PASONI DHE MOS SHPIKNI

Falënderimi I takon vetëm Allahut I Cili na e përsosi fenë, plotësoi begatit tona dhe zgjodhi që feja ynë të jetë islami.

E falënderojmë Allahun subhanehu ve teala i Cili zbriti Kur’anin dritë të qartë me të cilin Ai udhëzon atë me të cilin është i kënaqur duke I nxjerr nga errësira në dritë dhe i udhëzon në rrugën e drejt.

Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt pos Allahut i Cili është i pashoq, dhe dëshmoj se pejgamberi ynë Muhamedi alejhisselam është rob dhe i dërguari i Tij, të cilin e dërgoi me udhëzim dhe fe të vërtet, kumtoi atë që ju shpall nga Allahu, e kreu amanetin e tij, këshilloi umetin duke i lënë në një hapësirë të bardhë ku nata e saj është sikurse dita, nuk devijon nga ajo askush pos i humburi.

Lavdërimet dhe përshëndetjet qofshin mbi Pejgamberin, mbi familjen e tij dhe shokët e tij me të cilët është ngritur flamuri i sunnetit dhe është frenuar bidati (risitë), po ashtu lavdërimet dhe përshëndetjet qofshin mbi tabiinët, ata që i pasojnë në të mirë dhe udhëzohen me udhëzimin e tyre dhe pasojnë rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

O ju besimtar keni frikë Allahun, kapuni për islamin me një lidhje të pakëputshme, ndiqeni sunnetin e Muhamedit alejhisselam duke u kapur dhe u ngjitur për te me dhëmballë.

Rruajuni nga çështjet e shpikura ngase çdo e shpikur është bidat (risi) e çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të sjell në xhehenem (zjarr).

O ju besimtar vërtet Allahu përsosi këtë fe, e zgjodhi atë dhe i plotësoi begatit e tija

Libri i Allahut dhe sunneti i të dërguarit të Tij, Muhamedit alejhis-selam në rrugën e udhëzimit si kanë lënë askujt të thotë ndonjë fjalë e as hapësirë për të shpikur diçka.

Ai i cili është kapur për Kur’anin dhe sunetin e Muhamedit, alejhisselam, është kapur për një lidhje e cila nuk ka këputje dhe me këtë vepër vetëm se ka arritur sukses në këtë botë dhe ahiret.

Allahu, subhanehu ve teala, në Kur’an thotë:

“… sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jushë dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (El- Maide: 3).

“Dhe se kjo është rruga(feja) ime e drejtë ( që e caktova për ju) , pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porosit e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (El- En’am: 153).

Transmeton Taberaniu një hadith me sened të vërtet nga Muhamedi, alejhisselam, ku thotë:

“Nuk kam lënë gjë e cila ju ofron te Allahu veç se ju kam urdhëruar ta kryeni , dhe nuk kam lënë gjë e cila ju largon nga Allahu veç se ju kam ndaluar nga ajo.”

Gjitha adhurimet e adhuruesit duhet të jenë të gjykuara sipas vendimit të sheriatit, qofshin ato që kanë të bëjnë me urdhrat dhe ndalesat e tij, dhe duhet të jenë në përputhshmëri me metodologjinë (menhexhin) e Muhamedit alejhisselam, kurse ajo vepër e cila nuk plotëson këto dy kushte është e refuzuar.

Muhamedi, alejhisselam, thotë:

“Kush bënë një vepër, te cilën nuk e ka vepruar Muhamedi, alejhisselam, ajo është e refuzuar.” (Muslimi).

“Kush shpik një vepër e cila nuk është nga ne është e refuzuar.” (Buhariu dhe Muslimi).

Këtë na e ka thënë besniku dhe i besueshmi, Muhammedi, mbi të qofshin lavdërimet dhe përshëndetjet më të mira.

Omer ibën Abdulazizi, rahimehullah, thotë:

“Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, na i ka lënë disa sunete, po edhe udhëheqësit e muslimanëve pas tij na i kanë lënë disa sunete. Veprimi sipas tyre është vërtetim i Librit të All-llahut, zbatim i respektit ndaj All-llahut dhe forcë në fe të All-llahut. Nuk i takon askujt ta ndërrojë këtë e as të merr në konsideratë mendimin që e kundërshton këtë rregull. Ai që pason këtë metodë është i udhëzuar, kurse ai që kundërshton dhe nuk pason rrugën e besimtarëve, e ndëshkon All-llahu me ndëshkimet e tija, e djeg në zjarr të xhehenemit, kurse ky është vendbanimi më i keq”.

O ju besimtar!

Rruga tjetër nga ajo e besimtarëve është tendencë, pasion, devijim nga xhadeja e drejtë, ikje nga nënshtrimi dhe braktisje e xhematit.

Sheriati islam për ibadetet dhe ngarkesat fetare ka shënuar rrugë të veçanta dhe forma të veçanta kohore, vendore, mënyrore dhe sasiore. I ka urdhëruar krijesat ti respektojnë këto urdhra dhe ndalesa, sipas tyre ka renditur premtimet dhe kërcënimet e Tija, e na ka lajmëruar se e mira qëndron tek zbatimi i tyre, kurse e keqja tek largimi dhe tejkalimi i tyre.

“… All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini”. (El-Bekare: 216).

Të dërguarit janë të dërguar te njerëzit me mëshirën e Allahut, e ai që dëshiron pos kësaj dhe pretendon se ekzistojnë rrugë tjera, adhuron Allahun sipas logjikës së tij, ai me këtë vepër ka degraduar përsosmërinë e këtij dini duke kundërshtuar atë me të cilën është ardhur i zgjedhuri besnik, Muhammedi, mbi të qofshin lavdërimet dhe përshëndetjet më të mira dhe të pastra.

Ai me këtë veprim sikurse orvatet t’i përmbush të metat e këtij dini.

Ibën Maxhishuni, rahimehullah, thotë:

“Kam ndëgjuar imam Malikun, Allahu e mëshiroft, ku thotë: Ai i cili shpik një risi në fe duke e trajtuar si të mirë, ai me këtë vepër ka pretenduar se Muhamedi, alejhisselam, e ka tradhtuar shpalljen, sepse Allahu, tebareke ve teala, thotë:

“…sot përsosa për ju fenë tuaj”. (El- Maide: 3).

Ajo që atëherë s’ka qenë fe edhe sot nuk mundë të jetë fe.

Risia dhe të kërkuarit e rrugëve dhe opsioneve tjera është kryeneçësi ndaj sheriatit dhe dalje karshi atij. Kjo nuk është tjetër pos pasim i nepsit, pasi që nuk ekzistojnë më shumë se dy rrugë:

Rruga e sheriatit ose rruga e pasionit.

Allahu, subhanehu ve teala, në Kur’an thotë:

“E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai duke mos pasur fakt prej Allahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon popullin zullumqar”. (El- Kasas: 50).

Ajeti Kur’anor kufizon vendimin në vetëm dy forma: përgjigja të zgjedhurit ose pasimi i pasionit.

Nëse ithtari i bidatit (risisë) me bidatin e tij synon të afrohet tek Allahu dhe tenton ta tepron në adhurim le ta dinë se në këtë formë ia hap dyert e gjëra shejtanit, ia shton mëdyshjet dhe shpres pakënaqësinë e tij ndaj asaj që ka caktuar dhe përkufizuar sheriati, andaj edhe ka dalur nga këto rregulla dhe përkufizime. Këtë mund ta shoqërojë edhe vetëpëlqimi e dashuria për publicitet, sikurse edhe animi i natyrshëm kah ajo që se ka njohur më herët për të larguar mërzinë dhe plogështinë.

Kryerja e obligimeve fetare është ngarkesë për njeriun për arsye se me këto veprime njeriu e kundërshton pasionin dhe dëshirat, e kjo është e vështirë për bidatxhiun, ngase uni i njeriut është aktiv me atë që i përshtatet dëshirës së tij.

Në çdo bidat pasioni merr pjesë, pasi që bidati ka të bëjë me teket e shpikësit dhe filluesit të tij dhe përputhet me pasionet dhe epshet e tija; ato nuk burojnë nga dispozitat dhe argumentet e sheriatit.

Kjo që thamë e sqaron shkakun pse ithtari i bidatit përpiqet shumë në vepra të ndryshme dhe adhurime, sepse i gjen ato të lehta dhe gjen elan për realizimin e tyre, pasi që përputhen me pasionin e tij.

Më herët murgjërit e krishterë vetmoheshin në manastiret dhe faltoret e tyre ku i kryenin ibadetet në mënyrë jo të drejt.

Allahu, azze ve xhel-le, në Kur’an thotë:

“Atë ditë sheh fytyra të përulura. Të lodhur e të rraskapitur ( nga mundimi)”. (El- Gashije: 2-3).

“Thuaj: A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (El- Kehf: 103-104).

“A atij që vepra e vet e keqe i është hijeshuar dhe e sheh si të mirë (a është i njëjtë me atë që i largohet asaj)? Në të vërtet, Allahu e largon nga e vërteta atë që do dhe Ai e udhëzon atë që do, andaj ti (Muhamed) mos shkatërro vetën me dëshpërim për ta, Allahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata.” (Fatir: 8).

Të jesh ekonomik gjatë kryerjes së sunetit është më mirë se përpjekja e madhe në bidat.

Besimtarë të nderuar!

Për shkak të bidatit dhe bidatxhive shtohet polemika me pa të drejt dhe jo në mënyrë të mirë, e kjo shkakton grindje në fe.

Katade, rahimehullah, duke komentuar ajetin Kur’anor:

“E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçan pasi u patën zbritur argumentet.” (Ali Imran: 105) Thotë: Ata janë pasuesit e bidatit.

Dijetarët kanë thënë: Çdo çështje e re në islam për të cilën ka pasur mospajtime dhe ky mospajtim nuk ka shkaktuar armiqësi, grindje dhe ndarje, ajo është prej çështjeve të islamit.

Kurse çdo çështje e re e cila ka shkaktuar armiqësi, grindje dhe ndarje nuk ka të bëjë aspak me fenë.

Bidatxhitë pasojnë ajetet jo të qarta (muteshabih) dhe gabimisht i komentojnë, andaj ajetin Kur’anor:

“…E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti ” (Ali Imran: 7) dijetarët e kanë komentuar se janë ata që pasojnë bidatin dhe pasionin.

Është vërtetuar në lajmet e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se çdo herë që është ngjallë një bidat ka vdekur një sunnet.

Transmeton Imam Ahmedi, Taberani dhe Bezari se Pejngamberi, alejhisselam, ka thënë:

“Çdo ummet i cili ngjall ndonjë bidat në fe pas pejgamberit të vet, ai vetëm se ka humbur një sunnet sikur ai”.

Besimtarë!

Keni frikë Allahun dhe dine se paraqitja e një bidati domethënë shlyerja e sunneteve, andaj i lumtur është ai i cili është kapur për sunnetin me dhëmballë duke e ngjallë dhe duke thirr në te, vepër me të cilën Allahu e kthen bidatxhiun, e udhëzon të humburin dhe shpëton të hutuarin.

Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, i ka shkruajtur Adi ibën Erta në lidhje me çështjen e disa kaderive, duke i thënë:

Të këshilloj që të kesh frikë Allahun, të jesh ekonomik në urdhrat e Tij, të pasosh sunnetin e të dërguarit të Tij, të largohesh nga ajo që kanë shpikur bidatxhitë në lidhje me çështjet për të cilat vetëm se na ka treguar sunnetin. Je i obliguar të kapesh për sunnetin, ngase vërtetë sunnetin e vendoi ai që e diti se kundërshtimi i saj është gabim, devijim e marri, andaj zgjedhe për veten tënde atë që zgjodhi Allahu për ata burra të parë (sahatet dhe tabiinët), sepse ata me dije janë ndalur në ato kufinjë, me shiqim të prerë kanë shikuar, andaj edhe ishin më të fuqishëm në zbulimin e çështjeve dhe më të mirë në përpikshmërinë e tyre. Ata ishin të parët, mjaft kanë folur dhe mjaft kanë përshkruar, ata që bëjnë më pak se ata kanë mangësi, kurse ata që orvaten të bëjnë më shumë se ata, e teprojnë, ai që nuk i respekton sa duhet, ka mangësi, kurse ai që e tepron karshi tyre e ka tepruar, kurse ata kanë qenë mes këtyre dhe në rrugë të udhëzimit.

Kërkoj mbrojtje prej shejtanit të mallkuar.

“Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër fare. E kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (El- Ahzab: 36).

Hutbja e dytë

Falenderimi i takon vetëm Allahut në fillim dhe në mbarim, e falënderoj Atë për begatitë e Tija të fshehura dhe të dukura. Dëshmoj se adhurimi nuk i takon askujt pos Allahut i Cili është i pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij, i cili me lejen e Allahut udhëzoi zemrat e hutuara. Paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi familjen dhe shokët e tij, yjet e errësirës dhe mëngjes i udhëtimit, paqja dhe bekimi qofshim mbi tabiinët dhe ata që i pasojnë ata në të mirë deri në ditën e gjykimit.

Më pas:

Keni frikë Allahun, o robërit e Allahut, dhe dijeni se fjala më e vërtet është Libri i Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, alejhisselam, e veprat më të këqija janë veprat e shpikura, çdo e shpikur është bidat (risi) e çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të shpie në xhehenem (zjarr).

Pasoni, Allahu ju mëshiroftë, e mos shpikni ngase kjo ju mjafton.

Hudhejfe, radijallahu anhu, thotë:

Çdo ibadet (adhurim) të cilin nuk e kanë adhuruar shokët e Muhammedit, alejhisselam, mos e adhuroni as ju ngase i pari nuk ka lënë për tjetrin vend për të folë.

Transmeton Daremiu me sened të vërtet se Ebu Musa El-Eshariu, i ka thënë Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur mbi gjithë: Kam parë disa njerëz në xhami të cilët kishin bërë hallkë dhe ishin në pritje të namazit, në duart e tyre kishin guralecë dhe në çdo hallkë qëndronte një njeri dhe thoshte: Thuani Allahu Ekber njëqind herë, thuani lailahe ilallahu vahdehu la sherike lehu njëqind herë, thuani subhanallah njëqind herë.

Thash: A nuk i ke urdhëruar që ti numërojnë të këqijat e tyre dhe t’ju garantosh se nuk do të humbin asgjë prej të mirave të tyre. Pastaj shkoi te një hallkë prej këtyre hallkave duke qëndruar në këmbë u tha:

Çka është kjo të cilën po e veproni? Than: Eba Abdurahman këto janë guralecë me të cilat e përmendim Allahun. Tha: Numëroni të këqijat e juaja, e unë u garantoj se nuk do të humbni asgjë nga të mirat, mjerë për ju o ummet i Muhammedit, sa shpejt u shkatërruat, kurse shokët e tij akoma janë gjallë në mesin tuaj. Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im, ndoshta ju jeni populli më i udhëzuar se ummeti i Muhammedit, ose jeni duke hapë një derë të humbjes?! Thanë: Pasha Allahun, Eba Abdurahman, vetëm të mirën kemi pasur për qëllim. Tha: Sa prej njerëzve dëshirojnë të arrijnë të mira, mirëpo nuk mund t’ia qëllojnë.

Gjithashtu transmeton Daremiu se një njeri i tha Malik ibën Enesit, rahimehullah: ku ta veshi ihramin? Tha: Prej atje ku e ka veshur Muhamedi alejhisselam. Njeriu tha: Nëse e veshi prej më larg? Mos e bë, ngase frikohem se mos bie në fitne (telashe). Tha: Çfar fitne (telashe) ka në shtimin e të mirave. Malik ibën Enesi tha: Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

“… le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të dërguarit) se ata do ti zë ndonjë telashe, ose do t’i godas dënimi i hidhët.” (En- Nur: 63).

Nuk ka fitne (telashe) më të madhe se të mendosh se je veçuar me një vlerë me të cilën nuk është veçuar Muhamedi alejhisselam.

Keni frikë Allahun, All-llahu ju mëshiroftë, merreni metodologjinë (menhexhin) e parë, pasoni dhe largohuni nga risitë.

Marrë nga libri “Hutbet e Xhumasë” i përgatitur nga “Fondacioni Vakëfi Islamik”. Kjo është hutbja e parë.

Përktheu: Bedri Lika

Bedri Lika,
16.11.2007