Ka ardhur koha për të vendosur një plan veror për fëmijët, për t’i nxitur ata të lexojnë gjatë pushimeve të gjata, sidomos pasi fëmijët që nuk lexojnë gjatë verës humbasin shumë aftësi që i kanë fituar gjatë vitit shkollor. Ata shfaqin gjithashtu rënie në zotërimin e aftësisë për lexim, veçanërisht nëse janë nxënës të ciklit fillor.
Në këtë drejtim, prindërit mbajnë përgjegjësi për të ofruar mundësi mësimore gjatë pushimeve shkollore, si një nevojë për të përforcuar aftësitë e fëmijëve dhe për t’i mbajtur në nivelin e duhur për t’u përgatitur për fazën e re të vitit të ardhshëm shkollor.
Leximi i tregimeve dhe librave është një nga këto mundësi. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të nxitet fëmija të blejë libra dhe t’i lexojë gjatë pushimeve.
Si ta bëjmë këtë?
Së pari, të mos e bëjmë leximin një detyrim të imponuar me forcë ndaj fëmijëve, apo një qëllim të lidhur me shpërblime që përdoren si joshje, apo si pjesë e detyrave të verës që i jepen në kuadër të programit shkollor. Strategjia më e mirë edukative është që leximi të jetë një kënaqësi në vetvete.
Shumë programe shkollore e trajtojnë leximin si një lëndë të detyrueshme për nxënësit e ciklit fillor, ku u imponohet leximi i librave, çka e bën atë një lëndë të thatë dhe sfiduese, që fëmija dëshiron ta përfundojë pa asnjë ndjenjë kënaqësie apo dëshirë për të lexuar më shumë.
Vera nuk është koha e duhur për këtë lloj aktiviteti.
Prandaj, ne duhet të bindim fëmijët tanë se libri është si një njeri që flet me ta dhe se autori dëshiron t’u përcjellë një mesazh. Leximi për hir të kënaqësisë është si një llambë ndriçuese që duhet të ndjekin fëmijët tanë përgjatë jetës.
Pra, çfarë mund të bëjnë prindërit për të forcuar aftësinë për lexim gjatë verës?Dhe si ta kthejnë leximin në një kënaqësi të natyrshme?
Sfida e parë: Zgjedhja e librit sipas nivelit mendor të fëmijës
Duhet bërë dallimi mes: Librit që demoralizon fëmijën, Librit mësimor, dhe Librit të pavarur (të përshtatshëm).
Në shkollë, fëmija lexon libër që përputhet me nivelin e tij, dhe ai është në gjendje edhe me ndihmën e mësuesit ta lexojë dhe ta kuptojë në nivelin 90% të tij.
Ndërsa libri demoralizues është ai që fëmija nuk mund ta lexojë me rrjedhshmëri e as ta kuptojë përmbajtjen, ku përqindja e kuptimit dhe saktësisë bie nën 90%.
Ndërsa libri i pavarur është ai që fëmija e lexon dhe kupton vetë me më shumë se 95% saktësi, dhe ky është libri më i përshtatshëm.
Prindërit duhet të ndihmojnë fëmijët të zgjedhin librin e duhur, qoftë një tregim, libër imagjinar, material online, gazetë apo revistë për fëmijë. Qëllimi është leximi.
Mund të kërkohet ndihma e punonjësit të bibliotekës, të përdoren listat online me libra të rekomanduar, apo të konsultohen mësuesit.
Një mënyrë praktike është që prindërit të zgjedhin një libër, ta hapin në disa faqe të ndryshme dhe t’i kërkojnë fëmijës të lexojë fjalë të ndryshme. Nëse gabon më shumë se dy herë, libri është mbi nivelin e tij dhe duhet ndërruar.
Sfida e dytë: Të bëhet leximi pjesë e përditshme e rutinës
Disa studime tregojnë se humbja e aftësisë për lexim mund të shmanget nëse fëmija lexon të paktën 6 libërtha gjatë verës. Prindërit duhet të caktojnë një kohë të përditshme për lexim (20-30 minuta), mundësisht pas drekës.
Nëse kjo nuk është e mundur, mund të lexojnë gjatë një daljeje në natyrë, në plazh apo edhe gjatë një vizite familjare.
Sfida e tretë: Leximi në familje
Të caktohet kohë e përbashkët për lexim në familje, me seanca të këndshme për të lexuar një histori. Është një mundësi e artë për të shpjeguar fjalë dhe koncepte të reja që janë ndoshta të vështira për fëmijët, por me rëndësi kulturore apo gjuhësore.
Është bukur që babai apo nëna të lexojnë me zë të lartë, ndonjëherë edhe lajmet nga televizori gjatë darkës, apo të shikojnë bashkë një film familjar që përfshin përmbajtje leximi apo tregimi.
Sfida e katërt: Pjesëmarrja në aktivitete edukative verore
Përfshirja e fëmijëve në aktivitetet edukative verore që organizohen nga institucionet arsimore apo bibliotekat publike. Kjo ndihmon në: përdorimin e resurseve të komunitetit, përmirësimin e aftësive të leximit, dhe zhvillimin personal të fëmijës.
Por mbi të gjitha, kjo u jep fëmijëve mundësinë të përjetojnë kënaqësinë e leximit, e cila mund të lërë gjurmë të përhershme pozitive në jetën e tyre.



