Falënderimi i takon All-llahut. Atë e
falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga
All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon
All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e
udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe
dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.


“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një
frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!”
(Ali Imran:
102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një
veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin,
se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”
(En-Nisa:1)
“O ju
besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton
All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”

(El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut,
kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve
sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në
zjarr…

Pendimi…

Cilësitë, kushtet dhe mjetet që ndihmojnë pendimin…

Ebu Seid el-Hudriu t thotë:

“Ju sot po bëni disa vepra, të cilat në sytë e juaj duken më të holla se qimja, kurse ne në kohën e Pejgamberit e i konsideronim si mëkate të mëdha”

Këto fjalë të këtij as-habi të nderuar na sqarojnë rrezikun e gjendjes sonë, këto ditë kur kemi filluar t’i konsiderojmë mëkatet të imta dhe nuk e shohim rrezikun e veprimit të tyre, edhe pse mëkatet që i bëjmë mund të jenë të mëdha, madje disa prej nesh nga pakujdesia bëjmë mëkat as duke mos e hetuar.

Të ndiesh keqardhje për gabimin e bërë është kushti më i rëndësishëm i pendimit.

Muhammedi e thotë: “Të ndiesh keqardhje (për mëkatin e bërë) është pendim.”

Kështu mund ta humbim një rast të volitshëm për pendim. Gjithashtu, konsiderimi i mëkateve të vogla bën që mëkatari të adapatohet në mëkate dhe të mos ketë kujdes a bën mëkate ose jo, edhe pse All-llahu i Madhëruar na ka ofruar rast për pendim dhe kërkim faljeje, siç thotë Muhammedi e:

“Pronari i të majtës (meleku që i shkruan mëkatet) ngren lapsin e tij gjashtë orë nga muslimani mëkatar, nëse pendohet dhe kërkon falje për këtë (mëkat), e lëshon, përndryshe ia shkruan një mëkat”

Për këtë shkak, në rast se muslimani bën mëkat, nuk guxon të dëshprohet, por e ka për detyrë ta pranojë mëkatin ndërmjet tij dhe Zotit, të pendohet dhe ta dijë se “zvogëlimi” i mëkatit nuk i bën dobi, as që e zvogëlon krimin, përkundrazi – e shton dhe e zmadhon atë, ngase kjo është nënçmim i ndalesave të All-llahut.

Rruga e vërtetë është pendimi, që muslimani të përfitojë nga gjërësia e mëshirës së All-llahut dhe të ecë rrugës së vërtetë, në ç’mënyrë do ta shpëtojë vehten nga dënimi i All-llahut .

Njeriu, qoftë edhe besimtar shembullor, mund të gabojë. Për këtë shkak ekziston pendimi ndaj Zotit Madhështor, pendim, i cili nuk ka nevojë për ndërmjetësim të dikujt, por mjafton zemra e pastër. Muhammedi e thotë:

“Cdo bir i Ademit gabon, ndërsa më i miri prej gabimtarëve është ai, i cili pendohet.”

Pra, për të qenë ndër njerëzit më të mirë në këtë dhe në botën tjetër, jemi të obliguar me pendim ndaj Zotit të Vetëm.

Domosdoshmëria e pendimit të sinqertë

Duhet ditur se pendimi i sinqertë është obligim i çdo muslimani.

All-llahu thotë:

“O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë…”

“Ata që nuk pendohen, janë mizorë”

Muhammedi e thotë:

“O njerëz, pendohuni te All-llahu, sepse unë pendohem njëqind herë në ditë!”

Të gjithë dijetarët islamikë pajtohen në atë, se pandimi është i obliguar dhe i domosdoshëm.

Kurtubiu, Zoti e mëshiroftë thotë: “I gjith ummeti dakordohet në atë se pendimi është farz për çdo besimtar.”

Ibnu Kudame El-Mekdisi, Zoti e mëshiroftë thotë: “Ekziston konsenzus (pajtim i të gjithë dijetarëve) për domosdoshmërinë e pendimit, ngase mëkatet janë shkatërruese, që largojnë nga rruga e All-llahut. Për këtë shkak duhet ikur nga to sa më shpejt.”

Kjo thuhet sepse çdo njeri pa përjashtim i ekspozohet mëkatit.

Për këtë shkak duhet patur kujdes këto vepra:

Një:

Duhet patur kujdes të mos na duken mëkatet që i bëjmë të imëta, pa marrë parasysh se a janë të vogla ato ose të mëdha, se nëse tubohen mëkatet e vogla duke mos u penduar për to, mund të na shkatërrojnë. Muhammedi e thotë:

“Keni kujdes mëkatet e vogla, sepse shembulli i mëkateve të vogla është sikur shembulli i një populli që kishte zbritur në një luginë dhe vjen një njeri me një degë, vjen tjetri poashtu me një degë, derisa tubuan aq drunj, saqë poqën bukën. Nëse dikush bën mëkate të vogla (pandërprerë), ata e shkatërrojnë ate.”

Dy:

Ka njerëz që i konsiderojnë mëkatet e veta të imëta, kurse ato te All-llahu janë të mëdha. Për këtë shkak, ata vazhdojnë t’i veprojnë mëkatet, sidomos kur shohin edhe njerëz tjerë duke i bërë këto mëkate haptazi.

Transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Seid El-Hudriu t, i cili thotë:

“Ju po bëni disa vepra që në sytë e juaj duken më të holla se qimja, kurse ne në kohën e të Dërguarit të Zotit e i konsideronim prej mëkateve të mëdha.”

Pra, assesi nuk duhet konsideruar mëkatet të vogla, edhe pse njerëzit nuk u japin rëndësi.

Tre:

Duhet patur kujdes të mos bëjmë mëkate haptazi dhe të mos u tregojmë njerëzve mëkatet që i kemi bërë në të kaluarën:

Muhammedi e thotë:

“I gjith ummeti është i falur, përveç atyre që i bëjnë mëkatet haptazi. Dikush bën natën ndonjë mëkat, pastaj në mëngjes, pasiqë All-llahu e ia ka mbuluar, thotë: Unë mbrëmë kam bërë këtë e këtë.

Mbrëmë ia mbuloi All-llahu, kurse sot ai e heqë mbulesën e All-llahut prej tij!”

Një prej shkaqeve që bërja e mëkatit haptazi konsidrohet mëkat në vehte është se kjo gjë ndikon që edhe njerëzit tjerë t’i konsiderojnë këto mëkate të vogla, e kështu përhapet amoraliteti në shoqëri.

All-llahu thotë:

“Ata, të cilët dëshirojnë të përhapin amoralitet ndër besimtarët, i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di, e ju nuk dini!”

Kjo nuk domethënë se kur dikush është larg syve të njerëzve, ose nëse nuk e tregon mëkatin e bërë, i lejohet të bëjë mëkat. Hadithi i lartcituar ka kuptim se nëse dikush bën ndonjë mëkat me qëllim ose pa qëllim, le të mos ua tregojë njerëzve atë që ka vepruar, le ta mbulojë mëkatin dhe le të mos e përhapë.

Muhammedi e atyre, të cilët kur janë vetë ia lejojnë vetvehtes bërjen e mëkateve, ua tërheqë vërejtjen duke thënë:

“Njoh një grupë njerëzish prej ummetit tim, të cilët do të vijnë Ditën e kijametit me vepra të mira sa malet e bardha të Tihamit, jetojnë natën ashtu sikur që jetoni edhe ju (dmth-bëjnë ibadet), por atyre All-llahu do t’ua bëjë veprat pluhur, sepse kur vetmohen (nga njerëzit tjerë), bëjnë mëkate.”

Pra, duhet patur kujdes nga të bërit mëkate haptazi dhe duhet patur kujdes të mos bëjmë mëkate kur jemi të vetmuar, ngaqë All-llahu e di të fshehtën dhe ashiqaren. Ai është i Gjithdijshmi.

Katër:

Duhet patur kujdes vonimin e pendimit.

Askush nuk e di se kur mund t’i vjen vdekja. Ajo mund të jetë më afër se sa mendon, mund të vjen papritur, kurse pendimi nuk pranohet gjatë gargaritjes së vdekjes, kur vjen shpirti në fyt.

Muhammedi e thotë:

“All-llahu i Lartësuar pranon pendimin e robit derisa ai nuk gargaritë (para vdekjes).”

Pra, duhet shpejtuar pendimin prej çdo mëkati dhe nuk duhet vonuar atë.

Muhammedi e thotë:

“Cdo robi (të Zotit) që bën mëkat, pastaj merr abdest mirë dhe i fal dy rekate namaz e në fund kërkon falje prej All-llahut për këtë mëkat, All-llahu ia fal mëkatin e bërë.”

Pesë:

Duhet patur kujdes vazhdueshmërinë në të bërit mëkate.

All-llahu thotë:

“…Edhe ata, të cilët kur bëjnë ndonjë të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre-e kush i fal mëkatet përveç All-llahut?-dhe që duke e ditur, nuk vazhdojnë atë që kanë punuar.”

Gjashtë:

Duhet patur kujdes të mos i bëjmë gabimet, të cilat më i kanë bërë njerëzit tjerë.

Kur disa njerëz nuk i kryejnë disa obligime (vaxhibe) ose nuk largohen prej disa harameve, thonë: “Kjo nuk është vaxhib ose kjo nuk është haram.” Polemizojnë dhe mendojnë se në këtë mënyrë kanë larë vehten nga përgjegjësia dhe dënimi. Mirëpo, nuk është kështu… All-llahu di atë që fsheh gjoksi. Për këtë shkak, duhet patur kujdes këtë cytje të shejtanit.

Shtatë:

Disa njerëzve u jep Zoti U të mira në këtë botë, ndërsa ata akoma vazhdojnë të bëjnë mëkate. Për këtë flet edhe Muhammedi e:

“Kur të shohësh se All-llahu i jep një robi (të vet) prej kësaj bote atë që e do, kurse ai akoma bën mëkate, dije se kjo është shkallëzim drejt shkatërrimit të tij nga All-llahu”

Kjo ndodh ngase prej ligjeve që i ka vendosur All-llahu është, siç thotë Pejgamberi e edhe ky:

“All-llahu ia jep dunjanë atij që e do dhe atij që nuk e do, mirëpo fenë ia jep vetëm atij që e do…”

Tetë:

Nuk duhet humbur shpresën nga mëshira e All-llahut, sepse Ai thotë:

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni bërë gabim ndaj vehtes, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, se vërtet All-llahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi. Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë më kush t’ju ndihmojë.” ;

“Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit, përveç atyre që janë të humbur.”

Kushtet e pendimit

Dijetarët kanë përmendur disa kushte për të qenë pendimi i pranuar . Këto kushte janë marrë prej Kur’anit dhe haditheve të vërteta, sepse pendimi nuk është vetëm fjalë e thënë, por duhet të shoqërohet edhe me vepra, të cilat do ta argumentojnë sinqeritetin e penduesit. Këto kushte janë:

1-Të ndiesh keqardhje për mëkatin e bërë.

Muhammedi e thotë:

“Të ndiesh keqardhje për mëkatin e bërë është pendim.”

2-Të largohesh nga mëkati.

3-Të vendosësh se nuk do të kthehesh më në mëkatin e njëjtë.

4-T’ua kthesh të drejtat njerëzve që i ke dëmtuar gjatë bërjes së mëkatit ose të kërkosh hallallëk (falje) prej tyre. (Psh. ai që ka vjedhur duhet t’ia kthejë mallin e vjedhur pronarit të mallit.)

Pendim i sinqertë

Pendimi duhet të jetë e sinqertë dhe për hir të All-llahut , me të duhet shpresuar Fytyrën e Tij dhe nuk duhet të jetë për ndonjë qëllim tjetër.

Nuk konsiderohet pendues ai që e le vjedhjen nëse nuk gjen ç’të vjedh më, si dhe ai që le alkoolin ngase mjeku ia ka tërheqë vërejtjen prej dëmeve të tij ose pse nuk gjen më para për ta blerë.

Muhammedi e thotë:

“All-llahu i Lartësuar e pranon vetëm atë vepër që është e sinqertë për Të, dhe me të cilën shpresohet Fytyra e All-llahut.”

Disa vepra që ndihmojnë pendimin

Ekzistojnë edhe vepra, të cilat ia lehtësojnë pendimin mëkatarit, si dhe ndikojnë që pendimi të jetë sa më i pranueshëm nga ana e All-llahut të Lartmadhëruar:

1-Të jetë vendosja (nijjeti) për pendim e sinqertë dhe vetëm për hir të All-llahut (si edhe në të gjitha veprat tjera).

Muhammedi e thotë:

“All-llahu i Lartësuar e pranon vetëm atë vepër që është e sinqertë për Të, dhe me të cilën shpresohet Fytyra e All-llahut.”

2-Mëkatari duhet vazhdimisht të mundohet që të veprojë sa më shumë vepra të mira, të cilat do ta përforcojnë në rrugën e drejtë, dhe kështu t’i rëndojë peshoja e të mirave, e cila do t’ia fshiejë mëkatet.

All-llahu thotë:

“S’ka dyshim se veprat e mira i fshijnë të këqijat”

Kur Muhammedi e e dërgoi Muadhin t në Jemen, e porositi duke i thënë:

“Muadh! Ki frikë All-llahun kudo që të jesh. Pas veprës së keqe bëje një të mirë, e cila do ta fshijë të keqen, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”

Ibni Tejmiu, Zoti e mëshiroftë, thotë:

“…Mendjeprehtë është ai, i cili vazhdimisht bën vepra të mira, të cilat ia fshijnë veprat e këqija…”

3-Ta ndiejë se mëkati është gjë e shëmtuar dhe se ai sjell dëme në dunja dhe ahiret (në këtë botë dhe në botën tjetër).

4-Të largohet prej vendit ku ka bërë mëkat dhe të mos i vizitojë vendet ku bëhet mëkat;

5-Ti shkatërrojë mjetet me të cilat ka bërë mëkate (p.sh. ish-alkoolisti duhet ta hedhë alkoolin që i ka ngelur, ndërsa ish-muzicienti duhet ta shkatërrojë instrumentin me të cilin është marrë, ose ta largojë atë duke e shitur, etj);

6-Të gjejë shokë të mirë, të cilët i ndihmojnë që të bëjë vepra të mira dhe të mos shoqërohet më me njerëzit e këqij, me të cilët ka bërë mëkate.

7-T’i lexojë ajetet dhe hadithet, të cilat përshkruajnë dëmin që do ta pësojë mëkatari në ahiret (në botën tjetër).

8-Të përkujtohet se dënimi mund t’i vijë shpejt, në çdo rast.

All-llahu thotë:

“…Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.”

9-Ta përmendë All-llahun pandërprerë, në çdo rast. Dhikri (përmendja e Zotit) është një ndër shkaqet më të mëdha që ndihmojnë njeriun për ta larguar shejtanin. Gjithashtu, le të mundohet që çdo ditë ta thotë dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, dhe dhikrin e parafjetjes .

Mëshira e All-llahut është e gjerë

Disa njerëz bëjnë mëkate, e kur t’i thuash ndonjërit prej tyre: “Ki frikë All-llahun dhe pendohu”, thotë: “Përse të pendohem, mëkatet e mia janë të mëdha dhe nuk ka pendim që i fshien!”

Këtij lloji të njerëzve All-llahu u thotë:

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët keni ngarkuar vehten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, se vërtet All-llahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi!”

“All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen (prej punëve të ndyta e të neveritshme)”

Muhammedi e thotë:

“Vërtet All-llahu shtrin dorën natën për t’iu penduar ai që ka bërë mëkate gjatë ditës dhe shtrin dorën ditën për t’iu penduar ai që ka bërë mëkate gjatë natës, derisa të lind dielli nga perëndimi (afër Ditës së?Gjykimit).”

All-llahu thotë:

“Ai që bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te All-llahu, e gjen All-llahun Falës, Mëshirues.”

All-llahu thotë:

“Lajmëroi robërit e Mi se vërtet Unë jam Falësi, Mëshiruesi, por edhe se dënimi Im është vërtet dënim i dhembshëm.”

All-llahu thotë:

Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.”

Dobitë që i sjell pendimi

1-Pendimi fshin mëkatet.

Muhammedi e thotë:

“Penduesi prej mëkatit është sikur ai që s’ka mëkate.”

2-Pendimi i shndërron të këqijat në të mira.

All-llahu thotë:

“…Përveç atij që është penduar, ka besuar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi.”

3-Pendimi ia pastron zemrën atij që pendohet.

Muhammedi e thotë:

“Kur ta bëjë robi ndonjë mëkat, në zemër i bëhet një pikë e zezë, nëse ai largohet (nga mëkati), pendohet dhe kërkon falje, pastrohet zemra e tij, kurse nëse e përsërit mëkatin, (kjo pikë) shtohet derisa ia kaplon gjithë zemrën, kjo është (shprehja) “Er-Ran” të cilën All-llahu e ka përmendur në Kur’an:

“…të këqijat që i punuan ua mbuluan zemrat e tyre…” “

4-Pendimi shkakton jetë të qetë dhe të sigurtë.

All-llahu thotë:

“Kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai, se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira (në këtë botë) deri në një afat, dhe çdo punëmiri do t’ia jep shpërblimin e merituar.”

5-Pendimi shkakton zmadhim të furnizimit (rizkut) dhe fuqisë.

All-llahu thotë:

“Kërkoni falje Zotit tuaj, se vërtet Ai fal shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.”

6-Pendimi shkakton shpëtim në dunja dhe ahiret (në këtë botë dhë në botën tjetër).

All-llahu thotë:

“E për sa i përket atij që është penduar, që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, le të shpresojë se është nga të shpëtuarit.”

“Përveç atyre që janë penduar, kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira. Atyre nuk do t’u bëhet kurrfarë e padrejte, ata do të hyjnë në Xhennet.”

Dëmet nga mëkatet

Një dijetar përmend disa dëme që mund t’i shkaktohen mëkatarit nga mëkati:

1-E pengon në fitimin e diturisë.

2-Nuk e lejon t’i kryejë obligimet Islamike.

3-Nuk i ecë puna mbarë.

4-Nuk ka krenari (ndihet i mposhtur)

5-Përfundimi i tij është i keq.

6-Nuk gjen qetësi në zemër.

7-Nuk posedon begati (bereqet) në pasuri.

8-Bëhet zemërngushtë.

9-I vuloset zemra.

10-Vuan në jetë.

11-Dënohet në ahiret.

Si të pendohem?

Hapi i parë që duhet bërë për t’u penduar është lënia e mëkatit ose mëkateve, shpejt dhe pa mëdyshje.

Duhet vendosur që mëkati të mos e përsëritet më dhe duhet ndier keqardhje për mëkatet e bëra. Pastaj duhet larguar prej të gjitha mjeteve që janë shfrytëzuar gjatë bërjes së këtyre mëkateve.

Shumë e dobishme është të marrësh abdest, pastaj t’i falësh dy rekate namaz, sepse Pejgamberi e thotë:

“Cdo person që bën mëkat, pastaj pastrohet dhe fal dy rekate, dhe në fund kërkon falje prej All-llahut, All-llahu ia fal, pastaj lexoi këtë ajet:

“Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre-e kush i fal mëkatet përveç All-llahut?-dhe që duke e ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar.” “

Duhet dhënë rëndësi marrjes së abdestit ashtu siç ka urdhëruar All-llahu para faljes së këtyre dy rekateve, ngase Muhammedi e thotë:

“Atij që merr abdest mirë, me daljen e pikave (të fundit) nga thonjtë e tij i dalin edhe mëkatet nga trupi i tij.”

Ajo që më së tepërmi nxit në pendim është se pendimi i sinqertë, përveç që i fshin mëkatet, ai edhe i shndërron mëkatet në shpërblime.

All-llahu thotë:

“S’ka dyshim se veprat e mira i fshijnë të këqijat”

Muhammedi e thotë:

“…Pas të keqes bëje një të mirë, e cila e fshin të keqen…”

All-llahu thotë:

“Përveç atij që është penduar, ka besuar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi.”

All-llahu është i Fisnik, Falës, më i Mëshirshëm ndaj robërve të Vet sesa nëna për fëmijën e saj. Për këtë shkak duhet drejtuar All-llahut me pendim dhe duke kërkuar falje, sepse All-llahu nuk largohet prej robit që shpreson Mëshirën e Tij, e cila kaplon çdo gjë.

Gjithashtu po e përmend përsëri se pendimin nuk duhet vonuar.

“Shembulli i atij që e vonon pendimin është sikur shembulli i atij që ka nevojë ta prejë një dru, mirëpo e sheh drurin e madh dhe të fortë, i cili nuk mund të pritet lehtë, dhe thotë: “Do të vij vitin e ardhshëm”, kurse nuk e din se sa më tepër kohë kalon, druri bëhet aq më i fortë dhe rrënjët e tij futen edhe më thellë në tokë, kurse ai sa më shumë dobësohet (për shkak se fillon të plaket).

Ai dobësohet e druri forcohet. A thua do ta presë ndonjëherë?”

All-llahu në hadith kudsij thotë:

“Atij që më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, atij që më afrohet një krah, i afrohem një pash dhe atij që më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.”

Për këtë shkak duhet tentuar afrimin kah All-llahu, duke iu penduar dhe nënshtruar Atij, si dhe duke ndier keqardhje për mëkatet e bëra.

Nëse e bëjmë këtë, a thua nuk do të na i fal mëkatet Ai që është më i Mëshirëshëm ndaj robit të Vet sesa që është nëna ndaj fëmijës të saj?

“Shpejtoni në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe (shpejtoni) për në Xhennet, gjërësia e të cilit është sa gjërësia e qiejve dhe tokës, i cili është i përgaditur për të devotshmit.”

Na bëftë All-llahu prej të devotshmëve dhe na shpërbleftë me Xhennet.

Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të Dërguarin, mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Zotit.

Falëndërimi i takon All-llahut, Zotit të botërave.

Përktheu:

Llukman Neziri

Redaktoi:

Ramadan Ramadani

Lektor-korrektor:

Afërdita Shabani

shkëputur nga libri me titull: “Si të pendohem” URTESIA-Shkup1996

“Si të pendohem” URTESIA-Shkup1996,
13.1.2001