Hutbja e parë:

Shumë myslimanë janë mësuar që në këtë muaj – muajin Rebi‘ el-Evvel – të kujtojnë jetën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, të shprehin dashurinë e tyre për të, lidhjen me të dhe respektin e madh ndaj tij, duke qenë të bindur se ai ﷺ ka lindur në ditën e dymbëdhjetë të këtij muaji.

I Dërguari fisnik ﷺ është i denjë që të vlerësohet në të gjitha ditët e vitit dhe të përmendet jeta e tij e pastër në çdo çast, sepse ai është bartësi i shpalljes së Zotit të botëve, udhëzuesi drejt rrugës së drejtë: “Ai është që dërgoi ndër analfabetët një të Dërguar prej tyre, që t’ju lexojë atyre shpalljet e Tij, t’i pastrojë ata dhe t’u mësojë Librin dhe Urtësinë, ndonëse më parë ishin në humbje të qartë.” [Xhumua: 2].

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka asgjë që ju afron te Xheneti veçse ju kam urdhëruar për të, dhe nuk ka asgjë që ju afron te zjarri veçse ju kam ndaluar prej saj.” (Hadith sahih).

Siç është thënë:

Ditën kur  Ahmedi njerëzimit iu dërgua  ,
Allahu e pa gjendjen e  tyre dhe ajo  u ndryshua.

E nderoi njerzimin kur u zgjodhi atyre

nga krijesat më të mira yllin dhe hënën e tyre.

Megjithatë, dashuria për të Dërguarin e Allahut ﷺ kërkon të kufizohet brenda rregullave të sheriatit, në mënyrë që të mos devijojë në lloj teprie që vetë Profeti ﷺ e ka ndaluar. Ne kemi parë njerëz që e kanë ngritur pozitën e tij aq lart saqë kanë pretenduar se nata e lindjes së tij është më e mirë se Nata e Kadrit, për të cilën Kur’ani ka thënë se është më e mirë se një mijë muaj. Madje e kanë ngritur deri në shkallë hyjnore dhe ia kanë atribuar atij cilësi që i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, si pretendimi se ai e di të fshehtën, se nuk është si njerëzit e tjerë, por është vetë dritë e Allahut, se fut në Xhenet kë të dojë, dhe se nga ai kërkohet largimi i dëmit dhe ardhja e dobisë!!  Madje disa kanë thënë në vargje të tyre:

O më fisniku i krijesave pranë Zotit,
Më i miri nga të gjithë, me ty kërkohet ndihma plot.

Më ka kapluar brenga, dhe sa herë,
Ke larguar halle që më rëndonin çdo herë.

Shpejto të largosh atë prej së cilës unë ankohem,
Sepse nëse ti vonohesh, unë më s’di kujt tjetër t’i drejtohem ?!

Ndërkohë që i Dërguari ﷺ ka thënë: “Mos e teproni në lavdërim ndaj meje siç e tepruan të krishterët me birin e Merjemes, sepse unë jam vetëm robi i Allahut. Thoni: Robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” (Transmetuar nga Buhariu). Teprimi “el-itra” është kalimi i kufijve në lëvdata dhe madhërim.

Njëherë, disa njerëz e thirrën dhe i thanë: O më i miri ynë dhe biri i më të mirit tonë, o prijësi ynë dhe biri i prijësit tonë. Ai ﷺ u tha: “O ju njerëz, thoni atë që duhet thënë dhe mos të  ju mashtrojë shejtani. Unë jam Muhamedi, biri i Abdullahut dhe i Dërguari i Tij. Nuk dua që të më ngritni mbi vendin që më ka caktuar Allahu i Madhëruar.” (Transmetuar nga Ahmedi, hadith sahih).

Gjithashtu, një burrë iu drejtua Profetit ﷺ duke i thënë: “Çfarë të dojë Allahu dhe ti.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “A më bën baraz me Allahun, një të dytë përkrah Tij? Jo, përkundrazi çfarëdo që do Allahu i vetëm.” (Hadith sahih).

Edhe nëse i Dërguari i Allahut ﷺ ka lindur ditën e hënë, ai nuk ka liegjitimuar për këtë ditë veçse madhërimin e Zotit të Lartësuar me agjërim. Nga Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të,  transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për agjërimin e ditës së hënë, e ai tha: “Kjo është  dita në të cilën kam lindur dhe  dita në të cilën më ka zbritur shpallja.” ( Sahih Muslim).

Por që njerëzit ta specifikojnë këtë ditë për këngë, muzikë, vallëzim, shpikje ushqimesh të llojllojshme, ndezje qirinjsh e dritash, dhe për më tepër të besojnë disa prej tyre se i Dërguari ﷺ vjen i gjallë natën e mevludit dhe shihet ashiqare, jo në ëndërr, ose se shpirti i tij është i pranishëm, dhe ata ngrihen në këmbë për respekt ndaj tij… e gjëra të tjera të ngjashme! Kjo nuk është njohur tek selefët e parë nga brezat më të lavdëruar. E sikur të kishte qenë mirë një gjë e tillë, do të na kishin paraprirë në të Ebu Bekri, Omeri, Uthmani, e Aliu r.a. dhe imamët e katër medhhebeve, bashkë me dijetarët dhe njerëzit e devotshëm.

Ibnul-Haxh el-Maliki, në librin e tij El-Med’hal, ka thënë: “Është për t’u habitur se si e bëjnë mevludin me këngë, hare e gëzim?!” Ndërsa hafidhi Ebu Zur’ah el-Irakij, Allahu e mëshiroftë,  ka thënë: “Nuk e dimë këtë gjë tek selefët, qoftë edhe vetëm me shpërndarje ushqimi.”

Vërtet, dashuria e sinqertë për të Dërguarin e Allahut ﷺ nuk kufizohet në këto shfaqje të shpikura, por nënkupton që ai të vendoset mbi çdo gjë të shtrenjtë e të dashur. Ai ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, askush prej jush nuk ka besuar plotësisht derisa të jem unë më i dashur për të se prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.” (Muttefekun alejhi).

Nga Abdullah ibn Hishami transmetohet: Ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ai mbante dorën e Umer ibnul- Hattabit. Umeri i tha: “O i Dërguari i Allahut, ti je më i dashur për mua se çdo kush tjetër, përveç vetes sime.” Atëherë i Dërguari ﷺ i tha: “Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të jem më i dashur për ty edhe se vetja jote.” Umeri tha: “Pasha Allahun, tani ti je më i dashur për mua edhe se vetja ime.” Atëherë i Dërguari ﷺ i tha: “Tani, o Umer.” ( Sahihul Buhari).

“Dhe me të vërtetë babai im, gjyshi im dhe nderi im, të gjithë janë flijim për nderin e Muhamedit prej jush.”

Dashuria për të ﷺ nënkupton patjetër edhe pasimin e tij të bukur, ndjekjen e urdhrave të tij dhe ecjen në gjurmët e tij. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Nëse ju e doni Allahun, atëherë më pasoni mua; Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë gjynahet tuaja. [Ali Imran: 31].

Hasan el-Basriu ka thënë: “Disa njerëz pretenduan se e donin Allahun, atëherë Allahu i sprovoi me këtë ajet.”

Ibn Kethiri ka thënë: “Ky ajet fisnik është gjykues për këdo që pretendon dashurinë e Allahut, por nuk është në rrugën e Muhamedit ﷺ; ai është gënjeshtar në pretendimin e tij, derisa ta pasojë Sheriatin Muhamedian dhe fenë Profetike në të gjitha fjalët, veprat dhe gjendjet e tij. Ashtu siç është vërtetuar në hadithin e saktë nga i Dërguari ﷺ se ka thënë: ‘Kush bën një vepër që nuk është në përputhje me urdhrin tonë, ajo është e refuzuar.”

Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë,  thotë: “Kush e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai xhelozon për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, në përpjesëtim me dashurinë dhe madhërimin që ka për ta. E nëse zemra e tij është e zbrazur nga xhelozia për Allahun dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë ajo është e zbrazur edhe nga dashuria, edhe nëse ai pretendon se është prej dashuruesve… Si mund t’i qëndrojë pra dikujt pretendimi se e do Allahun, ndërkohë që nuk xhelozon kur shkelën kufijtë e Tij dhe nuk i dhemb kur shpërdorohen të drejtat e Tij?!”

Kjo është pikërisht ajo që shihet në kohën tonë: sheh dikë që, kur dëgjon poezi lavdërimi për Profetin ﷺ, tundet dhe vallëzon, ndërkohë që ndoshta nuk fal namazin farz në kohën e tij. Kurse i Dërguari ﷺ, i pyetur se cili është veprimi më i dashur tek Allahu, tha: “Namazi në kohën e tij.” (Muttefekun alejhi).

Po ashtu, mund ta shohësh duke përhapur fjalë për të tjerët me thashetheme e përgojim, ndërkohë që Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet bartësi  i fjalëve.” (Muttefekun alejhi).

Mund ta shohësh madje duke vjedhur, duke marrë ryshfete, duke ngrënë pasurinë e njerëzve me padrejtësi, ose duke e shpërfillur detyrën e tij, ndërkohë që Profeti ﷺ ka thënë: “Kushdo që Allahu ia lë në përgjegjësi një grup njerëzish dhe ai vdes në ditën që vdes duke i mashtruar ata, Allahu ia ndalon atij hyrjen në Xhenet.” ( Sahih Muslim).

“E kundërshton Zotin, ndërkohë që pretendon se Atë ti e don?!
Vërtetë se, kjo është një logjikë që nuk qëndron.

Sikur  të ishe i sinqertë në dashuri ndaj Tij do t’i bindeshe Atij,
sepse i dashuruari është gjithnjë i bindur ndaj atij që do.

Hutba e dytë:

Dashuria e të parëve tanë të mirë ndaj Pejgamberit ﷺ nuk ishte thjesht fjalë në gojë, por dashuri praktike, që shihej dhe prekej në jetën e tyre.

Amr ibnul As r.a. thoshte: “Asnjë njeri nuk ishte më i dashur për mua se i Dërguari i Allahut ﷺ. Askush nuk kishte më shumë madhështi në sytë e mi se ai. Nuk e duroja dot ta shikoja gjatë për shkak të respektit që kisha për të. Sikur të më kërkohej ta përshkruaja, nuk do të mundja, sepse nuk i ngopja dot sytë duke e parë.” (Muslimi).

Ebu Talha radijAllahu anhu, në betejën e Uhudit, kur situata për myslimanët u bë e vështirë, i tha Pejgamberit ﷺ: “Babai e nëna ime qofshin flijuar për ty, o i Dërguar i Allahut! Mos u shfaq, mos nxirr kokën, që të mos të godasë ndonjë shigjetë e armikut. Qafa ime është mburojë përpara qafës sate.” (Muttefekun alejhi).

Kur zbriti fjala e Allahut të Madhëruar:
Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. (El-Bekare: 144)
Një burrë që kishte falur me Pejgamberin ﷺ kaloi pranë një grupi ensarësh që po faleshin në drejtim të Bejtul-Makdisit. Ai u tha: “Dëshmoj se i Dërguari i Allahut ﷺ është kthyer kah Qabeja.” Ata, ndonëse ishin në ruku, menjëherë u kthyen drejt Qabesë. (Muttefekun alejhi).

Po ne? Sa prej nesh dëgjon fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, dëgjon urdhërat dhe ndalesat e tij, por nuk i kushton rëndësi, nuk i vë veshin, ndoshta edhe e shpall dashurinë ndaj tij, ndërsa nuk e pason në vepra?

Abdullah ibn Abbasi radijAllahu anhu thoshte: “Ne, kur dëgjonim dikë të thoshte ‘ Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë’, ia ngulnim sytë menjëherë dhe i jepnim gjithë veshët tanë.”

Enes ibn Maliku radijAllahu anhu rrëfen: “Isha në shtëpinë e Ebu Talhasë. Aty ishte Ubejj ibn Ka’bi, Ebu Ubejdeh ibnul-Xherrah, Suhejl ibn Bejda, e unë po u shërbeja pije (alkoolike). Teksa po pinim, dikush nga myslimanët thirri: ‘Vëreni re, vera është ndaluar!’ Pasha Allahun, ata nuk pritën që të pyesin apo të marrin hollësi. Thanë: ‘O Enes, derdhe menjëherë atë që ke në enë.’ Dhe unë e derdha. Kurrë më nuk iu kthyen asaj deri sa e takuan Allahun.” ( Sahih Muslim).

Nga Abdullah ibn Abbasi, radijAllahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një unazë ari në dorën e një burri. Ai ia hoqi dhe e hodhi, pastaj tha: “ Ndonjëri prej jush   ja mësyen një cope prush zjarri dhe e vendosë në dorën e vet?!” Pas largimit të të Dërguarit ﷺ, disa njerëz i thanë atij burrit: “Merre unazën tënde e përfito prej saj.” Por ai u përgjigj: “Jo, pasha Allahun! Kurrë nuk do ta marr më, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e hodhi atë.” ( Sahih Muslim).

Kështu është dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ: nënshtrim dhe bindje, përulje dhe lënie mënjanë të vetes dhe dëshirave, frikë dhe respekt për të në shoqëri dhe në vetmi.

Muhamed Vejlalij

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve