Falënderimi i takon Allahut… Më pas:

Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, ka dalluar disa ditë dhe muaj mbi të tjerët, ashtu siç ka dalluar disa vende mbi të tjera. Muaji Ramazan është zgjedhja e Allahut nga muajt e vitit; Nata e Kadrit është zgjedhja e Tij nga netët; e premtja është zgjedhja e Tij nga ditët e javës; Meka është zgjedhja e Tij nga toka; dhe Muhamedi ﷺ është zgjedhja e Tij nga krijesat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh; atyre nuk u takon zgjedhja” (El-Kasas: 68). Prandaj, njeriu nuk ka asnjë rol në këtë priveligjim, sepse Allahu është Sunduesi i kohës, në Dorën e Tij është çështja, Ai e ndërron natën me ditën, Ai është Krijuesi i kohës dhe i vendit. Ne besojmë në përsosmërinë e Zotërimit të Tij, në urtësinë dhe dijen e Tij të plotë.

Prej këtyre kohëve, o vëllezër, është edhe muaji Rexheb. Rreth këtij muaji ka pasur ngatërresa: disa kanë tepruar duke i atribuar atij vlera që nuk janë të sakta, ndërsa të tjerë kanë treguar shpërfillje duke mos njohur disa nga vlerat e tij që është mirë të njihen. Që të shpëtojmë nga këto dy ekstreme, sot po flasim për këtë muaj duke sqaruar atë që është e saktë dhe atë që nuk është e saktë lidhur me të, përmes disa çështjeve.

Çështja e parë është se muaji Rexheb është një nga katër muajt e shenjtë, të cilët Kurani i ka përmendur qartë, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, sipas Librit të Allahut, që nga dita kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; prej tyre katër janë të shenjtë. Ky është feja e drejtë, prandaj mos i bëni padrejtësi vetes suaj në to” (Et-Teube: 36). Suneti i ka sqaruar këta katër muaj, siç është vërtetuar në dy Sahihët nga Ebu Bekra – Allahu qoftë i kënaqur me të – se Profeti ﷺ ka thënë: “Koha është kthyer në gjendjen e saj si ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, prej tyre katër janë të shenjtë: tre janë njëri pas tjetrit – Dhul-Ka’de, Dhul-Hixhxhe dhe Muharrem, dhe Rexhebi i Mudarit, që është ndërmjet Xhumadasë dhe Shabanit”.

Rexhebi u quajt “Rexhebi i Mudarit” në lidhje me fisin Mudar, sepse ata e madhëronin më shumë se fiset e tjera. Edhe njerëzit e kohës së injorancës i madhëronin muajt e shenjtë, veçanërisht Rexhebin; ata nuk luftonin në të, madje ndodhte që një njeri ta takonte vrasësin e babait të tij dhe të mos e prekte fare.

Këta katër muaj u quajtën të shenjtë për shkak të madhështisë së shenjtërisë së tyre dhe ndalimit të luftës në ta, siç do të sqarohet më tej.

Duhet bërë dallim mes muajve të shenjtë dhe muajve të haxhit. Muajt e haxhit janë Shevali, Dhul-Ka’deja dhe Dhul-Hixhxheja, ndërsa muajt e shenjtë janë ata që u përmendën më sipër.

Këta katër muaj të shenjtë i kishin shpallur të shenjtë edhe arabët në kohën e injorancës. Arsyeja e shenjtërimit të Dhul-Ka’des, Dhul-Hixhxhes dhe Muharremit ishte kryerja e ritualit të haxhit: ata ndalonin luftën një muaj para haxhit që të mund të udhëtonin drejt tij, dhe e quajtën Dhul-Ka’de sepse qëndronin pa luftuar; më pas shenjtëronin Dhul-Hixhxhen, në të cilin kryenin ritet e tyre dhe tregjet; pastaj shenjtëronin një muaj pas tij që të ktheheshin të sigurt në vendet e tyre. Ndërsa muaji Rexheb u shenjtërua në mesin e vitit për shkak të vizitës së Shtëpisë së Shenjtë dhe për ta mbajtur të sigurt atë që synonte Qaben nga sulmet.

Këta muaj të shenjtë kishin një pozitë të lartë në kohën e injorancës, të cilën Islami e pranoi dhe e vërtetoi. Kjo është edhe vlera e muajit Rexheb në Sheriat, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj… prej tyre katër janë të shenjtë… prandaj mos i bëni padrejtësi vetes suaj në to” (Et-Teube: 36). Padrejtësia në këta muaj është shpjeguar si kryerje e mëkateve dhe lënie e adhurimeve; ajo përfshin padrejtësinë e robit ndaj vetes përmes shirkut dhe mëkatit, si dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve përmes llojeve të ndryshme të padrejtësive.

Ibn Abasi ka thënë: “Allahu zgjodhi nga muajt e vitit katër muaj dhe i bëri të shenjtë; i madhëroi shenjtëritë e tyre dhe bëri që mëkati në to, si edhe vepra e mirë dhe shpërblimi, të jenë më të mëdha”.

Ndërsa Katadeja ka thënë: “Vepra e mirë është më e madhe në shpërblim në muajt e shenjtë, dhe padrejtësia në to është më e rëndë se padrejtësia në kohë të tjera, edhe pse padrejtësia në çdo rast është e rëndë”.

Prandaj, robi duhet ta respektojë shenjtërinë e këtyre muajve, përfshirë edhe këtë muaj Rexheb, për shkak të pozitës që Allahu u ka dhënë atyre, dhe të ruhet nga mëkatet dhe shkeljet, duke e vlerësuar shenjtërinë e tyre; sepse mëkatet rëndohen për shkak të fisnikërisë së kohës që Allahu e ka shpallur të shenjtë.

Sa i përket luftimit në këta muaj të shenjtë, ndalimi i tij është një normë e mbetur që nga feja e Ibrahimit,  paqja qoftë mbi të,  të cilës arabët i përmbaheshin edhe në kohën e injorancës. Në Sheriatin tonë, luftimi ndahet në dy lloje. I pari është luftimi mbrojtës, si rasti kur myslimanët sulmohen nga armiqtë e tyre; në këtë gjendje, myslimanët luftojnë edhe në muajt e shenjtë, me pajtimin e dijetarëve. I dyti është luftimi sulmues ofanziv e ky është i ndaluar sipas fjalës së Allahut të Lartësuar: “Të pyesinty  për muajin e shenjtë dhe luftimin në të. Thuaj: Luftimi në të është ( mëkat)i madh” (El-Bekare: 217), domethënë i rëndë tek Allahu, dhe sipas fjalës së Tij: “O ju që besuat, mos i bëni të lejuara shentëritë e Allahut dhe as muajin e shenjtë” (El-Maide: 2). Megjithatë, dijetarët kanë diskutuar nëse ky ndalim është shfuqizuar apo mbetet në fuqi.

Më e dukshmja është se fillimi i luftimit në muajt e shenjtë mbetet i ndaluar. Këtë e përforcon hadithi i Xhabirit, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk bënte fushatë luftarake në muajin e shenjtë, përveç nëse sulmohej dhe kur ndodhte kjo, ai qëndronte derisa muaji të përfundonte” (Musned Ahmed; zinxhiri i tij është i saktë sipas kushteve të Muslimit).

Nga dispozitat e muajve të shenjtë është edhe rëndimi i dënimit me gjakshpërblim (dije) për shkak të shenjtërisë së tyre. Kjo është transmetuar nga Omeri – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe është mendim i shafi’ive dhe hanbelive.

Sa i përket therjes në muajin Rexheb, ajo quhej “el-atira”. Ishte një kurban që njerëzit e injorancës e thernin në Rexheb dhe e kishin bërë traditë, ashtu si therjen e kurbanit në Kurban Bajram. Për të janë transmetuar disa hadithe, por kjo praktikë është shfuqizuar me fjalën e Profetit ﷺ: “Nuk ka fer’a dhe as atira” (muttefekun alejhi). Në disa transmetime thuhet se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar “fer’an dhe atirën” (e transmeton Nesaiu dhe e ka saktësuar Albani). Ndërsa tek Ahmedi thuhet: “Nuk ka atira në Islam dhe as fer’a”. Fer’a ishte i pari i lindjes së bagëtisë që e thernin për idhujt e tyre.

Sa i përket agjërimit në Rexheb, nuk është vërtetuar ndonjë hadith i saktë për vlerën e veçantë të agjërimit në këtë muaj në mënyrë të posaçme, as nga Profeti ﷺ e as nga shokët e tij. Ajo që lejohet në Rexheb nga agjërimi është ajo që lejohet edhe në muajt e tjerë: agjërimi i së hënës dhe së enjtes, ditët e bardha, agjërimi një ditë e prishja një ditë, dhe të ngjashme.

Është transmetuar nga Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të,  se ai i godiste lehtë duart e burrave që agjëronin në Rexheb derisa t’i vendosnin në ushqim, dhe thoshte: “Ç’është Rexhebi? Rexhebi ishte një muaj që e madhëronin njerëzit e injorancës, e kur erdhi Islami u la”. Në një transmetim tjetër thuhet se ai e urrente që agjërimi i Rexhebit të merrej si traditë e përhershme. Po ashtu, Ebu Bekre, Allahu qoftë i kënaqur me të,  pa familjen e tij duke u përgatitur për agjërimin e Rexhebit dhe u tha: “A e keni bërë Rexhebin si Ramazanin?”, dhe hodhi shportat e theu enët.

Ibn Tejmije thotë në “Mexhmu’ el-Fetava” (25/290): “Sa i përket agjërimit të Rexhebit në mënyrë të veçantë, të gjitha hadithet për të janë të dobëta, madje të trilluara; dijetarët nuk mbështeten në asnjë prej tyre. Ato nuk hyjnë as te hadithet e dobëta që transmetohen për virtyte, por shumica e tyre janë të fabrikuara dhe të rreme”.

Çështja e katërt: Umreja në muajin Rexheb

Nuk është vërtetuar nga Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të,  se ai ka kryer umre në muajin Rexheb. Ajo që është transmetuar nga Ibn Omeri për këtë është një gabim nga ana e tij, dhe këtë ia sqaroi Aishja kur tha: “Allahu e mëshiroftë Ebu Abdurrahmanin, ai nuk ka kryer asnjë umre pa qenë Profeti me të, dhe kurrë nuk ka kryer umre në Rexheb” (muttefekun alejhi).

Prandaj, Rexhebi është si çdo muaj tjetër sa i përket adhurimit të umres. Nëse një musliman e kryen umren në këtë muaj pa besuar se ka ndonjë vlerë të veçantë, por thjesht sepse i është përputhur rasti, ose sepse i është lehtësuar në këtë kohë me shoqëri, apo për shkak se i përkon me pushimin nga puna, atëherë nuk ka gjë të keqe. Mirëpo, që umreja të veçohet qëllimisht në këtë muaj, t’i shtohet një emërtim i veçantë dhe të quhet “umreja e Rexhebit”, duke u menduar se është prej suneteve të lidhura me këtë muaj, kjo nuk lejohet. Nuk i lejohet të ngarkuarit me obligime fetare të veçojë një adhurim me një kohë të caktuar, përveç asaj që ka ardhur me sheriat. Umreja nuk është veçuar në ndonjë muaj të vitit përveç muajve të haxhit dhe muajit të Ramazanit.

Çështja e pestë: Namazi i Regaibit

Ky është një namaz i shpikur, që falet në natën e parë të së premtes së muajit Rexheb, dhe është prej bidateve të shpikura e të sajuara. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të,  ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë (fenë tonë) diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar”.

Ibn Rexhebi thotë në “Letaiful Me’arif”, fq. 140: “Nuk është vërtetuar në muajin Rexheb ndonjë namaz i veçantë që t’i përkasë atij. Hadithet e transmetuara për vlerën e namazit të Regaibit në natën e parë të së premtes së muajit Rexheb janë gënjeshtër dhe të pavërteta, nuk janë të sakta, dhe ky namaz është bidat sipas shumicës së dijetarëve”.

Hafidh Ibn Haxheri thotë në “Tebjinul-axheb bima verede fi fadli Rexheb”: “Nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë që të shërbejë si argument për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij, as për agjërimin e ndonjë pjese të caktuar të tij, dhe as për faljen e ndonjë nate të veçantë në të”.

Çështja e gjashtë: Festimi i natës së Israsë dhe Miraxhit

Shumë muslimanë kanë vepruar kështu duke u mbështetur në bindjen se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në natën e njëzet e shtatë të muajit Rexheb. Mbi këtë bazë ata e kanë madhëruar këtë natë, e kanë gjallëruar me një namaz të veçantë që e quajnë “namazi i natës së Miraxhit”, si dhe kanë festuar duke lexuar rrëfimin e Miraxhit dhe duke kënduar poezi rreth tij. Të gjitha këto janë prej risive të sajuara, dhe bazohen në mungesë të provës historike, sepse nuk dihet me siguri se kur ka qenë nata e Isra-së dhe Miraxhit. Historianët kanë mospajtime rreth përcaktimit të saj. Po të kishte ndonjë dobi në përcaktimin e saktë të saj, brezat e parë do t’i kishin kushtuar rëndësi dhe do të na kishin paraprirë në këtë:

Çështjet më të mira janë ato të hershmet mbi udhëzim,
dhe çështjet më të këqija janë risitë e shpikura që shpiejnë në devijim.

Dijetarët e hershëm dhe të mëvonshëm kanë tërhequr vërejtjen për këtë bidat, dhe nevoja për këtë bëhet edhe më e madhe në kohën tonë për shkak të hapjes mediatike, ku disa stacione radiofonike dhe kanale televizive i transmetojnë këto festime dhe i promovojnë ato përmes valëve dhe hapësirës mediatike. Prandaj, duhet dije dhe kujdes nga përvetësimi i këtyre risive ose nga ndjekja e tyre pa vetëdije.

Çështja e shtatë: Paralajmërim për disa hadithe rreth muajit Rexheb

Në këtë muaj përhapen shumë disa hadithe që i atribuohen Profetit ﷺ, por që nuk janë vërtetuar prej tij, si  përmes mesazheve telefonike, postës elektronike, forumeve virtuale e rrjeteve sociale etj. Muslimani duhet të mos përhapë asnjë hadith derisa të sigurohet për saktësinë dhe vërtetësinë e tij. Prej tyre, si shembull:

1- Hadithi: Kur hynte muaji Rexheb, i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte: “O Allah, na beko në Rexheb dhe Shaban dhe na mundëso ta arrijmë Ramazanin”. Ky është hadith i dobët, i transmetuar nga el-Bejhekij në “Shuabu-l-Iman”.

2- Hadithi: “Rexhebi është muaji i Allahut, Shabani është muaji im, ndërsa Ramazani është muaji i umetit tim”. Edhe ky hadith është i dobët; e ka transmetuar el-Isbahani në “Et-Tergib”, dhe është përmendur në “Es-Silsile ed-Daife” nr. 4400.

3- Hadithi: “Vlera e muajit Rexheb ndaj muajve të tjerë është si vlera e Kur’anit ndaj përmendjeve- edhkareve të tjera”. Ky hadith është i trilluar, siç ka sqaruar Ibn Haxheri në librin “Tebjin el-axheb bima uerede fi Rexheb”, f. 10.

O robër të Allahut! Ruhuni nga ndjekja ose pëlqimi i bidateve dhe përmbajuni Librit të Allahut dhe udhëzimit të Profetit të Tij ﷺ, sepse në to është mjaftueshmëria dhe shpëtimi. Pyetni njerëzit e dijes nëse nuk dini.

O vëllezër! Nga sa u përmend më sipër, bëhet e qartë se vlera e muajit Rexheb qëndron në faktin se ai është një nga katër muajt e shenjtë, të cilët është e ligjshme të madhërohen duke madhëruar në to ndalesat e Allahut dhe duke u përmbajtur nga mëkati dhe padrejtësia:
“Me të vërtetë, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, sipas Librit të Allahut, që nga dita kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, andaj mos i bëni padrejtësi vetvetes në to” (Et-Teube, 36).

Në muajin Rexheb shpirtrat e besimtarëve mallëngjehen për Ramazanin,  fryjnë flladet e tij dhe ndiejnë afrimin e tij. Ebu Bekr el-Uerraku ka thënë: “Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes, Shabani është muaji i ujitjes së të mbjellave, ndërsa Ramazani është muaji i korrjes”.

I takon atij që e ka nxirë fletën e tij me mëkate, ta zbardhë atë me pendim në këtë muaj; dhe atij që e ka shpërdoruar jetën në përtaci, ta shfrytëzojë atë që i ka mbetur nga jeta:

Zbardhe fletën tënde të nxirë në Rexheb
me vepra të mira që shpëtojnë nga flaka.
Është muaj i shenjtë nga muajt e shenjtë;
kur në të thërret dikush Allahun, nuk zhgënjehet.
Lum ai rob që në të e pastron veprën e vet,
që përmbahet nga shthurja dhe dyshimet.

O Allah, na largo nga mëkatet dhe nga risitë në fe, e na gjallëro me Sunet dhe pasim të drejtë, dhe na bëj të vdesim në këtë gjendje, duke qenë Ti i kënaqur me ne. O Allah, përmirëso zemrat tona dhe veprat tona…

Halid bin AbdulAziz Batlij

Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve