Pushimi dhe dëfrimi në Islam

—Gjithpërfshirshmëria e islamit – çast kështu e çast ashtu- dobitë e dëfrimit-Kuptim i gabuar i dëfrimit-Dëfrimi tek muslimanët e parë-negativitetet e dëfrimit bashkëkohor-Rregullat e dëfrimit të lejuar-shakaja e Pejgamberit- shakaja nuk kundërshtohet me adhurimin-Problemi i kohës boshe-dëmet e kohës boshe-shfrytëzimi i kohës boshe—

Keni frikë Zotin, kujtoni fundin e juaj, shikoni se çka keni ofruar prej veprave të mira, mos u mashtroni me jetën e kësaj bote, sepse është kënaqësi mashtruese.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“O ju që besuat, kinie frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”. (Ali Imran: 102).

Robër të Zotit!

Jemi duke i jetuar ditët e para të pushimit veror, andaj është e rrugës dhe është e arsyeshme që të flasim disa fjalë mbi pushimin dhe dëfrimin, e argëtimin në Islam.

Në mungesë të njohjes së mirë të islamit dhe të rrëgllave të tij, njerëzit jetojnë në dy skaje të kundërta. Një palë e njerëzve ia ngushtojnë vetvetes dhe nuk shijojnë asgjë nga të mirat e lejuara nga ana e Zotit, kurse pala tjetër e shfrytëzon çdo kënaqësi duke mos llogaritur aspak, a është e lejuar kjo gjë ose jo.

Mu për këtë do të mundohemi tu sqarojmë qëndrimin Islam mbi pushimin dhe dëfrimin dhe disa fjalë të selefit mbi këtë temë.

Në këto ditë të pushimit veror, shumica e prindërve dhe edukatorëve janë të angazhuar me dy gjëra shumë të rëndësishme: domethënien e dëfrimit dhe mënyrën e shfrytëzimit të kohës së lirë.

Nëse e lexojmë hadithin e Handheles, do të mbetemi të habitur para gjithpërfshirshmërisë së Islamit.

Ky sahabi është prej asaj gjenerate që kujdeset që e tërë dita, madje e tërë jeta e tij të jetë vazhdimisht në gradat më të larta të besimit. Andaj mendoi se dëfrimi me gruan, më fëmijët, buzëqeshja dhe lozja me to është në kundërshtim me metodologjinë e adhurimit dhe dorëzimit absolut Zotit.

Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] i thotë:

“Si je Handhele? Tha: I thashë: jam bërë munafik. Ebu Bekri tha: subhanall-llah, çka je duke thënë? Tha: Kur jemi te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], na përkujton xhennetin dhe xhehenemin, e na duket sikurse e shohim, mirëpo kur dalim nga Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], e angazhohemi me gratë, fëmijët dhe mallërat, e harojmë këtë gjendje. Ebu Bekri tha: edhe ne e gjejmë këtë gjë. Shkuam së bashku me Ebu Bekrin derisa hyrëm te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem]. I thashë: Handheleja është bërë munafik. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “si ka ndodhur kjo gjë”? I thashë: I Dërguar i All-llahut, kur jemi te ti e na përkujton xhennetin dhe xhehenemin, na duket sikur se jemi duke e parë, mirëpo kur largohemi dhe angazhohemi me gratë, fëmijët dhe mallërat, e harojmë këtë gjendje. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Pasha Ate në Dorë të të Cilit është shpirti im, poqëse vazhdonit në këtë gjendje dhe në përmendje të Zotit, do të ju shoqëronin melekët në shtratat dhe rrugët e juaja. Mirëpo, Handhele, një çast kështu e një ashtu. Këtë e përsëriti tre herë”. (Muslimi).

Robër të Zotit!

Dëfrimi e largon lodhjen dhe plogështinë, e gjallëron forcën, të forcon në punë, ta shton energjinë dhe prodhimin.

Fjala: “një çast kështu e një ashtu”, nuk domethënë që muslimani tërë ditën ta kalojë në lozje dhe argëtim, ta kalon kohën në gjëra pa vlerë dhe të kota, duke shikuar filma të ndryshme dhe të fëlliqura ose duke lexuar gazeta e revista që ngjallin epshin dhe e prishin zemrën.

Omer ibn Abdul-Azizi thotë:

“Nuk ka gjë fetarisht nëse muslimani argëtohet, lozën dhe dëfrehet, mirëpo me kusht mos ta bëjë këtë vepër të zakonshme dhe moral të vetin; të tregohet jo serioz në momente serioze dhe të lozë dhe argëtohet në kohë të punës”.

Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë:

“Unë jua rralloj këshillimet, ashtu sikurse na i rrallonte Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], nga frika se po mërzitemi”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ata që mendja e tyre është deformuar dhe është prishur i marin si argument këto fakte dhe argumente fetare që të pakësojnë orarin e adhurimit, seriozitetit dhe vendosshmërisë që të zgjërojnë orarin e lozjes, argëtimit dhe dëfrimit, e të largohen nga tubimet e diturisë dhe këshillimit.

Disa mundet t’i kuptojnë këto hadithe se flasin për dëfrim të pa kontrolluar dhe pa rregulla, duke i kaluar kufinjtë e Zotit [xhel-le shanuhu]. Ata dëfrehen në çdo mënyrë, pa marë para sysh se a është e lejuar ose e ndaluar.

Andaj, doemos duhet shpalosur dëfrimin e selefit që të mësojmë metodën e tyre në këtë lëmi.

Abdull-llah ibn Mesudi tregon vlerën e dëfrimit duke thënë:

“Gjallëroni zemrat, sepse zemra kur të detyrohet verbërohet”. (shiko: “Behxhetul-mexhalis”, të Ibn Abdul-Berrit, fq. 115).

Aliu [radijall-llahu anhu] thotë:

“Freskoni këto zemra dhe kërkoni për te urtësi, sepse ato mërziten sikurse mërzitet trupi”. (shiko: “Xhami bejanil-ilmi”, fq. 659).

Ebu Derdaja [radijall-llahu anhu] thotë:

“Unë e freskoi zemrën time me lozje të lejuar që të më përforconë në të vërtetë”. (shiko: “Muhteleful-hadith”, të Ibn Kutejbes, fq. 274).

Nëse e verifikuam se dëfrimi është sjellje e gjeneratës së parë dhe të artë, atëherë parashtrohet pyetja: vallë pse dëfrehen ata? A është refleksion i boshllëkut ose i mërzisë?!

Jo, asesi. Dëfrimi i tyre ka qenë parapërgaditje për punë serioze, fitim të aktivitetit më të fuqishëm, për ambicje më të larta, për të realizuar qëllimin për të cilin All-llahu e ka krijuar njeriun, për ta adhuruar All-llahun.

Dëfrimi te ata s’ka qenë qëllim pas të cilit vrapojnë ose synimi i tyre final, për të cilin flijojnë kohën dhe pasurinë.

Ajo që ndodh sot. Dëfrimi i muslimanëve bashkëkohor është krejtësisht i ndryshëm nga ai që e kanë realizuar gjeneratat e para islame. Ky dëfrim shkakton humbje të identitetit, nëpërkëmbjen e rregullave të sherijatit dhe moralit dhe mendjelehtësi e nihilizëm.

Këto janë frytet e kuptimit bashkëkohor të dëfrimit, pasiqë dëfrimi është bërë synim në vehte.

Kurse dëfrimi në kuptimin e gjeneratës së artë islame ka qenë mjet fisnik i cili ka qenë në shërbim të interesave dhe qëllimeve të larta, nën hije të saj ndërtohen veçoritë e personalitetit, forcohet trupi, përmirësohet edukata, stërvitet njeriu në burrëri dhe seriozitet, i hapen horizontet e diturisë dhe veprave, bën gara me laps, përdor lloje të ndryshme të sporteve, nxitje për të mësuar gjujtjen. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka garuar me shokët e tij, ashtu sikurse ka garuar edhe me gruan e tij, Aishen [radijall-llahu anha]. (Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi është sahih).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka bërë mundje me Rekanen dhe e ka fituar, edhe ky rast ishte shkak që ky njeri të bëhet musliman. (Ebu Davudi dhe të tjerët. Shejh Albani [rahimehull-llah] thotë se është hasen. Shiko “Irvaul-Galil”, nr. 1503).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] vërejti disa njerëz nga fisi Eslem duke garuar në gjuajtje e tha:

“Gjuani bijtë e Ismailit, sepse babai juaj ka qenë gjuetar”. (Buhariu).

Omer ibn Abdul-Azizi [rahimehull-llah] ka thënë:

“Flitni me Libër të Zotit dhe tubohuni për te, e nëse mërziteni, atëhere flitni bisedat e burrave, se edhe kjo është mirë”. (Bejhakiu në “Shuabul-Iman”, 4/ 318).

Vëllezër musliman!

Dëfrimi të cilin e kanë shfrytëzuar gjeneratat e para nuk kanë qenë të kota, por dëfrim i cili shkakton dobi dhe interes, nuk përmban nënçmim të tjerëve e as përbuzje të muslimanëve, nuk përmban përgojim e as bartje të fjalëve, nuk përmban gënjeshtër e as shpifje. Ngase dëfrimi i cili nuk përmban dobi të kësaj bote dhe të botës së amshuar, ia harxhon njeriut jetën në gjëra të padobishme.

Nuk është dëfrim i lejuar bredhja nëpër rrugë dhe tregje, ditën dhe natën, përcellja e të metave, ulja nëpër kafene dhe rrugë. Por dëfrimi në Islam, nuk është sikurse dëfrimet tjera, por duhet të jetë larg çdo teprimi dhe nuk duhet të del nga rregullat e moralit islam. Duhet të jetë i pastër nga përzierja e burrave me gratë, nga shikimet e ndaluara dhe nga çdo mjet i cili vjen në kundërshtim me sherijatin.

Dijetarët e selefit na tregojnë se shpirti her ecën para e her ecën mbrapa.

Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë:

“Zemrat kanë gjallëri dhe ecje para, por edhe dobësi edhe ngecje mbrapa. Shfrytëzoje gjatë gjallërisë dhe ecjes para dhe lëre gjatë dobësisë dhe ngecjes mbrapa”. (shiko: “Behxhetul-Mexhalis”, fq. 115 dhe “El-Fevaid”, fq. 202).

Ata nuk i lejojnë shpirtit të tyre që gjatë dëfrimit t’i lënë pas dore obligimet që i kanë ndaj All-llahut, nuk dëfrehen në kohën e namazit, sepse kjo është shkelje e kufinjve të All-llahut, nuk dëfrehen në kohën e punës, sepse kjo është shkelje e të drejtave të njerëzve.

Dëfrimi te ummeti islam nuk është çdo gjë në jetën e tyre, i cili i preokupon vazhdimisht, por është dëfrim me masë që mos ta largojë nga veprat serioze dhe obligimet tjera, sepse ymri i njeriut është gjëja më e shtrenjtë që e posedon njeriu, andaj nuk lejojnë që tu kalojnë ditët në lozje të pa qëllimtë dhe të kotë. Andaj tregohet se shokët e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] gjuheshin mes vehte me lëvore të shalqinit, mirëpo në vepra serioze ishin burra. (shiko: “Edebul-Mufred”, 41. Shejh Albani [rahimehull-llah] thotë se është hadith i vërtetë).

Ebu Seleme ibn Abdur-Rahman tregon:

“Shokët e Pejgamberit [alejhisselam] nuk ishin të lajthitur e as të plogshtë. Ata lexonin poezi në tubimet e tyre dhe përkujtonin çeshtjen e injorancës së tyre. E kur ndokush hapte temë fetare i hapnin sytë fort”. (shiko: “Edebul-Mufred” të Imam Buhariut. Hadithi është hasen).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] bënte shaka dhe lozte. Erdhi një grua plakë e i tha: I dërguar i All-llahut, lutju Zotit të më fus në xhennet. Iu përgjigj: “Nëna e filanit, në xhennet nuk hynë plakat”. U mërzit plaka dhe filloi të qajë, ngase mendoi se nuk do të hyjë në xhennet. Kur e pa këtë mërzi të saj Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] i sqaroi se qëllimi ishte se në xhennet nuk do të hyjë si plakë, por All-llahu do ta shndërron në krijesë të re, e do të hyje vashë e re dhe beqare. Pastaj lexoi ajetin:

“Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e vet), të një moshe”. (El-Vakia: 35- 37). (Transmeton Taberaniu, hadithi është hasen).

Një grua erdhi për një nevojë të burrit të sajë. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: Cili është burri yt? I tha: filani. Tha: ai që ka të bardhë në sy? Shpejtoi dhe shkoi te burri i saj e e shikoi në sy dhe i tha: Pejgamberi [alejhisselam] më tregoi se ke të bardhë në sy. I tha: a nuk po sheh se në sy ka ma shumë të bardhë se sa të zezë? (Ibn Kutejbe në “Muhteleful-Hadithi”, fq. 272).

Ky personalitet i cili bën shaka dhe lozë me shokët e vet është po i njejti i cili fal namaz gjatë natës dhe agjëron gjatë ditës, lufton në rrugë të Zotit, flijon çdo gjë të shtrenjtë e është dorë shlirë.

Kur të hedhim dritë mbi aspektin e personalitetit në shaka dhe dëfrim duhet ta mbajëm dritën ma gjatë për të parë edhe sapektet tjera të këtij personaliteti, sepse udhëzimi i tij është një, personaliteti është tërësi që nuk ndahet. Ky edhe pse bën shaka dhe lozet, bënte adhurim të gjatë dhe kishte frikërespekt në adhurim, qante shumë dhe ishte i devotshëm, gjuha e tij nuk lodhej nga përmendja e Zotit, kurse mendja e tij nga mendimi dhe meditimi.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Ke obligime ndaj Zotit tënd, ndaj shpirtit tënd, ndaj familjes tënde, andaj secilit jepja hisen e vet”. (Buhariu).

Gjatë pushimit veror del në shesh edhe një problem, i cili i çrehaton prindërit dhe edukatorët, e ai është koha boshe. Devijimi i rinisë dhe shmangja e tyre nga rruga e drejtë është refleksion i këtij problemi. Kurse civilizimi material bashkëkohor edhe ma shumë e zgjëron këtë hapësirë të rezikut dhe e shton dëmin.

Shpirti i cili është bosh nga punët serioze medoemos do të përfundojë në të keqe dhe nihilizëm.

Reziku i kohës boshe qëndron në faktin se nuk është vazhdimisht bosh, doemos të mbushet ose me vepra të mira ose me vepra të këqija. Ai që nuk e angazhon vetveten me gjëra të vërteta doemos do ta angazhojë me gjëra të kota.

Po, nëse shtohet koha boshe dhe lihet i pa përdorur, shndërrohet në problem. Është shumë e qartë se koha boshe e forcon elementin e devijimit dhe shkaqet e lajthitjes, e mbyt mendimin, e asgjëson mendjen, i hap dyert e cytjeve dhe ngacmon mendimet e mbuluara dhe iluzionet.

Specialistët e kësaj lëmie dëshmojnë se përqindja e krimit dhe problemeve morale arrinë kulmin e tyre në momentet e papunësisë dhe kohës boshe. Ky rezik shtohet duke e pasur parasysh ndikimin e mjeteve moderne të shekullit, ato që i joshin të rinjtë dhe ua hapin horizontin e të këqijave dhe humbjes së kohës.

Që mos të arrijë këtë qëllim koha boshe, duhet mbushur kohën me gjëra të dobishme, duhet kaluar nga një aktivitet në tjetrin, për tu mbrojtur dhe për tu ruajtur.

Prej gjërave të dobishme në mbushjen e kohës boshe është kryerja e obligimeve dhe veprave vullnetare, leximi i dobishëm mbi gjërat e fesë, biografinë e Pejgamberit [alejhisselam], jetën e burrave të mirë, mbi moralin, etj.

Abdull-llah ibn Mubareku pasiqë kishte arritur grada të mëdha në dituri dhe tregti qëndronte në shtëpi duke lexuar trashëgiminë e gjeneratave të para. E kur e pyetshin: a nuk ndihesh i vetmuar? Thoshte: Të ndihem i vetmuar, jo, sepse qëndroi me Pejgamberin edhe shokët e tijë! (transmeton Hatibi në librin e tij mbi historinë, 10/ 154).

Një ummet i cili e mbush kohën e tij duke lexuar gjëra të dobishme, ngritet lart në shkallët e përparimit dhe civilizimit, do të ketë mundësi ta kuptojë jetën dhe ta përmirësojë gjendjen e tij dhe të arrijë synimet e veta, kurse një ummet, kultura e të cilit nuk i kalon kufinjtë e argëtimit, lozjes dhe modës, do të mbetet imitatore dhe e mposhtur, në fund të karavanit dhe pa peshë.

Prej veprave të dobishme gjatë pushimit veror është prania në ligjerata, tribuna, vizitë të farefisit, vizita të ndërsjellta, pjesmarje në aktivitete të ndryshme që janë në dobi të islamit dhe muslimanëve dhe dëfrimi sipas rregullave të lartëpërmendura.

Omer ibn Hatabi [radijall-llahu anhu] thotë:

“Këto duar duhet përdorur në respekt të Zotit para se të përdoren në mëkate ndaj Tij”.

All-llahu [subhanehu ve teala] na ka urdhëruar të dërgojmë salavate mbi Muhammedin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëronie pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”. (El-Ahzab: 56).

P. S. Kjo është hutbe të cilën e ka mbajtur Abdul-Bari Thubejti në xhaminë e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem]. Unë këtë hutbe e kam përkthyer me ca ndërhyrje që i kam parë të nevojshme. (vërejtje e B.H.)

Përgaditi: Bekir Halimi

Bekir Halimi,
7.7.2002