Falënderimi i takon All-llahut. Atë e
falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga
All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon
All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e
udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe
dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një
frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!”
(Ali Imran:
102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një
veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin,
se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”
(En-Nisa:1)
“O ju
besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton
All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”

(El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut,
kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve
sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në
zjarr…

 

Pendimi ndaj gabimeve dhe zotimi për t’u përmirësuar

Falenderimet i takojnë Allahut. Vetëm Atij i falemi dhe vetëm Atij i kërkojmë ndihmë, që të na udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e së vërtetës. Të falenderojmë o Allah që na bëre myslimanë, të falenderojmë o Allah që na bëre besimtarë, të falenderojmë o Allah që na bëre pasues të Pejgamberit Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin me të), i fundit pejgamber dhe i dërguar i Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një dhe i Vetëm, i cili nuk ka shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është shërbëtori dhe i dërguari i Tij i fundit.

O myslimanë! Allahu në Kuran na urdhëron ne besimtarëve si mëposhtë: „O ju që besuat, kini frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, por vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)” (Kurani fisnik 3:102)

„O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen ju mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të dërguarin eTij, ai ka arritur sukses të madh! ” (Kurani fisnik 33:70-71)

„O ju që besuat, perkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe lavdërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje!” (Kurani fisnik: 33:41-42)

„…dhe përmendeni çdo herë Allahun që të arrini fitoren e dëshiruar!” (Kurani fisnik 8:45)

Vëllezër e motra! Allahu na porosit që të shprehim pendimin dhe keqardhjen për veprat e këqia që mund të kryejmë në jetën tonë të përditshme. Në Kuran lidhur me këtë çështje:

„…Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (Kurani fisnik 2:222)

Pejgamberi Muhamed, paqa dhe shpëtimi qofshin me të, gjithashtu i porosiste myslimanët të pendoheshin duke dhënë vetë shembullin personal kur thoshte: „O njerëz! Kthehuni tek Allahu dhe lutjuni Atij që t’ju fali. Pa dyshim, vetë i drejtohem Allahut me lutje për të më falur, madje edhe njëqind herë në ditë.”

Domosdoshmëria për t’iu përmbajtur porosive të Allahut dhe mësimeve të Kuranit dhe synetit, përbën për ne myslimanët një çështje jetike. Sidomos në shoqërinë e sotme, ku kemi rreth nesh shumë pak miq të vërtetë por ndeshemi me shumë tundime dhe lakmi. A thua, egziston ndokush në mesin tuaj që të pretendojë se nuk ka nevojë të pendohet pasi është i pastër si bora; se nuk i ka bërë kurrë dhe askujt dëm dhe se nuk ka mëkatuar kurrë në jetën e tij?! Pendimi ndaj Allahut, për gabimet e ndryshme në jetë është tipar karakteristik i besimtarit të devotshëm. Prandaj, individët, të cilët nuk e njohin ndjenjën e fajit dhe janë të kënaqur me jetën e vet, nuk e zotërojnë këtë dhunti. Allahu u ka përgatitur atyre që pendohen për të kaluarën apo jetën e tyre, vende të mahnitshme në Parajsë, ku rrjedhin lumej të larmishëm a plot shije të ndryshme:

„…përveç atyre që mëpas u penduan dhe u përmirësuan. Vërtet, Allahu shumë fal dhe mëshiron.” (Kurani fisnik 3:89)

Vëllezër e motra! Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj në lidhje me një çështje. Duhet të jeni të vetëdijshëm, se Allahu e pranon pendimin tuaj vetëm nëse ai është i sinqertë dhe nëse vjen nga ndjenja e sinqertë e fajit. Pendim do të thotë, të ndalosh kryerjen e veprave haram. Kjo nënkupton, largimin nga mëkatet, si p.sh. pirja e alkoolit qoftë edhe në sasi të vogla. Ndër veprat e ndaluara futet edhe kryerja e marrëdhënieve seksuale me një partner i cili nuk është bashkëshorti/ja i/e ligjshëm.Gjithashtu këtu futen edhe tradhëtia e vëllezërve myslimanë apo përhapja e informacioneve të pasakta mbi besimin islam.

Vëllezër e motra! Pendimi për veprat e këqia nuk është shenjë dobësie siç mund të pretendojë dikush. Pendimi nënkupton guximin për të njohur gabimet, si dhe vullnetin për t’u rikthyer në rrugën e drejtë. Për fat të keq, kemi në mesin tonë vëllezër myslimanë, që turpërojnë jo vetëm veten, familjet e tyre dhe gjithë komunitetit tonë mysliman, por janë të gatshëm të kalojnë deri në ekstrem. Jo rrallë herë ndodh, që dikush nga këta individë, bën mëkatin apo mashtron dikë dhe më pas ndihet i kënaqur nga veprimi i tij, duke shkuar më tej me mendimin e turpshëm se nëse do t’i paraqitej edhe në të ardhmen një rast i ngjashëm, do ta përsëriste atë me kënaqësi. Këtyre individëve për më tepër u duket vetja të zgjuar dhe të paarritshëm (në cinizmin e tyre). Por e vërteta qëndron krejt ndryshe! E vërteta e thënë troç, është se këta njerëz janë të prishur. Ata nuk ndiejnë as pendim, nuk i tremben Allahut dhe nuk ndalen para asgjëje. I lutem Allahut, që të mos bëhemi të tillë njerëz, sepse ata janë më të këqinjtë e të këqinjve. Një herë, një imam është shprehur në një mënyrë sa kuptimplotë aq edhe të dobishme: „Injoranti i ngjan të vdekurit, harraqi i ngjan atij që flen, mëkatari i ngjan pijanecit kurse ai që vazhdon të kryejë mëkate është i mallkuar me shfarosje”.

Të dashur vëllezër, të nderuara motra! Pendim nuk do të thotë vetëm shprehje me gojë e keqardhjes për veprat e këqia. Pendimi që të jetë i plotë duhet të përmbushi disa parakushte pa të cilat ai nuk pranohet nga Allahu. Këto kushte janë:

Së pari, duhet të ndalojmë së kryeri mëkatin në fjalë, për të cilin kemi dijeni vetëm ne dhe Zoti i Gjithëditur, e që dëgjon gjithçka.

Së dyti, duhet të ndjejmë dhimbje dhe turp, si dhe të zotohemi sinqerisht se nuk do ta kryejmë më atë mëkat. Gjithçka duhet kryer me shpresën tek shpërblimi nga Zoti i Madhërueshëm dhe duke pasur frikë nga dënimi i Tij dhe nga ferri (Xhehenemi) i mallkuar. Me fjalë të tjera, ai mysliman që ndalon pirjen e alkoolit pas këshillës së mjekut në lidhje me pasojat negative të tij mbi shëndetin, nuk mund të konsiderohet si besimtar i devotshëm e i penduar pasi këtë e bën për arsye vetjake, egoiste. Kjo vlen edhe në rast se një mysliman i shmanget marrëdhënieve seksuale nga frika e ndonjë sëmundjeje ngjitëse seksuale. Nëse për ne nuk përbën prioritet urdhëri i Allahut për ndalimin e gjërave të përmendura më sipër, çdo abstenim për arsye të tjera është i kotë.

Së treti, duhet të njihet gabimi, duhet t’i drejtohemi Allahut dhe ta lusim me përgjërim Atë, që të na falë. Para Allahut duhet të paraqitemi si qenie të papërkryera që kanë nevojë jetike për mëshirën dhe mëshirëbërjen e Tij. Duhet t’i shohim gjërat në mënyrë të tillë që mëkatet e kryera t’i konsiderojmë si rezultat të dobësisë sonë, të dështimit tonë personal dhe jo si rezultat i pakujdesisë apo mosnjohjes së ligjeve të Zotit.

Së katërti, duhen shlyer detyrimet si ndaj Allahut ashtu edhe ndaj personave të tretë, detyrime këto qofshin të karakterit material apo shpirtëror dmth. duhet kompensuar sjellja apo veprimi ynë i keq dhe u duhet kërkuar të tjerëve falje për dëmin e shkaktuar.

Shembull: Ata vëllezër që nuk përfillin faljen, duhet të mbledhin mendjen dhe të fillojnë të falen sa më parë. Myslimani që nuk di si të falet le të pyesë dikë që ta mësojë. Individi që në të kaluarën nuk ka agjëruar gjatë muajit të Ramazanit, duhet të njohë se ka kryer gabim të madh ndaj Allahut dhe le të përgatitet për agjërimin gjatë Ramazanit në vitet e ardhshme. Myslimani i pasur që s’ka paguar zeqatin, duhet të shlyeje detyrimin e tij karshi Allahut dhe myslimanëve të varfër. Në fakt, shlyerja e zeqatit nuk është akt bamirësie i personit përkatës por është një detyrim që ka ai ndaj myslimanëve të varfër, e në nevojë e varfëri. Kjo vlen edhe për ata që gëzojnë shëndet e pasuri të mjaftueshme por nuk kryejnë Haxhin, por e shtyjnë atë pa arsye për një periudhë kohore të mëvonshme. Të gëzosh pasuri, shëndet të plotë, të kesh mundësi të udhëtosh për në Mekë gjatë kohës së haxhit dhe të mos e kryesh atë, përbën një mëkat të madh.

Personi që ka mashtruar dikë duke i vjedhur para apo duke gënjyer, duhet të pendohet dhe t’i kthejë ato. Nëse viktima nuk jeton më, atëherë fajtori duhet të kërkojë ku ndodhen trashegimtarët e të ndjerit e të bjeri në ujdi me ta për mënyrën e dëmshpërblimit. Nëse nuk i gjen ata atëherë duhet ta shpërndajë pasurinë e grumbulluar në mënyrë të drejtë, tek të varferit apo për qëllime bamirësie. Secilin nga ne që nuk vepron kështu, e pret gjykim i gjatë e i vështirë Ditën e Gjykimit (Qametit).

Vëllezër e motra! Kam krijuar përshtypjen se disa prej nesh duan të besojnë se pendim do të thotë thjeshtë një shprehje e keqardhjes me gojë dhe e konsiderojnë të mbyllur çështjen! E vërteta është se kjo nuk mjafton!!! Keqardhja dhe vullneti i pendimit, e për të mos përsëritur më mëkatet duhet të burojë nga thellësia e shpirtit!

Vëllezër e motra! Nëse doni të siguroheni nëse Allahu jua ka falur mëkatin përkatës që mund ta keni kryer dikur në të kaluarën, atëherë ndiqni shenjat e përshkruara mëposhtë të cilat përbëjnë edhe kriteret testuese të pendimit të sinqertë:

– gjendja e besimtarit pas pendimit të tij, përmirësohet ndjeshëm dhe marrëdhëniet e tij me Allahun dhe besimin forcohen,

– personi që pendohet sinqerisht për mëkatet e tij sillet më me modesti dhe devotshmëri fetare,

– ai ka shpirt më të ndjeshëm, ndien përulje para islamit dhe mesimeve të tij si dhe ndjen urrejtje e neveri ndaj mëkateve dhe veprave të këqia.

Të dashur vëllezër e të nderuara motra në islam! Le të reflektojmë mbi veten tonë. Le të vështrojmë thellë ne shpirtin tonë e të përpiqemi për të qenë myslimanë sa më të devotshëm e njerëz me sa më dinjitet, bujarë (duke i dëshiruar vëllait dhe motrës së tij atë që synon edhe për vete), të ndjeshëm dhe pendues. Amin.

Hutbe e mbajtur në xhaminë në Bratisllavë-Sllovaki

Përgatiti, përktheu dhe të drejtat e botimit: islamweb.sk

islamweb.sk,
14.4.2006