1.Madhërimi i muajit Rexheb në kohën e injorancës dhe në Islam; 2.Pasojat e shenjtërisë së muajit Rexheb; 3.Rexhebi dhe Shabani si përgatitje dhe hyrje për Ramazanin; 4.Ngjashmëria e atij që e shpërfill shenjtërinë e Rexhebit me jobesimtarët; 5.Madhërimi i Rexhebit nuk nënkupton shpikje (bidate) në të; 6. disa shembuj të shkeljeve dhe kundërshtimeve që ndodhin në muajin Rexheb.
O robër të Allahut! Allahu i Lartësuar ka vendosur dhe ka caktuar që çdo gjë të dallohet dhe të ketë shkallëzim. Kështu Ai ka dalluar disa profetë mbi të tjerët, si Muhamedin, Ibrahimin dhe Musain – paqja qoftë mbi ta; ka dalluar disa vende mbi të tjera, si dy Haremet e shenjtë; dhe ka dalluar disa kohë mbi të tjera, si muajt e shenjtë. Prej këtyre muajve të shenjtë të nderuar është edhe muaji i shenjtë Rexheb.
O myslimanë! Fjala “Rexheb” rrjedh nga “terxhib”, me kuptimin “madhërim”. Muaji Rexheb ishte i madhëruar edhe në kohën e injorancës, e kur erdhi Islami, e pranoi madhërimin e tij dhe ia shtoi vlerën dhe nderin. Ai është një nga muajt e shenjtë për të cilët flet Kurani Fisnik kur thotë: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, sipas Librit të Allahut, që nga dita kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; prej tyre katër janë të shenjtë” (Et-Teube, 36). Këtë e ka sqaruar edhe Profeti ﷺ duke thënë: “Viti ka dymbëdhjetë muaj, prej tyre katër janë të shenjtë: tre rresht – Dhul-Ka’de, Dhul-Hixhxhe dhe Muharrem – dhe Rexhebi i Mudarit, që është ndërmjet Xhumades dhe Shabanit” (muttefekun alejhi).
O myslimanë! Nga konsekuencat e shenjtërisë së muajit Rexheb është që në të të mos fillohet luftë. Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin për muajin e shenjtë dhe luftën në të. Thuaj: Lufta në të është e madhe” (El-Bekare, 217). Kjo vlen për xhihadin ofensiv, ndërsa xhihadi mbrojtës lejohet me konsensus. Ibn Muflihu thotë: “Lejohet luftimi në muajin e shenjtë për mbrojtje, sipas konsensusit”.
Po ashtu, nga pasojat e shenjtërisë së tij është ruajtja nga mëkatet dhe shkeljet. Allahu i Lartësuar ka urdhëruar duke thënë: “Mos i bëni padrejtësi vetes suaj në ta” (Et-Teube, 36). Katadeja ka thënë: “Padrejtësia në muajt e shenjtë është më e madhe në mëkat dhe barrë sesa padrejtësia në kohë të tjera, ndonëse padrejtësia në çdo rast është e rëndë”. Ibn Kethiri thotë: “Në muajin e shenjtë mëkatet rëndohen; për këtë arsye, sipas medhhebit të Shafiut dhe shumë dijetarëve, rëndohet edhe dija gjoba e gjakut ( në rast të vrasjes apo lëndimeve fizike)”.
O besimtarë! Nga urtësia dhe mëshira e Allahut është që e bëri Rexhebin muaj të shenjtë, në të cilin shmangen mëkatet, që ai dhe muaji Shaban të jenë si përgatitje dhe hyrje për muajin Ramazan. Sa i bukur është thënia: “Rexhebi është muaji i mbjelljes, Shabani muaji i ujitjes, dhe Ramazani muaji i korrjes”. Prandaj, kush e përmirëson veten në Rexheb, le ta përmirësojë edhe në Shaban; dhe kush i shfrytëzon të dy, ka gjasa të jetë nga të suksesshmit dhe të liruarit në Ramazan.
O robër të Allahut! Ai që e shpërfill shenjtërinë e muajit Rexheb e fut veten në siklet, sepse i ngjan jobesimtarëve. Ata luanin me muajt e shenjtë: herë i lejonin, herë i ndalonin, herë i sillnin përpara e herë i shtynin mbrapa sipas dëshirave të tyre. Kurani i qortoi për këtë duke thënë: “Shtyrja (e muajve të shenjtë) është shtesë në mosbesim; me të humbasin ata që mohuan, e bëjnë të lejuar një vit dhe të ndaluar një vit tjetër, që të përputhin numrin e asaj që Allahu ka ndaluar, e kështu e lejojnë atë që Allahu e ka ndaluar” (Et-Teube, 37).
Profeti ﷺ ishte shumë i kujdesshëm në ruajtjen e shenjtërisë së Rexhebit dhe në madhërimin e tij. Në ngjarjen e “Ekspeditës së Nahlës”, sahabët u ngatërruan dhe vranë Amr ibn el-Hadramin, një idhujtar, duke menduar se ishin në muajin Xhumada; por doli se ishin në Rexheb. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ e shpagoi dhe ia pagoi dijen familjes së tij. Idhujtarët u thanë myslimanëve: “Keni vrarë në muajin e shenjtë!”. Atëherë zbriti fjala e Allahut: “Të pyesin për muajin e shenjtë dhe luftën në të. Thuaj: Lufta në të është e madhe; por pengimi nga rruga e Allahut, mohimi i Tij, pengimi nga Xhamia e Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj janë më të mëdha tek Allahu; dhe fitneja është më e rëndë se vrasja” (El-Bekare, 217). Domethënë: ajo që bëni ju, o idhujtarë – pengimi nga Islami dhe nga Xhamia e Shenjtë dhe dëbimi i myslimanëve nga Meka është më e madhe dhe më e rëndë se luftimi në muajin e shenjtë. Hamzai, Allahu qoftë i kënaqur me të, iu përgjigj atyre duke thënë:
Ata thanë: e shkelën shenjtërinë e Zotit të tyre
dhe kështu shkelën edhe shenjtërinë e muajit të shenjtë;
por ata vet ishin atje më të rëndë në krim,
në Mekë, mes Zemzemit dhe Mekamit!
O myslimanë! Megjithë këtë madhërimi ynë për muajin Rexheb nuk do të thotë që të kapërcejmë kufijtë e Sheriatit apo ta kundërshtojmë atë. Nuk shtojmë në Rexheb ndonjë adhurim më shumë sesa bëjmë në muajt e tjerë, sepse nuk është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ai e ka veçuar muajin Rexheb me ndonjë namaz të posaçëm, as me agjërim, e as me ndonjë adhurim tjetër.
Kush dëshiron të bëjë mirë në muajin Rexheb, le të veprojë ashtu siç vepronte i Dërguari i Allahut ﷺ gjatë gjithë vitit: le të agjërojë të hënën dhe të enjten, si dhe tri ditë nga çdo muaj; le të falë namaz nate aq sa ka mundësi; le ta shtojë përmendjen e Allahut të Lartësuar dhe adhurimet e tjera, me kusht që të jetë i qëndrueshëm në to gjatë gjithë vitit, ashtu siç ishte Profeti ﷺ, dhe të mos i veçojë vetëm për muajin Rexheb.
Në atë që është vërtetuar nga Profeti ﷺ ka mjaftueshmëri nga gjithçka tjetër; sepse e mira është e tëra në pasim, ndërsa e keqja, e gjitha e keqja, është në shpikje (bidat).
Allahu më begatoftë mua dhe ju me Kuranin Fisnik dhe na bëftë dobi mua dhe juve me ajetet e tij dhe përkujtimin e urtë. Unë i kërkoj falje Allahut të Madh për veten time, për ju dhe për të gjithë myslimanët; kërkoni falje prej Tij, sepse Ai është Falësi, Mëshirëploti.
Hutbja e dytë
Falënderimi i takon Allahut të Vetëm; paqja dhe bekimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka profet. Më pas:
O robër të Allahut! Ka njerëz që e kanë tepruar dhe kanë kaluar çdo kufi; shejtani i ka mashtruar derisa shpikën në muajin Rexheb bidate për të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ nuk kanë dhënë leje. Ata shpikën atë që e quajtën “Namazi i Ragaibit”, të cilin e falin natën e së premtes së parë të Rexhebit, mes akshamit dhe jacisë. Për të, Ibn Tejmije ka thënë: “Sa i përket namazit të Ragaibit, ai nuk ka asnjë bazë, përkundrazi, është i shpikur”.
Prej tyre është edhe “Namazi i Ummu Davudit”, një namaz që e falin në mes të Rexhebit. Për të, Ibn Tejmije ka thënë: “Madhërimi i kësaj dite nuk ka asnjë bazë në Sheriat”.
Prej tyre është edhe therja e asaj që quhet “el-atira” ose “er-rexhebije”, një kurban që e thernin në Rexheb për ta madhëruar atë. Për këtë, Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka fer’a dhe as atira”. Fer’a ishte i pari i lindjes së bagëtisë që e thernin për idhujt e tyre, ndërsa atira ishte therja në Rexheb (muttefekun alejhi).
Prej tyre është edhe festimi i Isra-së dhe Miraxhit në natën e njëzet e shtatë të Rexhebit. Ibn Kajjimi thotë: “Nuk ka ndonjë provë të njohur as për muajin e saj, as për dhjetëshen e saj, e as për natën e saj të saktë; transmetimet në këtë çështje janë të ndërprera dhe të kontestueshme, pa asgjë vendimtare. Nuk është ligjësuar për myslimanët që ta veçojnë natën që supozohet se është nata e Israsë me namaz nate apo me ndonjë adhurim tjetër”.
Prej tyre është edhe përpjekja për ta nxjerrë zekatin e pasurisë në muajin Rexheb, me bindjen se kjo ka ndonjë vlerë të veçantë. Ibn Rexheb el-Hanbeli thotë: “Banorët e këtyre vendeve janë mësuar ta nxjerrin zekatin në muajin Rexheb, por për këtë nuk ka asnjë bazë në Sunet dhe nuk është njohur nga askush prej selefit”.
O robër të Allahut! Gjëja më e rëndësishme që duhet thënë për muajin Rexheb është se ai është një nga muajt e shenjtë të Allahut, në të cilët Allahu i ka porositur robërit e Tij që të mos i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. Edhe pse padrejtësia është e ndaluar në të gjithë muajt e vitit, ajo në këta muaj është më e rëndë dhe më e madhe në faj.
I lutemi Allahut që të na dhurojë mirësi në muajin Rexheb dhe pas Rexhebit, të na japë aftësinë për ta madhëruar siç duhet, të na largojë nga mëkatet dhe shkeljet, dhe të na japë sukses në atë që është kënaqësi për Ty. Vërtet, Ti je më i Miri që i kërkohet dhe më Bujari që përgjigjet.



