Hutba e parë:
Pas falënderimeve ndaj Allahut, o robër të Allahut, ju këshilloj veten time dhe juve që të keni frikë dhe devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuarit dhe të Madhërishmit.
Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Rum: 54).
I lartësuar qoftë Ai që krijoi krijesat me fuqinë e Tij, dhe i drejtoi ata në këtë ekzistencë dhe univers me diturinë dhe urtësinë e Tij. I mbuloi me begati e dhurata me mirësinë dhe mëshirën e Tij të gjerë. E krijoi njeriun të dobët, të lehtë, pastaj e furnizoi me shëndet e fuqi, dhe ndaj tij ishte i butë, i mëshirshëm: “Allahu është Ai që ju krijoi prej dobësie, pastaj pas dobësisë iu dha forcë.”
Forca e rinisë, me të cilën ai jeton ditët më të bukura dhe kujtimet më të dashura me shokë dhe të afërm.
Pastaj vitet kalojnë, dhe ditët njëra pas tjetrës nxitohen e largohen, derisa njeriu arrin pleqërinë dhe moshën e thyer, e ndalet tek fundi i kësaj jete. Shikon pas saj sikur të ishte një endje nga pëlhura e imagjinatës apo një goditje nga ëndrrat. Ndalet në fund të kësaj jete, i dobësuar në trup, i përfshirë nga sëmundjet dhe dhimbjet, e pastaj goditet me ndarjen nga të dashurit dhe shokët fisnikë.
Është i moshuari, kockat e të cilit janë bërë të brishta, mosha i ka kaluar dhe fuqia i ka shteruar, e flokët i janë zbardhur. Është i moshuari, të cilin Allahu e shikon në dobësinë e tij dhe në pafuqinë e tij, e ndaj tij tregohet mëshirues dhe e fal atë: “ Me përjashtim të meshkujve të pafuqishëm, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë e as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” (Nisa: 98–99).
Sot ndalemi tek i moshuari, tek të drejtat e tij, të cilat shpesh janë lënë pas dore; tek ndjenjat dhe emocionet e tij, të cilat shumë herë janë plagosur; tek dhimbjet, brengat dhe hidhërimet e tij, të cilat sa vijnë e bëhen më të mëdha.
Sot i moshuari është bërë i huaj edhe mes familjes dhe fëmijëve të tij; është i rëndë madje edhe për të afërmit dhe nipërit e tij. Kush është ai që do t’i qëndrojë pranë? Kush është ai që do ta shoqërojë? Kush është ai që do ta ngushëllojë e t’i sjellë gëzim?
Kur i moshuari flet, e ndërpresin fëmijët; kur shpreh mendimin dhe këshillën e tij, të vegjlit dhe të rinjtë e përbuzin. Kështu, urtësia dhe përvoja e tij janë shndërruar në humbje e në shpërdorim. Sa i përket daljes së tij nga shtëpia, dje dilte për tek shokët dhe miqtë, për tek vëllezërit dhe të dashurit. Kurse sot, kur del, del i mbushur me pikëllim e trishtim; del për të përcjellë të vdekurit e tyre, për t’i vizituar të sëmurët e tyre. Dhe vetëm Allahu e di se si kthehet në shtëpi: kthehet me zemër të thyer e të lënduar, me sy të përlotur, me lot të shumtë e të pandalur që rrjedhin.
O ju të moshuar, Allahu ju mëshiroftë në dobësinë tuaj, Allahu ju ngushëlloftë në thyemjen tuaj! Tek Allahu ka zëvendësim për ata që mungojnë, tek Allahu ka shoqëri dhe ngushëllim për ata që ndihen të vetmuar.
O ju të moshuar, ju jeni të mëdhenj në zemrat tona, të mëdhenj në shpirtrat tanë, të mëdhenj në sytë tanë. Të mëdhenj me veprat tuaja të mira të shumta dhe me mirësinë tuaj ndaj nesh pas Allahut. Ju jeni ata që mësuat, edukuat, ndërtuat, dhuruat e sakrifikuat. Edhe nëse shumë prej njerëzve e harrojnë mirësinë tuaj, Allahu nuk e harron. Edhe nëse shumë prej njerëzve e mohojnë të mirën tuaj, e mira nuk zhduket kurrë. Edhe nëse koha zgjatet dhe harrohen të mirat dhe sakrificat që keni bërë, e mira mbetet dhe vazhdon; dhe fundi është tek Zoti yt, dhe tek Ai është shpërblimi më i plotë:
“ Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.” (Kehf: 30).
O ju të moshuar, sa i përket dhimbjeve dhe sëmundjeve që ju i përjetoni, engjëjt i shkruajnë si vepra të mira, dhe Allahu ua shumëfishon shpërblimet. Ju do t’i gjeni ato para Allahut. Vetëm Allahu e di sa shumë shpërblime dhe grada ka në këto dhembje e sëmundje. Sot ju mundojnë, ju trazojnë, ju bëjnë të qani dhe ua prishin qetësinë e gjumin, por nesër, para Allahut, ato do t’ju gëzojnë dhe do t’ju bëjnë të buzëqeshni. Prandaj bëni durim në sprovat që ju godasin dhe llogariteni shpërblimin tek Allahu, sepse tek Ai ka shpërblim të madh dhe lavdërim të lartë. Vërtet, Allahu nuk ia ndalon kurrë robin e Tij besimtar nga dhuratat e mira. Ka thënë i Dërguari ﷺ: “ E habitshme është çështja e besimtarit, se çdo gjë e tij është për të mirë: nëse e godet ndonjë e keqe, ai bën durim dhe ajo është për të mirë; e nëse i vie ndonjë e mirë, ai falënderon dhe ajo është për të mirë.” (Transmeton Muslimi).
Allahu ua madhëroftë shpërblimet dhe ua shtoftë sevapet në botën tjetër. Prandaj mendoni gjithmonë mirë për atë që do ta gjeni tek Zoti juaj.
O ju të rinj, respektimi dhe nderimi i të moshuarit është pjesë e edukatës së Islamit dhe prej traditave të të Dërguarit më fisnik ﷺ.
O ju të rinj, respektimi dhe nderimi i të moshuarit, si dhe përkujdesja për nevojat e tij, janë prej traditave të pejgamberëve dhe prej cilësive të njerëzve të drejtë e besnikë. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“ Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” (Kasas: 23-24).
O ju të rinj, mëshironi të moshuarit, vlerësojini dhe nderojini ata, sepse Allahu e do këtë vepër dhe e lavdëron me të mira të shumta. Ka thënë i Dërguari ﷺ:
“Prej respektit ndaj Allahut është edhe respektimi i muslimanit të moshuar.” (Transmeton Ebu Daudi nga Ebu Musa me tekstin: “Prej respektit ndaj Allahut është nderimi i muslimanit të thinjur” – në librin El-Edeb).
Nëse e sheh të moshuarin, mëshiroje dobësinë e tij, nderoje thinjën e tij, vlerësoje pozitën e tij, ngrite gradën e tij dhe largoje, me lejen e Allahut, brengën e tij, do të shumëfishohet për ty shpërblimi dhe Allahu do të të japë më të mirën, më të lartën në kthimin dhe përfundimin tënd.
O ju të rinj, silluni mirë me të moshuarit, sidomos me prindërit baballarët dhe nënat. Allahu i Madhëruar thotë:
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “of!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. ” (Isra: 23-24).
E sidomos nëse të moshuarit janë nga axhallarët e hallat, nga dajallarët e tezet. Sa orë të tëra kaloni me shokë e miq, sa herë qëndroni me ta, i shoqëroni, i kënaqni me shoqëri e biseda. Po kur rrini me të afërmit tuaj të moshuar shpejt lodheni, ngushtoheni dhe mërziteni. Pra, frikësohuni Allahut në lidhje me dobësinë e tyre… frikësohuni Allahut për gjendjen e tyre, për ngushtësinë e shpirtit të tyre.
O ju të rinj, veprat e mira të të moshuarve përhapini, pranoni e kujtojini ato; kurse prej të metave dhe gabimeve të tyre falni e mbuloni, sepse Allahu do t’ju madhërojë shpërblimin dhe do t’ju shtojë sevapin.
O Allah, na jep përfundim të mirë! O Allah, na jep përfundim të mirë! O Allah, bëj që veprat tona më të mira të jenë ato të fundit tona, dhe ditët tona më të mira të jenë dita kur të takohemi me Ty. O Allah, bëj që çastet tona më të gëzueshme e më të nderuara të jenë çasti i qëndrimit para Teje, me mëshirën Tënde, o më i Mëshirshmi i mëshiruesve. O Allah, mëshiroji të moshuarit tanë, udhëzoje në të mirë rininë tonë dhe na udhëzo zemrat e mendjet tona për atë që Ti je i kënaqur me ne.
Unë thashë këtë që dëgjuat, dhe kërkoj falje prej Allahut të Madh për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij, vërtet Ai është Falës dhe Mëshirues.
Muhamed ibn Muhamed Elmuhtar Eshenkitij
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



