Disa besojnë se Ramazani është i veçantë thjesht sepse përmban një natë që është më e madhe se 1000 muaj, por çfarë e bën atë natë kaq të mrekullueshme? E vërteta është se gjatë asaj nate nga pllaka e ruajtur zbritet kaderi (dekreti) për vitin e ardhshëm. Siç thotë Allahu i Madhërishëm atë që mund të përkthehet si: “Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Surja Duhan, ajeti 4), dhe në ajetin tjetër: Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” (Surja Kadr, ajeti 4).

A e dini se ka diçka që mund të bëni për ta ndryshuar atë kader në gjendjen e tij të pambrojtur ndërsa zbret nga qielli?

Po, është fuqia e duasë! Siç përmendi Profeti ﷺ: “Asgjë nuk mund ta ndryshojë Kaderin përveç duasë”. (Sahih el-Xhami)

Dhe në një hadith tjetër, Ai ﷺ ka thënë: “Duaja ka dobi si në gjërat që kanë ndodhur ashtu edhe në ato që nuk kanë ndodhur ende. Fatkeqësia zbret, por duaja e përballon atë dhe ata mund të luftojnë vazhdimisht deri në Ditën e Kiametit”. (Transmeton Hakimi)

Kjo e bën muajin e Ramazanit dhe veçanërisht dhjetë netët e fundit, një kohë jashtëzakonisht të fuqishme për të bërë dua (Sunen Ibn Maxhe).

Ndërsa synojmë për një Ramazan jashtëzakonisht produktiv, inshaAllah, ka kuptim që ne t’i përgatisim me diskutim dhe mendim të kujdesshëm duatë në të cilat do të fokusohemi gjatë gjithë muajit. Pra, pyesni veten: “Cilat janë duatë që do të ndryshojnë jetën time në vitin e ardhshëm?” dhe ji absolutisht i sigurt se Allahu i Madhërishëm do t’u përgjigjet atyre inshaAllah! Në pjesën tjetër të këtij artikulli, unë do të ndaj këshillat e mia më të mira për përgatitjen e këtyre duave.

8 Duat që duhet të bëni këtë Ramazan

Çdo Ramazan gjatë disa viteve të fundit, paraprakisht vendos se në cilat tetë dua do të fokusohem. Unë zgjedh dy dua nga secila prej katër kategorive të listuara më poshtë. Pse 8? Shumica e xhamive falin 8 rekate teravitë (të paktën), kështu që unë përsëris vetëm një dua vazhdimisht në çdo rekat të teravive (gjatë sexhdeve). Në këtë mënyrë, gjithmonë kujtoj se në cilin rekat jam, gjë që më ndihmon të përqendrohem dhe të qëndroj vigjilent gjatë teravive. Sidoqoftë, nuk ka nevojë të jenë specifikisht 8 dua. Mund të jenë 17 – një për çdo rekat në namazin farz – për shembull, por meqë po flasim për Ramazan (dhe është më e lehtë të mbash mend 8 sesa 17), le të qëndrojmë vetëm te 8.

Ka diçka më të rëndësishme se numri, dhe kjo është përpjekja që bëni. Imagjinoni përkushtimin dhe qëndrueshmërinë që po i tregoni Allahut të Madhërishëm duke bërë të njëjtat dua çdo natë për 29 ose 30 netë gjatë çdo rekati të teravive! Përveç kësaj, nëse jeni vërtet kaq konsekuent, me siguri do ta arrini Natën e Kadrit! Ju do të shfaqnit një nivel përkushtimi që pak e bëjnë: t’i tregoni Allahut të Lartësuar se jeni të dëshpëruar për ndihmën e Tij. Si ka mundësi që Ai që ju frymëzoi t’i luteni t’ju kthejë duarbosh?

Sa më shumë të mendoni për këtë aktivitet, aq më mirë. Megjithatë, kini kujdes që të mos e teproni me të. Është e mundur të përfundoni aktivitetin në pesë minuta nëse jeni në presion të kohës, kështu që përfundoni atë sa më shpejt që të mundeni.

Vini re se kjo listë e duave nuk ka nevojë domosdoshmërisht të përputhet me qëllimet që diskutuam në artikujt e mëparshëm, pasi janë synime për Ramazan. Lista e duave që po krijoni tani është për jetën tuaj në përgjithësi.

Ndërsa nuk ka asnjë garanci se duaja juaj do të realizohet, ju duhet të luteni sikur do të ndodhë. Duaja juaj mund të shmangë një fatkeqësi, një sëmundje ose ndonjë vështirësi tjetër që ishte e destinuar për ju, kështu që në këtë kuptim duaja juaj do të merrte përgjigje dhe do të pranohej pa u realizuar domosdoshmërisht. Ne kurrë nuk e dimë me të vërtetë se çfarë është më e mira për ne, por Allahu i Madhërishëm me siguri e di – dhe Ai gjithmonë çliron.

“Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Surja Bekare, ajeti 216)

Katër kategoritë

  1. Feja:

Meqenëse Ramazani ka të bëjë me devotshmëri dhe përmirësim, lutuni dhe përgjërojuni Allahut të Madhërishëm që t’ju përmirësojë. Zgjidhni dy aspekte të fesë suaj që dëshironi t’i përmirësoni dhe lutuni me zell që Allahu t’ju ndihmojë me to. Ndoshta nuk keni bërë ende haxhin apo umren? Bëni dua që këto t’i arrini para Ramazanit të ardhshëm! A tingëllon qesharake? Nuk është e vështirë për Allahun e Madhërishëm! Dëshironi të mësoni përmendësh të gjithë Kuranin? Apo një pjesë të tij? Është e lehtë për Pranuesin e lutjeve. Dëshironi të hiqni dorë nga një zakon i keq? Apo të ndërtoni një të ri si falja e namazit në xhami? Ky është rasti juaj për ta lutur Allahun e Lartësuar që të kënaqë zemrën tuaj!

  1. Dunja:

Një nga duatë e para që hasim gjatë teravive është “rabbana aatina fi dunja haseneh” ose “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë” (Surja Bekare, ajeti 201). Allahu i Madhërishëm na mëson të lutemi për jetën e kësaj bote. Kjo më tingëllon mirë. Për sa kohë që jam këtu, dua të përfitoj sa më shumë që të mundem! Prandaj, kërkoni ndihmën e Allahut nga thellësia e zemrës suaj. Keni nevojë për ndihmë për martesën? Punë? Shtëpia? Makinë? Shëndet? Kjo është koha për të kërkuar Allahun e Lartësuar pa kufizuar aftësinë e Tij.

  1. Bota tjetër (Ahireti):

Pjesa tjetër e asaj duaje është “ue fi el akhireti haseneh” – “na jep të mira në botën tjetër”. Meqenëse destinacioni ynë përfundimtar është bota tjetër, ne duhet t’ia kushtojmë një pjesë të lutjeve tona duke pasur gjithashtu një jetë të këndshme të përtejme! Shënim: vendosja e duasë në këtë rend nuk do të thotë se njëra është më e rëndësishme se tjetra. Mua personalisht më pëlqen të lutem për një aspekt specifik të Xhenetit dhe për mbrojtjen nga Zjarri. A dëshiron të ulesh me Profetin ﷺ në Xhenet? Apo ndoshta ta shihni dhe flisni me Krijuesin Apsolut? A ka një aspekt të Zjarrit që ju duket veçanërisht i tmerrshëm? Kërkoni mbrojtjen e Allahut të Madhërishëm prej tij.

  1. Të tjerët:

Ramazani nuk është kohë për të qenë egoist. Kjo është arsyeja pse Allahu i Madhërishëm kërkon që ne të japim sadekatul-fitrin dhe na ndihmon të bashkojmë komunitetin tonë gjatë teravive dhe Bajramit. Pra, kur planifikoni duanë tuaj për Ramazan, është e rëndësishme të mbani mend të tjerët. Ka kaq shumë shkaqe, kaq shumë njerëz po përjetojnë vështirësi: Bëni një përpjekje të vetëdijshme për ta mbajtur në mendje gjendjen e tyre. Mendoni për familjen dhe miqtë tuaj, komunitetin dhe umetin tonë në përgjithësi. Duke u lutur për ta, ne do të marrim gjithashtu bekimet e shtuara që engjëjt t’u thonë ‘amin’ atyre duave dhe të luten edhe për ne. (Sunen Ebi Davud).

Me kaq shumë për t’u lutur, si mund të zgjidhni vetëm dy dua për kategori? Përsëri, përpiquni ta bëni listën tuaj sa më të thjeshtë dhe gjithëpërfshirëse. Dhe mbani mend, ju gjithmonë mund të bëni më shumë dua jashtë kësaj liste!

Hapat e Veprimit

  • Shkruani 8 duatë tuaja në një fletë pune së bashku me qëllimet tuaja të Ramazanit dhe mbajini ato në xhep ose portofol gjatë gjithë kohës.
  • Nëse jeni ‘tip dixhital’, vendosini ato në aplikacionin tuaj për mbajtjen e shënimeve ose krijoni një imazh të të dyja listave dhe vendoseni imazhin si sfond për telefonin tuaj dhe desktopin e kompjuterit si një përkujtues të vazhdueshëm.
  • Referojuni këtij dokumenti/imazhi çdo ditë, veçanërisht para namazit të teravive.

Lexoni pjesët e tjera të kësaj serie: Pjesa I | Pjesa II | Pjesa III | Pjesa V

Karim El-Sajed

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org