Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit ﷺ të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.
Sot po dëshmojmë se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë, në vend që të jenë thjesht një proces i zakonshëm administrativ, po shndërrohen në arena përçarjeje. Gjuha e urrejtjes dhe ndarjet në “tabore” po hyjnë brenda shtëpive tona, duke helmuar raportet e pastra njerëzore dhe familjare për interesa të ngushta që zgjasin vetëm disa muaj apo vite.
Kurani Famëlartë është i qartë në urdhërin për vetpërmbajtje: “Thuaju robve të Mi që të flasin atë që është më e mira, sepse shejtani vërtet mbjell përçarje mes tyre. Me të vërtetë, shejtani është armik i hapur i njeriut.” (Suretu El-Isra, 53)
Poashtu nga Hadithet e qarta të Profetit ﷺ në këtë kontekst është fjala e tij: ”Nuk lejohet që myslimani të mbajë mëri – hidhërim me vëllain e tij mbi tri ditë; takohen dhe ky ia kthen shpinën e ai ia kthen shpinën. Më i miri prej tyre është ai që fillon i pari me selam.”(Transmeton Buhariu)
Rrjetet sociale si mjet denigrimi, linçimi dhe mospërmbajtjeje
Një nga kanalet më kryesore ku sot po infektohen raportet tona shoqërore janë rrjetet sociale (Facebook, TikTok, Instagram etj.). Fatkeqësisht, pas një ekrani dhe një tastiere, shumë njerëz humbin frenat e edukatës dhe moralit islam. Komentet fyese, linçimet publike, shpifjet dhe denigrimi i tjetrit vetëm pse mendon ndryshe politikisht, janë bërë përditshmëri.
Në Islam, fjala e shkruar ka të njëjtën peshë dhe përgjegjësi para Zotit sikur fjala e thënë me gojë. Çdo “koment”, çdo “share” (shpërndarje) dhe çdo linçim regjistrohet nga melekët për të cilën do të kërkohet përgjegjësi.
Allahu na tërheq vërejtjen për ata që përhapin thashetheme dhe shpifje pa verifikuar: ”O ju që besuat, nëse ndonjë i prishur (fasik) ju sjell ndonjë lajm, ju sqarojeni mirë -verifikojeni, që të mos i bëni dëm ndonjë populli pa e ditur, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (Suretu El-Huxhurat, 6)
Ndërsa Profeti ﷺ ka treguar se cili është myslimani i vërtetë: ”Mysliman i vërtetë është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të qetë (të sigurt) myslimanët e tjerë.”(Transmeton Buhariu) Sot, “dora e tij” nënkupton edhe kur e përdor për shkrimin e komenteve linçuese në rrjetet sociale.
Ibn El-Kajimi rh. a. thotë: ”Disa njerëz e kanë të lehtë të falen natën apo të agjërojnë ditën vullnetarisht, por e kanë tmerrësisht të vështirë ta ruajnë gjuhën e tyre nga nderi i njerëzve.” Fuqizimi i Unitetit obligim fetar, jo opsion
Uniteti i besimtarëve nuk është thjesht një dëshirë apo sllogan dekorues, por është një urdhër i prerë nga Allahu. Islami e konsideron unitetin si burim të fuqisë, mbrojtjes dhe bekimitt të Zotit. Kur jemi të ndarë dhe të përçarë, jemi pre e lehtë për çdo dëm. Kur jemi të bashkuar, asnjë stuhi nuk mund të na lëkundë.
Në Kuranin Famëlartë gjejmë urdhrin e drejtpërdrejtë të Krijuesit për unitet: ”Dhe kapuni që të gjithë pas litarit të Allahut (Kuranit) e mos u përçani! Dhe kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ishit armiq e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër…” (Suretu Ali Imran, 103)
Po ashtu Profeti ﷺ e ka përshkruar unitetin e myslimanëve si një strukturë të pathyeshme: ”Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, ku pjesët e saj mbajnë dhe fuqizojnë njëra-tjetrën” – dhe pastaj Profeti ﷺ i ndërthurri gishtat e duarve të tij.(Transmeton Buhariu)
Vëllazëria në Islam mbi çdo përkatësi klanore apo politike
Përkatësitë politike e partiake janë të përkohshme dhe ndryshojnë. Sot je me një parti, nesër mund të jeshë me një tjetër për faktin se shumë kush prej nesh në një të kaluar nuk ishte me këtë parti që tani prishet me vëllain për të! Por, vëllazëria në fe dhe në gjak është e përhershme. Gjaku nuk bëhet ujë o musliman. Islami erdhi pikërisht për t’i shkatërruar ndarjet mbi baza klanore, partiake e krahinore.
”S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, prandaj bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj…” (Suretu El-Huxhurat, 10)
Në Hytben e Lamtumirës, Profeti ﷺ thotë: ”O njerëz! Zoti juaj është Një, dhe babai juaj është një. Nuk ka asnjë epërsi arabi ndaj jo-arabit as i bardhi ndaj të ziut dhe as anasjelltas përveçse me devotshmëri (takva). Besimtarët janë vëllezër.”
Përçarja është dobësim dhe shkatërrim
Në një shoqëri të përçarë përmes komenteve, fyerjeve dhe linçimeve, nuk ka fitues. Edhe ai që fiton pushtetin, nëse udhëheq një popull të përçarë dhe të helmuar, ka fituar mbi rrënoja.
”E mos u përçani mes vete e të dobësoheni e të ju ikë fuqia juaj, dhe bëni durim se Allahu vërtet është me të durueshmit.” (Suretu El-Enfal, 46)
Profeti ﷺ ka thënë: ”Tek ju ka depërtuar sëmundja e popujve para jush: xhelozia dhe urrejtja. Ajo është rruajtëse (shkatërruese). Nuk po them se i rruan flokët, por ajo e rruan (e shkatërron) fenë.”(Transmeton Tirmidhiu)
Vëllezër të nderuar! Zgjedhjet vijnë dhe shkojnë, por fqinji yt mbetet fqinj, e vëllai mbetet vëlla. Para se të shtypësh “Enter” për të fyer apo linçuar dikë në rrjetet sociale për hir të një politikani apo partie, krahasoje atë shkrim me peshoren e Kuranit dhe Sunetit.
Le të garojnë me ide ata që janë në garë, ndërsa ne le të komentojmë me edukatë, e mbi të gjitha, të ruajmë unitetin dhe vëllazërinë tonë, sepse ajo është pasuria më e madhe që kemi si shoqëri dhe si besimtarë.



