Ruaje gjuhën, freno dorën tënde dhe angazhohu me përmirësimin e brendësisë tënde

Këto tre porosi janë këshilla të nxjerra prej Kur’anit dhe Sunnetit, të cilat i ka thënë Shejhu i lexuesve të Kur’anit dhe muhadithinëve, Hafidhi i Kufës, Zahidi — që diturisë ia bashkangjiti punën — njëri prej gjashtë personave që e kanë ruajtur diturinë e trashëguar prej Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Sulejman ibën Mihran El-A’mesh.

Ali ibën El-Medini ka thënë:

“Diturinë e ummetit të Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e kanë ruajtur këto burra: Amër ibën Dinar në Mekke, Zuhriu në Medine, Ebu Is-hak Es-Sebi’i dhe A’meshi në Kufe, Katadeja dhe Jahja ibën Ebi Kethiri në Basra.”
(Tarih Bagdad 9/9)

Imam ‘Ixhliu rrëfen:

“Në kohën kur në Kufe ndodhi fitneja, El-Hasen ibën Hurri tuboi dijetarët e Kufës që të shkruajnë një këshillë për njerëzit. Në mesin e tyre ishte edhe A’meshi, i cili i tha tre fjalë që dijetarët e tjerë i konsideruan të mjaftueshme. Tha: ‘Allahu e mëshiroftë njeriun i cili ruan gjuhën e vet, frenon (nga e keqja) dorën e vet dhe angazhohet me përmirësimin e brendësisë së vet.’ Pastaj urdhëroi që të shpërndahen njerëzit, sepse urrente tubimet e gjata.”
(Tarih Dimeshk 13/56)


Nuk ka libër prej librave të hadithit që mos të përmbajë në vete hadithe që flasin për sprovat dhe fitnet (çrregullimet). Këtë e dëshmojnë edhe librat bazë si: Buhariu, Muslimi, Suneni i Ebu Davudit, Suneni i Tirmidhiut, dhe shumë të tjerë.

Për shembull, në librin e Buhariut: Libri i fitneve, Kaptina:

“Çfarë na është transmetuar për fjalën e Allahut, subhanehu ve teala: ‘Dhe kini frikë Fitnen (sprovën, çrregullimin, sjelljen e fatkeqësive e mundimeve) e cila nuk dëmton vetëm ata që bëjnë keq…”
(Enfal, 25)
dhe si i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ju tërhiqte vëmendjen besimtarëve për fitnet.


Për këtë shkak, ne në këtë kohë – kohën e sprovave dhe rrëmujës – kemi nevojë që të ndalemi me këto ajete dhe hadithe që janë shpallur për këtë, dhe të marrim mësime e rregulla që do të na mundësojnë ta shpëtojmë vetën prej tyre. Këtë na e siguron vetëm Libri i Allahut, subhanehu ve te’ala, dhe Sunneti i Resulullahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Abdur-Rahman ibën Ebza [rahimehull-llah] rrëfen:

“Kur ndodhi rasti i Uthmanit, radijallahu anhu, e pyeta Ubejj ibën Ka’bin, radijallahu anhu: ‘O Ebu Mundhir, ku është rrugëdalja?’
U përgjigj: ‘Në Librin e Allahut. Atë që e ke të qartë, vepro sipas saj; atë që s’e ke të qartë, pyete dijetarët.’”
(Et-Tarih El Evsat 1/64 me sened të saktë)


Udhërrëfyes i mirë është edhe udhëzimi i Sahabeve, të cilët përjetuan të gjitha sprovat që filluan me vrasjen e halifës së drejtë Uthman ibën Affanit, radijallahu anhu.

Thotë Imam Ahmedi [rahimehull-llah]:

“Na ka treguar Ismaili i cili ka thënë, na ka treguar Ejjubi prej Muhammed ibën Sirinit:
‘Filloi fitneja në kohë kur numri i sahabeve ishte dhjetë mijë. Numri i tyre në të (në fitnen) nuk u pakua as për njëqind, bile as për tridhjetë.’”
(El ilel ve ma’rifetur-rixhal 3/182 dhe Ahbarul Medine 2/281)


Për këtë shkak, mendoj se zbatimi i këshillave që i përmendëm është kështjellë që i siguron mbrojtje besimtarit nga fitnet që hutojnë dhe ngatërrojnë edhe kërkuesit e diturisë.

  • Nëse nuk e praktikojmë këshillën e parë (ruajtja e gjuhës), do të gjykojmë për gjëra për të cilat Umer ibën El Hattabi kishte tubuar sahabet që morën pjesë në luftën e Bedrit dhe kishte falur namazin e Istihares një muaj me radhë.

  • Mospraktikimi i këshillës së dytë (frenimi i dorës) ndoshta do të shkaktojë derdhjen e gjakut të muslimanëve të pafajshëm, për shkak të dyshimit dhe paragjykimeve.

  • Nëse fillojmë të angazhohemi me vetveten, do të nxjerrim përfundimin se nuk kemi kohë për asgjë tjetër


Por, krahas kësaj, duhet të kuptojmë disa gjëra:

  • Ruajtja e gjuhës për shkak të fitnes nuk do të thotë heshtje kur flasin ata që përhapin dyshime dhe shprehin arrogancë ndaj caktimeve të Allahut dhe të Resulullahut; qartësimi i të vërtetës në këtë rast është i domosdoshëm.

  • Nga heshtja e lavdëruar nuk është:

    • mosshpjegimi i ligjshmërisë së xhihadit dhe fakti se ai është kulminacioni i Islamit;

    • mospotencimi i obligimit për solidaritet mes muslimanëve dhe armiqësisë ndaj mosbesimtarëve;

    • lënia e urdhërimit në të mirë dhe ndalimi i të keqes;

    • mosluftimi i bidateve dhe bestytnive dhe shpalosja e lëvizjeve shkatërruese siç është laicizmi.

Qartësimi i këtyre çështjeve është një prej obligimeve më të rëndësishme në këtë kohë, kur armiqtë e Islamit mundohen që të fshijnë Islamin duke e paraqitur si:

  • armik të përparimit,

  • fe që promovon terrorizmin,

  • fe që është në kundërshtim me të drejtat e njeriut,

  • lirinë e shprehjes dhe

  • respektimin e të tjerëve.


Për këtë shkak, rreziku më i madh është mosnjoftimi i të rinjëve me çështjet e fesë në baza të shëndosha që mbështeten në Kur’an dhe Sunnetin e pastër.

Të gjithë duhet të angazhohemi me punë të zellshme dhe me gjithë potencialin që posedojmë, për t’ua qartësuar muslimanëve fenë e tyre. Kështu do të fitojmë nderin që të shërbejmë fenë e Allahut.


Në fund, lus Allahun, subhanehu ve teala, që të na mbrojë nga fitnet që duken dhe nga ato që nuk duken. Amin.

Dr. Ali Abdullah Es-Sajjah
Marrë prej revistës El Bejan nr. 191