Falënderimi i takon Allahut, në dorën e Tij janë çelësat e çlirimit dhe lehtësimit. Ai ka shpallur ligjet hyjnore dhe i ka përsosur rregullat dhe dispozitat, dhe nuk na ka vënë në fe asnjë vështirësi.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me meritë tjetër përveç Allahut, i vetëm, pa ortak.
Argumentet dhe dëshmitë e qarta kanë vërtetuar njësinë e Tij absolute.
Ty të qoftë lavdi, me lavd që shijon,
Edhe pse s’mund ta numëroj, as falënderimin s’e plotësoj dot.
Ty të qoftë lavdi i mirë dhe pa masë,
Që mbush qiejt, tokën, detin dhe çdo anë .
Dëshmoj se Muhammedi, pejgamber i lavdisë së ndritur,
Rob i Zotit është dhe Dërguar i bekuar e i dëlirë.
Për të zemrat dhe shpirtrat me mall flijohen,
Ai është drita e udhës që nuk shteron.
Në rreshta hyjnorë u renditën emrat e profetëve me nder, e emri i Muhamedit, si kurorë që qëndron mbi të gjithë me shkëlqim dhe dritë të qetë. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, të cilët ecën në rrugën më të drejtë dhe ndoqën metodën më të drejtë, dhe mbi pasuesit e tyre që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas:
“ O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!“ (El-Hashr: 18)
O Umeti i Muhamedit ﷺ!
Allahu i Lartësuar krijoi këtë univers me urtësi të madhe. Nga urtësia e Tij është se nuk e krijoi botën me një rend statik e të pandryshueshëm, por e bëri atë të ndryshueshme sipas një sistemi të saktë dhe të përsosur, për qëllime të thella dhe të urta. Ditë e natë, verë e dimër, errësirë dhe dritë, të gjitha janë shenja që tregojnë urtësinë e Krijuesit dhe nevojën tonë për reflektim dhe kthim tek Ai.
“Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?”
Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën qetësoheni? Vallë, a nuk shihni?
Prej mëshirës së Vet, Ai ka bërë për ju natën dhe ditën, që të qetësoheni, të kërkoni nga mirësia e Tij dhe të jeni mirënjohës.” (El-Kasas: 71–73)
Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ndryshimet që ndodhin në këtë botë, nga i nxehti në të ftohtë, nga nata në ditë, dhe të tjera si këto, janë dëshmi të qarta se kjo botë është e përkohshme dhe do të marrë fund.”
Ky ndryshim dhe ky rrotullim i vazhdueshëm i natës, ditës, stinëve e gjendjeve, e shtyn besimtarin e mençur që të meditojë në shenjat e Allahut në Univers. Edhe kjo vapë e fortë që po e përjetojmë në këto ditë, është një shenjë nga shenjat e Allahut të Lartësuar.
Ibn Rexhebit, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Njohësit e Allahut sa herë që shihnin diçka nga kjo botë, menjëherë kujtonin për atë që Allahu ka premtuar nga i njëjti lloj në ahiret.”
Umeri ibn Abdulazizi pa një grup njerëzish në një varrim,të cilët ishin larguar nga dielli për t’u strehuar në hije, e po shmangnin pluhurin.Kur e pa këtë, ai u prek thellë, filloi të qajë dhe recitoi disa vargje kuptimi i të cilave tingëllon kështu:
Kush nga rrezet e diellit ballin e fsheh,
E nga pluhuri largohet, mos fytyra t’i zbehet;
Hijen e do që buzëqeshja t’i qëndrojë,
Do bjerë në varr, as ai s’do mundet më të shpëtojë.
Në tokë të shkretë, në hije të zezë,
Do rrijë i vetëm, në dhe pa shpresë.
Nën baltën e ftohtë me dhimbje të gjatë,
I mbyllur në terr, pa zë, pa shtrat.
Pajisu, o shpirt, me ç’do udhëtimi,
para se të të vijë mbarimi.
Se s’u krijove kot në këtë jetë,
por për qëllim të lartë, e të drejtë.
Kjo vapë e padurueshme është vetëm një frymëmarrje nga nxehtësia e Xhehenemit.
Në një hadith të saktë që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, Profeti ﷺ ka thënë: “Zjarri i Xhehenemit u ankua te Zoti i vet dhe tha: ‘O Zot! Disa pjesë të mia po e hanë njëra-tjetrën’. Atëherë Ai i lejoi dy frymëmarrje: një në dimër dhe një në verë. Prandaj, nxehtësia më e madhe që ndjeni është nga frymëmarrja e tij në verë, dhe i ftohti më i madh që ndjeni është nga frymëmarrja e tij në dimër.”
Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte:
“Përmendeni shpesh Zjarrin, sepse nxehtësia e tij është e rëndë, thellësia e tij është e largët dhe shufrat me të cilat goditet janë prej hekuri.”
Ky kujtim i zjarrit dhe dënimeve të tij na fton për reflektim, pendim dhe përkushtim në bindje ndaj Allahut, sidomos kur përjetojmë nxehtësi të skajshme apo vështirësi që i ngjajnë asaj që na paralajmëron Profeti ﷺ.
Këto tekste të thella na kujtojnë se nxehtësia e kësaj bote nuk është asgjë përballë zjarrit të Xhehenemit, dhe se njeriu i urtë duhet të mësojë nga çdo ndjesi e kësaj jete një mësim për jetën e përtejme.
Selefët (të parët e devotshëm) kur ktheheshin nga namazi i xhumasë në vapën përvëluese të mesditës, mendja e tyre nuk ndalej te lodhja apo djersa, por te Dita e Gjykimit, kur njerëzit do të shpërndahen pas llogarisë: një pjesë drejt Xhenetit, e tjetra drejt Xhehenemit.
Ata e lidhnin vapën e kësaj bote me vapën dhe përfundimet e botës tjetër, duke kujtuar se Dita e Kiametit do të ndodhë në një ditë të xhuma, dhe se para se të kalojë mesdita, banorët e Xhenetit do të pushojnë në Xhenet dhe ata të Zjarrit do të përpëliten në zjarrin e tyre. Prandaj e recitonin këtë ajet të madh:
“Atë ditë, banorët e Xhenetit do të kenë vendbanimin më të mirë dhe vendpushimin më të këndshëm.” (El-Furkan: 24)
Mesazhi i përçuar është i fuqishëm: nëse sot, në këtë jetë të shkurtër, përjeton vapë e lodhje në rrugën e bindjes ndaj Zotit, atëherë nesër do të shijosh freskinë e përjetshme në Xhenet. Por nëse e kërkon rehatinë duke shmangur adhurimet e sakrificat, nesër do të përballesh me ndëshkimin më të rëndë.
Njëri prej tyre ka thënë: “Çudi për atë që ruhet nga nxehtësia e verës në dynja, por nuk ruhet nga zjarri i Xhehenemit me braktisjen e mëkateve.”
Në vapën e nxehtë, shumë njerëz bëhen përtacë dhe neglizhojnë vepra të mira, duke e përdorur të nxehtin si justifikim për të mos iu bindur Allahut. Por Allahu i Madhëruar e ka kritikuar ashpër këtë sjellje.
Këtë e tregon rasti i atyre që mbetën pas në betejën e Tebukut, të cilët nuk dolën për të luftuar bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ata thanë: “Mos dilni në luftë në këtë vapë!” Dhe Allahu u përgjigj: “Thuaju (o Muhamed): Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë, veç sikur ta kuptonin!” (Teube: 81)
Ky ajet është një qortim i drejtpërdrejtë për ata që e lënë bindjen ndaj Zotit për shkak të rehatisë trupore dhe frikës nga vështirësitë e kësaj bote. Në të vërtetë, nuk ka krahasim mes vapës së kësaj bote dhe zjarrit të Xhehenemit, ndaj çdo pengesë për një vepër të mirë duhet të kapërcehet me vendosmëri dhe me kujtim të jetës së përhershme.
I ikën vapës që të djeg e të lodh,
Po pse nga Xhehenemi s’gjen frikë e dro dot?!
As dënimin më të lehtë s’e mban dot ti,
Sikur të ishe hekur, do ishe shkrirë e bërë hi.
Të dhimbsen ata që në faj jetojnë,
Po vetes pse mëshirë nuk i dhuron?
Mos e moho, kjo punë s’është lojë,
Nuk është siç mendove, as siç të shkon në gojë.
Qoftë i bekuar Kur’ani i Madh për mua dhe për ju, dhe na bëftë dobi me atë që përmban nga ajetet dhe përkujtimi i urtë. Unë thashë atë që dëgjuat, dhe kërkoj falje nga Allahu s.v.t. për veten time dhe për ju. Vërtet, Ai është Falës dhe Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, Mëshiruesit të Mëshiruesve, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zotit të të parëve dhe të mramëve, Mbajtësit të qiejve dhe të tokës. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të dërguarin si mëshirë për botët, Muhamedin dhe mbi familjen e tij, e mbi të gjithë shokët e tij , si edhe mbi ata që ecin mbi gjurmët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
O ummeti i Muhamedit ﷺ!
Ashtu siç ka njerëz që dembelohen nga adhurimet për shkak të vapës së madhe, po ashtu ka pasë nga të parët tanë të mirë që angazhoheshin edhe më fort në adhurime pikërisht në këtë vapë.
Është transmetuar se Ebu Bekër Es-Siddik, Allahu qoftë i kënaqur me të, agjëronte gjatë verës nafile ndërsa në dimër më pak.
Dhe kur Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte në prag të vdekjes, i la amanet të birit të tij, Abdullahut, duke i thënë: “Mbaju veçorive të imanit, e të parën që ia përmendi ishte: agjërimi në vapën e madhe.”
Kasim ibn Muhammedi, Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, agjëronte në vapën e rëndë.” Dikush e pyeti: “Çfarë e shtynte ta bënte këtë?” Tha: “ Nxitimi në vepra të mira përpara vdekjes.”
Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur po jepte shpirt, shprehu keqardhje për tre gjëra që do t’i mungonin: etjen në vapën e mesditës (nga agjërimi), namazin e natës dhe hallkat e përmendjes së Allahut.
Ndërsa Ebu Musa el-Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, zgjidhte ditët më të nxehta për të agjëruar dhe thoshte: “Allahu e ka bërë detyrim për Veten e Tij që kush eshton veten për hir të Tij në një ditë të nxehtë, Ai t’ia shuajë etjen e tij në Ditën e Kiametit.”
Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte:
“Agjëroni në një ditë me vapë të fortë, për vapën e Ditës së Ringjalljes. Dhe falni dy rekate në errësirën e natës, për errësirën e varreve.”
Së fundmi, o vëllezër të dashur:
Shuani zjarrin e verës me bamirësi dhe sadaka.
Këshillohuni me njëri-tjetrin për mirësi e dashamirësi.
Mëshirojini punëtorët që lodhen në vapën e rëndë se edhe ata janë njerëz që ndiejnë, që për kafshatën e bukës përpiqen, prandaj mos i ngarkoni me më shumë se ç’mund të përballojnë.
Mëshirojini ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.
O umeti i Muhamedit !
Shtoni përshëndetjet ndaj tij me salevate të shumta në çdo kohë e çast, veçanërisht në këtë ditë të xhuma ﷺ .
Shejh Abdullah Jabis
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



