Falënderimi i takon Allahut, Atij që krijoi krijesat me fuqinë e Tij, i drejtoi ato në këtë botë me diturinë dhe urtësinë e Tij, dhe i mbuloi me begatitë e Tij përmes mirësisë dhe mëshirës së gjerë. Ai ngriti pozitën e atyre që kanë vlerë dhe nder. E falënderoj Atë  të Lartësuarin  dhe i jam mirënjohës për mëshirën dhe bujarinë e Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i pashoq, i Cili krijon çfarë do dhe zgjedh atë që dëshiron. Dëshmoj gjithashtu se i Dërguari ynë, Muhamedi ﷺ, është robi dhe i dërguari i Tij, përgëzuesi dhe qortuesi, i zgjedhuri dhe i përzgjedhuri. Paqja, bekimet  dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër e të nderuar, mbi shokët e tij fisnikë, mbi tabiinët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

E më pas: O ju njerëz! Kush dëshiron pasuri pa pasur shumë mall, dhe nder pa pasur pushtet e lavdi, le ta ketë frikë Allahun, të Lartin dhe të Madhërishmin. Prandaj, kini frikë Zotin tuaj haptazi e fshehtazi:
“O ju që besuat! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon të keni frikë prej Tij dhe mos vdisni veçse duke qenë muslimanë.” (Ali Imran, 102)

Robër të Allahut! Sot fjalimi jonë është për një brez që ka mbaruar universitetin e jetës. Ata u shquan me virtyte të shumta të cilat  është e vështirë t’i numërosh në këtë rast. Edhe pse kanë jetuar jetë të vrazhdët dhe me shumë vështirësi, ata janë një brez i veçantë për veprat dhe moralin e tyre. Ata dhanë shembujt më të mrekullueshëm në durim e qëndresë, në bujari e fisnikëri, në besnikëri dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit. Në kohë vështirësie e në kohë mirëqenie ata ishin si një trup i vetëm: nëse dhembte një gjymtyrë, trupi i tëri dridhej bashkë me të.

Hutbja jonë sot është për zbukurimin e kuvendeve tona, për ata që me praninë e tyre jeta bëhet më e ëmbël. Fjala jonë është për të moshuarit, dhe për të drejtat dhe obligimet e tyre,  qofshin ata prindër baballarë  e nëna, gjyshër e gjyshe, apo edhe thjesht njerëz që kanë arritur moshën e pleqërisë, edhe nëse nuk kanë lidhje gjaku me ne.

Vëllezër besimtar! Feja  Islame u ka dhënë të moshuarve një vend shumë të lartë, ua ka ngritur pozitën dhe ka përcaktuar të drejta që nuk i janë dhënë askujt tjetër. Ndër të drejtat më madhore që ata kanë mbi ne është:

Së pari: të kujdesemi për ta, t’u shërbejmë atyre, gjë që është nder për këdo që e bën me synimin e shpërblimit tek Allahu. Të sillemi me ta me fjalë të mira, me komunikim të butë e me respekt të hijshëm. Duhet të dihet se nderimi dhe mirësia ndaj të moshuarve, në thelb është madhërim për Allahun e Lartësuar. Siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Prej madhërimit të Allahut është të nderosh plakun mysliman, bartësin e Kuranit  që nuk e tepron dhe as nuk e braktis atë, si dhe sundimtarin e drejtë.” (Hadith hasen sipas klasifimit të shejh Albanit).

Në një hadith tjetër, i Dërguari ﷺ ka thënë: “Kush thinjet me një thinjë në Islam, ajo do të jetë për të dritë në Ditën e Gjykimit.” (E transmeton Tirmidhiu, ndërsa Albani e ka saktësuar).

E ky detyrim bëhet edhe më i theksuar dhe shpërblimi më i madh kur i moshuari është baba apo nënë. Allahu i Lartësuar ka thënë:  Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. ( Isra: 23)

Së dyti: Ndër të drejtat e të moshuarve është respektimi i tyre dhe dhënia përparësi në çdo vend e rast. Kjo përfshin dhënien e vendit të nderit nëpër mbledhje, dhënien e të drejtës së fjalës, përparësinë në ushqim e pije, në hyrje dhe dalje etj..

E vërtetë, është për të ardhur keq ajo që shohim ndonjëherë nëpër tubime e raste, kur të rinjtë garojnë me të moshuarit për vendet e para, ose nxitojnë nëpër sallat e ushqimit para tyre, ose ua ndërpresin fjalën. Kjo, pasha Allahun, nuk është as pjesë e fesë, as e  etikës.

Prandaj prindi duhet të kujdeset për fëmijët e tij, sado të rritur të jenë, duke ua kujtuar vazhdimisht detyrën e mirësjelljes dhe respektit ndaj të moshuarve, pavarsisht kush është.

O robër të Allahut! Profeti ﷺ  ks porositur  gjithmonë për të mirën e të moshuarve, e atyre u ipte pozitë të lartë. Kur flisnin para tij dy vetë për diçka, ai fillonte gjithmonë me më të moshuarin, duke thënë: “Jepi përparësi më të madhit në moshë.”

Nga Muadh ibn Xhebeli (radijallahu anhu) transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur t’ju vijë i moshuari i një populli, nderojeni!”
(E transmeton Ibn Maxheh, ndërsa shejh Albanie ka vlerësuar si hadith të mirë ).

Po ashtu, nga Enes ibn Maliku (radijallahu anhu) përcillet se: Një plak deshi të afrohej  te Profeti ﷺ, por njerëzit vonuan ta hapnin rrugën për të. Atëherë Profeti ﷺ tha: “Nuk është prej nesh ai që nuk e mëshiron të voglin tonë dhe nuk e respekton të madhin tonë. (Hadith i saktësuar nga Shejh Albani).

Së treti: Ndër shenjat e respektit për të moshuarit dhe nga të drejtat e tyre është që t’i thërrasim me fjalët më të buta dhe me gjuhën më të bukur, t’i presim me ngrohtësi kur i takojmë, t’i përshëndesim me buzëqeshje dhe fytyra të gëzuara, si dhe t’i japim përparësi në përshëndetje. Këtë e ka theksuar i Dërguari i Allahut ﷺ duke thënë: “I vogli përshëndet të madhin, kalimtari përshëndet atë që është ulur, dhe të paktët përshëndesin të shumtët.” (E transmeton Buhariu).

Prandaj vlerësojini,  Allahu ju mëshiroftë,  të moshuarit tuaj me vlerën që meritojnë dhe mos i bëni të ndihen si barrë mbi shpinën e jetës. Përkundrazi, ata janë begati dhe thesar i çmuar. Ashtu siç ka thënë Profeti ﷺ: “Begatia është me më të mëdhenjtë tuaj.”(Hadith i saktësuar nga Albani).

Ai që nderon një të moshuar, në të vërtetë ka nderuar veten e tij, ka respektuar fenë e tij, ka madhëruar Zotin e tij dhe ka vlerësuar përvojën e atij që ka jetuar më shumë se ai.

O Allah! Mëshiroji të moshuarit tanë, udhëzoji të rinjtë tanë drejt së mirës, dhe na udhëhiq të gjithëve drejt asaj që Ti je i kënaqur me ne.

Qoftë i bekuar Kurani dhe Suneti për mua dhe për ju, e u bëftë i dobishëm për ne me atë që përmbajnë nga shenjat dhe urtësitë. Këtë e them, duke kërkuar falje tek Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij dhe pendohuni tek Ai, se me të vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.

Hutbja e dytë

Lavdërimi i takon Allahut me lavdërim të falënderuesëve mirënjohës. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, pa ortak në Hyjninë e Tij, Zoti i të parëve dhe i të fundit. Dëshmojmë gjithashtu se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, më i miri i pejgamberëve dhe i të dërguarve. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij fisnike, mbi shokët e tij të ndershëm dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

E më pas:
O ju të mençur! Kushdo që kryen detyrimet ndaj të moshuarve dhe ua jep atyre të drejtat që u takojnë, Allahu i Madhëruar me mirësinë e Tij do t’i caktojë në pleqërinë e tij dikë që do të kujdeset për të drejtat e tij dhe do të përmbushë detyrimet ndaj tij. E a ka shpërblim më të drejtë për të mirën veçse e mira?

Ndërsa, përkundrazi, kush i shpërfill të moshuarit, i lë pas dore të drejtat e tyre, ose sillet keq me ta, Allahu i Madhëruar do t’ia caktojë në pleqërinë e tij dikë që ta trajtojë në të njëjtën mënyrë. Ashtu siç thuhet: “Si të sillesh, ashtu do të të sillen.” Këto gjëra – siç thonë njerëzit – janë borxh që kthehet: respekti dhe mirësjellja ndaj prindërve është borxh i mirë që do të kthehet me të mirë, ndërsa mosrespekti dhe sjellja e keqe janë borxh që do të kthehet po me të njëjtën mënyrë. Prandaj, bëni mirë me prindërit tuaj që edhe fëmijët tuaj të sillen mirë me ju.

Imam Jahja ibn Said el-Medenij (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Na ka arritur lajmi se kush e poshtëron një njeri të moshuar, nuk do të vdesë pa i caktuar Allahu të përjetojë të njëjtën gjë në pleqërinë e tij.”

Pas kësaj, dërgoni salate dhe përshëndeteni me selame  të Dërguarin mëshirë për  botët,  ashtu siç ju ka urdhëruar i Gjithëdijshmi dhe i Gjithëinformuari.

Halid Sad Eshehrij

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve