretendojnë përkatësinë me të.  Prandaj Ashuraja mbeti dëshmitare e shpëtimit të tyre në fillim, por edhe dëshmitare e devijimeve që ndodhën më vonë te shumë prej tyre.

Nga faraoni te Hitleri: një histori e gjatë persekutimesh

Hebrenjtë kanë përjetuar forma të ndryshme shtypjeje përgjatë historisë. Ata ishin viktima të Faraonit në Egjipt, më pas u përballën me dëbime, robëri dhe shpërngulje në periudha të ndryshme historike. Në kohët moderne ata përjetuan tragjedi të mëdha në Evropë, të cilat arritën kulmin gjatë sundimit të Hitlerit.

Pa dyshim, padrejtësia ndaj të pafajshmëve është krim i madh, pavarësisht fesë apo kombësisë së tyre. Mirëpo vetëm përvoja e vuajtjes nuk mjafton që një popull të bëhet i drejtë; ajo duhet të shoqërohet me besim, moral dhe marrje mësimi.

Kur njeriu nuk merr mësim

Por një nga fatkeqësitë më të mëdha është që njeriu të kalojë sprova të rënda dhe të mos nxjerrë asnjë mësim prej tyre. Sprovat dërgohen që të zgjojnë zemrat, të korrigjojnë rrugën dhe të edukojnë shpirtrat. Kur mungon reflektimi, dhimbja mund të shndërrohet në dëshirë për hakmarrje, ndërsa viktima e djeshme mund të bëhet shtypësi i sotëm.

Për këtë arsye Kurani përmend vazhdimisht historitë e popujve të mëparshëm, jo thjesht për t’i rrëfyer ato, por që njerëzit të marrin mësim prej tyre. “Prandaj merrni mësim, o ju që keni mend dhe shikim të kthjellët.” (Surja El-Hashr, 59:2)

“Ju do të bëni dy herë shkatërrime në tokë”

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Ne ua shpallëm Benu Israilëve në Libër: Ju do të bëni dy herë shkatërrime në tokë dhe do të ngriteni me mendjemadhësi të madhe.” (El-Isra, 4)

Shumë komentues të Kuranit kanë përmendur se shkatërrimi i parë ndodhi pas kohës së Sulejmanit alejhi selam, kur te Benu Israilët u përhap korrupsioni, degjenerimi, devijimi, vrasja e profetëve dhe mosbindja ndaj Allahut. Atëherë Allahu u dërgoi kundër tyre armiq të fuqishëm që pushtuan vendin e tyre, shkatërruan qytetet dhe i skllavëruan dhe i poshtëruan pas krenarisë së tyre.

Allahu thotë: “Kur erdhi premtimi i herës së parë, Ne dërguam kundër jush robër Tanë me forcë të madhe luftarake dhe ata depërtuan nëpër shtëpitë tuaja. Ky ishte një premtim i përmbushur.” (El-Isra, 5)

Pastaj Allahu ua riktheu fuqinë:

“Pastaj Ne jua kthyem sërish epërsinë kundër tyre dhe ju ndihmuam me pasuri e me bij dhe ju bëmë më të shumtë në numër.” (El-Isra, 6)

Por ata u kthyen përsëri te shkatërrimi dhe mendjemadhësia.

Allahu thotë:

“Pastaj, kur erdhi premtimi i fundit, që t’ju nxijnë fytyrat, të hyjnë në xhami ashtu siç hynë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht atë mbi të cilën u ngritët.” (El-Isra, 7)

Shumë dijetarë bashkëkohorë e shohin gjendjen aktuale të hebrenjve dhe ngritjen e tyre politike e ushtarake si të lidhur me këtë shkatërrim të dytë përfundimtar që do t’iu ndodhë, veçanërisht për shkak të gjenocidit, padrejtësive dhe arrogancës së madhe që po bëjnë dhe atë  para syve të botës. Në këtë këndvështrim, ajo që po ndodh sot shihet si paralajmërim për një fund të ngjashëm me atë që i goditi pas shkatërrimit të parë.

I shtypuri u shndërrua në shtypës

Një nga paradokset më të dhimbshme të historisë është kur viktima e djeshme bëhet shtypësi i sotëm. Ata që për shekuj të tërë ankoheshin për dëbim, diskriminim dhe persekutim, duhej të ishin ndër njerëzit më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Mirëpo realiteti bashkëkohor tregon padrejtësi të mëdha ndaj popullit palestinez: vrasje, dëbime, rrethime, pushtim, persektuim, dhe gjenocid të madh.

Kështu përsëritet historia: kur mungon drejtësia dhe udhëzimi hyjnor, i shtypuri mund të bëhet shtypës dhe të përsërisë mbi të tjerët atë që dikur e vuajti vetë.

Mes së tashmes dhe së ardhmes

Pas përmendjes së historisë së Benu Israilëve, Allahu thotë: “Dhe pas kësaj u thamë Benu Israilëve: Banoni në tokë, e kur të vijë premtimi i fundit, Ne do t’ju sjellim të gjithë të tubuar.” (El-Isra, 104)

Pra, Allahu do t’i mbledhë nga vende të ndryshme. Vërtet, është fakt historik se si  pas shekujsh shpërndarjeje nëpër botë, hebrenjtë u mblodhën përsëri në një vend. Mirëpo ky grumbullim në vetvete nuk është dëshmi e shpëtimit apo e kënaqësisë së Allahut. Në Kuran, suksesi nuk matet me pushtet apo forcë, por me bindje ndaj Allahut, drejtësi dhe largim nga padrejtësia.

Prandaj shumë dijetarë e kanë parë këtë grumbullim si pjesë të rrjedhës së ngjarjeve që përmenden në këto ajete, ndërsa fundi i çështjes mbetet i lidhur me ligjin e pandryshueshëm të Allahut se padrejtësia nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Fundi i padrejtësisë është shkatërrimi

Që nga fundosja e faraonit në ditën e Ashurasë e deri te rënia e tiranëve përgjatë historisë, ligji i Allahut ka mbetur i njëjtë: padrejtësia nuk zgjat.

Faraoni u shkatërrua megjithëse kishte pushtet dhe ushtri. Po kështu kanë përfunduar të gjithë ata që menduan se forca e tyre do t’i mbronte nga dënimi i Allahut s.v.t..

Prandaj Kurani nuk i rrëfen këto histori për argëtim, por për të vendosur një rregull të madh:

“Dhe kështu është ndëshkimi i Zotit tënd kur Ai i ndëshkon vendbanimet që janë zullumqare. Vërtet ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 102)

Hebrenjtë e djeshëm ishin nën shtypjen e faraonit dhe jo vetëm të tij. Sot bota sheh forma të ndryshme shtypjeje që ushtrohen prej tyre ndaj të tjerëve. Ndërsa e ardhmja është në dorën e Allahut dhe ajo udhëhiqet nga ligjet e Tij të pandryshueshme për të cilat na ka njoftuar: se padrejtësia është paralajmërim për shkatërrim, se pushteti nuk garanton mbijetesë dhe se përfundimi i mirë është për drejtësinë dhe njerëzit e saj, ndërsa shkatërrimi është definitiv për zullumqarët.

Historia e hebrenjve gjatë shekujve na mëson se të qenit viktimë nuk i jep askujt të drejtë të bëhet shtypës, dhe se vuajtja nuk e justifikon agresionin. Po ashtu, popujt që nuk marrin mësim nga përvojat e së kaluarës bien sërish në të njëjtat gabime nga të cilat janë ankuar dikur. Nga kjo kuptojmë se drejtësia është themeli i shpëtimit, ndërsa padrejtësia është shkak i shkatërrimit, dhe se ligjet e Allahut nuk favorizojnë asnjë popull apo komb.

Ai që u shpëtua dje nga tirania e Faraonit duhej të ishte mbështetës i të shtypurve, jo të shndërrohej në një formë të re tiranie. Historia mbetet dëshmitare, dhe ditët mbeten kujtesë e gjallë se përfundimi i padrejtësisë është zhdukja, dhe se Allahu i jep afat të padrejtit, por kur e merr në llogari, nuk e lë pa ndëshkim.

“Mos mendo kurrsesi se Allahu është i pakujdesshëm ndaj asaj që bëjnë zullumqarët. Ai vetëm po i shtyn ata deri në një Ditë kur sytë do të mbeten të ngritur (nga tmerri).” (Surja Ibrahim, 14:42)

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve