Vendosja e qëllimeve tingëllon si diçka e thjeshtë dhe intuitive, megjithatë shumë njerëz nuk i arrijnë qëllimet që i vendosin vetes thjesht sepse nuk i vendosin ato siç duhet. Është e trishtueshme të thuhet se shumë njerëz nuk u mësuan kurrë se si të vendosnin qëllimet siç duhet. Qëllimet e tyre janë më shumë si dëshira sesa qëllime të prekshme për të cilat mund të punojnë.

Në pjesën e parë, ne krijuam listën tonë të qëllimeve për t’u fokusuar që t’i arrijmë gjatë këtij Ramazani. Sot, unë do të vazhdoj të ndaj 4 P-të për të dokumentuar siç duhet qëllimet tuaja dhe kornizën time RAMADAN për t’ju ndihmuar t’i hartoni ato, inshaAllah.

4 P-të e dokumentimit të qëllimeve

Është e habitshme, por mënyra se si i dokumentoni qëllimet tuaja mund të ketë një ndikim të madh në gjasat tuaja për t’i arritur ato. Disa nuk shqetësohen me dokumentimin dhe në vend të kësaj zgjedhin të mbështeten në kujtesën e tyre.

E vërteta është se vetë fakti që ju i keni shkruar qëllimet tuaja, mund të përmirësojë në mënyrë dramatike shanset tuaja për t’i arritur ato, sipas një studimi. Por shkrimi i atyre synimeve nuk mjafton; duhet të siguroheni që t’i dokumentoni saktë. Meqenëse po merrni kohë dhe po përpiqeni t’i shkruani ato, mund ta bëni këtë në mënyrën e duhur! Këtu janë 4 P-të që do t’ju ndihmojnë të siguroheni që t’i dokumentoni saktë qëllimet tuaja.

  1. Pozitiviteti:

Shumë njerëz duan të eliminojnë diçka negative nga jeta e tyre. Mund të jetë një zakon i keq si pirja e duhanit, zakonet e këqija të shpenzimeve, sjelljet e të ngrënit, etj. Pra, qëllimi i tyre është të ndalojnë së bëri diçka negative. Në vend që të përqendroheni në atë që nuk dëshironi, ose në atë që dëshironi të ndryshoni, përqendrohuni në atë që dëshironi të arrini. Mendja juaj tërheq automatikisht atë në të cilën përqendroheni. Nëse objektivi i qëllimit tuaj është diçka negative, ju do të vazhdoni të shkoni drejt atij qëllimi! Kjo shpjegon pse kaq shumë njerëz thjesht nuk mund t’i eliminojnë zakonet e tyre të këqija. Kështu për shembull, mos thoni “dua të humb 20 kilogramë”. Përkundrazi, thoni “dua të peshoj 75 kilogramë “. Në vend që të thoni “nuk dua të dështoj përsëri në mësimin përmendësh të Kuranit”, thoni “dua ta memorizoj të gjithë Kuranin”.

  1. Personifikimi:

Truku këtu është të shkruani qëllimet tuaja si një fjali dhe ta bëni veten subjekt të asaj fjalie. Me fjalë të tjera, shkruajeni qëllimin si fjali në vetën e parë. Kjo e detyron mendjen tuaj të lidhë identitetin tuaj me qëllimet tuaja, duke bërë që nënndërgjegjja juaj të llogarisë mënyrat e shumta për ta arritur këtë. Për shembull, mos përpiloni një listë me qëllime si “peshoni 75 kilogramë”. Në vend të kësaj, thoni “Dua të peshoj 75 kilogramë”. Në vend të “Mëso Kuranin përmendësh “, thuaj “Unë dua ta mësoj Kuranin përmendësh”.

  1. E Tashmja (nga anglishtja – The Present):

Shumë njerëz i shtyjnë qëllimet e tyre për një kohë në të ardhmen. Për shembull, në Ramazan, ata thonë “Unë dua të lexoj tërë Kuranin”. Në vend të atij mendimi dëshiror, përshpejtoni jetën tuaj deri në atë moment kur të ndjeni ndjesinë e përfundimit të Kuranit dhe duke i bërë dua të sinqertë Allahut të Madhërishëm në shenjë mirënjohjeje pas përfundimit. Ndjeni mirënjohjen ndaj Allahut në zemrën tuaj për ndihmën dhe suksesin për të arritur këtë qëllim. Ndjeni lumturinë dhe përmbushjen për arritjen më në fund të këtij qëllimi monumental. Kur ndjeni vërtet ndjesitë dhe emocionet e lidhura me arritjen e qëllimit tuaj, lidhni fjalët në faqe me ato ndjenja. Kjo i bashkon qëllimet tuaja me diçka të këndshme në vend të diçkaje të dhimbshme. Në aspektin praktik, bëhet “Jam mirënjohës që e kam përfunduar Kuranin”.

  1. Pamja:

Pasi të keni fjalët dhe ndjenjën, duhet t’i bashkëngjitni ato në një pikturë, pasi mendja nuk mendon me fjalë; mendon në pamje. Kjo e bën qëllimin më konkret dhe plotëson lidhjen mes gjithë mendjes suaj dhe qëllimit. Pra, nëse qëllimi juaj është humbja e peshës, për shembull, imagjinoni peshoren që lexon 75 kilogramë dhe ndjenjat që vijnë me të. Nëse është Kurani, imagjinoni të shikoni faqen e fundit dhe ta mbyllni atë për herë të fundit (në këtë lexim).

Korniza e përcaktimit të qëllimeve ‘RAMADAN’

Të dish se si të dokumentosh siç duhet qëllimet e tua është një gjë, por të dish se çfarë lloj qëllimesh të vendosësh është diçka krejtësisht tjetër! Për ta bërë këtë sa më të lehtë dhe sa më të thjeshtë të jetë e mundur, unë kam krijuar një kornizë për të na ndihmuar të formulojmë qëllimet që synojmë. Është me vend që meqenëse Ramazani ka të bëjë me transformimin e sjelljes sonë, metoda e duhur për vendosjen e qëllimeve tona vjen nga fjala RAMADAN. Qëllimet tuaja duhet të plotësojnë këto kritere për të pasur ndikimin maksimal të mundshëm.

R për Relevante:

Kur vendosni synime për Ramazanin, mbani mend se ky është muaji i afrimit me Allahun e Madhëruar me ibadet, Kuran, etj. Mos filloni duke vendosur 15-20 qëllime që kanë të bëjnë me davetin. Edhe dijetarët i mbyllnin librat e tyre të fikhut dhe hadithit gjatë muajit të Ramazanit dhe përqendroheshin ekskluzivisht në Librin e Allahut të Lartësuar. Në të njëjtën mënyrë, sigurohuni që qëllimet që i keni vënë vetes këtë Ramazan janë të rëndësishme për muajin e Ramazanit.

Një konsideratë tjetër është se qëllimi duhet të jetë i rëndësishëm për JU. A është kjo diçka që ju vërtet dëshironi apo është diçka që jeni të detyruar ta bëni? A po lë të kuptohet gruaja juaj se duhet të humbni 10 kg këtë Ramazan? Mos u pajto me të, përveç nëse është diçka që vërtet dëshiron ta arrish nga thellësia e zemrës. Përndryshe, thjesht nuk do të keni sukses. Dhe unë nuk dua që të filloni në një betejë të humbur!

A për Aspiratën:

Në përvojën time të trajnimit dhe këshillimit për korporata dhe ndërmarrjet, zakonisht dëgjoj shprehjen dhe akronimin “qëllimet SMART” kur kompanitë dhe organizatat po përpiqen të krijojnë planet e tyre strategjike. Është ai akronim që më detyroi të krijoj kornizën e qëllimeve RAMADAN. A në SMART do të thotë “e arritshme”. Unë nuk besoj në vendosjen e qëllimeve të arritshme dhe as ju nuk duhet!

Qëllimi i Ramazanit është të zgjeroni kapacitetin tuaj dhe të dilni jashtë zonës suaj të rehatisë, për të aspiruar diçka më të madhe! Kur vendosni qëllimet tuaja këtë Ramazan, zgjidhni diçka që ju bën pak nervoz. Nuk e ke falur kurrë teravitë çdo ditë në Ramazan? Ju sfidoj ta bëni këtë vit! Siç e diskutuam herën e kaluar, Allahu i Madhërishëm ju ka dhënë një shans për të treguar potencialin tuaj dhe e ka bërë shumë më të lehtë për ju duke i lidhur djajtë.

Ky është një shans për të vendosur një standard të ri për veten dhe për të ndërtuar zakone të reja. Ndoshta pas Ramazanit, ju do të vazhdoni të shkoni në xhami për jaci gjatë gjithë vitit. Edhe Profeti ﷺ e shtrëngonte rripin e belit (d.m.th. punonte fort) me fillimin e dhjetë ditëve të fundit, që do të thotë se ai kalonte dhe mbi atë që ishte normale për të për të bërë gjatë pjesës tjetër të muajit. Nëse edhe ai mund të bënte më shumë, mundemi edhe ne!

M për e matshme:

Si inxhinier, unë di gjithçka rreth metrikës dhe ato vërtet na ndihmojnë të përmirësohemi. Duke e formuluar qëllimin tuaj si diçka që është i matshëm, krijon qartësi nëse keni arritur apo jo sukses në arritjen e qëllimit tuaj. Pra, në vend që të thoni se doni të lexoni më shumë Kuran, sa planifikoni të lexoni? Nëse qëllimi juaj është të lexoni të gjithë librin një herë në muaj, kjo është e barabart me një xhuz ose afërsisht 20 faqe në ditë. A mund ta ndani këtë në 10 faqe para punës dhe 10 faqe më pas? Apo ndoshta 5 para punës, 5 gjatë pushimit të drekës dhe 10 pas? Vendosja e numrave në të e bën atë reale dhe ju ndihmon të krijoni një plan se si të filloni t’i arrini këto qëllime. Ne do të hyjmë në këtë në mënyrë më të detajuar në artikullin vijues, inshaAllah.

A për vlerësimin (nga anglishtja – Assess):

Ju duhet të keni një sistem për të mbajtur gjurmët se si po bëni me qëllimet tuaja nga dita në ditë. Ky vlerësim shkon krah për krah me ripërcaktimin e qëllimeve tuaja si të matshme. Procesi i rishikimit të një sistemi për të vlerësuar performancën tuaj quhet muhasebe, ose vetëllogaritja. Omer Allahu qoftë i kënaqur me të tha: “Merrni llogari para se të merreni në llogari dhe peshoni veprat tuaja para se të peshohen veprat tuaja” [Ibnul-Kajjim, Ighathetul-lehefan].

Unë besoj se çdo musliman duhet të ketë sistemin e tij për të mbajtur llogaritë e veprave të tij në baza ditore. Për shembull, unë kam krijuar një fletëllogaritëse në Excel që e përdori për të gjurmuar disa sjellje ditore si farzet, sunetet, ushtrimet, gjumi, etj. Përndryshe, mund të jetë aq i thjeshtë sa një ditar i veçantë që mbani pranë shtratit tuaj. Çdo natë para se të flini, duhet të rishikoni veprimet tuaja të ditës dhe të shihni se çfarë korrigjime duhet të bëni për nesër. Pastaj, duke përdorur atë informacion, çdo javë duhet të rishikoni përparimin tuaj drejt qëllimeve tuaja dhe të përcaktoni se çfarë korrigjime duhet të bëhen për këtë javë. Këtë do ta diskutojmë më shumë në artikullin vijues, inshaAllah.

D për të përcaktuar (nga anglishtja – Definite):

Kur vendosni qëllime, keni nevojë për një objektiv të qartë dhe përcaktuar. Ashtu si bërja e qëllimit të matshëm ju ndihmon të jepni një kriter për suksesin, duke e bërë qëllimin tuaj të përcaktuar do të bëjë të njëjtën gjë. “Unë duhet të jem një person më i mirë këtë Ramazan” thjesht nuk do të funksionojë. Jini specifik. Si do të përmirësoheni? Me prindërit tuaj? Me fqinjët tuaj? Me namazin tuaj? Ndoshta do të jeni më të sinqertë? Si do ta dini se keni pasur sukses? A do të jetë në gjendje një palë e tretë të verifikojë nëse keni pasur sukses? Nëse jo, vazhdoni të përpiqeni ta bëni atë më të përcaktuar në mënyrë që dikush tjetër të mund të përcaktojë nëse keni qenë të suksesshëm apo jo.

A për agjendë:

Të kesh 100 qëllime është e mrekullueshme, por nëse nuk cakton kohën për t’i përfunduar ato, ato nuk do të arrihen kurrë. Kjo është arsyeja pse duhet të caktoni një takim me veten në axhendën tuaj ose në kalendarin tuaj. Le të kthehemi te shembulli i Kuranit. Nëse keni vendosur qëllimin për të lexuar 20 faqe në ditë, sa kohë ju duhet për të lexuar një faqe? Nëse duhen disa minuta pasi arabishtja nuk është gjuha juaj amtare, duhet të planifikoni në përputhje me rrethanat. Kjo mund të thotë se do t’ju duhet një orë ose më shumë çdo ditë për të lexuar Kuranin. Kur do të gjeni kohë për ta bërë këtë? Mund të ndërhyjë në qëllimin tuaj tjetër për të qenë më bamirës dhe vullnetar në kuzhinën e hapurt të lagjes. Cila nga këto dy përpjekje fisnike do të marrë atë orë të çmuar të kohës suaj? Ju duhet ta merrni atë vendim paraprakisht në mënyrë që të mos ndiheni keq për të bërë njërën ose tjetrën.

Ka gjithashtu një përfitim praktik për ta vendosur atë në kalendarin tuaj: Mund të konfiguroni rikujtues automatikë në kompjuterin dhe telefonin tuaj. Nëse preferoni një zgjidhje letre, mund të printoni axhendën tuaj ditore dhe ta rishikoni atë një natë më parë për të siguruar që çdo takim të ketë përgatitjen e duhur.

N për novacion:

Për shumë vite, ne kemi vendosur të njëjtat qëllime pa pushim. “Këtë Ramazan dua të lexoj tërë Kuranin”, themi ne, por mjerisht nuk e bëjmë kurrë. Kjo krijon shumë presion mbi ju, vit pas viti, dhe mund t’ju vendosë në një spirale në rënie. Ju filloni të besoni se kurrë nuk mund të keni sukses në këtë qëllim, apo ndonjë qëllim për këtë çështje.

Këtë Ramazan, përpiquni të përqendroheni në diçka të re. Ndoshta bëni më shumë dhikër dhe fokusohuni më pak në garën deri në faqen e fundit të Kuranit. Mos e injoroni, por lexojeni atë me përqendrim dhe meditim ndërsa ecni përpara, në vend që të fiksoheni për ta plotësuar këtë herë. Pastaj, kur të keni arritur qëllimet tuaja të reja, do të ndërtoni besim dhe vrull që mund t’i sillni qëllimeve tuaja të vjetra në një datë të re.

Gjithashtu, sigurohuni që të vendosni një qëllim që është një standard më i ri më i lartë i përsosmërisë për ju. Nëse faleni pesë herë në ditë për momentin, mos e bëni këtë qëllim për Ramazan! Bëni diçka të re dhe emocionuese! Por nëse aktualisht nuk jeni duke u falur pesë herë në ditë, mund të përpiqeni ta rrisni objektivin tuaj në pesë herë në ditë këtë Ramazan.

Hapat e veprimit:

Merrni listën e qëllimeve që keni krijuar herën e fundit dhe përsosi ato duke përdorur një fletë pune, duke u siguruar që po përdorni 4 P-të dhe kornizën RAMADAN. Nga atje, ngushtojini ato në 5-10 qëllimet kryesore që do t’i arrini absolutisht këtë Ramazan, InshaAllah. Mos u shqeteso; artikulli tjetër do të shpjegojë se si ta bëni këtë saktësisht!

Lexoni pjesët e tjera të kësaj serie: Pjesa I | Pjesa III | Pjesa IV | Pjesa V

Karim El-Sajed

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org