Falënderimi i takon All-llahut. Atë efalënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O jubesimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…
Munafikët janë miq të njëri-tjetrit
Falënderimi i takon All-llahut subhanehu ve teala, i Cili u ndihmon besimtarëve dhe i mposht ata që largohen nga rruga e drejtë. Lutjet dhe paqa qofshin për Pejgamberin më të mirë, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për familjen e tij dhe shokët e tij në përgjithësi!
Koha jonë është e dalluar me atë se i kanë ngritur zërat munafikët (hipokritët) anembanë botës islame. Për ta janë veçuar faqe, thirren nëpër debate, me ta tubimet janë më festive dhe ata kanë dominuar në mjetet e informimit, gjë që mund ta vërejë secili.
Çështja e munafikëve nuk është gjë e re. Ata janë armiq të përbetuar të Islamit që kur u dërgua Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Bëjnë kurtha, planifikojnë, realizojnë. All-llahu subhanehu ve teala i ka cilësuar munafikët në tridhjetë e shtatë vende në Kur’an, bile edhe një sure (kaptinë) e plotë është quajtur “El-Munafikun” (hipokritët). Edhe sunneti është përplot me sqarim dhe zbulim të kësaj çështjeje të rrezikshme.
Pasiqë lufta mes së vërtetës dhe të kotës vazhdon deri në fund të kësaj bote, ne vazhdimisht i shohim cilësitë e njëjta që i trashëgojnë munafikët brez pas brezi deri më sot. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Kur t’i shohësh (munafikët), të mahnit pamja e tyre e nëse të flasin, ua dëgjon fjalët. Por ata janë si drunjë pyka (që nuk përdoren) ” (elMunafikun: 4). E sot të shumtë janë ata që i dëgjojnë munafikët, kurse ata ua pështjellin gjërat njerëzve dhe pretendojnë se janë përmirësues dhe se po mundohen t’i shpëtojnë. Njëlloj sikur që thoshte Faraoni për Musain alejhis selam: “Unë frigohem se ky do t’jua ndrrojë fenë e juaj ose mos bëjë çrregullime në tokë”.
Është çudi se si një grup munafikësh, që numrohen në gishta, mundin të prishin një popull! Ta largojnë nga feja duke e thirrur në të ashtuquajturën liri dhe emancipim; duke e thirrur në rezilllëk. Nëse e analizon historinë jo të largët vëren se si në një shtet të afërt disa kopilë, jo më shumë se njëqind, patën sukses t’i prishin shtyllat e moralit dhe nderit duke e hequr mbulesën nga fytyra e besimtares. Kështu e sollën popullin e vet në buzë të humnerës duke e larguar mbulesën dhe turpin duke e nxjerrë gruan shumë keq të veshur nëpër rrugë, zyra, skena, bile edhe të paveshur nëpër plazhe. Përderisa të ëmës nuk i dukej as thoi, as një qime e flokut erdhën këta dhe e hoqën mbulesën pak nga pak.
Kështu janë munafikët. Në çdo popull dhe në çdo skaj. I shfrytëzojnë shanset dhe ta presin udhën. “Munafikët dhe munafiket janë miq të njëri- tjetrit. Ata urdhërojnë për (punë) të këqija dhe ndalojne nga të mirat.” Ata ecin rrugës së tyre bashkë duke u mbajtur fort dhe e inkurajojnë njëri- tjetrin për të qëndruar në gënjeshtrën e tyre. “Dhe u nisësën një grup prej tyre duke thënë: Ecni dhe bëhuni të qëndrueshëm në besimin ndaj zotrave tuaj!’.”
Mendo rreth munafikëve, sepse ata janë miq të njëri- tjetrit. Ata e kanë plotësuar atmosferën duke bërë zhurmë nëpër gazeta, ekrane televizive dhe radio. Luftë e çuditshme prej të cilës nuk shpëton as tenda e as pallati; as burrë, as grua; as fëmijë, as plak. Të neveritet shpirti kur i sheh ato shkrime e ato fotografi përmes të cilave të okupon fëlliqësia e mëkatit që është sa shkuma e detit. Edhe vjedhësi i druve denoncohet prej tyre. Ai është më i mirë se ata.
Për të qenë fotografia më e qartë, do të përmend disa cilësi të munafikëve, që ta ketë të qartë çështjen muslimani e mos marrë ndonjë rrugë të gabuar e të rrezikshme e t’i klasifikojë njerëzit me paragjykime. Por, ne përpara kemi shtylla në të cilat mund të mbështetemi dhe shenja sipas të cilave duhet të ecim që ta njohim munafikun duke qenë të sigurtë se ai është ai. ” ata janë armiqtë, pra ruaju prej tyre!”
Disa cilësi të tyre:
1. Kryerja e ibadeteve me përtaci. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Kur ngriten për tu falur, ngriten me përtaci “
2. All-llahun subhanehu ve teala nuk e përmendin shumë. ” dhe All-llahun nuk e përmendin përveçse pak.”
3. I përqeshin besimtarët e mirë dhe e shkelin personalitetin e tyre. ” ata që i përqeshin besimtarët e mirë “
4. Tallen me Kur’anin dhe Sunnetin. “Thuaj: A me All-llahun, me ajetet (fajlët) e Tij dhe me pejgamberin e tij po talleshit? Mos u arsyetoni! Ju jeni bërë kafira (keni dalë nga Islami) pasiqë ishit besimtarë.’.”
5. E shkelin nderin e njerëzve të mirë duke i përgojuar. “
6. Nuk i falin namazet me xhemat në xhami. Ibën Mes’udi radijall-llahu anhu tregon: “(në kohën e Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) Nuk mungonte nga namazet me xhemat askush pos munafikëve që njiheshin si të tillë haptazi.” (Muslimi)
7. Tjetër kanë në zemër e tjetër tregohen (shtirren). Bile kjo është çështja rreth të cilës vijnë të gjitha të tjerat. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Kur vijnë tek ti munafikët thonë: Dëshmojmë se ti je i Dërguari i All-llahut.’- e All-llahu e di se ti je i Dërguari i Tij. E All-llahu dëshmon se munafikët po gënjejnë (në thënien e tyre, sepse ata nuk besojnë).” Aq shumë ata e përsërisin se sa e mirë është kjo fe dhe sheriati, se sa shumë kujdesen për mbrojtjen e shoqërisë islame, por nëse shikon në veprat e tyre, të personifikohet ky ajet në to dhe e merr vesh se çkanë në zemra.
8. Ata urdhërojnë për punë të këqija dhe ndalojnë nga të mirat. Thotë All-llahu subhanehu ve teala: “Ata urdhërojnë për (punë) të këqija dhe ndalojnë nga të mirat”. Pra, analizo mendime e tyre për mbulesën dhe punësimin të gruas.
9. Ata nuk e njohin Islamin, ashtuqë vëren se kanë të dhëna të çuditshme, dinë imtësira precize në çështjet e kësajbotshme, por nëse e pyet për një çështje të thjeshtë në fe, hesht. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Por, munafikët nuk kuptojnë”.
Këto janë vetëm nëntë prej tridhjetë e më tepër cilësive të tyre, por të mjafton kapistalli sa e ke qafën. Bile edhe vetëm me një cilësi e dallon atë që i ka shpallur luftë All-llahut dhe Pejgamberit të Tij. Po e themi këtë për shkak se ata janë rrezik i madh dhe ata janë që All-llahu subhanehu ve teala do t’i vërë në shtresën më të ultë të Zjarrit. Ata e kanë dënimin më të rëndë se kafirat (të pafetë) dhe mushrikët (politeistët). All-llahu subhanehu ve teala ka thënë: “Munafikët janë në shtresën më të ultë të Zjarrit dhe për ta nuk ka ndihmëtarë”. E dikush prej selefit ka thënë: “Po të kishin munafikët bishta, nuk do të mund të kalonim nëpër rrugë për shkak se janë shumë”. Ndërsa sot ka edhe më tepër, e All-llahu subhanehu ve teala do të ngadhënjejë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
O All-llah! Na i pastro zemrat tona nga munafikllëku dhe na ruaj nga të këqijat tona dhe nga veprat tona të shëmtuara! O All-llah! Na e demonstro fuqinë tënde mbi munafikët! O Zot! Mos u jep atyre flamur dhe bëji ata mësim për pasardhësit! O All-llah! Na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët! All-llahu i faltë paqe Pejgamberit tanë, Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem familjes së tij dhe shokëve të tij, të gjithëve!
Autor: AbdulMelik elKasim
përktheu: Xhemal N. Jakupi,
9.3.2001