Shejh Halid ibn Abdullah el-Muslih”
- 1.Meditime mbi sirën profetike; 2.Dërgimi i Pejgamberit – mëshirë për botët; 3. Mësime dhe porosi nga hixhreti i Pejgamberit ﷺ; 4. Qëndrimi i Ehli Sunnetit dhe Xhematit ndaj muajit Rebi‘u’l-evvel; 5. Shpikja e festimit të ditëlindjes së Pejgamberit ﷺ; 6. Dashuria e vërtetë për Pejgamberin ﷺ
Hutbeja e parë:
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Ne, vetëm Atë e lavdërojmë , dhe vetëm prej Tij i ndihmë dhe falje kërkojmë, dhe tek Ai strehohemi nga të këqijat e vetes sonë dhe këqijat e veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbasë, dhe atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zotit të të parëve dhe të të fundit, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas: O besimtarë, kini frikë Allahun me një frikë të vërtetë dhe falënderoni Atë për këtë fe që ua ka dhuruar, e për këtë rrugë të drejtë në të cilën u ka udhëzuar, siç thotë i Lartësuari: “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova ndaj jush mirësinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” (El-Maide: 3).
Allahu dërgoi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, në një kohë kur kishte kaluar një periudhë pa dërguar profetë, kur rrugët e udhëzimit ishin shuar dhe njerëzit ishin në injorancë ishin thelluar. Në tokë nuk kishte kush e njihte të drejtën e Allahut, veçse disa mbetje nga ithtarët e Librit.
Atëherë Allahu dërgoi këtë dritë të qartë, këtë të dërguar fisnik, tek një popull që nuk kishte pasur kurrë më parë përvojë me ndonjë mesazh hyjnor. Ishte një popull që kishte trashëguar diçka nga ajo që kishte lënë Halili i Allahut, Ibrahimi alejhis-selam, në nderimin e Qabes dhe shenjtërimin e kësaj toke, por që nuk kishte njohuri të vërtetë për Allahun dhe adhurimin e Tij. Ata ishin në një injorancë të thellë, ashtu siç ishte edhe pjesa tjetër e botës në atë kohë.
Mirëpo Allahu e zgjodhi këtë vend dhe e nderoi me këtë dritë madhështore. Pikërisht ky vend ku Allahu u adhurua për herë të parë – Mekka, qyteti i shenjtë, shtëpia e parë që u ngrit për njerëzit, nga aty shpërtheu edhe mesazhi i fundit hyjnor për mbarë njerëzimin, dhe profeti i fundit u dërgua prej këtij vendi të bekuar, që të lidhej fillimi i kohërave me fundin e tyre. Siç thotë Allahu i Madhëruar: “Vërtet, shtëpia e parë që u ngrit për njerëzit është ajo në Bekke (Mekke), e bekuar dhe udhëzim për botët.” (Ali Imran: 96).
Në mesin e tyre u dërgua Muhammedi ﷺ, dhe prej kësaj treve të bekuar erdhi drita. I Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe e thirri popullin e vet në thirrjen më të plotë dhe në fjalën më të përsosur: “La ilahe il-la Allah”. I ftoi që ta adhurojnë vetëm Allahun, pa i shoqëruar Atij askënd. Ai nuk u ngarkoi shumë kërkesa e as shumë obligime, por vetëm i ftoi që të adhuronin Allahun një të vetëm dhe t’i çlironin zemrat e tyre nga lidhja me dikë tjetër përveç Allahut. Kjo gjë iu duk e rëndë për shumë prej tyre dhe thanë: “A do t’i bëjë ai gjithë zotat një Zot të vetëm? Kjo është diçka e çuditshme!” [Sad: 5]. Kështu ata e përgënjeshtruan atë ﷺ, e kundërshtuan, ia vështirësuan jetën dhe e fyenë me akuza të rreme si gënjeshtar, i çmendur e magjistar. Ndërkohë ai kishte qenë në mesin e tyre me sjellje të lavdëruar, nuk njihnin prej tij veçse të vërtetën, udhëzimin, mirësinë dhe bamirësinë. Pra, vetë jeta e tij ishte dëshmia më e madhe për vërtetësinë e asaj që ai solli.
Si të mos ishte kështu, kur sjellja e tij ishte e pastër edhe para shpalljes, e Allahu i Lartësuar e përsosi me shpalljen, me dritën e qartë dhe udhëzimin e drejtë që solli Xhibrili a.s.
I Dërguari i Allahut ﷺ ua solli atyre këtë mesazh, por ata e përgënjeshtruan në shkallën më të lartë. Kështu, për Pejgamberin ﷺ u bë e ngushtë gjendja në Mekë dhe ai kërkoi një vend ku të mund ta përcillte fenë e Zotit të tij dhe t’i thërriste njerëzit në udhëzimin e Allahut, për t’i nxjerrë ata nga errësira në dritë. Nuk kaloi shumë dhe Allahu i dha leje për Hixhret, pasi jobesimtarët vendosën ta vrisnin, siç thotë Allahu i Lartësuar: “(Kujto) kur ata që nuk besuan komplotuan kundër teje për të të zënë, për të të vrarë ose për të të dëbuar. Ata kurdisin kurthe, por edhe Allahu kurdis, e Allahu është më i miri i atyre që kurdisin.” [Enfal: 30].
I Dërguari i Allahut ﷺ përderisa doli për shoqërues zgjodhi të drejtin e këtij ummeti dhe më të mirin e tij pas Profetit, Ebu Bekër Es-Siddikun radijallahu anhu. I Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri, që në daljen e parë, u strehuan në një shpellë në malin Thevr, aty ku qëndruan tre ditë. Idhujtarët e morën vesh vendin e shpellës, por Allahu ua lajthiti shikimin.
Kur kërkimi për ta u qetësua, i Dërguari i Allahut ﷺ doli i bindur në ndihmën dhe përkrahjen e Allahut. Pas tij u nisën disa prej idhujtarëve për ta kapur, me shpresën për të fituar shpërblimin që kishte vendosur fisi i Kurejshit për këdo që sillte të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ndër ata që e ndoqën ishte edhe Suraka ibn Maliku, i cili u nis drejt Profetit ﷺ për ta arritur dhe për të marrë shpërblimin. Ai iu afrua derisa ishte gati ta kapte, por kali i tij u pengua- i sharruan të parat e tij në zallë dhe ai ra prej tij. Pastaj u ngrit, e hipi përsëri dhe e ndoqi Profetin ﷺ. Kur iu afrua për herë të dytë, kali u rrëzua sërish, dhe ndodhi e njëjta gjë. Madje, kur iu afrua për herë të tretë, ai dëgjoi leximin e Profetit ﷺ. Suraka, i cili kishte dalë ta ndiqte Profetin ﷺ, iu afrua aq shumë sa dëgjoi leximin e tij, ndërsa i Dërguari ﷺ nuk e kthente kokën aspak. Ndërkohë Ebu Bekri shpeshherë shikonte pas, nga frika se mos ai i arrinte.
Suraka thotë: “Kur iu afrova atyre, këmbët e kalit tim u fundosën në tokë, derisa arriti deri tek gjunjët, e unë rashë prej tij. Pastaj e godita dhe u ngrit, por mezi i nxori këmbët nga toka. Kur u ngrit në këmbë, në vendin ku ishin shenjat e këmbëve të tij, u ngrit një re si tym që shkonte drejt qiellit. Atëherë hodha short me shigjetat, por doli ajo që unë e urreja. U thirra me garancën për siguri, dhe ata ndaluan. I hipa përsëri kalit dhe erdha tek ata. Në atë çast, kur pësova atë që pësova nga pengesat për t’iu afruar, mu përqendrua në zemër se çështja e të Dërguarit të Allahut ﷺ do të ngadhënjejë. I thashë: ‘Populli yt ka caktuar shpërblim për ty’. Pastaj i informova për atë që donin të bënin njerëzit, dhe iu ofrova ushqim e pajisje, por ata nuk morën prej meje dhe nuk më kërkuan gjë, veçse më thanë: ‘Na fshih nga njerëzit’, pra të ktheja mbrapsht ata që mund t’i ndiqnin nga kjo anë. Kështu që sa herë që takoja dikë që ishte në kërkim, e ktheja mbrapsht dhe u thosha: ‘E kam kryer këtë anë për ju’.”
Subhanallah! Suraka doli në fillim të ditës për të kapur të Dërguarin ﷺ dhe shokun e tij, por në mbrëmje u kthye si rojtar i tyre, duke i larguar njerëzit prej tyre. Dhe Suraka shprehu arsyen e kësaj në disa vargje, kur iu drejtua Ebu Xhehlit:
O Ebu Hakem, për Allah, sikur të kishe qenë dëshmitar,
kur kalit tim i fundoseshin këmbët e tij,
do ta dije pa dyshim se Muhamedi është i Dërguar,
me argument e dëshmi – e kush mund t’i qëndrojë përballë atij?!
Prandaj ndaloji njerëzit prej tij, sepse unë shoh qartë,
se çështja e tij një ditë do të shfaqet me të gjitha shenjat e saj.
Të saktën e kishte thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, sepse Allahu e përmbushi premtimin e Tij: “Nëse ju nuk e ndihmoni, Allahu tashmë e ka ndihmuar, kur e nxorën ata që nuk besuan, ai ishte vet i dyti, e përderisa ishin në shpellë, i tha shokut të tij: ‘Mos u trishto, se Allahu është me ne’” [Teube: 40]. Ai ishte i bindur tek Allahu dhe Ai ia vërtetoi.
U përhap lajmi i daljes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, nga Meka nëpër shkretëtirë, derisa u bë i njohur te beduinët dhe banorët e qyteteve. Ndër ata tek të cilët arriti lajmi i nisjes së udhëheqësit të bijve të Ademit -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishin edhe banorët e Medinës. Ata dilnin çdo ditë për ta pritur me padurim, duke shpresuar për ardhjen e tij fisnike dhe pamjen e tij të ndritur. Çdo mëngjes shikonin me sy dhe zemër drejt horizontit, deri aty ku sytë nuk shihnin më tej, duke pritur ardhjen e më të mirit të njerëzimit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kur i rëndonte vapa e nxehtë, ata ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Në ditën e dymbëdhjetë të muajit Rebi’ul Evvel, në vitin e 13-të të misionit profetik, emigrantët dhe Ensarët dolën si zakonisht për të pritur të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kur dielli u bë i nxehtë, ata u kthyen në shtëpi si zakonisht, por nuk kaloi shumë dhe dëgjuan një zë që thërriste me forcë: “O bijtë e Kailes!”, emri i Ensarëve, duke i lajmëruar: “Ky është shoku juaj, që e prisni! JA ku është krenaria juaj që prisni!” Qyteti u mbush me gëzim dhe duartrokitje, dhe Medina u vesh me rroba lumturie dhe kënaqësie. Banorët dolën për të përshëndetur të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, burrat, gratë, të vegjlit dhe të moshuarit. Ata e pritën dhe e rrethuan nga të gjitha anët, ndërsa qetësia mbulonte atmosferën dhe shpallja hyjnore zbriste mbi të, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, sepse Allahu ishte mbrojtësi i tij, Xhibrili dhe besimtarët e devotshëm po dhe engjëjt ishin gjithashtu përkrahësit e tij.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të, ndërtoi menjëherë me ardhjen e tij në Medinë xhaminë e Kubasë, e cila ishte xhamia e parë e ndërtuar në Islam pas misionit profetik, brenda fisit të Beni Amir. Kjo ishte xhamia e parë që u themelua mbi bazën e devotshmërisë. Pastaj ai u vendos në Beni Nexhar tek dajët e tij, aty ndërtoi xhaminë ku qëndroi deri në vdekjen e tij. Ai krijoi lidhje vëllazërie midis Muhaxhirëve emigrantëve dhe Ensarëve vendas. Vet ky migrim i ti – Hixhreti u bë një nga shenjat e sinqeritetit të profetësisë së tij, e Medina u bë kryeqyteti i myslimanëve dhe strehë e besimtarëve.
Allahu qoftë i lavdëruar me lavdërim të shumëfishtë, të mirë dhe të bekuar, ashtu si i pëlqen dhe e kënaq Lartëmadhërinë e Tij. Unë them këto fjalë dhe kërkoj falje nga Allahu i Madh për veten time dhe për ju; kërkoni falje prej Tij, sepse Ai është Mëshiruesi dhe Falmadhës.
Hutbeja e dytë:
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. E falënderoj Atë me falënderimin që i takon, nuk mund ta përshkruaj lavdinë e Tij siç e meriton, Ai është ashtu siç ka lavdëruar Veten. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zoti i të parëve dhe të mëvonshmëve, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, i cili përcolli mesazhin e qartë. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin Sunnetin e tij deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas: O besimtarë, kini frikë Allahun dhe qëndroni në bindje ndaj Tij, sepse devotshmëria është shkaku i lumturisë dhe shpëtimit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut me devotshmërinë që i takon dhe mos vdisni veçse duke qenë myslimanë.” [Ali Imran: 102].
Rob të Allahut, sapo dëgjuat një pjesë nga rrëfimi i hixhretit të të Dërguarit -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të-, i cili ndodhi në këtë muaj të vitit të 13-të të misionit të tij profetik.
Prandaj, o besimtarë, frikësojuni Allahut dhe meditoni mbi mësimet e shumta që përmban kjo ngjarje madhështore. Allahu i Lartësuar e shpëtoi të Dërguarin e Tij nga dredhitë e armiqve, me këtë hixhret bëri që të ngrihej feja e Tij, i dha ndihmë të fuqishme dhe e forcoi në mënyrë madhështore. Hixhreti ishte një kthesë e madhe dhe një pikënisje vendimtare në thirrjen e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të.
Dhe me këtë kuptohet se Allahu është mbizotërues mbi çështjen e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë. Sado që të arrijë dredhia e jobesimtarëve dhe mëkatarëve për ta shuar këtë fe dhe për të penguar shfaqjen e dritës së saj, Allahu i Madhëruar ka caktuar që ajo të shfaqet dhe Allahu nuk pranon tjetër veçse ta plotësojë dritën e Tij, edhe sikur jobesimtarët ta urrejnë këtë. “Kur ata që nuk besuan thurnin plane komploti kundër teje, që të të burgosnin, ose të të vrisnin, ose të të dëbonin; ata bënin kurtha dhe Allahu bënte kurtha, e Allahu është më i miri i atyre që bëjnë kurtha.” [El-Enfal: 30].
Armiqtë e Allahut, sado të fortë të jenë në dredhi, të ashpër në armiqësi dhe të rregullt në plane për ta shuar dritën e Allahut të Madhëruar dhe për të munduar robërit e Tij, megjithatë Allahu i Madhëruar e realizon çështjen sipas asaj që do Ai. Çfarë Ai do, ndodh, dhe çfarë nuk do, nuk ndodh. “Allahu ka shkruar: Unë dhe të dërguarit e Mi do të ngadhënjejmë. Vërtet Allahu është i Fuqishëm, i Madhërishëm” [El-Muxhadele: 21].
O besimtarë: ky muaj, muaj REbi‘ el-Evvel, ka qenë vend për ngjarje të mëdha që ndryshuan fytyrën e historisë. Në të ka lindur i Dërguari i Allahut ﷺ sipas mendimit të shumë dijetarëve, në këtë muaj ai mbërriti në Medinë si Muhaxhir, dhe po në këtë muaj ndërroi jetë ﷺ duke u ndërprerë shpallja nga qielli.
Brezat e parë të devotshëm, ata që ishin të ditur në Libër dhe të kapur fort pas Sunetit, pa shpikur ndonjë gjë të veçantë në këtë muaj nga festat apo rastet ku njerëzit mblidhen për të përmendur jetën e tij ﷺ. Ata nuk shpikën asgjë nga këto: as festa, as përkujtimore, as ditëlindje, as gëzime të posaçme. Por ky muaj ishte si gjithë muajt e tjerë. Po ashtu, ata nuk shpikën asgjë në lidhje me vdekjen e tij ﷺ: as ceremoni zie, as përkujtime të trishtueshme, as vajtime e as klithma për ndarjen e tij nga jeta dhe ndërprerjen e shpalljes nga qielli.
Sa për ata që këndojnë poezi me përmbajtje idhujtarie e mohimi, ku e madhërojnë Pejgamberin ﷺ me cilësi që nuk i takojnë askujt tjetër përveç Allahut dhe që vetëm Atij i përkasin, këta kanë rënë në shirk.
Ndërsa ndërmjet kësaj dhe asaj gjenden lloje të tjera devijimesh, si këngë, shfaqje të turpshme, vallëzime të burrave dhe grave në disa nga këto përkujtimore të lindjes, të cilat i njohin mirë ata që janë në dijeni të këtyre risive. Nuk them se të gjitha përkujtimoret zhvillohen në këtë mënyrë, por disa prej tyre marrin këtë formë, duke e bërë atë në emër të afrimit tek Allahu dhe duke menduar se është madhërim i Pejgamberit ﷺ, ndërkohë që ata kundërshtojnë urdhrin e tij dhe pretendojnë dashuri ndaj tij. Kjo është gënjeshtër dhe mashtrim.
Më të mirat janë ato çështje që kanë kaluar mbi udhëzim,
e më të këqijat janë risitë e shpikura në fe mbi devijim.
O Allah, na udhëzo drejt së vërtetës, na ruaj nga e keqja e vetes sonë, dhe na jep mundësinë të mbahemi fort pas Sunetit të Pejgamberit Tënd ﷺ.
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



