Tre: Islami nuk është fe e përkufizuar, është mesazh që nuk përkufizohet me kohë, e as me një gjeneratë, e as me ndonjë vend, ngaqë islami u dedikohet gjithë popujve, gjitha kategorive, e çdo fisi, islami është dhuratë dhe mëshirë e Allahut për njerëzimin.

Allahu thotë: “Thuaj (Muhamed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju. Allahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij.” Sureja Araf, 158.

Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhamedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues), është i madhëruar.” Sureja Furkan, 1.

E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” Sureja Enbija, 107.

E prej haditheve, është fjala e të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “unë jam profet për secilin që më ka arritur gjallë dhe do të lind pas meje”.

Dhe fjala e tij: “betohem në dorën e të Cilit është shpirti im, s’ka asnjë prej këtij umeti, që do të dëgjojë për mua, qoftë jahudi apo i krishterë, e që nuk më beson , vetëm se do të hyjë në zjarr”. E shënon Muslimi.

Universaliteti i fesë islame është prej bazave të fesë, është gjë e përqendruar, nga vetë natyrshmëria e fesë, duke u shëmbëllyer që në fillim me disa personalitete sikur Suhejb er Rumi, Selman el Farisiju, dhe Omer el Kureshij.

I dërguari i Allahut u dërgonte shkresa prijësve dhe mbretërve të asaj kohe për këtë gjë.

Katër: Islami fe e natyrshmërisë.

Ajo që nënkuptohet me natyrshmërinë e pastër është fillimi dhe shpikja e njeriut dhe kuptimi i thënies së tij: (Çdo i fëmijë lind në fitre) është se ai ka lindur në një lloj predispozicioni dhe natyrë të gatshme për të pranuar fenë. Nëse njeriu lihet në natyrshmërinë e pastër ai do të vazhdojë t’i përkushtohet dhe nuk i ndahet fesë, por ai largohet prej fesë për shkak të ndonjë sëmundjeje prej sëmundjeve të njerëzimit dhe për shkak fanatizmit.

Islami është fe që Allahu e përshtati për njeriun, dhe njerëzit i përshtati që ta pranojnë dhe të veprojnë me të, kështu që nuk bie ndesh natyrshmëria e njeriut me fenë, e as që kundërshtohen qëllimet e tija, por përputhet plotësisht me to, i udhëzon dhe i drejton në formën më të saktë dhe më të shëndoshë, atëherë kur njeriu distancohet nga epshi dhe inati, do ta njeh islamin dhe se islami është fe e vërtetë, “Përqëndro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Sureja Rum, 30.

Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmëri të pastër (Islame), por prindërit janë ata që e bëjnë atë Jehud, ose të Krishterë, ose Mexhusi. Si shembulli i kafshës që lind të voglin e saj, a sheh tek ai ndonjë gjymtim?” më pas Ebu Hurejra tha: nëse dëshironi lexojeni ajetin “feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit.” Sureja Rum, 30. Hadithin e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Allahu i madhëruar i krijoi njerëzit në pastërti, më pas u sulmuan nga shejtanët; xhind dhe njerëz, e i devijuan nga e vërteta dhe natyrshmëria e shëndoshë, në hadithin e Ajad, ibën Himar el Mexhashi’ij transmetohet se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) një ditë në hutben e tij tha: “Vërtetë, Allahu më ka urdhëruar që t’ju mësoj atë që nuk e dini, ng ajo që më mësoi sot, ndër tjerash tha: Unë kam krijuar gjithë robërit e Mi të pastër, më pas atyre u erdhën shejtanët, i larguan nga feja, ua bëjnë haram atë që Unë ua kam lejuar atyre, dhe i urdhërojnë që të më bëjnë shirk, për çfarë unë nuk kam zbritur asnjë argument, dhe Allahu shikoi tek banorët e tokës dhe u hidhërua me ta, përveç disa pjesëtarëve nga ithtarët e Librit (prej atyre që mbetën ne fenë e vërtetë para ardhjes së Muhamedit, alejhi selam).” E shënon Muslimi.

Pesë: Fe mesatare:

Fe mesatare nënkupton fe e drejtë, e mirë, e vlefshme, mesatare. Islami është fe e mesatarisë në çdo çështje, qoftë të besimit, ligjeve apo moralit, është mesatare mes ekstremizmit të feve tjera dhe shpërfilljes së tyre, është mesatare mes kërkresave të shpirtit dhe trupit, të individit dhe shoqërisë, kështu që nuk anon vetëm kah njëra anë mbi tjetrën, përveç atëherë kur përshtatet me mirëqenien e shpirtit dhe shëndetin e trupit, shpëtimit të individit dhe shoqërisë. Ashtu sikur që urdhëron për angazhim dhe adhurim për botën tjetër, udhëzon edhe në angazhim për të kërkuar riskun dhe jetesën në këtë botë. Edhe këtë e konsideron adhurim. “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.” Surja Kasas, 77.

Umeti islam është umet mesatar, për të ka dëshmuar Krijuesi i tyre i Lartmadhëruari, dhe mbi këtë ka vlerësuar pozitën, rolin dhe vlerën në këtë planet, në mesin e umeteve tjera: “Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur).” Surja Bekare, 143

Këtu fjala e Allahut “mesatarë” nënkupton të drejtë, e mesi i diçkaje dhe mesataria e saj ka kuptimin më e vlefshmja më e drejta dhe më e mira.

Imam ibën Xheriri (Allahu e mëshiroftë) thotë: Allahu i përshkroi si mesatarë për shkak mesatarisë së tyre në fe.

Disa shembuj të mesatarisë islame, natyrisht se nuk kemi mundësi t’i përmendim të gjitha por vetëm disa fragmente që flasin rreth kësaj:

1.Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: erdhën tre persona tek shtëpitë e grave të pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem)  për të pyetur rreth ibadetit të pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), kur morën përgjigjet, sikur ata nënvlerësuan veten e tyre dhe thanë: e ku jemi nga nga pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur atij i janë falur mëkatet e mëhershme dhe ato të mëvonshme. Njëri prej tyre tha: Unë do të falem tërë natën. Tjetri tha: Unë do të agjërojë pandërprerë dhe nuk e ndërpres agjërimin. E i treti tha: Unë nuk do të martohem, do të distancohem nga gratë. Kur erdhi pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ju tha: A jeni ju ata të cilët keni thënë kështu e kështu? Betohem në Allahun, unë më tepër se ju kam frikë Alllahu, dhe jam më i devotshëm se ju, por unë agjëroj ndonjëherë e ndonjëherë nuk agjëroj, falem dhe bëj gjum, martohem me gra, e kush refuzon sunetin tim ai nuk është me mua.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

2.I dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) pa një litar të zgjatur mes dy shtyllave, dhe pyeti për të, i treguan se është litari i Zejnebes, ajo mbahej për të kur të lodhej në namaz, e i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) urdhëroi që ta largojnë dhe tha: Të faleni me vullnet, e kur të lodheni uluni.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

3.I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i ka thënë Abdullah ibën Amr (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): o Abdullah! Më kanë treguar se ti agjëron çdo ditë dhe falesh tërë natën? Tha: Po o i dërguar i Allahut! I tha: Mos vepro ashtu, agjëro por edhe ndërprite agjërimin, falu por edhe flej, sepse edhe trupi jot ka hak, edhe syri jot ka hak, edhe bashkshortja jote ka hak.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

4.Transmetohet nga Ebu Xhuhejfeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka pajtuar mes dy vëllezërve; Selmanit dhe Ebu Dardasë, kështu që Selmani shkoi për të vizituar shokun e tij të ngushtë Ebu Dardanë dhe kur arriti te shtëpia e tij e pa gruan e Ebu Dardasë të veshur jo mirë. Iu drejtua asaj dhe i tha: Si është puna? Ajo i thotë: Ebu Dardaja nuk ka nevojë për asgjë nga dynjaja (nuk e ka të nevojshme të zbukurohem për të). Erdhi Ebu Dardaja dhe i përgaditi Selmanit ushqim dhe i tha: Ha, se unë jam agjërueshëm! Selmani i tha: Nuk ha derisa të hash. Dhe ai hëngri. Kur ra nata, Ebu Dardaja deshi të ngrihej dhe Selmani i thotë: Fli! Dhe ai fjeti. Kur erdhi mesi i natës, Ebu Dardaja deshi prapë të ngrihej dhe Selmani i tha: Fli! Dhe ai fjeti. Pastaj ai përsëri deshi të ngrihej dhe Selmani i tha: Fli! Kur erdhi fundi i natës, Selmani i tha: Ngrihu! Dhe ata u falën së bashku. Pastaj Selmani i tha: “Zoti ka hakun e Tij, vetja jote ka hakun e vet dhe familja jote ka hakun e saj. Prandaj jepja secilit hakun e vet!”. Kur është njohur me këtë histori pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Të vërtetën e ka thënë Selmani”. E shënon Buhariu

Kur përmendin mesatarinë e islamit përmes këtyre haditheve dhe ngjarjeve, dhe të tjerave, duhet të mos harrojmë të kundërtën e kësaj e që është anashkalimi, pra, ashtu sikur që i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar nga teprimi po edhe ka kërkuar shtimin në veprim për ta adhuruar Allahun, kjo nënkupton se ai na e tërheq vërejtjen edhe nga aspekti i kundërt e që është anashkalimi dhe braktisja e asaj që Allahu e ka ligjësuar, sikur braktisja e farzeve, veprimi i mëkateve, nënvlerësimi i mëkateve, e që të dyja aspektet janë gabim dhe në kundërshtim me fenë e Allahut. Teprimi është ekstremitet në fe dhe braktisja është mangësi në hakun ndaj Allahut. Sheriati i Allahut është mesatar, vepron duke zbatuar aë që Allahu e ka ligjësuar pa e tepruar dhe pa e anashkaluar.

Gjashtë: Fe e edukatës:

Islami është fe e moralit, saqë nuk ekziston asnjë dispozitë fetarë përveç se të dhuron një pjesë të moralit të mirë për njeriun. Për këtë i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thoshte: Jam dërguar që t’i përsos virtytet e moralit. E shënon Buhariu

Dhe fjala e tij: “njeriu më i dashur dhe më i afërt me mua ditën e Kijametit është ai që është më moral më të mirë, dhe njeriu më i urryer dhe më i distancuar nga unë ditën e Kijametit janë llafazanët, mburracakët që me gojën plotë flasin fjalë që nuk i kuptojne njerëzit dhe dashalavdët kryelartë.

Kështu që fjalët e tepërta, mburrja dhe kryelartësia janë prej cilësive të këqija për arsye se secila prej tyre përmbanë në vete vetpëlqimin, refuzimin e së vërtetës dhe të qenit mendjemadh ndaj tjerëve.

Në hadithin: “Njerëzit më të mirë në mesin tuaj janë ata që kanë moralin më të mirë.” E shënon Buhariu dhe Muslimi

I është bërë obligim atij që përmbahet për islamin që të jetë edhe me sjellje të mirë, me moral të ngritur, i ndershëm. E tek jeta e të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij fisnik, dhe të parët e këtij umeti ai gjen shembulltyrën më të mirë rreth moralit, të asaj shoqërie me moral shembullor.

Allahu i madhëruar e lavdëroi të dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), e që lavdërimi ishte në formën më të përkryer dhe me fjalë më të përzgjedhura, si në fjalën e Tij: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” Surja Kalem, ajeti 4.

E kur muslimani të lexojë Kuranin apo të ndjek sunetin e të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), sheh se Allahu mbivlerëson cilësitë e besimtarëve, se ato janë cilësi të bukura, duke i përmendur në formë të detajuar duke sqaruar moralin e lartë të kësaj feje dhe synimet e saj, duke ngjyrosur njerëzit me këto ngjyrosje të moralit të lartë, Allahu i madhëruar thotë: “E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen). Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehennemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë”. Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq. Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur. Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin.” Surja Furkan, ajeti 63-68.

Kjo veçori bëhet më e qartë tek dispozitat e fesë, e tek çdo cep nga sheriati i Allahut; kështu që namazi ndalon nga punët e këqija dhe të neveritshme, e zeqati të edukon në bujari dhe në zemërgjërësi, agjërimi të përjeton gjendjen e fukarave dhe ndjenjen e nevojshmërisë së tyre, haxhi të ndalon nga fyerjet, nga mëkati, nga polemika e nga ngritja e zërit, e ushtron njeriun në durim dhe modesti. Edhe raportet e njerëzve janë të ngritura në parimin e qartësisë dhe dobisë reciproke, sikur që dispozitat fetare e përçmojnë të keqen, mashtrimin, nënçmimin, e çdo send që është e paqartë dhe e dëmshme.

Pastaj prej shenjave të moralit islam është se muslimani në çdo moment qoftë ai moment më i vështirë, në fushbetejë atëherë kur dëgjohen të krisurat e armëve dhe zërat e trimave, atëherë kur shpirtrat janë në duar të tjerëve, atëherë kur muslimani përleshet me jomuslimanin, vije në pah morali islam: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën).” Surja Bekare, ajeti 190.

Këto parime të larta dhe virtyte fisnike të cilat kanë qenë shkaqe të triumfimit të islamit. Feja islame ka ndaluar nga vrasja e fëmijëve, grave, pleqve, të paaftëve, njerëzve të mbyllur në faltore, prej atyre që nuk pritet ndonjë rezik prej tyre nëse jetojnë, kështu që i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur dërgonte një grup vëzhgues i porosiste me bamirësi, tolerancë, mëshirë ndaj grave e ndaj të dobëtit.

Transmeton Burejde (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur dërgonte një prijës me një grup luftëtarësh apo grup vëzhgues e porosiste që ai të ketë frikë Allahun e madhëruar dhe të tjerët prej muslimanëve, më pas i thoshte: Lufto në emër të Allahut në rrugë të Allahut, luftoni ata që kanë mohuar Allahun, luftoni por mos tradhtoni, mos gjymtoni, mos vritni fëmijë…” e shënon Muslimi.

Allahu thotë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” Surja Nahl, 91.

Premtimin zbatonie, pse për premtimin ka përgjegjësi.” Surja Isra, 34.

Përmbushja e premtimeve është cilësi e besimtarëve të sinqertë, Allahu thotë: “dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë.” Surja Bekare, 177.

Pika e pestë: Përfundimi

Të nderuar muslimanë! Nëse dëshirojmë krenari e ngritje, liri e paqe, drejtësi dhe jetë të mirë fisnike, nuk gjejmë dot, përveç se në fenë islame.

Është fe madhështore, fe e drejtë me këtë fe, Allahu udhëzon në rrugën e drejtë, e ka përzgjedh Allahu për ne, na bashkoi rreth fjalës së teuhidit, dërgoi pejgamberë qortues dhe përgëzues, që të gjithë erdhën për të thirrur për te Allahu për ta njehsuar: “Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues.” Surja Nisa, 165.

Me urdhrin e Tij ia zbret engjëjt me shpallje atij që Ai dëshiron nga robtë e vet (duke thënë) t’ua tërhiqni vërejtjen (t’i njoftoni) se nuk ka të adhuruar (zot) tjetër vetëm Unë, pra të më keni frikën.” Surja Nahl, 2

Në këtë fe është shpëtimi në dynja dhe ahiret, lumturia e përhershme e pafundme ku nuk do të ketë përkeqësim, është lidhja e robit të ngratë me Zotin e Madh, është kontakti i njeriut me Zotin e Gjithësisë, aty është qetësia e zemrës, ëmbëlsia e shpirtit, rehatia e trupit, lumturia e ahiretit. Allahu thotë: “kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër).” Surja Taha, 123.

Pra, ai i cili ndjek udhëzinmin dhe Kuranin dhe vepron sipas tyre ai do të jetë i udhëzuar në dynja, e nuk do të përkqësohet gjendja e tij në ahiret, e kushdo që ia kthen shpinën Kuranit ai do të ketë në jetën e parë një jetë të errët të ngushtë e të vështirë edhe nëse shfaqet se është njeri me autoritet e i pasur, atij do i ngushtohet varri e do dënohet aty, e ditën e Kijametit do ringjallet i verbër.

Sa fe madhështore që është, po sikur të kishte burra.

Sa të durueshëm ishin pejgamberët në rrugën e përhapjes së fesë, sa prej tyre u vranë, sa prej tyre u ndëhskuar, sa e sa gjëra përjetuan për këtë fe.

Për këtë fe Nuhu (alejhi selam) thiri popullin e tij për nëntëqind e esëdhjet vite, Jusufi qëndroi në burg disa vite, u hodh në zjarr babai i pejgamberëve (Ibrahimi), Zekerija u pre me sharrë, u vra djali i tij Jahja, e se çfarë i ndohi vulës së profetëve njeriut më të dalluar, atij në Uhud ju thyen dhëmbët, ju pre fytyra, u godit me shtizë, nga mushrikët. Për këtë fe vdisën shumë sahabë e vuajtën shumë dijetarë, që të gjithë luftuan për Allahun derisa u erdh vdekja. Lusim Allahun të na ruaj në islam, në çdo kohë e çdo moment e të na bëjë shërbetorë të fesë.

Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli

Burimi