​Në traditën  islame, xhamia kurrë nuk ka qenë një hapësirë e kufizuar vetëm për kryerjen e riteve shpirtërore apo një vend izolimi nga bota e jashtme. Që nga periudha e Profetit Muhamed s.a.v.s., xhamia e parë në Medine (Mesxhidun-Nebevi) funksionoi si një institucion me karakter gjithëpërfshirës: seli e qeverisjes, gjykatë, qendër arsimore, parlament ku diskutoheshin çështjet politike dhe vendi ku hartoheshin strategjitë e mbrojtjes dhe të luftës. Ky rol aktiv dhe dinamik e projekton xhaminë si një shtyllë të rregullimit shoqëror, ku jeta fetare shkrihet natyrshëm me atë civile, arsimore e kombëtare.

​Nisur pikërisht nga kjo traditë e gjallë, ky institucion te populli shqiptar mori një rol jetik, duke u vënë plotësisht në shërbim të kauzës kombëtare. Xhamitë tona u shndërruan historikisht në shkolla e kuvende burrash. Nga aty dolën dhe i prinë popullit ulema e atdhetarë tanë të spikatur, të cilët u vunë në ballë të proceseve të rëndësishme historike, politike e kombëtare. Historia e Kosovës nuk do të mund të shkruhet kurrë si e plotë pa u vlerësuar në mënyrë meritore ky kontribut shumëdimensional i xhamive dhe i prijësve të tyre, të cilët i shërbyen shpirtërisht dhe praktikisht binomit e shenjtë: Fe-Atdhe.

Xhamia e Bajraklisë në Prizren: Epiqendra e Bashkimit Kombëtar (1878)

​Kur flasim për zërin e parë të fuqishëm të ndërgjegjes politike mbarëshqiptare, historia na kthen te Xhamia e Bajrakliut në Prizren (e njohur edhe si Xhamia e Gazi Mehmet Pashës). E ndërtuar mediatikisht me traditën që në minarenë e saj të ngrihej flamuri (bajraku) që shërbente si sinjal koordinues, në vitin 1878 ajo mori një mision të ri: ngritjen e flamurit të bashkimit kombëtar.

​Salla e Kuvendit Historik ishte vet hapësira e faljes  10 qershor 1878, mbi 300 delegatë nga të katër vilajetet shqiptare u mblodhën pikërisht në ambientet e kësaj xhamie dhe në medresenë e saj për të kundërshtuar copëtimin e trojeve nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit.  Hartimi i Kararnamesë  (Libri i Vendimeve) dhe Talimati (Udhëzimi) – aktet e para zyrtare që legjitimuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe krijimin e ushtrisë vullnetare ,  u diskutuan dhe u nënshkruan brenda këtij kompleksi.

​kjo në vetvete përmban edhe Simbolikën e  Tolerancës Ndërfetare. Oborri i kësaj xhamie bëri bashkë klerikë e delegatë myslimanë, katolikë e ortodoksë (si Atë Gjon Nikollë Kazazi e krerë të tjerë), duke dëshmuar se përpara mbrojtjes së atdheut, të gjitha ndasitë e tjera shuheshin.

​Nga ky mjedis fetar doli udhëheqësi i madh popullor Muderrizi Haxhi Ymer Prizreni, i cili kryesoi qeverinë autonome të Lidhjes, duke u pasuar më vonë nga ulema dhe patriotë të tjerë të mëdhenj si Haxhi Zeka, Sylejman Vokshin, apo Vehbi ef. Dibra (i cili më 1912 do të ngrinte flamurin në Vlorë krahas Ismail Qemalit).

Xhamia e Burojës: Çerdhja Ilegale e Logjistikës së UÇK-së

​Nëse Xhamia e Bajraklisë përfaqëson diplomacinë dhe zgjimin e parë politik, Xhamia e vjetër e Burojës në Skenderaj (e ndërtuar që në vitin 1722) përfaqëson kontributin direkt në rezistencën e armatosur të luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

​Në fillim të viteve të 90-ta, kur celulat e para të UÇK-së po organizoheshin në ilegalitet të plotë, gjetja e vendeve të sigurta për fshehjen e armatimit ishte një sfidë jetike. Nën udhëheqjen e imamit guximtar Avdyl Krasniqi, dhe në bashkëpunim të ngushtë  me figura kyçe të rezistencës si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kjo xhami mori një rol historik ku për rreth gjysmë dekade, nën hundën e forcave policore serbe, strukturat e xhamisë së vjetër shërbyen si depo e sigurt armatimi. Brenda saj u strehuan dhjetëra armë automatike, armë të gjata M48, bomba dore, radiolidhje dhe pajisje ushtarake, të cilat u përdorën për armatosjen e ushtarëve të parë të Zonës Operative të Drenicës.

​Kjo xhami dëshmoi se hoxhollarët dhe shtëpitë e Zotit ishin të gatshëm të flijoheshin dhe të rrezikonin gjithçka për lirinë e vendit, duke u bërë pjesë e pandashme e infrastrukturës çlirimtare.

Rezistenca në Monizëm dhe Epoka e Xhamive-Shkolla (Vitet ’90)

​Roli i xhamive shqiptare mbeti i madh, sidomos midis dy luftërave botërore dhe në veçanti gjatë sistemit monist-ateist, ku u bë një luftë e rreptë për të shuar ndjenjën kombëtare. Personalitete si Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idriz Gjilani, apo Iljaz ef. Broja u bënë ballë këtyre presioneve duke mbajtur gjallë frymën e rezistencës.

​Nisur nga viti 1989, kur Kosovës iu suprimua me dhunë nga ana e Serbisë edhe ajo autonomi e brishtë që kishte, pasoi mbyllja e shkollave të mesme, fakulteteve dhe Universitetit të Prishtinës. Në këtë ditë të errët të izolimit të arsimit shqip, të gjitha xhamitë e Kosovës u vunë në shërbim të popullit dhe të nxënësve tanë.

​Me qindra xhamia, mejtepe dhe salla fetare u shndërruan në “shkolla alternative”. Nxënës e studentë, për shumë vite me radhë, ndoqën mësimet e tyre nëpër këto hapësira, duke siguruar që zinxhiri arsimor i kommit të mos këputej.

​ Çmimi i Lirisë: Kulturcidi dhe Rrënimi i 218 Xhamive

​Ky angazhim i hapur dhe i pakursyer i Bashkësisë Islame dhe institucioneve të saj në shërbim të kauzës kombëtare nuk kaloi pa u vënë re nga okupatori. Regjimi serb e kuptoi mirë se xhamitë nuk ishin thjesht pika lutjeje, bor ishin qendra të logjistikës, arsimit, rezistencës civile dhe humanitare.

​Si pasojë, gjatë luftës së viteve 1998-1999, forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmorën një fushatë të egër shkatërrimi, duke djegur dhe rrënuar plot 218 xhami, si dhe selinë qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ky shkatërrim i qëllimshëm kulturor dhe fetar u bë pikërisht sepse këto objekte ishin kthyer në shtylla të mbijetesës dhe të çlirimit tonë.

​Përfundim

​Xhamia e Bajraklisë në Prizren dhe Xhamia e vjetër e Burojës në Drenicë nuk janë thjesht objekte me vlera arkitektonike apo fetare; ato janë dëshmitarë të gjallë të historisë sonë më të lavdishme dhe më të dhimbshme. Nga muret e Bajraklisë ku zuri fill diplomacia dhe ideja e shtetësisë shqiptare, e deri te muret e Burojës ku u ruajtën armët e lirisë, xhamia shqiptare e kreu me nder misionin e saj historik.

​Sot, teksa kujtojmë këto ngjarje, mbetet detyrë e historiografisë sonë që ta vlerësojë këtë kontribut në mënyrë meritore. Xhamitë tona vazhdojnë të mbeten dëshmi se besimi në Zot dhe dashuria për Fe e për Komb e Atdhe   ecin gjithmonë krah për krah, duke shërbyer si udhërrëfyes edhe për gjeneratat e ardhshme.

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve