Sheriati është një ndërtim i plotë dhe i integruar; nga cilado anë që t’i qasesh, do ta gjesh të mjaftueshëm dhe shërues për çdo problem me të cilin përballet umeti. Madje, jemi të bindur se Islami është sistemi i vetëm që mund të zgjidhë problemet e njerëzimit, për shkak të parimeve dhe bazave të tij të qëndrueshme nga njëra anë, si dhe metodologjive të tij fleksibile nga ana tjetër. Në këtë artikull bëhet një përpjekje për të shqyrtuar parimet që forcojnë  Fikhun e Pajtimit dhe Unitetit, duke i nxjerrë ato nga ndërtimi i sheriatit tonë madhështor.

Kur flasim për themelimin e konceptit të unitetit të radhëve të myslimanëve dhe bashkimit të fjalës së tyre, është e domosdoshme të ekzistojnë përbërës njohës, rregulla shkencore dhe logjike, të cilat përbëjnë bërthamën themelore për ngritjen e konceptit të unitetit mbi një bazë të përbashkët, në mënyrë që të garantohet suksesi i këtyre nismave, të cilat realizojnë mirëkuptimin ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë myslimane.

Mendoj se ekzistojnë disa rregulla shkencore, si dhe të tjera me dimension usulist dhe logjik, që meritojnë të vëzhgohen, studiohen, mblidhen dhe dokumentohen, për shkak të bazave shkencore dhe logjike që ato përmbajnë. Prej tyre mund të niset drejt Fikhut  të mirëkuptimit dhe bashkimit, si dhe të vendosen kornizat e përgjithshme për parimet e dialogut, diskutimit, shpjegimit dhe bindjes.

Në këtë artikull do të ndalemi te disa prej këtyre rregullave dhe bazave, duke i lidhur ato me realitetin bashkëkohor islam, në një përpjekje kulturore për t’i sjellë në vëmendje dhe për të përfituar prej tyre në  Fikhun e Pajtimit dhe Unitetit; si ndriçime në rrugën e unitetit dhe bashkimit të fjalës.

Duhet të shikohen me objektivitet të plotë dallimet mendimore ndërmjet shtresave të Umetit të vetëm. Njësia e parimeve themelore dhe referimi te dy shpalljet i jep një vlerë dhe legjitimitet përbërësve të unitetit islam.

Rregulli i parë: Kuptimi i unitetit të parimeve themelore dhe sjellja në mendje e elementeve të përbashkëta në synime dhe qëllime

Sjellja në mendje e unitetit të referencës, synimit dhe qëllimit u jep atyre që kanë mospajtime rrugët e drejta dhe mënyrat e përshtatshme për t’u marrë në mënyrë pozitive me dallimet dhe për t’i përmbajtur ato, si dhe për të shfaqur dashuri, besnikëri dhe ndjenja vëllazërie. Kjo sepse, nëse “mospajtimi është i tillë që nuk çon në përçarje dhe grupime, ndërsa secili prej atyre që nuk pajtohen synon bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë ky mospajtim nuk sjell dëm. Ai është diçka e pashmangshme në natyrën njerëzore. Por nëse themeli është një, qëllimi i kërkuar është një dhe rruga e ndjekur është një, atëherë vështirë se do të ndodhë mospajtim; e nëse ndodh, ai do të jetë një mospajtim që nuk sjell dëm, ashtu siç ndodhi me sahabët. Themeli mbi të cilin ata u mbështetën ishte një: Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij. Synimi ishte një: bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Rruga ishte një: shqyrtimi i argumenteve të Kuranit dhe Sunetit dhe përparësia e tyre mbi çdo mendim, opinion, analogji, shije apo politikë.”

Kur kjo të jetë e qartë, atëherë është detyrë që dallimet mendimore ndërmjet shtresave të umetit të vetëm të shikohen me objektivitet të plotë. Njësia e parimeve dhe referimi te dy shpalljet i jep një ngjyrim vlerash dhe legjitimiteti përbërësve të unitetit islam, të cilin e dëshiron çdo njeri i sinqertë ndaj umetit të tij. Kjo është një bazë nga e cila mund të niset dhe mbi të cilën mund të ndërtohet.

Nëse kësaj i shtojmë edhe unitetin e synimit dhe qëllimit, që është bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, thirrja e njerëzve në fenë e drejtë të Allahut dhe qëllimet e përbashkëta vendimtare, atëherë kuptojmë vlerën e pikënisjeve të përbashkëta fetare. Kjo kërkon shuarjen e flakës së shumë mosmarrëveshjeve ndërmjet përbërësve të spektrit të njëjtë sunit, përderisa themeli dhe qëllimi janë të përbashkëta.

Të gjithë prej të Dërguarit marrin pjesë,
qoftë duke marrë grushta nga deti apo pika nga shiu i dendur.

“Prej këtu bëhet e qartë arsyeja e dashurisë, miqësisë dhe afërsisë ndërmjet atyre që kishin mospajtime në çështjet e ixhtihadit, derisa nuk u shndërruan në sekte dhe nuk u ndanë në grupe. Kjo sepse ata ishin të bashkuar në kërkimin e synimit të Ligjvënësit. Prandaj, ndryshimi i rrugëve nuk ka ndikim, ashtu siç nuk ka kundërshti ndërmjet atyre që i afrohen Allahut me adhurime të ndryshme; njëri afrohet me namaz, tjetri me agjërim, tjetri me lëmoshë e kështu me radhë. Ata janë të bashkuar në thelbin e orientimit drejt Allahut, edhe nëse ndryshojnë në llojet e këtij orientimi. Po kështu edhe muxhtehidët: përderisa synimi i tyre është arritja e qëllimit të Ligjvënësit, fjala e tyre bëhet një dhe qëndrimi i tyre bëhet një.”

Rregulli i dytë: Mospretendimi i prerësisë në çështjet ixhtihadore

Ka çështje juridike, tema shkencore dhe ide mendimore që ngrihen herë pas here, të cilat dijetarët e drejtë dhe objektivë i kanë konsideruar si çështje ixhtihadore dhe i kanë trajtuar me fleksibilitet të plotë shkencor. Ata janë karakterizuar nga etika në trajtim, mospretendimi i prerësisë dhe i kanë diskutuar ato me pranimin e mendimeve të ndryshme, pa fanatizëm.

Pretendimi se e vërteta përmblidhet vetëm në një mendim të caktuar, duke ngritur parullën: “Mendimi im është i saktë dhe nuk pranon gabim, ndërsa mendimi i tjetrit është i gabuar dhe nuk pranon saktësinë”, është një formë e fanatizmit të urryer që ndez zjarrin e përçarjeve. Nëse do të bëhej fjalë për çështje fetare me argumente të prera, nuk do të kishte problem. Mirëpo, fjala jonë ka të bëjë me çështjet ixhtihadore, ku ka hapësirë për mospajtim dhe diskutim, ndërsa fusha shkencore është e gjerë dhe e hapur.

Disa prej mosmarrëveshjeve që shihen në arenë burojnë nga fakti se “shumë njerëz ia atribuojnë sheriatit atë që thonë, ndërkohë që ajo nuk është prej sheriatit. Ata e bëjnë këtë ose nga padituria, ose nga gabimi, ose edhe me vetëdije dhe shpifje.”

Prandaj, fakti që një kërkues i dijes i jep përparësi njërit mendim për një arsye të caktuar, pa pasur një argument të qartë dhe të saktë në çështjet ixhtihadore ku dijetarët kanë mospajtime, nuk i jep atij të drejtën që mendimin e zgjedhur ta quajë gjykim të Allahut të Lartësuar. Për këtë, Ibn Kajjimi thotë: “Nuk i lejohet atij të thotë për atë ku e ka çuar ixhtihadi i tij, pa gjetur tekst nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, se Allahu e ka ndaluar këtë, e ka bërë detyrim këtë, e ka lejuar këtë, dhe se ky është gjykimi i Allahut.”

Disa studiues e paraqesin mospajtimin para lexuesit, në çështjen ixhtihadore që trajton studimi i tyre, sikur të ishte një përplasje mes së vërtetës dhe së pavërtetës. Mbrojtja e njërit mendim paraqitet si mbrojtje e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, ndërsa kundërshtari sulmohet dhe mbi këtë ndërtohen kriteret e Besnikërisë dhe Distancimit ( ElVela VelBera). Në të vërtetë, çështja nuk shkon më larg se rrethi i mendimit më të fortë dhe atij më të dobët, i të saktës dhe së gabuarës, dhe jo i udhëzimit dhe devijimit, e aq më pak i besimit dhe mohimit (Iman e kufër).

Ndoshta është më e përshtatshme që të korrigjojmë gabimet tona kulturore, të cilat umeti islam i përjetoi në një fazë të caktuar të lëvizjes kulturore negative gjatë dy dekadave të kaluara, në forma institucionale, individuale apo shkencore, të karakterizuara nga një lloj despotizmi relativ intelektual. Shkollat shkencore dhe mendimore nuk korrën prej kësaj veçse më shumë përçarje dhe konflikt.

Metodologjia e “prerësisë dhe pagabueshmërisë” ( Elkatijeh vel-Ismeh) për mendimet e diskutueshme dhe çështjet ixhtihadore brenda shkollave shkencore dhe kulturore duhet të shkrihet në kallëpin e “umetit të vetëm”. Termi prerësi dhe pagabueshmëri nuk duhet t’i jepet askujt tjetër përveç metodologjisë islame, parimeve islame dhe të vërtetave të sheriatit, si koncepti i unitetit islam, kapja pas Kuranit dhe Sunetit, si dhe zbatimi i tyre përmes vizioneve edukative dhe metodologjike.

 

“Kuptimi i Fikhut të Prioriteteve konsiderohet një nga detyrat e rëndësishme që dëshmojnë arritjen e një niveli të lartë të pjekurisë intelektuale te intelektualët dhe reformatorët. Është e domosdoshme që ky sistem të vihet në zbatim gjatë periudhave të vështira nëpër të cilat kalon umeti mysliman, në mënyrë që busulla të drejtohet kah uniteti dhe pajtimi, si dhe të hidhen poshtë përçarja dhe mospajtimi.”

Rregulli i tretë: Kuptimi i sistemit të Fikhut të Prioriteteve në çështjet e diskutueshme

Kuptimi i Fikhut të Prioriteteve konsiderohet një nga detyrat e rëndësishme që dëshmojnë arritjen e një niveli të lartë të pjekurisë intelektuale te intelektualët dhe reformatorët. Është e domosdoshme që ky sistem të vihet në zbatim gjatë periudhave të vështira nëpër të cilat kalon umeti mysliman, në mënyrë që busulla të drejtohet kah uniteti dhe bashkimi, si dhe të hidhen poshtë përçarja dhe mospajtimi.

Përmes vendosjes së një shkalle të qartë të Fikhut të Prioriteteve në jetën e umetit, njerëzit e mençur do ta kuptojnë seriozitetin e etapës. Kjo, nga ana tjetër, do t’i vendosë sfidat në pozicionin e tyre logjik, duke i parë gjërat në vendin e duhur, në madhësinë e tyre natyrore dhe duke u marrë me to me logjikë të plotë, e jo përmes reagimeve emocionale.

Po ashtu, kjo siguron unitetin e radhëve të myslimanëve duke krijuar një mjedis pozitiv për t’i dhënë fund mospajtimeve dhe përçarjes, si dhe për të mbështetur përpjekjet për bashkimin e fjalës.

Intelektuali i ekuilibruar në qasjen e tij, i vetëdijshëm për prioritetet e etapës, nuk do të merret dhe as nuk do ta angazhojë umetin e tij me polemika kulturore teorike apo me beteja mendimore kundër shtresave të ndryshme të të njëjtit Umet. Përkundrazi, ai do ta bëjë diskursin e tij të mbushur me domethënie që thërrasin në unitet dhe bashkim të fjalës, duke u karakterizuar nga forma të tilla që rrethanat dhe konteksti mund t’i përmbajnë.

Prandaj, rregulli është që të mos i jepet përparësi asaj që ka pak rëndësi ndaj asaj që është e rëndësishme, as asaj që është e rëndësishme ndaj asaj që është më e rëndësishme; të mos i jepet përparësi mendimit më të dobët ndaj atij më të fortë, dhe as asaj që është më pak e vlefshme ndaj asaj që është më e vlefshme ose më e mira. Përkundrazi, duhet t’i jepet përparësi asaj që e meriton përparësinë, të shtyhet ajo që e meriton shtyrjen dhe çdo gjë të vendoset në vendin e saj sipas sheriatit.

Ky Fikh i Prioriteteve është ai të cilit i referohet El-Iz ibn Abdusselami rh.a. kur thotë: “Dije se dhënia përparësi asaj që është më e dobishme e pastaj asaj që është më pak e dobishme, si dhe largimi i asaj që është më e dëmshme e pastaj i asaj që është më pak e dëmshme, është e rrënjosur në natyrën e njerëzve si mirësi për ta nga Zoti i tyre s.v.t. Askush nuk i jep përparësi asaj që është më pak e dobishme ndaj asaj që është më e dobishme, përveç një injoranti që nuk e njeh vlerën e asaj që është më e dobishme, ose një fatkeqi që bën sikur nuk e di dhe nuk e sheh dallimin ndërmjet dy shkallëve.”

Poeti ka thënë:

Njeriu i mençur, kur në trupin e tij shfaqen
dy sëmundje të ndryshme, trajton fillimisht më të rrezikshmen.

 

“Shpesh nxitojmë në kritikimin e artikujve dhe ideve të të tjerëve, pa e studiuar gjendjen në të cilën janë thënë apo shkruar dhe rrethanat që i kanë shoqëruar. Ndoshta disa prej gabimeve të kundërshtarëve ngarkohen me më shumë sesa mbajnë në të vërtetë, ndërsa mund të ndodhë që një artikull ose qëndrim të jetë shprehur në gjendje zemërimi ose brenda konteksteve dhe rrethanave të caktuara.”

Rregulli i katërt: Marrja parasysh e rrethanave kohore dhe vendore të kundërshtarëve

Lidhja e disa detyrimeve fetare me rrethanat dhe kushtet e kohës dhe vendit është një nga aspektet e njohura dhe të pranuara në sheriat sipas dijetarëve të Usuli Fikhut. Fetvaja ndryshon me ndryshimin e kohës dhe vendit. Po ashtu, zbatimi i ndëshkimeve ligjore ndaj shkelësve ka konsideratat e veta fetare në kohë lufte dhe paqeje, varfërie dhe mirëqenieje. Prej këtu ka ardhur edhe rregulli juridik që thotë: “Nuk mohohet ndryshimi i dispozitave me ndryshimin e kohës.”

Ibnul Kajjimi rh.a. ka thënë: “Dispozitat janë dy llojesh: Një lloj që nuk ndryshon nga gjendja në të cilën ndodhet, pavarësisht kohëve, vendeve apo ixhtihadit të dijetarëve, si obligueshmëria e detyrimeve, ndalimi i të ndaluarave dhe dënimet e përcaktuara nga sheriati për krimet përkatëse. Këtu nuk ka vend për ndryshim dhe as për ixhtihad që bie ndesh me atë që është përcaktuar. Lloji i dytë është ai që ndryshon sipas asaj që e kërkon interesi i përgjithshëm në kohë, vend dhe rrethana të ndryshme, si masat e dënimeve disiplinore, llojet dhe format e tyre.”

Zbatimi i këtij parimi në vlerësimin e rrethanave të kundërshtarëve nga aspekti kohor dhe vendor ka ndikim pozitiv në zvogëlimin e pasojave dhe dëmeve të mospajtimeve. Kjo sepse:“Të njëjtën fjalë mund ta thonë dy persona; njëri me të synon kotësinë më të madhe, ndërsa tjetri synon të vërtetën e pastër. Prandaj merret parasysh mënyra e folësit, jeta e tij, metodologjia e tij dhe ajo për të cilën ai thërret dhe debaton.”

Ndër shembujt që ka përmendur Ibn Tejmije rh.a.  në lidhje me marrjen parasysh të rrethanave vendore të njerëzve është edhe kjo fjalë e tij:“Prandaj imamët janë pajtuar se ai që është rritur në një shkretëtirë të largët nga dijetarët dhe nbesimtarët, dhe është i sapoardhur në Islam, nëse mohon diçka prej këtyre dispozitave të qarta e të prera dhe të transmetuara gjerësisht, nuk gjykohet si jobesimtar derisa të njihet me atë që ka sjellë i Dërguari.”

Formimi shkencor dhe edukimi intelektual i shoqërive ndikohen në masë të madhe nga mjedisi përreth tyre, gjë që reflektohet, pozitivisht ose negativisht,  në konceptet dhe bindjet e tyre ndaj çështjeve të ndërlikuara dhe të debatueshme.

Nëse pranohet se qëndrimi shkencor ndryshon sipas personit, grupit ose vendit, atëherë po ashtu ai ndryshon edhe nga një epokë në tjetrën. Prandaj është gabim që me kundërshtarët e kësaj kohe të sillemi sikur të jetonin në kohën e kalifëve të drejtë ose edhe në shekujt e parë të privilegjuar.

Shpesh nxitojmë në kritikimin e artikujve dhe ideve të të tjerëve pa e studiuar gjendjen në të cilën janë shkruar dhe rrethanat që i kanë shoqëruar. Ndoshta disa prej gabimeve të kundërshtarëve ngarkohen me më shumë sesa mbajnë në të vërtetë. Mund të ndodhë që një artikull të jetë shkruar në gjendje zemërimi ose brenda rrethanave dhe konteksteve të caktuara.

Vërtet, mendimi i mirë për të tjerët dhe kërkimi i arsyetimit për ta është ilaçi më i dobishëm për të lehtësuar peshën e mospajtimeve dhe për të mos nxituar në akuzimin e qëllimeve. Ndër lutjet e Profetit ﷺ ishte:“O Allah, të kërkoj frikën ndaj Teje në të fshehtën dhe në të dukshmen, si dhe fjalën e drejtësisë dhe të së vërtetës në zemërim dhe në kënaqësi.”

El-Hafidh Ibn Rexhebi rh.a. ka thënë: “Kjo është diçka shumë e rrallë: që njeriu të mos thotë veçse të vërtetën, qoftë kur zemërohet apo kur është i kënaqur. Shumica e njerëzve, kur zemërohen, nuk kujdesen për  atë që thonë.”

Vijon….