Umeti po vuan nga tërheqja e eiltave të thirrjes  prej çështjeve të përgjithshme shoqërore, gjë që i hap rrugë daljes në krye të modeleve të papërgatitura, të cilat shpejt rrëzohen dhe i lënë njerëzit në zhgënjim.

Ndër shenjat e kësaj tërheqjeje është përqendrimi te mjetet në vend të qëllimeve, parapëlqimi i punës brenda rretheve të sigurta larg përfshirjes së drejtpërdrejtë në shoqëri, si dhe zhytja në interesa personale. Po ashtu, përdorimi i një gjuhe elitare dhe të ndërlikuar, larg thjeshtësisë së paraqitjes, kontribuon në ngushtimin e rrethit të ndikimit. Zgjidhja qëndron në kujdesin e thirrësit nga dëshirat e dukshme dhe të fshehta, si dhe në pajisjen e tij me fleksibilitet dhe realizëm.

Hyrje:
“Elita” janë busulla e shoqërive dhe udhërrëfyesit e rrugës, më të aftët në parashikim, më të thellët në mendim dhe më të vetëdijshmit për pamjen e përgjithshme të skenës nga këndvështrimi i specializimit të tyre. Pa dyshim, edhe figurat elitare të davetit dhe udhëheqësit fetarë bëjnë pjesë kyçe në këtë kategori.

Por një tërheqje drejt vetvetes e zvogëlon ndikimin e tyre dhe ua heq rolin udhëheqës që u është ngarkuar. Vëzhguesi i skenës thirrëse vëren këtë dukuri të tërheqjes nga ndërhyrja në fushat publike dhe në adoptimin e një diskursi të përgjithshëm masiv. Kjo zakonisht vjen nga disa arsye dhe ka forma e pasoja të ndryshme, të cilat do të përpiqemi t’i trajtojmë në këtë shkrim.

Çrregullimi i diskursit thirrës

Kur figurat dhe udhëheqësit fetarë e thirrës tërhiqen në një diskurs të specializuar dhe të ngushtë, fushat publike i mbeten gjysmë-thirrësve dhe intelektualëve jo të specializuar, të cilët paraqesin një diskurs të shpërndarë dhe të paqëndrueshëm, duke sjellë mungesë të harmonisë në mesazhin publik të thirrjes.

Kjo tërheqje sjell edhe rënie në përmbajtjen dhe vlerën e këtij diskursi, pasi ai shpesh del nga njerëz që nuk kanë formim të mjaftueshëm, ndërsa në skenë dominojnë aftësitë retorike dhe mediatike mbi ato me nivele  shkencore dhe metodologjike. Kështu, diskursi thirrës kufizohet në tema të buta si këshilla morale dhe sjellje të përgjithshme, ( shpesh edhe tema tepër periferike e jo rrallë herë edhe të papërshtatshme) larg çështjeve të thella të besimit, konceptimit dhe qëllimeve të fesë.

Dhe situata përkeqësohet kur ata hyjnë në fusha fetare apo juridike sheriatike pa mjetet e nevojshme, duke rritur edhe më shumë çrregullimin e diskursit.

Shumica e njerëzve nuk bëjnë dallim mes kategorive të ndryshme të figurave publike, duke mos dalluar mes myftiut, thirrësit, predikuesit, shkrimtarit apo një trajnuesit.

Zhgënjimi nga figurat që dalin në ballë

Ndër pasojat e kësaj tërheqjeje të elitave  kompetente thirrëse dhe fetare është edhe rënia e njerëzve në zhgënjime të njëpasnjëshme, si rezultat i rënies së disa modeleve që kanë dalë në krye pa meritë të vërtetë. Shpesh këta që dalin në krye, në sprovat që u paraqiten, përfundojnë me rezultate të dhimbshme dhe zhgënjyese, sepse aftësitë e tyre dhe ndërtimi i tyre personal nuk janë në përputhje me barrën e pozitës në të cilën janë vendosur, as me sfidat që mund t’u vijnë, qoftë sprova e pasurisë dhe e famës, qoftë sprova e testimit nën goditjen e sprovave apo edhe thjesht kërcënimi me to.

Mund ta shtojë këtë fitne edhe mashtrimi i masave ndaj tyre, duke i ngritur mbi nivelin e tyre real, si dhe vetë rrëshqitja e tyre pas këtij mashtrimi pa vetëdije e kujdes. Kjo është përgjegjësi që bie mbi ta para se të bjerë mbi njerëzit e thjeshtë, për shkak të dobësisë së shumicës së njerëzve në dallimin mes kategorive të atyre që dalin në krye, ku të gjithë klasifikohen si të ndjekur pa dallim mes myftiut, thirrësit, predikuesit, shkrimtarit, interpretuesit të ëndrrave, apo madje edhe trajnuesve. Kështu, kriteri i vlerësimit bëhet thjesht aftësia për të dalë në krye, e shoqëruar me një pamje të jashtme të dukshme fetare, aftësi të të folurit, dhe një ligjërim të zbukuruar me tekste fetare të shpërndara.

Këto goditje kanë reflektuar mbi të gjithë veprimtarët në fushën thirrëse, përfshirë udhëheqësit dhe figurat kryesore, duke kontribuar në dobësimin e besueshmërisë së thirrësve dhe dijetarëve te publiku i gjerë, dhe në këtë kanë ndikuar edhe media e njëanshme, sistemet armiqësore dhe dobësia e gjykimit logjik te disa shoqëri.

Prioriteti i qëllimeve mbi formën e mjeteve

Të vepruarit duke u orientuar nga qëllimet dhe jo duke u ndalur vetëm te forma e mjeteve është një tipar që duhet të jetë i pranishëm te udhëheqësit dhe elitat në të gjitha veprimtaritë e tyre. Kjo i përshtatet më mirë rolit të tyre misionar, i cili kërkon fleksibilitet dhe jo ngurtësi në përdorimin e mjeteve.

Në aspektin e organizimit të kohës dhe jetës personale, sidomos në një realitet ku mbizotëron kaosi, mungesa e disiplinës dhe shpërndarja e paqartë e prioriteteve, elitat dhe udhëheqësit ndihen të detyruar të jenë shumë të kujdesshëm që të mos ndikohen negativisht nga ky realitet. Kjo kujdesje është e domosdoshme, sepse lidhet me përgjegjësinë e madhe që mbajnë, me gjendjen e vështirë të kohës dhe me pritshmëritë që shoqëria ka ndaj tyre.

Megjithatë, te disa prej tyre mund të shfaqet një qëndrim i tepruar i ngurtësisë në raport me kohën dhe mënyrën e trajtimit të të tjerëve, duke i bërë më pak fleksibil përballë ndryshimeve apo situatave të papritura. Edhe pse kjo sjellje lind nga qëllime të mira si organizimi, efikasiteti dhe arritja e objektivave, kur mungon një qasje e bazuar në qëllime (mekasid), ajo mund të çojë në tërheqje, izolim dhe mbyllje në rrethe të ngushta, duke e zvogëluar ndikimin dhe efektin e tyre në shoqëri.

Një tjetër faktor që thellon tërheqjen është kufizimi në zona të rehatshme dhe të sigurta të punës thirrëse, edhe kur ato nuk janë prioritare.

Kur elitat merren me punë më pak të rëndësishme në vend të atyre më të rëndësishme, kjo konsiderohet mangësi në raport me përgjegjësinë e tyre. Ata duhet të fokusohen në punën që askush tjetër nuk mund ta kryejë në vend të tyre.

Në jetën e Profetit ﷺ gjejmë shembuj që tregojnë se edhe “udhëheqësi i shtetit” gjente kohë për t’u marrë me nevojat e njerëzve. Ai shkonte për të zgjidhur nevojën e një gruaje, megjithëse mund të kishte dërguar dikë tjetër në vend të tij. Po ashtu, nuk e shihte si humbje kohe që të merrej me shpjegimin e ëndrrave dhe vizioneve të njerëzve.

Një nga faktorët që e përforcon këtë lloj sjelljeje te disa njerëz është trashëgimia historike, ku shpesh nxirren në pah shembuj të skajshëm të mënyrës se si dijetarët dhe njerëzit e mëdhenj të së kaluarës e shfrytëzonin kohën. Për shembull, përmendet dikush që kërkonte t’ia lexonin dijen edhe kur ndodhej në vendin e nevojës personale, ose dikush që, në mënyrë figurative, kërkonte nga bashkëbiseduesi i tij “ta ndalte diellin” vetëm që të vazhdonin bisedën edhe pak minuta. Këto janë pamje mbresëlënëse që mund t’i tërheqin disa njerëz, por ato nuk janë të përshtatshme për t’u bërë model i përgjithshëm për jetën në tërësi. Ato mund të merren si shembull vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe për detyra të caktuara e të kufizuara.

Kjo sepse një qasje e tillë bie ndesh me natyrën njerëzore dhe e ngarkon njeriun me atë që nuk është i detyruar ta mbajë, ndërkohë që të njëjtat qëllime mund të arrihen me më pak vështirësi dhe mundim.

Natyrisht, kjo nuk është thirrje për neglizhencë, shpërfillje apo dorëzim ndaj rrethanave. Përkundrazi, serioziteti i jetës dhe i vdekjes, madhështia e misionit të elitave dhe nevoja e madhe që shoqëria ka për ta kërkojnë prej tyre vigjilencë ndaj çdo gjëje që shpërdoron kohën dhe energjitë. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë të natyrshme, me shpirt të qetë dhe me një qasje që fokusohet te qëllimet, jo te format e ngurta. Madje, jeta e sahabëve të nderuar dhe vetë jeta e Profetit ﷺ na paraqet shembuj që nuk përputhen me këtë lloj qasjeje të skajshme dhe të ngurtë.

Ndër shembujt e bukur në këtë kontekst;  përcillet nga Enes ibn Maliku r.a.: “Ndodhte që namazi të ishte gati për t’u falur ( bëhej ikameti për namaz), ndërsa Profeti ﷺ fliste me ndonjë njeri për  nevojën që ai kishte. Ai qëndronte në këmbë mes tij dhe kibles dhe vazhdonte t’i fliste, aq sa ndonjëherë shihja disa prej njerëzve që i zinte gjumi nga që Profeti ﷺ qëndronte gjatë duke ia dëgjuar hallin.”

Ky është një shembull i fleksibilitetit praktik, i cili mund t’i duket i pazakontë mentalitetit elitar dhe tepër të ngurtë.

Po ashtu, në jetën e Profetit ﷺ gjejmë raste kur “udhëheqësi i shtetit” gjente kohë për t’u marrë vetë me nevojat e njerëzve, edhe pse mund të kishte dërguar dikë tjetër në vend të tij. Kështu, në hadithin e Enesit transmetohet se një grua kishte një nevojë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kam një nevojë për të ta paraqitur.” Ai i tha: “Oj nëna e filanit, zgjidh cilën rrugë të duash dhe unë do të kujdesem për nevojën tënde.” Pastaj u veçua me të në një nga rrugët derisa ajo e paraqiti plotësisht nevojën e saj.

Po kështu, Profeti ﷺ nuk e konsideronte të papërshtatshme të kushtonte kohë për dëgjimin dhe shpjegimin e ëndrrave të njerëzve. Semure ibn Xhundubi transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ shpesh u thoshte shokëve të tij: “A ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr?” Pastaj kush dëshironte, tregonte atë që kishte parë.

Ndoshta Ebu Bekr es-Siddiku r.a. ishte shembulli më i mirë i njeriut “të qetë dhe njëkohësisht shumë produktiv” në garën për vepra të mira. Ai përparonte drejt veprave të mira me një personalitet të ekuilibruar, pa zhurmë e pa ngarkesë të tepruar, arrinte në maja të virtytit pa i nënvlerësuar veprat e vogla të mirësisë dhe pa e lodhur veten apo të tjerët me tension të vazhdueshëm. Kur pyetej papritur për lloje të ndryshme veprash të mira, si sadakaja, ushqimi i nevojtarëve, përcjellja e xhenazes apo vizita e të sëmurit, ai dilte pa kundërshtim i pari në to.

Për të mund të thuhej siç ka thënë poeti:

Kush ma gjen një si ecja jote e qetë e plot hijeshi,
ecën ngadalë, por gjithmonë arrin  i pari.

Rrethet e sigurta

Një ndër faktorët që kontribuon në tërheqjen e mëtejshme dhe dobësimin e ndikimit është kufizimi në veprim brenda hapësirave të rehatshme dhe të sigurta të punës thirrëse, edhe kur ato janë dytësore dhe jo prioritare. Kjo sepse angazhimi i elitave dhe i udhëheqësve me çështje më pak të rëndësishme, duke lënë pas ato më të rëndësishmet,  madje edhe brenda vetë punëve të mira,  përbën një gabim  në përpjesëtim me nevojën që shoqëria ka për ta dhe me nivelin e përgatitjes që ata kanë ndërtuar te vetja.

Kjo është një nga mangësitë e atyre që kanë aftësi për të bërë më shumë. Pikërisht ata janë njerëzit që më së shumti duhet ta përqendrojnë veprimtarinë e tyre aty ku umeti ka nevojë reale për ta. Ata nuk duhet të kënaqen thjesht me kryerjen e një pune të dobishme, sepse këtë mund ta bëjnë shumica e njerëzve, në mos të gjithë. Roli i tyre është të mbulojnë ato boshllëqe që nuk mund t’i mbushë askush tjetër, duke u marrë me veprat më të dobishme dhe më të nevojshme.

Nëse elitat nuk e kuptojnë thelbin e përgjegjësisë së tyre ndaj masës së gjerë të njerëzve, ato do të konsumohen në shumë projekte që mund t’i qetësojnë ndërgjegjet e tyre dhe t’i lirojnë në dukje nga përgjegjësia, por që nuk i shërbejnë detyrës së vërtetë që u është ngarkuar. Nganjëherë, elitat mund të kenë nevojë të heqin dorë nga një pjesë e angazhimit të tepruar në projekte të detajuara shkencore, intelektuale, etj. të cilat ushqejnë etjen e tyre për dije apo kënaqin një luks intelektual, por që nuk prodhojnë ndikim praktik dhe vendimtar në realitet, ose nuk përfshihen në prioritetet e kohës dhe detyrimet e fazës. Kjo nuk është rruga e reformatorëve.

Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se ajo që mund t’i lejohet njërit, mund të mos i lejohet tjetrit; dhe ajo që është e përshtatshme për njerëzit e zakonshëm, nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për njerëzit me përgjegjësi të veçantë.

Sa më të vështira të bëhen kushtet e jetës së njerëzve, aq më e madhe bëhet nevoja për një ligjërim që ua lehtëson plagët, prek nevojat e tyre, flet në emër të tyre, e kupton realitetin e tyre dhe mbron të drejtat e tyre, pavarësisht kostos që mund të ketë kjo. Përndryshe, ligjërimi i elitave do të mbetet i shkëputur nga jeta dhe realiteti i njerëzve.

Nëse njerëzit e zakonshëm ngrihen në vlerë përmes qëndrimeve të tyre, elitat mund të bien për shkak të tyre. Kjo sepse te njerëzit e zakonshëm, qëndrimet e mëdha konsiderohen përjashtim dhe virtyt i veçantë; nuk pritet prej tyre domosdoshmërisht një fjalë e së vërtetës, një qëndrim heroik apo sakrificë mbi interesat personale. Nëse e bëjnë këtë, merita e tyre shumëfishohet. Ndërsa për elitat dhe udhëheqësit, këto konsiderohen detyrim e jo meritë shtesë, prandaj mungesa e tyre tek ata është shumë më e rëndë.

Ndoshta kjo është një nga arsyet pse shumica e prijësve të reformës dhe ripërtëritjes u përballën me përndjekje dhe dëmtime, përfshirë edhe profetët dhe të dërguarit e Allahut. Ata nuk u mjaftuan me një ligjërim moral të përgjithshëm që ruante praninë e tyre brenda rretheve të sigurta, por bartën një mesazh të gjerë reformues dhe gjithëpërfshirës. Sepse gjendja e të shtypurit nuk mund të përmirësohet pa iu ndalur dora shtypësit; e mira nuk mund të përforcohet pa u kundërshtuar e keqja; virtytet nuk mund të përhapen pa u përballur me atë që i cenon; dhe njerëzit nuk mund t’i përkushtohen Allahut siç duhet pa u çliruar nga çdo gjë tjetër që kërkon t’i nënshtrojë përveç Tij.

Ajo që mund të jetë e pranueshme për shumicën e elitave, si teprimi në kufizimin e vetes brenda roleve teorike, nuk është e pranueshme për elitat dhe udhëheqësit fetarë e misionarë në përgjithësi. Ajo që duhet t’i vërë në lëvizje është vlerësimi i dobisë dhe i interesit të përgjithshëm.

vijon….

Velid er-Rifai

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve