Falënderimi i takon Allahut, Atij që krijoi krijesat, caktoi jetët dhe afatet e tyre, përcaktoi ushqimet dhe furnizimet e tyre. E falënderojmë Atë të Lartësuarin, i kthehemi Atij me pendim dhe i kërkojmë falje. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër të denjë për adhurim përveç Allahut, Një dhe i pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi ata që i ndoqën dhe vazhdojnë t’i ndjekin me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O robër të Allahut, frikësojuni Allahut, sepse ka shpëtuar ai që i është frikësuar Atij, ndërsa është humbur ai që u dorëzua pas epsheve dhe dëshirave të veta. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon t’i keni frikë dhe mos vdisni ndryshe veçse si muslimanë.” [Ali Imran: 102]
I Dërguari i Allahut ﷺ hyri në Mekë fitimtar dhe i lavdishëm, kurse Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e solli të atin e tij Ebu Kuhafen, një burrë i moshuar dhe i dobësuar, duke e udhëhequr dorë për dore drejt Profetit ﷺ. Kur e pa i Dërguari i Allahut, tha: “A nuk e le të qëndronte, që të vinim ne tek ai?” Ebu Bekri u përgjigj: “O i Dërguar i Allahut, atij i takon më shumë që të vijë tek ti.” (E transmeton Ahmedi, shejhAlbani e ka vlerësuar të saktë.)
O vëllezër besimtarë!
Ndër virtytet më të larta dhe meritat më të mëdha që i garantoi Islami dhe bëri thirrje të fortë për to është kujdesi dhe respekti për të moshuarit, njohja e të drejtave të tyre, ruajtja e tyre, sjellja me edukatë ndaj tyre dhe pranimi i detyrimeve që kemi përballë tyre.
O vëllezër, etapat e jetës së njeriut janë forcë mes dy dobësive. Kur’ani Famëlartë e përshkruan këtë në fjalën e Allahut: “Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë. ” [Rrum: 54]
Allahu pra kështu deshi me urtësinë e Tij. Njeriu lind pa dituri, mëson dije dhe aftësi nga bashkëveprimi me mjedisin, pastaj rritet, bëhet i ri i fuqishëm, me muskuj të fortë dhe me kontroll mbi punët e veta, pastaj bëhet burrë në moshë të mesme, e më vonë kthehet drejt rënies, derisa të arrijë pleqërinë. Ky është caktimi i çdo njeriu, çfarëdo qoftë vendi apo pozita e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “ Allahu ju krijon, pastaj jua merr shpirtin. Disa prej jush jetojnë aq gjatë, sa arrijnë një moshë, ku nuk kuptojnë më asgjë nga ajo që kanë ditur. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm.” [Nahl: 70]
Imam Muslimi ka përmendur në hyrjen e librit të tij nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi t’u japim njerëzve vendin dhe pozitën që u takon.”
Gjithashtu është vërtetuar prej tij ﷺ se ka thënë: “Kush nuk tregon mëshirë për të vegjlit tanë dhe nuk njeh të drejtën e të mëdhenjve tanë, nuk është prej nesh.” (E transmeton Ebu Davudi)
Po ashtu është vërtetuar prej tij ﷺ se ka thënë: “Vërtet nga madhërimi i Allahut është nderimi i plakut musliman me thinja, nderimi i bartësit të Kuranit që nuk e tepron dhe as nuk tregohet i pakujdesshëm ndaj tij, dhe nderimi i sundimtarit që gjykon me drejtësi.” (E transmeton Ahmedi)
O robër të Allahut!
Nderimi i të moshuarit është pjesë e madhërimit të Allahut të Lartësuar. Nderimi i plakut musliman është prej veprave me të cilat besimtarët i afrohen Allahut dhe kërkojnë shpërblimin e Tij të madh dhe premtimin e Tij të lavdishëm.
Kjo e drejtë bëhet edhe më madhështore në varësi të rrethanave që e shoqërojnë. Nëse i moshuari është i afërm, ai ka të drejtën e farefisnisë së bashku me të drejtën e moshës. Nëse është fqinj, përveç të drejtës së tij si i moshuar, ai ka edhe të drejtën e fqinjësisë. Nëse është musliman, përveç të drejtës së moshës, ka edhe të drejtën e Islamit. Nëse është baba apo gjysh, e drejta e tij është edhe më e madhe. Madje, edhe nëse i moshuari nuk është musliman, ai përsëri ka të drejtën e respektit për shkak të moshës, sepse Sheriati erdhi me urdhërin për të ruajtur të drejtën e të moshuarit, qoftë edhe jo musliman.
Ja, kështu, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, pa një plak të verbër hebre, i cili zgjaste dorën tek njerëzit për të kërkuar ndihmë. Omeri i tha: “Ç’të ka shtyrë të arrish në këtë gjendje në të cilën po të shoh?” Hebreu u përgjigj: “Ju më keni vënë mua xhizjen, por unë jam i moshuar dhe nuk kam fuqi të punoj që të paguaj atë që më takon, prandaj u detyrova të zgjat dorën tek njerëzit.” Atëherë zemra e Omerit u prek, e mori plakun për dore, e çoi në shtëpinë e tij, i dha pasuri dhe urdhëroi të hiqej xhizja nga ai, duke thënë: “Pasha Allahun, nuk i kemi bërë drejtësi, nëse i ngrënim rinin e tij e pastaj e braktisim në pleqëri!” Pas kësaj, Omeri urdhëroi që të hiqej xhizja nga çdo hebre i moshuar.
O vëllezër të nderuar,
Akademia e Fikhut Islam ka theksuar domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të të moshuarve për gjithçka që ruan shëndetin e tyre trupor, shpirtëror e shoqëror, si dhe vazhdimin e mësimit dhe njohjes me dispozitat e sheriatit, të cilat ata i kanë të nevojshme në adhurimet, marrëdhëniet dhe gjendjet e tyre të përditshme. Po ashtu, është e domosdoshme forcimi i lidhjes së tyre me Zotin e tyre, mbajtja e një mendimi të mirë për faljen dhe mëshirën e Tij, si dhe theksimi i rëndësisë së rolit të të moshuarve si pjesë aktive e shoqërisë, duke u mundësuar atyre të gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore.
Është e domosdoshme që shtëpitë e tyre të mbeten vendi themelor ku ata jetojnë, në mënyrë që të shijojnë jetën familjare, të gëzojnë dashurinë dhe respektin e fëmijëve e nipërve të tyre, si dhe të shoqërohen me të afërmit, miqtë dhe fqinjët. Në rast se kjo gjë nuk është e mundur, atëherë duhet të sigurohet për ta një mjedis familjar brenda shtëpive të posaçme për të moshuarit.
Gjithashtu, është e domosdoshme ndërgjegjësimi i gjithë shoqërisë për pozitën dhe të drejtat e të moshuarve përmes programeve arsimore dhe mediave, duke u përqendruar veçanërisht tek obligimi i respektimit të prindërve. Po ashtu, kërkohet ngritja e institucioneve të kujdesit për ata të moshuar që nuk kanë familje, ose familjet e tyre janë të pamundura të kujdesen për ta.
Është me rëndësi edhe zhvillimi i degës së Gerontologjisë dhe Geriatrisë -degë të mjekësisë së pleqërisë në Fakultetet e mjekësisë dhe institucionet shëndetësore, duke trajnuar mjekë të specializuar për zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve të moshës së thyer, si dhe duke ngritur reparte të posaçme për këto sëmundje në spitale.
Duhet gjithashtu të sigurohen vende të rezervuara për të moshuarit në mjetet e transportit publik, në hapësirat publike, në vendparkimet dhe në çdo shërbim tjetër të nevojshëm për kujdesin e tyre.
Dhe këto të drejta, o të nderuar zotërinj, nuk janë veçse një pjesë e atyre që Islami ua ka garantuar të moshuarve. Nuk gjendet asnjë fe që është kujdesur për të drejtat e pleqve dhe të moshuarve sikurse është kujdesur kjo fe madhështore. Islami kujdeset për njeriun kur është foshnje, kujdeset për të si fëmijë, kujdeset për të si i ri, kujdeset për të si burrë në moshë të pjekur, dhe kujdeset për të si plak në pleqëri. Islami shkon me njeriun gjatë gjithë udhëtimit të jetës së tij: nga djepi deri te varri, nga britma e lindjes deri te rënkimi i fundit të jetës. Ai i ligjëson njeriut dhe e udhëzon në të gjitha anët e jetës së tij.
Ne i kërkojmë Allahut jetë të gjatë të shoqëruar me vepra të mira; i kërkojmë Atij shëndet në zemrat tona dhe shëndet në trupat tanë; dhe i lutemi Atij të na japë një përfundim të mirë.
Hutbja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, Dhuruesit të madh të mirësive, Bujarit të pafund të mirësisë dhe begatisë, Atij që dhuron e që fal pa masë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, që nuk ka shok në hyjninë e Tij. Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij, paqja e Allahut qoftë mbi ta në çdo kohë.
Ndër frytet më të rëndësishme të kujdesit për të moshuarit dhe respektimit të tyre janë lehtësimi dhe bekimi, largimi i sprovave, i fatkeqësive dhe i vështirësive nga njeriu. Ky kujdes bëhet shkak për mirësi e bekime të njëpasnjëshme në këtë botë dhe në botën tjetër.
Ka ardhur në hadithin e Profetit ﷺ: “A nuk ndihmoheni dhe a nuk furnizoheni (nga Allahu) veçse për shkak të të dobëtëve tuaj?” (e transmeton Buhariu)
Po ashtu, ndër frytet e respektimit të të moshuarve është se, nëse ne i nderojmë ata dhe ua ruajmë të drejtat e tyre, Allahu i Madhëruar do të na mundësojë që edhe ne, kur të arrijmë pleqërinë, të gjejmë njerëz që do të na respektojnë dhe do të na kujdesen për ne. Kjo është shpërblim i ngjashëm me atë që kemi bërë.
Do të vijë një ditë, nëse Allahu na zgjat jetën, kur edhe ne do të bëhemi të moshuar e të dobët, me trup të ligështuar dhe shqisa të plogështuara, duke pasur nevojë për ata që janë përreth nesh. Nëse në rininë tonë i kemi shpërfillur të drejtat e tyre, edhe të rinjtë e kohës sonë do të shpërfillin të drejtat tona në pleqëri. Ky është shpërblim i drejtë dhe i barabartë.
Allahu i Lartësuar thotë: “A mos është shpërblimi i të mirës diç tjetër veçse e mira?” (Er-Rahman: 60).
Pra, shpërblimi i bamirësisë është bamirësia, dhe shpërblimi i së keqbërjes është e keqja, pa asnjë dyshim.
Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ka thënë: “Asnjë i ri nuk e nderon një plak për shkak të moshës së tij, vetëm se Allahu ia cakton atij dikë që do ta nderojë atë në pleqërinë e tij.” – e transmeton Tirmidhiu dhe të tjerë.
Në të njëjtin kuptim është edhe ajo që transmeton Jahja bin Seid el-Medenij, ku thotë: “Na ka arritur se kush e poshtëron një plak të thinjur, nuk do të vdesë derisa Allahu t’ia dërgojë dikë që do ta poshtërojë atë në thinjat e tij, kur të plaket.”
Pra, nëse ti e nderon një plak në rininë tënde, Allahu të shpërblen me të njëjtën vepër: kur të plakesh, Ai do të të përgatisë dikë që do të të nderojë, pikërisht në kohën kur ti do të kesh nevojë për nderim dhe kujdes.
Këto gjëra, siç thonë njerëzit, janë “borxh i deponuar më parë” . Mirësia është borxh i deponuar, ashtu si edhe mosrespekti është borxh i deponuar. Respektoni prindërit tuaj, që edhe fëmijët tuaj të ju respektojnë juve.
Dhe ndër frytet e tjera (të respektimit të të moshuarve) është edhe ajo që mund të të arrijë nga një lutje e mirë që ta bën një burrë, mjekra e të cilit është thinjur në Islam është e madhe, e ndoshta mu përmes saj do të gjesh lumturi në fenë tënde dhe në jetën tënde.
O Allah, bëje përfundimin tonë të jetë me mirësi! O Allah, bëje përfundimin tonë të jetë me mirësi! O Allah, bëji veprat tona më të mira ato të fundit e tona, bëji veprat tona më të mira ato që janë përmbyllje e tyre, dhe bëje ditën më të mirë për ne ditën kur do të të takojmë Ty.
O Allah, bëji momentet tona më të lumtura dhe më të çmuara çastin kur të qëndrojmë para Teje, me mëshirën Tënde, o më i Mëshirshmi i mëshiruesve.
O Allah, mëshiroji të moshuarit tanë, udhëzoji drejt të mirës të rinjtë tanë dhe na drejto drejt asaj që Ti je i kënaqur me ne.
Ahmed ibn Abdullah ELhuzejmij
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



