Më poshtë vijon Kreu II nga përmbledhja e librit “Mekāsid el-Sherī ‘ah – Objektivat e ligjit islam” nga autori Jasser Auda.
Lexo edhe:
Çfarë është Mekasidi? Shkallët e Pse-së dhe Teoritë e Hershm
“Imamët e Mekasidit” (Shek. V-VIII hixhri)
Shekulli i pestë, sipas kalendarit islam, dëshmoi lindjen e asaj që disa dijetarë do ta quanin me emrin “filozofia e Ligjit Islam”. Metodat literale dhe nominale që ishin zhvilluar deri në shek. V, rezultuan të pamjaftueshme për t’u përballur me problematikat e ndërlikuara të qytetërimit në zhvillim. Teoria e “interesit/dobisë së pakufizuar” (el-maslahah el-murselah) ishte zhvilluar si një metodë që mbulonte “ato që nuk ishin përmendur në tekstet e drejtpërdrejta”. Kjo teori mbushi një boshllëk që ekzistonte në metodologjitë literale dhe më vonë hodhi themelet e teorisë së mekasidit në Ligjin Islam. Juristët që dhanë kontribute të rëndësishme në teorinë e mekasidit, ndërmjet shek. V dhe shek.VIII, sipas kalendarit islam, janë: Ebu el-Me‘ali el-Xhuvejni, Ebu Hamid el-Gazali, El-‘Izz Ibn Abd el-Selami, Shihab el-Din el-Karafi, Shemsuddin ibn el-Kajjimi dhe, në mënyrë të veçantë, Ebu Ishak el-Shatibi.
Imam El-Xhuvejni dhe “Dobitë publike”
Ebu el-Me‘ali el-Xhuvejni (vd. 478h/1085) shkroi veprën me titull El-Burhan fi Usul el-Fikh (Argumenti në bazat e Ligjit), e cila përbën edhe traktatin e parë juridik në prezantimin e teorisë së “niveleve të dobisë”, në trajtë të ngjashme me teorinë që njohim sot. Ai sugjeroi pesë nivele të mekasidit: nevojat thelbësore (darurat), nevojat publike (el-haxhah el-‘ammah), sjellja morale (el-makrumat), dobitë e rekomandueshme (el-mandubat) dhe “dobitë që nuk mund t’i atribuohen ndonjë arsyeje të veçantë (të ndryshmet)”. El-Xhuvejni theksoi se objektivi i Ligjit Islam është ruajtja ose paprekshmëria (el-ismah) e besimit, shpirtrave, mendjeve, pjesëve intime dhe e pasurisë së njerëzve.
Vepra e El-Xhuvejnit, me titull Ghiyath el-Umam (Shpëtimi i kombeve), është një tjetër kontribut i rëndësishëm në teorinë e mekasidit, ndonëse ajo trajton kryesisht çështjet politike. Në këtë libër, ai bën një “supozim hipotetik”, ku thotë se, nëse juristët dhe shkollat e ligjit do të zhdukeshin krejtësisht nga sipërfaqja e tokës, atëherë e vetmja mënyrë për ta shpëtuar Islamin do të ishte ‘ringritja’ e tij nga e para, duke vënë në përdorim “parimet themelore, mbi të cilat zënë fill dhe takohen të gjitha dispozitat e Ligjit”.
El-Xhuvejni shkroi se këto parime bazë të Ligjit, të cilat i quajti me termin el-mekasid, nuk u nënshtrohen “prirjeve të kundërta dhe mendimeve të ndryshme mbi interpretimin e tyre”. Shembuj të këtyre mekasideve, mbi të cilat ai ‘rindërtoi’ Ligjin Islam, janë: ‘lehtësimi’ në rregullat e pastrimit, “heqja e barrës së të varfrit” në rregullat e bamirësisë dhe “marrëveshja e përbashkët” në rregullat e tregtisë.
Veprën Ghiyath el-Umam të El-Xhuvejnit e konsideroj si një projekt të plotë për “ringritjen” e Ligjit Islam, të bazuar në mekasidin.
Imam El-Gazali dhe “Renditja e dobive”
Nxënësi i El-Xhuvejnit, Ebu Hamid el-Gazali (vd. 505h/1111), e zhvilloi më tej teorinë e mësuesit të tij, në librin me titull “El Mustasfa” (Burimi i kulluar). Ai i renditi “nevojat thelbësore” të sugjeruara nga El-Xhuvejni si vijon: (1) besimi, (2) shpirti, (3) mendja, (4) pasardhësit dhe (5) pasuria. Gjithashtu, El-Gazali shpiku termin “ruajtje” (el-hifz) të këtyre dobive thelbësore. Ndonëse bëri një analizë të hollësishme, El-Gazali nuk pranoi t’i jepte fuqi ligjore të pavarur (huxhxhijah) ndonjërës prej mekasideve apo mesaliheve të tij, madje i quajti ato me termin “interesat iluzionare” (el-masalih el-mauhumah). Arsyeja për këtë, lidhet me natyrën e mekasidit si një shkencë e nxjerrë më shumë nga tekstet e drejtpërdrejta, sesa si e kuptuar fjalë për fjalë, siç ndodh me rregullat e tjera “të qarta” islame.
Sidoqoftë, El-Gazali e përdori mekasidin si bazë për disa rregulla islame. Për shembull, ai shkroi: “Të gjitha pijet dehëse, qofshin ato në trajtë të lëngët apo të ngurtë, janë të ndaluara, duke u bazuar në ngjashmërinë që ato kanë me alkoolin, për shkak se ky i fundit është ndaluar, me qëllim ruajtjen e mendjes së njerëzve”. El-Gazali sugjeroi gjithashtu, një “rregull themelor” të bazuar në rendin e nevojave, sipas të cilit nevoja e shkallës më të lartë ka përparësi, mbi atë të një shkalle më të ulët, në rast se ato të dyja prodhojnë pasoja të kundërta në praktikë.
El-‘Izz Ibn ‘Abd el-Selami dhe “Urtësitë që fshihen pas rregullave”
El-‘Izz Ibn ‘Abd el-Selami (vd. 660h/1209) shkroi dy libra të vegjël mbi mekasidin, në lidhje me “urtësitë e dispozitave dhe të rregullave”, përkatësisht librin me titull Mekasid el Salat (Objektivat e namazeve) dhe Mekasid el Savm (Objektivat e agjërimit). Megjithatë, kontributi i tij më i rëndësishëm në zhvillimin e teorisë së mekasidit, ishte vepra mbi dobitë (mesalih), të cilën e titulloi: Kaua‘id el-Ahkam fi Masalih el-Anam (Rregulla themelore mbi dobitë publike”.
Krahas hulumtimit të zgjeruar të koncepteve të dobisë dhe të dëmit, El-Izz e lidhi vlefshmërinë e rregullave me objektivat dhe urtësitë që fshihen pas tyre. Për shembull, ai shkroi: “Çdo vepër pa një qëllim të caktuar, është e pavlefshme”, si dhe: “Kur mëson se si objektivat e Ligjit sjellin të mirën dhe ndalojnë të keqen, ti e kupton se është e ndaluar ta shmangësh të mirën, apo të bëhesh krah i së keqes, në çfarëdolloj situate, qoftë edhe nëse nuk ke ndonjë të dhënë specifike nga tekstet e drejtpërdrejta, konsensusi apo analogjia”.
Imam El-Karafi dhe “Klasifikimi i veprave profetike”
Shihab el-Din el-Karafi dha kontributin e tij në teorinë e mekasidit, duke bërë dallimin ndërmjet veprave të ndryshme të kryera nga Profeti (a.s.), bazuar në “qëllimet/objektivat” e vetë atij. Në veprën El-Faruk (Dallimet), ai shkruan:
Ka një dallim ndërmjet veprave të Profetit (a.s.) në pozitën e tij si përçues i mesazhit hyjnor, si gjykatës dhe si lider… Nënkuptimi në Ligj është se ajo çka thotë apo bën Profeti (a.s.) si përcjellës i mesazhit, merret si një rregull i përgjithshëm dhe i përhershëm… (Por) vendimet që lidhen me ushtrinë, me besimin publik… caktimi i gjyqtarëve dhe i prijësve, shpërndarja e plaçkës së luftës dhe nënshkrimi i traktateve…, janë detyra specifike të liderëve.
Kështu, El-Karafi i dha një kuptim të ri mekasidit: atë të objektivave/synimeve të vetë Profetit (a.s.) dhe veprave të tij. Më vonë, Ibn Ashuri e zhvilloi më tej “dallimin” e mësipërm të El-Karafit dhe e përfshiu atë në përkufizimin e mekasidit. El-Karafi shkroi edhe rreth “mundësimit të mjeteve për arritjen e të mirave”, që është një tjetër zgjerim i rëndësishëm i teorisë së mekasidit. Ai hodhi mendimin se mjetet që çojnë drejt gjërave të ndaluara, duhet të ndalohen, ndërsa ato që çojnë drejt gjërave të lejuara, duhet të mundësohen e të lehtësohen. Pra, El-Karafi nuk u kufizua vetëm në anën negative të metodës së “ndalimit të mjeteve”. Më shumë hollësi, do të jepen më tej.
Imam Ibn el-Kajjimi dhe “Thelbi i Sheriatit”
Shemsudin ibn El-Kajjimi (vd. 748h/1347) ka qenë nxënës i imamit të njohur, Ahmed ibn Tejmije (vd. 728h/1328). Ai kontribuoi në teorinë e mekasidit, nëpërmjet një kritike të hollësishme mbi ato që quhen “kleçka juridike” (el-hijal el-fikhijjah), bazuar në faktin se bien ndesh me mekasidin. Kleçka juridike është një ujdi e ndaluar, si kamata apo ryshfeti, e cila ka dukjen e një shitjeje apo dhurate. Ibn el-Kajjimi shkruan:
Kleçkat ligjore janë akte të ndaluara, sepse: së pari, ato nuk pajtohen me urtësinë e dispozitave ligjore dhe së dyti, ato e kanë përjashtuar mekasidin. Njeriu që ka për qëllim kamatën, bën mëkat, edhe nëse dukja e ujdisë së rreme, të cilën ai e ka përdorur si kleçkë, është e ligjshme. Ky njeri nuk pati qëllimin e sinqertë për të kryer një ujdi të ligjshme, por donte të bënte një ujdi të ndaluar. Njëlloj mëkatar është edhe ai njeri që ka për qëllim ndryshimin e pjesëve që u takojnë trashëgimtarëve të tij, duke bërë një shitje të rreme (njërit prej tyre)… Ligjet e Sheriatit janë kurë e sëmundjes sonë, dhe kjo, jo për shkak të emrave apo dukjes së tyre, por për shkak të të vërtetave që ato përmbajnë.
Ibn el-Kajjimi e ka shprehur shkurtimisht metodologjinë e tij juridike, e cila mbështetet mbi “urtësinë dhe mirëqenien e njerëzve”, me pohimin e fortë vijues:
Ligji Islam ka në thelb të tij largpamësinë/urtësinë, si dhe mirëqenien e njerëzve në këtë botë dhe në tjetrën. Ai është i tëri drejtësi, mëshirë, urtësi dhe mirësi. Si rrjedhojë, një rregull që e zëvendëson drejtësinë me padrejtësinë, mëshirën me të kundërtën e saj, të mirën e përgjithshme me të keqen, apo urtësinë me marrëzinë, nuk i përket Ligjit Islam, edhe nëse pretendohet se është nxjerrë nga ndonjë lloj interpretimi.
Në këndvështrimin tim, paragrafi i mësipërm paraqet një rregull “themelor”, në dritën e të cilit duhet të shihet i gjithë Ligji Islam. Ai i vë parimet e mekasidit në vendin e tyre të natyrshëm, si “bazë” dhe si filozofi e tërësisë së Ligjit. Imam El-Shatibi e ka shprehur një pikëpamje të tillë, në një mënyrë më të qartë.
Imam El-Shatibi dhe “Mekasidi si shkencë bazë”
Ebu Ishak el-Shatibi (vd. 790h/1388). El-Shatibi përdori pak a shumë të njëjtën metodologji të zhvilluar nga El-Xhuvejni dhe El-Gazali. Megjithatë, unë mendoj se në veprën e tij “El-Muafakat fi usul el-Sheri‘ah” (Harmonia në bazat e Ligjit të Shpallur), El-Shatibi e zhvilloi teorinë e mekasidit në këto tri aspekte të rëndësishme:
• Nga “dobitë e pakufizuara”, për në “bazat e ligjit”. Përpara veprës së El Shatibit, Muafakat, mekasidi ishte i përfshirë në kategorinë e “dobive të pakufizuara” dhe nuk u konsiderua asnjëherë si shtyllë (usul) më vete. El-Shatibi e nis vëllimin e tij mbi mekasidin në El-Muafakat, duke cituar Kuranin, për të vërtetuar se Zoti ka një qëllim të caktuar në krijimin e Tij, në dërgimin e profetëve dhe në caktimin e ligjeve. Që këtej, ai nënvizoi se mekasidet janë “bazat e fesë, rregullat themelore të Ligjit dhe parimet e përgjithshme të besimit” (usul el-din ve kava’id el-sheri‘ah ve kullijah el-millah).
• Nga “urtësia që fshihet pas rregullit”, për në “bazat e rregullit”. Duke u bazuar në veçorinë themelore dhe universale të mekasidit, El-Shatibi gjykoi se “parimet e përgjithshme (El-Kullijjah) të nevojave thelbësore, plotësuese dhe të dëshirueshme, nuk mund të shpërfillen nga rregullat e pjesshme (el-xhuz’ijjat)”. Kjo përbën një shmangie tërësore nga bazat tradicionale, madje edhe nga shkolla Malikite e El-Shatibit, e cila u ka dhënë gjithmonë përparësi disa të dhënave të pjesshme “specifike”, mbi ato “të përgjithshme” ose universale. Gjithashtu, El-Shatibi e konsideroi dijen e mekasidit si një kusht të domosdoshëm për saktësinë e arsyetimit juridik (ixhtihadit) në të gjitha shkallët.
• Nga “pasiguria” (dhannijjeh), për në “siguri” (kat‘ijjeh). Me qëllim që të mbështeste pozitën e re që i dha mekasidit në listën e bazave, El-Shatibi e filloi vëllimin e tij, duke argumentuar mbi “sigurinë” (kat‘ijjeh) e procesit induktiv që përdori për nxjerrjen e mekasideve, bazuar në numrin e madh të të dhënave që mori në konsideratë. Kjo është gjithashtu, një shmangie nga argumentet e njohura, me bazë në filozofinë greke, kundër vlefshmërisë dhe “sigurisë” së metodave induktive. Vepra e El-Shatibit u bë teksti mësimor standard i mekasid el-sher’iah në formimin islam, deri në shek. XX, por propozimi i tij për ta paraqitur mekasidin si “bazë të Sheriatit”, siç e thotë edhe vetë titulli i librit, nuk u pranua gjerësisht.



