Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O jubesimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…
Lirimi nga Zjarri dhe shpëtimi me xhen-net
Falënderimi i takon All-llahut, Falësit të gabimeve dhe Pranuesit të pendimeve, paqa dhe mëshira qoftë mbi të Dërguarin, që është mëshirë për Gjithësinë, mbi familjen e tij të mirë, mbi shokët e tij të ndershëm dhe mbi gjithë ata që e pasojnë në mënyrën më të mirë.
All-llahu subhanehu ue teala thotë: “Thuaj, o robërit e Mi që keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke bërë gjunahe)! Mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, vërtet All-llahu i falë të gjitha mëkatet. Vërtetë, Ai është Falës I Madh dhe Mëshirëplotë. (ez-Zumer 53); dhe thotë: ” dhe fale namazin në dy skajet e ditës dhe në orët e para të natës. ue ërtetë, veprat e mira i fshijnë të këqijat. Ky është përkujtim për ata që përkujtojnë” (Hud 114)
Vëlla i dashur, të gjithë ne gabojmë, të gjithë kemi nevojë të madhe që të na falen gabimet, të cilat i bëjmë natë e ditë. Prej mëshirës së All-llahut subhanehu ue teala ndaj neve është edhe ajo se ka bërë shumë shkaqe për të na i falë mëkatet. Secili musliman që i bën ato, All-llahu e kaplon me mëshirën e Vet. Por, All-llahu subhanehu ue teala për këtë ka kushtëzuar që ai njeri të ketë iman dhe të jetë larg shirkut, dhe atëherë ia fal mëkatet nëse i vepron ato shkaqe. Ne duhet ta dijmë se kufri (mosbesimi) dhe shirku e pengojnë faljen e mëkateve. Thotë All-llahu subhanehu ue teala: “Vërtetë All-llahu nuk e fal shirkun, ndërsa mëkatet tjera pos tij i fal ” (en-Nisa 116)
Shkaqet për faljen e mëkateve
Urdhëro o vëlla i dashur, merr disa prej shkaqeve me të cilat do të të falen mëkatet, ashtuqë mos ta humbish shpresën prej rahmetit të All-llahut azze ue xhel-le dhe të nxitosh drejt rrugës së faljes dhe kënaqësisë së All-llahut subhanehu ue teala. Thotë Ai: ” dhe nxitoni drejt rrugës së faljes nga Zoti juaj dhe drejt xhennetit të gjërë sa hapësira e qiejva dhe tokës, i përgatitur për të devotshmit”. (Ali-Imran 133)
1.Islami; thotë All-llahu subhanehu ue teala: “Thuaju atyre që nuk besojnë, nëse largohen nga kufri i tyre, do t’u falet e shkuara e tyre “; Transmeton Amër ibën As radijall-llahu anhu se Resulull-llah sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A nuk e ke ditur se Islami fshin gjithë atë që ka kaluar” (Muslimi)
2.Hixhreti për hirë të All-llahut subhanehu ue teala; ajo është: “Shpërngulja nga vendi i kufrit në vend të muslimanëve”. Thotë I Lartësuari: “Vërtetë,Zoti yt për ata të cilët lanë vatrat e tyre pasi u munduan e u shtypën dhe më pas u luftuan dhe duruan e nuk u dhanë, a pas kësaj padyshim se All-llahu është Falës I Madh dhe Mëshirues” (en-Nahël 110); e vazhdimi i hadithit të Amër ibën As-it radijall-llahu anhu: ” edhe hixhreti e fshin atë që ka kaluar”
3.Haxhi i pranuar; Ibën Asi radijall-llahu anhu thotë se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “haxhi e fshin të shkuarën”. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e bën haxhin, e gjatë tij nuk bën gabime e as gjunahe, kthehet i pastër prej gjunaheve sikurse ditën kur ka lindur”. (Buhariu)
4.Duaja në dëgjimin e ezanit; tregon Sa’di radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush thotë: UE ENE ESH-HEDU EL-LA ILAHE IL-LALL-LLAHU VAHDEHU LA SHERIKE LEHU UE ESHHEDU ENNE MUHAMMEDEN ABDUHU ue RESULUHU, RADIITU BIL-LAHI RABBEN ue BI MUHAMMEDIN RESULEN ue BIL ISLAMI DINEN; kur ta dëgjon ezanin, i falen të gjitha gabimet që i ka bërë” .(Muslimi)
5.Amini i të cilit takohet me aminin e melekëve; tregon Ebu Hurejra radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të thotë imami amin (pas fatihas në namaz), thuani edhe ju, sepse amini i atij të cilit takohet me aminin e melekëve (ngase edhe ata thonë amin atëherë), i falen të gjitha mëkatet që i ka bërë” (Buhariu dhe Muslimi)
6.Fjala që thuhet pas “SEMIALL-LLAHU LIMEN HAMIDEHU” nëse takohet me fjalën e melekëve; thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: Kur të thotë imami SEMIALL-LLAHU LIMEN HAMIDEHU, ju thuani: ALL-LLAHUMME RABBENA UE LEKEL HAMD, e nëse kjo fjalë takohet me fjalën e melekëve (ngase edhe ata e bëjnë të njëjtën) atëherë atij i falen të gjitha mëkatet që i ka bërë” (Buhariu dhe Muslimi)
7.Falja e dy rekateve me koncentrim të plotë; thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush merr abdest mirë, pastaj i falë dy rekate duke mos menduar dikund tjetër, i falen atij të gjitha mëkatet” ( Ahmedi ndërsa Albani thotë se hadithi është hasen)
8.Prekja e Gurit të Zi dhe Këndit të Jemenit (ruknul jeman) te Ka’beja; tregon Ibën Omeri radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtetë prekja e Gurit të Zi dhe Këndit të Jemenit i fshin të gjitha mëkatet” (Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih)
9.Tubimi për përkujtimin e All-llahut subhanehu ue teala; tregon Sehël ibën Handhaleh radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Saherë që shpërndahen njerëzit prej tubimit ku kanë përmendur All-llahun, atyre iu thuhet: shkoni, se u janë falur mëkatet”. (Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih); tregon Enesi radijall-llahu anhu poashtu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka njerëz të cilët mblidhen për ta përkujtuar All-llahun, e të mos iu thërret atyre një thirrës prej Qielli e tu thotë: Shkoni, se u janë falur mëkatet” (Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih)
10.Sëmundja; tregon Ebu Umameh radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur sëmuret robi i All-llahut, All-llahu iu thotë melekëve: Unë e lidha robin tim, nëse ia marr shpirtin, ia fali mëkatet, e nëse e shëroj atëherë ai ngritet nga shtrati pa mëkate”. (Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është hasen); Ajsheja radijall-llahu anha tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të sëmuret besimtari, vet ajo e liron prej mëkateve, mu ashtu si farkatari që e largon dryshkun e hekurit”. (Transmeton Buhariu në Edebul Mufred e Albani thotë se hadithi është sahih)
Si të mbrohesh prej dënimit
Vëlla i dashur: Shejhul Islami Ibën Tejmijje rahimehull-llah ka përmendur nëntë shkaqe me të cilat besimtari mund të mbrohet nga dënimi i ndonjë të keqeje që ka bërë:
1. Të pendohet sinqerisht, ashtuqë t’ia falë All-llahu subhanehu ue teala, sepse ai që pendohet nga mëkati është sikurse të mos ketë bërë mëkat;
2. Të kërkojë falje nga All-llahu azze ue xhel-le;
3. Të vepron punë të mira, ashtuqë t’i fshihen të këqijat, thotë All-llahu subhanehu ue teala: “Punët e mira i fshijnë ato të këqijat” (Hud 114)
4. Të luten për të vëllezërit e tij besimtarë;
5. Të ndërmjetësojë për të Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem;
6. Ta sprovojë All-llahu subhanehu ue teala në dunja me fatkeqësi në veten e tij, pasurinë, fëmitë, të afërmit ose atë që ai e don etj.;
7. Ta sprovojë All-llahu azze ue xhel-le me ndonjë prej dënimeve të varrit, ashtuqë t’ia falë mëkatet;
8. Ta sprovojë All-llahu azze ue xhel-le me vështirësitë e Ditës së Kijametit, e t’ia falë mëkatet;
9. Ta mëshirojë Më I Mëshirshmi.
E kujt nuk i mundësohen këto nëntë, atëherë mos ta qorton askënd pos vetvetes. Këtë na e thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem duke e transmetuar fjalën e All-llahut subhanehu ue teala: “Vërtetë veprat e juaja tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, për të cilat Unë do t’ju shpërblej. Kush gjen mirë, le ta falënderojë All-llahun, e kush gjen të kundërtën, mos ta fajësojë askënd pos vetvetes” (Muslimi)
Shkaqet e shpëtimit prej zjarrit
Pasiqë All-llahu subhanehu ue teala ka bërë shkaqe për faljen e mëkateve dhe arritjen e këaqësisë së Tij, poashtu ka bërë edhe disa vepra që e shpëtojnë njeriun nga zjarri. Thotë All-llahu azze ue xhel-le: “Kush nxirret prej zjarrit dhe futet në xhenet, ai ka shpëtuar”.
Urdhëro vëlla i dashur, mëso disa prej atyre shkaqeve:
a) Atij të cilit i vdesin tre fëmijë dhe duron. Tregon Vathile radijall-llahu anha se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i varros tre fëmijë të tij, atij i bëhet haram zjarri i xhehenemit”. (Transmeton Taberaniu e Albani thotë se hadithi është sahih)
b) Ai i cili kujdeset për tri bija apo motra dhe i respekton ato. Tregon Ajsheja radijall-llahu anha se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka kush që kujdeset për tri bija të tij apo motra dhe i respekton ato, e që ato të mos bëhen mbrojtje për të prej zjarrit”. (Transmeton Bejhekiu e Albani thotë se hadithi është sahih)
c) Mbrojtja e nderit të besimtarit kur ai nuk është prezent. Tregon Esma’ bint Jezid radijall-llahu anha se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e mbron nderin e vëllait të tij besimtar, kur ai nuk është prezent, e fiton të drejtën që të lirohet prej zjarrit”. (Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih)
d) Arritja e namazit me xhemat prej tekbirit fillestar, katërdhjetë ditë me rend. Tregon Enesi radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e falë namazin katërdhjetë ditë me rend duke e arritur prej tekbirit fillestar, ai i fiton dy mbrojtje, mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen nga nifaku (dyftyrësia)”. Transmeton Tirmidhiu e Albani thotë se hadithi është sahih
e) Edukata e mirë. Tregon Ebu Hurejra radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush është i sjellshëm, i qetë dhe i butë, All-llahu e mbron atë prej zjarri”. Transmeton Hakimi e Albani thotë se hadithi është sahih
f) Të kujdesurit për namazin e sabahut dhe iqindisë. Tregon Imareh ibën Ruvejbe radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk do ta djegë zjarri atë i cili falet para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij” (Muslimi)
g) Pluhuri i xhihadit. Tregon Ajsheja radijall-llahu anha se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka njeri i cili pluhuroset në rrugë të All-llahut, e All-llahu të mos e mbrojë nga zjarri i xhehenemit”. Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih
Gjërat që të dërgojnë në xhennet
Thotë I Lartësuari: “Ata të cilët besuan dhe vepruan punë të mira, vend i tyre do të jenë xhennetet e Firdeusit”. (el-Kehf 107); dhe thotë: “Do të hyjnë në xhenetet e përhershme të cilat All-llahu ua ka premtuar robërve të Tij” (Merjem 61). Prej atyre gjërave janë:
1.Shqiptimi i shehadetit dhe puna sipas asaj që ai urdhëron. Ubade ibën Samit radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka njeri i cili thotë: Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos All-llahut, I Cili nuk ka shok, se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, se Isau është rob i All-llahut dhe i dërguar i Tij, se është i krijuar prej fjalës që i është thënë Merjemes (prej fjalës ‘kun’-‘bëhu’ e ai është bërë), se Isau është shpirt si shpirtërat tjerë, se xhenneti është hak, se xhehennemi është hak, e All-llahu të mos e futë në xhenet duke mos marrur parasysh se sa ka punuar ai”. (Buhariu dhe Muslimi)
2.Numërimi i emrave të bukur të All-llahut. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu ka 99 emra, kush i numëron ato, do të hyjë në xhenet” ‘Numërimi’ në këtë rast d.m.th. ‘Besimi në to dhe veprimi sipas kuptimit të tyre’.
3.Leximi i Ajetul Kursiji-it pas çdo farzi. Ebu Umameh radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e lexon Ajetul Kursijin pas çdo namazi farz, atë nuk e pengon gjë nga hyrja në xhenet pos vdekjes”. Transmeton Nesaiu e Ibën Haxheri thotë se hadithi është sahih.
4.Leximi i sures Tebareke. Enesi radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Është një sure në Kur’an e cila nuk ka më shumë se 30 ajete, është betuar se lexuesin e saj do ta fusë në xhenet, ajo është sureja Tebareke”. Transmeton Taberaniu e Albani thotë se hadithi është hasen
5.Sadakaja (lëmosha). Hudhejfeja radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush jep sadaka duke dashur të arrijë kënaqësinë e All-llahut, për të vuloset hyrja në xhenet”. Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është sahih
6.Kujdesi për jetimin. Sëhël ibën Sa’di radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin do të jemi kështu në xhenet (dhe bëri isharet me gishtin tregues dhe atë të mesëm).” (Buhariu)
7.Të mos kërkohet diçka prej njerëzve. Theubani radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush më garanton se nuk do të kërkojë prej njerëzve gjë (kur nuk ka nevojë të madhe sh.p) unë ia garantoj xhenetin? Thash: Unë. E pas kësaj më nuk ka kërkuar gjë prej të tjerëve”. Transmeton Ebu Davudi e Albani thotë se hadithi është sahih
8.Ruajtja e gjuhës dhe organit seksual prej harameve. Sehël ibn Sa’di radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush më garanton se do të ruajë atë mes dy mjekrrave (mes mustaqeve dhe mjekrrës) dhe atë mes dy këmbëve, unë ia garantoj xhenetin. (Buhariu)
9.Sabri për shkak të humbjes së miqve ose fëmijëve. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ka thënë All-llahu I Lartësuar: Nuk ka shpërblim tjetër për robin i cili humb ndonjë prej të dashurve të tij e pastaj bën sabër, pos xhennetit”.
10.Respekti i gruas ndaj burrit të saj. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu poashtu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur gruaja i falë pesë namazet, e agjëron Ramazanin, e ruan nderin dhe e respekton burrin, do të hyjë në xhennet nga cila derë të dojë”. Transmeton Ibnu Hibbani rahimehull-llah e Albani rahimehull-llah thotë se hadithi është sahih.
11.Gruaja e cila vdes gjatë nifasit (lehonisë). Rashid ibën Hubejshi radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që vdes në xhihad është shehid, ai që vdes prej epidemive është shehid, ai që fundoset është shehid, ai që vdes prej sëmundjeve të barkut është shehid edhe ato që vdesin gjatë lehonisë janë shehide, këto gra, fëmijët e tyre do t’i krehin për rrobat e tyre deri në xhennet”. Transmeton Ahmedi e Albani thotë se hadithi është hasen
12.Denoncimi nga mendjemadhësia, hileja dhe borxhi. Theubani radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vdes duke qenë larg mendjemadhësisë, hiles dhe borxhit do të hyjë në xhennet”. (Transmeton Tirmidhiu e Albani thotë se hadithi është sahih)
13.Udhëheqësi i drejtë, njeriu i mëshirshëm dhe i butë si dhe njeriu i ndershëm e me familje e që është i varfur. Ijad ibën Hammar radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Banorët e xhenetit janë këta tre llojë: udhëheqësi i drejtë që kujdeset për popullin, njeriu i mëshirshëm dhe i butë për të gjithë muslimanët dhe njeriu i ndershëm e me familje e që është i varfur. (Muslimi)
14.Mëshira ndaj kafshëve. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu na transmeton nga Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tregonte: “Se një njeri kishte parë një qen i cili nga etja e hante dheun, e ky njeriu u mundua dhe i gjeti ujë derisa ia largoi etjen e All-llahu e falënderoi dhe e futi në xhennet” (Buhariu)
15.Heqja e pengesave prej rrugëve. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kam parë njeri në xhenet i cili shëtiste aty, e që ishte futur në xhennet për shkak se e ka prerë një degë prej një druri e cila iu ka penguar njerëzve”. (Muslimi)
16.Me ua fal të dobtëve. Hudhejfeja radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një njeri ka vdekur dhe ka hyrë në xhennet, e i është thënë: ا’ke punuar ti? Ka thënë: kam qenë tregtar, e kur kisha punë me të dobëtit (të vobektit) ua bleja mallin edhe nëse e kishin me të meta”. (Muslimi)
17.Ai që kërkon xhenetin dhe mbrojtjen prej xhehennemit tri herë. Enesi radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush kërkon prej All-llahut xhenetin tri herë, xhenneti thotë: O Zot, fute në xhennet. Kush kërkon mbrojtje prej xhehennemit tri herë, xhehennemi thotë: O Zot, liroje këtë prej zjarri”. Transmeton Tirmidhiu e Albani thotë se hadithi është sahih
Shkaqe tjera për shpëtim
Abdesti pas kryerjes së nevojës dhe falja e dy rekateve pas këtij abdesti. Ebu Hurejra radijall-llahu anhu na tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem i ka thënë Bilalit radijall-llahu anhu: “O Bilal, më trego cilën punë më shpresëdhënëse në Islam e ke punuar, se unë e kam dëgjuar zërin e nalleve tua në xhennet?” Tha: Nuk kam bërë ndonjë punë të jashtëzakonshme pos asaj se saherë që kam marrur abdest natën ose ditën, nuk kam lënë pa i falur dy rekate”. (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi i ditës Arafatit dhe asaj të Ashurasë. Ebu Katade radijall-llahu anhu tregon se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve, të kaluarës dhe të ardhmes, e agjërimi i ditës së Ashurasë i shlyen mëkatet e vitit të kaluar”. (Muslimi)
Lusim All-llahun azze ue xhel-le që të na i fal mëkatet dhe të na i pranojë veprat tona. Paqa dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi Resulull-llahun, familjen e tij dhe shokët e tij.
shqipëroi: Omer Rushdi Berisha
© Copyright 1999-2001 AlbIslam.Com
AlbIslam Service,
12.10.2001