Falënderimi i takon All-llahut. Atë efalënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje ngaAll-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzonAll-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush eudhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhedëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran:102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej njëveteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”
(En-Nisa:1)

“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) jumundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”(El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut,kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi vesel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dheçdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…

 

Kujto ditën e gjykimit

Secili njeri dhe secili besimtar ka nevojë të kujtojë ditën e gjykimit, sepse me kujtimin e ditës së gjykimit i zbutet zemra, i shtohet frika dhe i shton veprat e mira.

Në këto kohëra ku dominon materializmi edhe më shumë kemi nevojë të flasim për këto çaste dhe momente trishtuese të ditës së gjykimit, për t’u larguar nga ndikimi i botës materialiste dhe për të fisnikëruar shpirtin tonë.

Si na këshillon Kur’ani

Këshilla duhet t’i dedikohet zemrës, e cila ndryshon herë pas here, për këtë njeriu duhet të jetë i vendosur që të marrë pjesë në tubime të këshillave, sepse kështu e forcon njeriu veten e tij në rrugën e hajrit dhe e hidhëron shejtanin.

Të gjithë ne e dimë se zemrat tona janë mes dy gishtave të All-llahut dhe i ndërron si dëshiron Ai, sikurse ka ardhur në hadith të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Andaj edhe është lutur duke thënë: “All-llahu im, Ti që i ndërron zemrat e njerëzve forco zemrën time në fenë Tënde”.

Pasi që Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk e ka garantuar veten por është lutur që All-llahu ta përforcojë zemrën e tij në fe të Tij, kush jemi ne që të ndihemi të sigurt nga mosdevijimi, sidomos në këto kohëra kur na përplasin valët e fitnes nga të gjitha anët.

Kur’ani Fisnik është këshilluesi më i madh me të cilin duhet të këshillohen zemrat tona.

All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. (Junus: 57).

Kur’ani i zbut zemrat sado që janë të ashpra, edhe nëse janë të ashpra si shkëmbi dhe guri. All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: ” madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju”. (El-Bekare: 74).

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë”. (El-Hashr: 21).

Ndalu dhe mendo rreth këtyre ajeteve, largo shkujdesin dhe interesohu për zemrën tënde, nxito në vepra të mira para se të pendohesh.

Zemra zbutet duke e përmendur All-llahun dhe duke lexuar Kur’an, sepse kjo shkakton përulje, zbutje dhe përmirësim të tij.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre”. (El-Enfal: 2).

” e përgëzo të dëgjueshmit. Të cilët, kur përmendet All-llahu, u dridhen zemrat e tyre, të cilët janë të durueshëm ndaj asaj që i godet, të cilët rregullisht e falin namazin dhe të cilët japin për qëllime të dobishme nga ajo me çka i furnizuam Ne”. (El-Haxh: 34- 35).

“A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e All-llahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës”. (El-Hadid: 16).

“All-llahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues”. (Ez-Zumer: 23).

Mirëpo, fatkeqësisht, vetëm një pakicë e njerëzve ka marrë këshillë nga ky Kur’an, u është zbutur zemra dhe i janë përgjigjur thirrjes së All-llahut, subhanehu ve teala, siç na tregon All-llahu, xhel-le shanuhu, duke thënë: “Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente”. (Kaf: 37).

Kujto momentin e vdekjes

Dije se dynjaja është e kufizuar, është e marrë në qira dhe duhet kthyer, në të ka sprova dhe nuk mund të ikësh nga fundi dhe exheli.

Dije se varri është fitne dhe llogari, begati a dënim.

Dije se njeriu vdes ashtu si ka jetuar dhe ringjallet ashtu si ka vdekur, kurse pastaj një grup niset për në xhennet e tjetri për në xhehenem.

Parashtrohet pyetja: a je bërë gati për vdekjen?

A ke menduar ndonjë herë për vetminë e varrit?

A ke analizuar trishtimin dhe llahtarinë e ringjalljes dhe grumbullimit?

Rikujto popujt e kaluar

Qëndro te kalbësirat e varreve

Bërtit: ku është i fuqishmi mes jush

Ku është tirani, ose i dobëti dhe i shtypuri

Kishte dallime mes tyre mbi dhe

Janë barazuar tash nën dhe

Disa çaste të njerëzve në agoni të vdekjes

Mendoj se nuk prish punë të përmendim disa raste interesante të njerëzve në agoni të vdekjes, njerëz që All-llahu i forcoi ata në momentin e vdekjes dhe ua ka përfunduar ymrin me vepra të mira si shpërblim i veprave të mira që i kanë bërë sa janë gjallë. Tregon Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, për hoxhën e tij, Ahmed ibën Muhamed Kurtubiu, i cili duke qenë në momentin e agonisë së vdekjes, i thanë: thuaj: la ilahe il-lall-llah, kurse ai thoshte: jo, jo. Kur u kthjell, ia treguan këtë që kishte thënë, kurse ai e dha sqarimin: më erdhi një shejtan nga e djathta dhe një nga e majta. Njëri më thoshte: vdis si jehudi, se kjo fe është feja më e mirë! Tjetri më thoshte: vdis si i krishterë, sepse kjo fe është më e mirë. Unë u thosha: jo, jo. Domethënë se atyre u kam dhënë përgjigje, e jo juve.

Shejhul-Islam, Ibën Tejmijje, rahimehull-llah, në momentin e agonisë së vdekjes i lexoi ajetet kuranore: “Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhennete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm (te All-llahu)”. (El-Kamer: 54- 55).

Omer ibën Abdul-Azizi, rahimehull-llah, në momentin e vdekjes së tij tha: Më ulni, më ulni, e pastaj tha: Unë jam ai që më ke urdhëruar, e obligimet nuk i kam kryer, më ke ndaluar dhe nuk të kam respektuar, mirëpo la ilahe il-lall-llah, pastaj e ngriti kokën dhe e mprehu shikimin. I thanë: je duke shikuar një shikim të ashpër, o emirul-muminin? Jam duke parë disa krijesa, ata nuk janë njerëz e as xhin, e pastaj i doli shpirti dhe u dëgjua një zë duke lexuar:

“Atë vend të përjetshëm (xhennetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut”. (El-Kasas: 83).

Si të përgatitemi për vdekjen

1- largimi nga ndalesat.

Largohu nga ndalesat, lufto dhe përpiqu që të ikësh nga epshet dhe dyshimet dhe dije se All-llahu është xheloz kur nëpërkëmben ndalesat e All-llahut.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“All-llahu është xheloz, kurse xhelozia e All-llahut shfaqet kur një njeri i vepron ndalesat e All-llahut”.

All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë:

” prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët”. (En-Nur: 63).

Dije, All-llahu të mëshiroftë, se ndalesat e All-llahut grumbullohen në tri kategori:

– Shirku; zullumi dhe imoraliteti.

All-llahu, subhanehu ve teala, kur i përshkruan besimtarët thotë:

“Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin”. (El-Furkan: 68).

All-llahu, subhanehu ve teala, tregon se çdo mëkat e fal përpos shirkut, duke thënë:

“S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh”. (En-Nisa: 48).

E ka ndaluar zullumin duke thënë: ” pra për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar”. (El-Haxh: 71).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Kujdes nga zullumi, sepse zullumi bëhet errësirë në ditën e Kijametit. Kujdes nga koprracia, sepse koprracia i ka shkatërruar popujt që kanë qenë para jush, i ka shtyrë të derdhin gjakun e tyre dhe të nëpërkëmbin ndalesat”. (Muslimi).

All-llahu, tebareke ve teala, e ka ndaluar imoralitetin duke thënë:

“Ata që largohen prej mëkateve të mëdha dhe prej punëve të ndyta “. (En-Nexhm: 32).

2- Kryerja e detyrave dhe obligimeve.

Nuk mund të dalë në shesh vërtetësia e islamit të një njeriu pa kryerjen e obligimeve që ia ka obliguar All-llahu, siç është namazi, zekati, agjërimi, haxhi, etj.

Këto obligime, janë të përmendura në hadithin e Abdullah ibën Omerit, radijall-llahu anhu, i cili tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka hyjni tjetër përpos All-llahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, agjërimi i ramazanit, dhënia e zekatit dhe kryerja e haxhit”.

Erdhi një beduin te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e i tha:

“O i Dërguar i All-llahut më trego ndonjë vepër që nëse e veproj hyj në xhennet. Iu përgjigj: adhuroje All-llahun dhe Atij mos i bëj ortak, fal namaz, jep zekatin e detyrueshëm dhe agjëro ramazanin. Tha: pasha Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, asgjë më shumë nuk do të shtoj. E kur iku, Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha:

Kush dëshiron të shikojë një njeri nga banorët e xhennetit le të shikojë këtë njeri”. (Buhariu).

3- Kujto vdekjen dhe llogarit veten.

Kjo vepër ta shton ambicien, të shtyn të bëhesh gati për vdekjen, vazhdimisht e kujton atë dhe e pret në çdo moment.

Sufjani, rahimehull-llah, thotë: “Ai që shumë e përmend varrin do ta gjejë si një kopsht prej kopshteve të xhennetit, kurse ai që e neglizhon përkujtimin e varrit, i bëhet një gropë prej gropave të zjarrit”.

Hatim Esami, rahimehull-llah, thotë: “Ai që kalon pranë varreve dhe nuk mendon për vete dhe nuk lutet për ta, ai e ka tradhtuar veten dhe ata”.

Për këtë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka stimuluar në vizitë të varreve, sepse ka ndikim të madh në shpirtin e njeriut, duke thënë: “Ju pata ndaluar vizitën e varreve, kurse tani vizitoni, sepse kjo ua kujton ahiretin”.

Omeri, radijall-llahu anhu, thotë: “Llogariteni veten para se t’ju llogarisin, peshoni para se t’ju peshohen, sepse më lehtë do të jetë nesër në llogari nëse jeni llogaritur sot. Stolisuni për ditën e prezantimit të madh. Atë ditë kur do të shfaqeni nuk fshihet asgjë”.

4- Shtoni veprat e mira.

Kujdesu për veprat e mira vullnetare, për lutjen, dhikrin, bamirësinë, sjelljen e mirë, leximin e Kur’anit, etj.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Çdo vepër e mirë konsiderohet sadaka”.

“Secili prej jush ka për të folur me Zotin e vet, mes tyre nuk do të ketë ndërmjetësues. Do të shikojë në të djathtë dhe vetëm veprat e tij do të shohë. Do të shikojë në të majtë dhe vetëm veprat e tij do të shohë. Do të shikojë para vetes dhe vetëm zjarrin do të shohë. Kini frikë All-llahut, në mos më shumë me një gjysmë hurme, e kush nuk gjen as këtë, së paku me një fjalë të mirë”.

Kur ishte Ebu Bekri, radijall-llahu anhu, në agoninë e vdekjes e thirri Omerin, radijall-llahu anhu, e i tha: “Omer, ki frikë All-llahun dhe dije se All-llahu ka caktuar vepra gjatë ditës që nuk i pranon gjatë natës dhe ka caktuar vepra gjatë natës të cilat nuk i pranon gjatë ditës. All-llahu nuk i pranon veprat vullnetare derisa nuk kryhen obligimet. I rëndohet peshoja atij që e ka pasuar të vërtetën në dynja edhe pse i ka ardhur rëndë. Një peshojë në të cilën vendohet për peshim e vërteta duhet të jetë e rëndë”.

Dita e gjykimit

Njerëzit gjatë kësaj jete janë neglizhent, kanë shpresa shumë të mëdha, andaj kemi nevojë të përkujtohemi dhe të këshillohemi për fundin tonë, me qëllim të ndërtimit të ahiretit me punët e mira që i bëjmë në këtë dynja, ta fitojmë ardhmërinë duke e shfrytëzuar kohën e tashme.

All-llahu, subhanehu ve teala, besimin e paluhatshëm në ahiret e ka bërë një shtyllë prej shtyllave të besimit, andaj të gjithë ne duhet të jemi të bindur se do të vijë dita kur çdo krijesë do të vdesë, asgjë nuk do të mbetet, përveç madhërisë së All-llahut, subhanehu ve teala.

All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!”. (Er-Rahman: 26- 27).

Pas këtij shkatërrimi dhe zhdukjeje të çdo krijese, All-llahu i rikthen njerëzit dhe i ringjall ata nga varri, kurse i pari që ringjallet është pejgamberi ynë, Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Njerëzit ringjallen të zhveshur, të zbathur dhe të pasynetuar:

” Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. “. (El-Enbija: 104).

All-llahu, xhel-le shanuhu, këtë ditë e ka përshkruar si ditë të rëndë dhe të vështirë, ditë kur fëmija thinjet, nëna e braktis foshnjën e saj dhe e hedh nga gjiri, shtatzëna e dështon fëmijën, njerëzit sillen sikur të jenë të dehur edhe pse nuk janë të dehur, shikimet përqendrohen në një vend dhe nuk lëvizin, zemrat u ngrihen deri në gabzherr, askush nuk flet, të gjithë heshtin, njeriu ikën nga më të dashurit e vet, nga nëna, babai, vëllai, gruaja, fëmijët, madje mëkatari dëshiron të shpëtojë veten duke flijuar më të shtrenjtit që i ka: “Edhe pse ata shihen ndërmjet vete (edhe njihen, por ikin prej njëri-tjetrit). Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet. Dhe me gruan e vet dhe me vëllain e vet. Edhe me të afërmit e tij që ai te ata mbështetej. Edhe me krejt çka ka në tokë, e vetëm të kishte shpëtuar!”. (El-Mearixh: 11- 14).

Dridhet toka, goditet me një goditje të vështirë, lëvizin kodrat, çahen, shndërrohen dhe bëhen sikur leshi, rrafshohen kodrat, shpërthejnë dhe ndizen detet, çahet qielli, bëhet i dobët dhe e ndryshon ngjyrën.

“E kur të çahet qielli e bëhet kuq si vaji i shkrirë”. (Er-Rahman: 37).

Hasan Basriu, rahimehull-llah, tregon se qielli bëhet me dyer, nuk mbulon dhe nuk fsheh asgjë.

Zoti ynë e palos me Dorën e tij të majtë ashtu sikur paloset libri, e kap me një gisht, errësohet dielli, i largohet shkëlqimi, kurse hëna humbet krejtësisht.

“E, kur të merren sytë (të parët)? E të zëhet hëna (errësohet), Dhe të bashkohen dielli e hëna. Atë ditë njeriu do të thotë: “Nga të iket!” Jo, nuk ka strehim! Atë ditë vetëm te Zoti yt është caku! “. (El-Kijame: 7- 12).

All-llahu, subhanehu ve teala, në suren Tekvir, shikoni në fillimin e saj se sa interesant e përshkruan këtë ditë të trishtueshme: “Kur dielli të jetë mbështjellur (dhe errësohet), Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur), Dhe kur kodrat të kenë udhëtuar (e bërë pluhur në ajër), Dhe kur devetë e shtrenjta të lihen pa bari në fushë, Dhe kur egërsirat të jenë bashkuar (tubuar). Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakëruar, Dhe kur shpirtrat të jenë bashkuar. Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, Për çfarë mëkati ato janë mbytur, Dhe kur fletushkat të jenë shpaluar, Dhe kur qielli të jetë hequr, Dhe kur xhehennemi të jetë ndezur fort, Dhe kur xhenneti të jetë afruar, Atëbotë njeriu do ta dijë se çka ka ofruar (të mirë ose të keqe)”. (Et-Tekvir: 1- 14).

Yjet që shndrisin e humbin shkëlqimin e tyre, këputet peri i cili i lidhte ato dhe krijonte nga radhitja e tyre një bukuri të veçantë, errësohet toka, ikën drita, njerëzit përzihen mes vetes, melaqet i rendisin njerëzit, e Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “All-llahu im kërkoj strehim te Ti nga ngushtica e qëndrimit në Ditën e Kijametit”. (sahih, Nesaiu).

Në këtë ditë secili shpirt kupton atë që ka sjellë me vete. Në këtë ditë njeriu pendohet, mirëpo është bërë vonë, sepse ka kaluar koha e pendimit. Në këtë ditë del në shesh ajo që ka qëndruar në gjoksin e tij, shfaqen të gjitha sekretet. Heshtje e madhe, nuk flet askush dhe nuk ka hapësirë për arsyetim.

“Kjo është një ditë që ata nuk flasin. Atyre as nuk u lejohet që të arsyetohen”. (El-Murselat: 35- 36).

Gjendja e besimtarëve dhe njerëzve të devotshëm

Njerëzit në këtë ditë ndahen në dy grupe kryesore. Njerëz me fytyra të buzëqeshura, të shndritshme dhe të gëzuara dhe njerëz me fytyra të nxira, të rraskapitura dhe të pluhurosura. Të devotshmit ringjallen dhe shkojnë te Zoti i tyre grupe-grupe, kurse kriminelët rreshtohen duke pritur vendimin e All-llahut. dielli u afrohet njerëzve mbi kokë sa një milje largësi, nuk ka hije tjetër përveç hijes së All-llahut, subhanehu ve teala. Në këtë tollovi dhe kallaballëk të madh njerëzit shtyhen dhe përzihen mes vetes, kurse nga shkaku i diellit u dalin djersët dhe bëhet liqe, i cili disave u arrin deri në nyje të këmbës, e disave deri në gjunjë, disave deri në mes, e disave deri në fyt. Në këtë gjendje njerëzit i kaplon një pikëllim i madh, u ngushtohet shpirti, gjunjëzohen nga trishtimi dhe llahtaria e madhe.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Arrijnë njerëzit një gradë të lartë të brengës dhe pikëllimit saqë nuk mund ta durojnë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Mirëpo ai që një muslimani ia largon një brengë, All-llahu, xhel-le shanuhu, ia largon një brengë të ahiretit, ai që muslimani ia lehtëson një vështirësi, All-llahu, tebareke ve teala, ia lehtëson një vështirësi të dynjasë dhe ahiretit dhe ai që një muslimani ia mbulon një të metë, All-llahu, subhanehu ve teala, ia mbulon një të metë në dynja dhe ahiret. Njerëzit e drejtë do të ulen në kolltukë prej drite. Secili njeri do të ringjallet ashtu sikur ka vdekur, andaj ai që vdes duke thënë telbijen (lebejke All-llahumme lebjeke) do të ringjallet në atë gjendje, ai që vritet në rrugë të All-llahut, në Ditën e Kijametit do të vijë me plagë që do të nxjerrë gjak, ngjyra e gjakut, kurse aroma e miskut. Muezinët do të kenë qafën më të gjatë në Ditën e Kijametit, sepse çdo gjë që dëgjon zërin e tij do të dëshmojë për të në Ditën e Kijametit. Ai që thinjet në Islam, ajo thinjë do ti shndërrohet në dritë në Ditën e Kijametit dhe secili njeri do të jetë nën hijen e sadakasë së tij derisa të gjykohet mes njerëzve.

Gjendja e mëkatarëve dhe mosbesimtarëve

Në këtë ditë do t’u vijë shumë keq mëkatarëve që pse i kanë lënë pas dore adhurimet dhe nga kjo keqardhje do të kafshojnë duart e tyre.

All-llahu, azze ve xhel-le, na tregon këtë duke thënë: “Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!”. (El-Furkan: 27).

Në këtë ditë mëkatari do të urrejë edhe vetveten, miqtë dhe dashamirët e tij, secila dashuri e cila nuk është bërë në bazë të fesë shndërrohet në armiqësi, madje njeriu do të armiqësohet me gjymtyrët e veta. Mendjemëdhenjtë do të ringjallen si grimca, do t’i shkelin njerëzit me këmbët e tyre për t’i nënçmuar. Njeriut që i lëshon rrobat zvarrë për toke nga mendjemadhësia, All-llahu nuk i flet dhe as që e shikon në këtë Ditë, nuk e pastron dhe do të ketë dënim të dhembshëm. Secilit mashtrues do ti vendohet një flamur në prapanicën e tij ku do të shënohet: ky është mashtrimi – tradhtia e filanit. Ai që merr ndonjë tokë pa të drejtë, kjo tokë do ta lëshojë në Ditën e Kijametit dhe do të zhytet në shtatë katet e tokës. Zullumi i dynjasë do të shtohet në Ditën e Kijametit, sepse zullumi bëhet errësirë në ditën e Kijametit, të drejtat nuk humben, por mazllumi do të marrë hakun e tij nga zullumqari, madje edhe kafshët mes tyre do të marrin hakun e njëri-tjetrit. Njeriu më i keq në këtë ditë është dyfytyrëshi, i cili disave ju flet ndryshe e disa të tjerëve ndryshe. Ura e Siratit është rrëshqitëse, dikush shpëton e dikush lëndohet dhe bie në zjarr. Peshoja është e drejtë, nuk ka hile në të, kurse llogaria bëhet me njësi matëse atomike.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (Zelzele: 7-8).

Fjala El-hamdulilah e mbush këtë peshojë, kurse fjala Subhanall-llahi ve Bihamdihi e rëndojnë këtë peshojë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Gjëja më e rëndë në Peshojë është devotshmëria dhe morali i mirë”. (Tirmidhiu, hasen).

Librat e palosura do të shpërndahen, sa e sa bela që i ke harruar dhe sa e sa gabime që i ke fshehur do të shfaqen, do të lexohet Libri (regjistri), gjymtyrët do të flasin, melaqet do të dëshmojnë, kurse All-llahu është Dëshmitari i të gjitha veprave të njeriut.

All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “Ti nuk angazhohesh me asnjë çështje, nuk lexon nga ai pjesë nga Kur’ani dhe nuk bëni ndonjë vepër, vetëm se ne jemi prezentuesit tuaj, kur ju ndërmerrni atë. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as në tokë e as në qiell as sa grimca e as më e vogël se ajo e as më e madhe, por vetëm sa është evidentuar në librin e sigurt”. (Junus: 61).

Pasi që All-llahu të gjykojë mes kafshëve, fillon gjykimin mes njerëzve. Të parët që do të gjykohen në këtë Ditë është ky umet, këta do të jenë të parët që do ta kalojnë urën e Siratit dhe të parët që do të hyjnë në xhennet.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ne jemi të fundit dhe të parët në Ditën e Kijametit”. Në transmetimin tjetër qëndron: “Gjykohen para krijesave të tjera”. (Muslimi).

All-llahu, xhel-le shanuhu, e nderon robin e Tij, Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në këtë moment duke i dhënë Pishinin (Haudin) e madh, i gjerë sa mund të ecë një njeri për një muaj, uji i tij më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël së mjalti, kurse aroma më e mirë se e miskut, përreth i sheh gastaret nga ari dhe argjendi sa yjet e qiellit, ai që pi nga ky ujë nuk do të ketë etje asnjëherë më vonë, kurse disa njerëz do të refuzohen, e Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, do të thotë: “Ata janë të mi”. Do t’i thuhet: Nuk e di se çka kanë shpikur pas teje. Atëherë do të thotë: “Mallkimi qoftë për ata që kanë ndryshuar pas meje”. (Ahmedi, sahih).

Shpëtimi nga kjo Ditë

Shpëtimi nga këto trishtime arrihet me mëshirën e All-llahut, e pastaj me vepra të mira. Njeriu që nuk ka bërë mjaft vepra të mira do të vijë i penduar në këtë Ditë, mirëpo në këtë Ditë nuk bën dobi arsyetimi dhe nuk shpresohet falja.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i All-llahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj All-llahut ai i mashtruari (shejtani)”. (Fatir: 5).

I falimentuari në Ditën e Kijametit

I falimentuar në këtë Ditë është ai që vjen me namaz, agjërim, zekat, mirëpo ndërkohë ka akuzuar njeri, ka ofenduar njeri, ka ngrënë pasurinë e dikujt, ka derdhur gjakun e dikujt, e ka rrahur dikë, andaj duhet t’i japë secilit prej tyre nga të mirat e veta derisa t’i harxhojë të gjitha veprat e mira, atëherë do t’i marrë mëkatet e tyre dhe pastaj do të hidhet në zjarr.

Salih El-Merri thotë: “Hyra në varre në mesdite, i shikova varret dhe mu duken si njerëz të heshtur dhe thashë: subhanall-llah, kush ju ringjall pasi që të qëndroni gjatë kohë në këtë vend? Doli një zë nga ato gropa duke më thënë: Salih: “Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij bëri të qëndrojë (pa shtyllë) qielli e Toka, mandej kur t’ju thërret juve me një të thirrme prej tokës, ju menjëherë dilni”. (Er-Rum: 25). Tha: rashë i alivanosur”.

Hasan Basriu, rahimehull-llah, thotë: “Askush nga njerëzit nuk ka dëgjuar për dy ditë dhe dy net: nata kur do të buajsh me banorët e varreve e asnjëherë më parë nuk ke bujtur me ta dhe nata, pas së cilës vjen dita e Kijametit dhe Dita kur të vjen lajmëtari nga All-llahu, i cili të sjell lajmin ose për xhennet ose për në zjarr dhe Dita kur të jepet Libri yt, të cilin e merr ose me dorën e djathtë ose me dorën e majtë”.

Kur të ndizet xhehenemi

All-llahu, subhanehu ue teala, e ka krijuar zjarrin dhe e ka bërë vendbanim të atyre që i kundërshtojnë urdhrat e Tij dhe tregohen mendjemëdhenj.

Pra, cili është ky zjarr dhe cilat janë vetitë e këtij zjarri?

All-llahu, subhanehu ue teala, tregon për lëndën e zjarrit duke thënë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et-Tahrim: 6).

“Zjarri juaj, të cilin e ndez njeriu, është një pjesë e shtatëdhjetë pjesëve të zjarrit të xhehenemit”. I thanë: pasha All-llahun do të mjaftojë kjo. Tha: Zjarri i xhehenemit është për gjashtëdhjetë e nëntë herë më i nxehtë se ky zjarr”. (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, duke treguar se xhehenemi është një krijesë gjigande thotë: “Do të sjellin xhehenemin të lidhur me shtatëdhjetë mijë frerë, secilin fre do ta kapin shtatëdhjetë mijë melekë dhe do ta tërheqin”. (Muslimi).

Kab El-Ahbari, rahimehull-llah, duke treguar për zjarrin e xhehenemit tregon e thotë: “Pasha Atë që në Dorë të Tij është shpirti i Kabit, po të ishe në lindje kurse zjarri në perëndim e të zbulohej, do të dilte truri nga hunda prej nxehtësisë së madhe që ka! O njerëz, a mund të qëndroni karshi kësaj nxehtësie, a mund ta duroni këtë gjë? O njerëz, respekti ndaj All-llahut është më i lehtë se ky dënim, andaj respektojeni”.

Ushqimi i banorëve të xhehenemit është zekumi, kurse pija e tyre, lëngu i nxehtë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Po qe se një pikë nga zekumi bie në dynja, do t’ua prishte jetën njerëzve, e çfarë të themi për ata që këtë e kanë ushqim të tyre?!”. (sahih, Tirmidhiu).

“Është e vërtetë se pema e Zekumit, do të jetë ushqim i mëkatarëve. Vlon si katrani (si pezhgveja) në barqet, ashtu si vlon uji i valë”. (Ed-Duhan: 43- 45).

Banorët e zjarrit vazhdimisht do të jenë në dënim, nuk kanë qetësi dhe as gjumë, nuk kanë rehati e as pushim, por prej dënimit në dënim.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, na tregon se sa i dhembshëm është dënimi më i vogël në xhehenem duke thënë: “Njeriu me dënimin më të lehtë është ai që do të ketë nallane prej zjarri, nga të cilat do t’i vlojë truri, ashtu sikurse vlon uji në kazan. Njerëzit do të mendojnë se ky vuan dënimin më të madh, kurse ky do të jetë dënimi më i lehtë”. (Muslimi).

Nga këto vuajte dhe dhimbje ata do të shpresojnë vdekjen, mirëpo aty vdekje nuk ka, do t’u nxihen fytyrat, do t’u verbohen sytë, do t’u mbyllet goja, do t’u thyhet kurrizi dhe do t’u grimcohen eshtrat: “Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehennemit. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpëruar. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra. Dhe ata thërrasin: “O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai thotë: “Ju do të jeni aty përgjithmonë!”. (Ez-Zuhruf: 74- 77).

“Ata përpiqen të dalin nga zjarri, por s’kanë të dalë nga ai, ata kanë dënim të përhershëm”. (El-Maide: 37).

“Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hudhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. All-llahu është i plotëfuqishëm, i drejtë”.

Hasan Basriu, rahimehull-llah, thotë: “U digjet lëkura gjatë ditës shtatëdhjetë mijë herë”.

Veshmbathja e banorëve të xhehenemit është prej katrani, kurse ushqimi nga zjarri.

All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “Petkat e tyre janë nga katrani (pezhgveja – zifti), kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri”. (Ibrahim: 50).

” u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre”. (Muhamed: 15).

Krahaso gjendjen e këtyre njerëzve të pafat, të cilët rrotullohen në lloj-lloj dënimesh, vuajnë në xhehenem aq shumë, saqë edhe kodrat nuk mund t’i durojnë dot këto vuajtje, tregime që na e shkatërrojnë zemrën.

Të lidhur në pranga dhe me zinxhir:

“Atyre do t’u vihen prangat dhe zinxhirët në qafat e tyre e do të zhyten”. (Gafir: 71).

“Mandej lidheni atë me një zinxhirë të gjatë shtatëdhjetë kutë”. (El-Haka: 32).

Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, thotë: “Prangat dhe zinxhiri i vendohet në prapanicë dhe i del në hundë. Nuk mundet të ngrihet në këmbë dhe renditen në këtë zinxhir, ashtu sikurse renditen karkalecat në krënde derisa të piqen”.

Vëllai im i dashur, shiko këtë gjendje të vështirë në të cilën gjenden këta fatzinj, paramendo veten tënde në vend të tyre. E lusim All-llahun që të mos jetë asnjë prej nesh në vendin e tyre, paramendo veten sikur të hedhin në zjarr, kur vjen para urës së siratit dhe e shikon se është më e hollë se qimja dhe më e mprehtë se shpata. I sheh njerëzit duke rrëshqitur nga kjo urë dhe duke rënë në zjarr, i sheh ata që janë para teje dhe trishtohesh, mirëpo ky trishtim nuk është asgjë në krahasim me rrëshqitjen e këmbëve të tua. Kjo llahtari të shtohet edhe më shumë kur të depërtojnë kthetrat e ndryshme në lëkurën dhe mishin tënd dhe të hedhin në zjarr, kurse zjarri me shpejtësinë e vet, të kaplon dhe të djeg. Në këto çaste kur digjesh, të shkrihet lëkura dhe mishi, të thyhen eshtrat, ti thërret, mirëpo askush nuk të mëshiron, në këto momente dëshiron të kthehesh prapë që të pendohesh, mirëpo askush nuk të përgjigjet!

Paramendo veten pas një qëndrimi të gjatë në xhehenem, pasi që të arrijë pikëllimi kulmin e vet, atëherë kur etja nuk durohet, të kujtohet pija në dynja, nxiton drejt Hamimit, e merr një gotë nga Hazini, i cili është përgjegjës për dënimin tënd, e kur e merr këtë gotë, të shkrihet dora nga nxehtësia e kësaj gote, kur ta afrosh te goja jote, të shkrihet goja nga nxehtësia, kurse kur ta gëlltitësh këtë lëng, ta shkatërron fytin dhe kur depërton në bark, ti copëton zorrët copë-copë, atëherë do të bërtasësh, do të ankohesh, do të kujtohet uji i ftohtë i dynjasë dhe kënaqësia e tij dhe do të ndjesh keqardhje. Sërish do të ndjesh dhimbje dhe do të nxitosh drejt pishinës përplot me Hamim që të freskohesh, ashtu siç freskohet njeriu në dynja, duke pirë dhe duke u zhytur në të, e kur të zhytesh në hamim të zhvishet mishi nga lëkura, prej kokës deri në këmbë, atëherë do të nisesh drejt zjarrit me shpresë se ai do të jetë më pak i nxehtë, mirëpo do të gjesh të kundërtën. Kur të digjesh me zjarrin e xhehenemit, do të kthehesh sërish në hamim, kështu do të rrotullohesh mes hamimit dhe zjarrit, ashtu sikurse na e tregon këtë All-llahu, subhanehu ue teala, duke thënë:

“Ata do të sillen vërdallë ndërmjet atij (zjarrit) dhe ujit të vluar deri në kulminacion”. (Er-Rahman: 44).

Do të kërkojë rehati mes zjarrit dhe hamimit, mirëpo nuk do të gjejë as rehati dhe as qetësi.

Kur të shtohet pikëllimi dhe etja, e të arrije grada shumë të larta, të kujtohet xheneti. Një copë e zemrës tënde ta zë frymën nga keqardhja që pse nuk je afër All-llahut dhe nga mërzia për begatitë e xhennetit, të cilin e ke humbur për shkak të mëkateve dhe gabimeve që i ke bërë, atëherë do të drejtohesh nga All-llahu duke bërtitur që të të kthejë në dynja dhe të bësh punë të mira, mirëpo askush nuk të përgjigjet një kohë të gjatë, e pastaj të thuhet:

“Ai thotë: “Heshtni aty e mos më folni!” (El-Muminun: 108).

Pastaj All-llahu, tebareke ue teala, ta shton dëshpërimin dhe keqardhjen duke ta mbyllur derën e xhehenemit. Nuk ka dëshpërim dhe keqardhje më të madhe, sesa kur dëgjon kërcëllimin e mbylljes së dyerve të xhehenemit, sepse tani e kuptojnë se All-llahu e ka mbyllur këtë derë dhe se askush nuk ka për të dalë nga ky vend. Këtyre njerëzve u copëtohet zemra copë-copë, u humbet shpresa tërësisht për shpëtim nga ky vend dhe nga dënimi i All-llahut. Këtu e kupton atë që na ka treguar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “përhershmëri, nuk ka vdekje”.

Dënim, i cili nuk largohet nga trupi i tyre, mërzi që nuk përfundojnë, sëmundje që nuk shërohen, pranga që nuk zgjidhen, zinxhirë që nuk hiqen asnjëherë, etje që nuk kalon asnjëherë, nuk mëshirohen edhe nëse qajnë, lutjeve të tyre nuk u përgjigjet askush, pendimi i tyre nuk pranohet, gjenden në dënim të përhershëm dhe nënçmim të papërfunduar. Pastaj All-llahu, azze ue xhel-le, i dërgon melaqet që t’ua mbyllin çdo vrimë, që ti gozhdojnë me gozhda të zjarrit dhe t’i lidhin në shtylla të zjarrit. Në vendin ku gjinden ata, nuk lihet të hyjë as erë e as frymë dhe All-llahu i le në haresë tërësisht.

Paramendoni të gjendeni në një vend të mbyllur nga të gjitha anët dhe të harruar se ka dikush atje. A ka gjendje më të keqe se kjo?!

“Harruan All-llahun, prandaj Ai i harroi”. (Et-Teube: 67).

“Ai i mbyll ata, ua zë frymën. Ata janë të lidhur në pranga të njëpasnjëshme”. (El-Humeze: 8-9).

E thërrasin dhe e lusin All-llahun që t’ua lehtësojë dënimin, pas një kohe u vjen përgjigjja: “Ai thotë: “Heshtni aty e mos më folni!” (El-Muminun: 108).

Hasan Basriu, rahimehull-llah, thotë: “Këto janë fjalët e fundit që i thonë, e pas kësaj do të lëshojnë vetëm piskamë, britmë dhe lehje sikur të qenve”.

Nuk ka jetë më të keqe se kjo dhe nuk ka njerëz më të këqij se këta, e lusim All-llahun që të mos jemi prej tyre. Humbje e madhe, e cila nuk mund të kompensohet në asnjë mënyrë. Pasha All-llahun, vaj për mendjet që dëgjojnë për këtë dënim dhe këtë vuajtje dhe i besojnë tërë kësaj, mirëpo nuk e përfillin aspak dhe nuk ikin nga kjo, por veprojnë drejt saj me dëshirë dhe zgjidhje. La haule ue la kuvvete il-la bil-lah.

Vëllai im i dashur, ti që bën mëkate ndaj All-llahut, paramendoje veten si banor të xhehenemit! A do të dakordoheshe me këto dënime dhe vuajtje?

Nuk e besoj një gjë të tillë. Andaj pendohu te All-llahu, largohu nga gjërat që i urren Ai dhe afroju Atij me vepra të mira me shpresë se do të jetë i kënaqur me ty, qaj nga frika prej Tij me shpresë se do të mëshirojë gabimet e tua. Dije se rreziku është shumë i madh, trupi është shumë i dobët, vdekjen e ke afër, All-llahu, xhel-le xhelaluhu, të mbikëqyr dhe të sheh, andaj turpërohu prej Tij dhe mos e neglizho shikimin e Tij ndaj teje, mos nënçmo mëkatet që i bën ndaj Tij, mos shiko vogëlsinë e mëkatit por shiko madhësinë e Atij ndaj të cilit e bën mëkatin, e Ai është All-llahu, tebareke ue teala.

Mbushe zemrën tënde me frikë ndaj Tij para se të të merret shpirti në befasi. Mos iu shfaq Atij me mëkate, sepse nuk mund të durosh Hidhërimin e Tij dhe nuk mund t’i rezistosh dënimit të Tij. Kontrollo veten para se të vijë dita e takimit me Të, ndoshta të mëshiron dhe t’i fal gabimet.

Një dritare drejt Xhennetit

Vëllai im i dashur, po të shkruaj për xhennetin, shtëpinë e begative, e cila është një shpresë shumë e shtrenjtë e secilit besimtar, me qëllim që të mendosh pak më gjatë për begatitë dhe gëzimet që gjenden në këtë vend, që të shtohet ëndërrimi edhe më shumë për këtë shtëpi, sepse ai që e shpreson një gjë dhe e ëndërron atë, do ta kërkojë dhe do të punojë për të. Nuk kam për qëllim shpresat e kota, shpresat e atyre që zhyten në mëkate, shpresat e atyre që nuk pendohen, sepse kjo nuk është shpresë por është mburravecllëk dhe i ngjan atij që hedh farën në tokë jopjellore, ose atij që pret fryte të xhennetit me fara të xhehenemit, ose atij që mbjell mëkate dhe dëshiron të korrë shpërblime në Ditën e Gjykimit.

Shpresë e lavdëruar është ajo shpresë, e cila të shtyn të punosh, sepse All-llahu, tebareke ue teala, pasi që i tregon cilësitë e besimtarëve, tregon se ata janë që shpresojnë:

“Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues”. (El-Bekare: 218).

A ka vend për shpresë ai që e le namazin dhe zhytet në harame dhe kur ti thuash: kujdes se çfarë vepron, ai të përgjigjet duke thënë: All-llahu fal dhe është i Mëshirshëm! Këtij i përgjigjemi duke i thënë: a nuk ke lexuar ajetin Kur’anor ku All-llahu, subhanehu ue teala, na tregon se: “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë”. (Taha: 82).

Ku është në këtë rast pendimi dhe puna e mirë?!

Vëlla i dashur, dije se dynjaja është ara e ahiretit, po edhe zemra është si toka, kurse besimi është si fara, adhurimet e shtojnë e mëkatet e pakësojnë. Dita e Gjykimit është dita e korrjes, andaj ai që ka mbjellë mirësi, do të korrë mirësi dhe ai që ka mbjellë sherr, do të korrë sherr.

Kur e kanë pyetur Zjedin: Si gdhive? Ka thënë: gdhiva duke e dashur të mirën dhe njerëzit e mirë dhe çdo gjë të mirë që kam mundësi ta bëj, nxitoj ta bëj dhe jam i bindur në shpërblimin e saj, e nëse më ikën ndonjë vepër e mirë mërzitem dhe mallëngjehem për të.

Qëllimi është të tregojmë se ai që mendon më gjatë për xhennetin, gëzimin në të dhe begatitë që i ka përgatitur All-llahu për banorët e xhennetit, kjo e shtyn në punë të mira.

Habi është me punën e atij që beson në Ditën e Gjykimit dhe në Shtëpinë e jetës së vërtetë, ku nuk ka vdekje, as sëmundje e as fatkeqësi, dhe nuk e kërkon këtë vend!

Pasha All-llahun, sikur të mos kishte këtu asgjë tjetër përpos se shëndet në trup, siguri nga vdekja, uria dhe etja do të mjaftonte si shkak që të braktiset dynjaja për të. Si duhet të jetë gjendja jonë kur e dimë se banorët e xhennetit do të jenë mbretër të sigurt, kënaqen në gëzime dhe lumturi, kanë atë që ua ka ëndja dhe ua pëlqen syri, atje do të mbeten përgjithmonë, vazhdimisht duke u rrotulluar në llojet e ndryshme të begative dhe janë të bindur se këto mirësi kurë nuk përfundojnë?

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Do të thërrasë një thirrës i banorëve të xhennetit: këtu do të jeni të shëndoshë dhe nuk do të sëmureni, do të jetoni dhe nuk do të vdisni, do të jeni të rinj dhe nuk do të plakeni dhe do të jetoni në begati dhe nuk do të vuani aspak”. (Muslimi).

Begati të kulluar vetëm në xhennet mund të gjejmë.

Kurse në dynja sado që të kënaqemi, ajo ka vështirësitë e veta, sado që të qeshim edhe do të qajmë, sado që do të gëzohemi edhe do të mërzitemi, dhimbjet janë më shumë se kënaqësitë, fillimi i begative është frikë, kurse fundi harresë.

Kurse begatitë e xhennetit nuk mund të vlerësohen dhe as që mund të fantazohen.

Si ka mundësi të vlerësohen kur All-llahu i ka mbjellë me Dorën e Tij dhe e ka vërë vendbanim të njerëz të dashur te Ai, e ka mbushur me Mëshirë, Nderim dhe Kënaqësi të Tij. Begatinë e saj e ka përshkruar si fitore të madhe, kurse mbretërinë e saj me mbretëri të madhe. Në të ka deponuar të gjitha mirësitë dhe ka pastruar nga çdo mangësi dhe defekt. All-llahu, azze ue xhel-le, na ka treguar në Librin e Tij Fisnik gjërat që i ka përgatitur për robërit e Tij në Xhennetet e ndryshme; lloj-lloj ushqimesh, martesë, vendbanime, veshmbathje, qumësht, mjaltë, verë, ujë, mish, mëndafsh, ar, pemë, hurije, lumenj, pallate, etj. Begatitë e dynjasë nuk kanë asgjë të përbashkët me begatitë e ahiret përpos ngjashmëri në emra, sepse të gjitha lajmet që na tregojnë për gjërat e përgatitura në xhennet, afër Zotit të botëve, është në kundërshtim me atë që është në këtë dynja edhe cilësi edhe në formë. Pra, pajtohen në emra, mirëpo dallojnë në realitet, shije dhe aromë.

All-llahu, xhel-le shanuhu, atyre që e respektojnë u ka garantuar në xhennet atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që i ka rënë ndërmend ndonjërit. Këto gjëra nuk i di as ndonjë pejgamber i dërguar e as ndonjë melek i afruar.

All-llahu, azze ue xhel-le, thotë: “Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim”. (Es-Sexhde: 17).

Imam Mundhiriu, rahimehull-llah, thotë:

“Xhenneti dhe banorët e xhennetit janë shumë më lart se kjo që përshkruhen. Mes begative të përgatitura për besimtarët është edhe fakti se nuk u kalben rrobat, nuk u përfundon rinia, begatia është pa fund, nuk vuajnë e as që përjetojnë ndonjë defekt. Begatitë e xhennetit ndodhin në formën më të plotë dhe më të mirë. Shfrytëzimi i begative të xhennetit nuk ka pasojë sikur shfrytëzimi i begative të dynjasë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Banorët e xhennetit hanë, pinë dhe nuk pështyjnë, nuk urinojnë, nuk kryejnë nevojë të madhe dhe nuk nxjerrin qurra”. Çfarë ndodh me ushqimin? Gogësimë dhe djersë me aromë misku. Inspirohen ta lavdërojnë dhe falënderojnë All-llahun ashtu siç inspirohen të marrin frymë”. (Muslimi).

Banorët e xhennetit nuk flenë që të mos largohen nga kënaqësitë dhe jeta komode me gjumë. Ata janë të zhytur në begati e nuk janë si njerëzit në këtë dynja që flenë. E kanë pyetur Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: A flenë banorët e xhennetit? Ka thënë: “Gjumi është vëlla i vdekjes, kurse xhenetlitë nuk flenë”. (Sahih, Taberaniu dhe Bezari). Tërë kjo ndodhë për shkak jetës së plotë që e jetojnë njerëzit në xhennet.

Gratë e Xhennetit janë të pastra, në aq shumë hadithe është treguar për to dhe me tregime të tilla që e mahnitin kokën dhe e nxisin secilin njeri të mirë që shpreson All-llahun dhe Ahiretin që të veprojë vepra të mira dhe të pranuara te All-llahut, subhanehu ue teala, për të arritur atë që All-llahu, xhel-le shanuhu, ua ka premtuar besimtarëve të devotshëm.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Xhenetliu do ti ketë dy hyri, secila prej tyre do ti ketë shtatëdhjetë palë petka, i shihet palca e kërcikut të saj pas rrobave”. (sahih, Ahmedi).

Gjithashtu janë përshkruar hyritë edhe në hadithe tjera për të stimuluar njerëzit në respekt ndaj All-llahut, azze ue xhel-le. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Po qe se një grua prej banorëve të xhennetit i shikon banorët e tokës do të shndriste gjithë hapësirën mes tyre dhe do ta mbushte me aromë. Shamia që ka mbi kokë është më e mirë se sa dynjaja dhe çka ka në të”. (Buhariu).

Madje edhe dielli me fuqinë, dritën dhe shkëlqimin e tij, i cili kur del në mëngjes ua kalon të gjitha dritave dhe kur perëndon në mbrëmje nuk mund ta largojnë errësirën edhe nëse e përdorin mbarë rrymën elektrike, kurse: “Po qe se një grua prej banorëve të xhennetit do të shikonte tokë do ta mbushte me aromë, misk dhe do të eliminonte dritën e diellit dhe hënës”. (Taberaniu).

Po përveç kësaj All-llahu, subhanehu ue teala, ka përgatitur edhe shtesa në xhennet, siç na tregon në suren “Kaf” ajeti 35: “Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë”.

“Kalon një re mbi banorët e xhennetit dhe thotë: a nuk luteni të sjellë bereqete si shiu. Atëherë për atë që do të luten, do t’u bjerë”. (Abdullah Ibën Mubareku).

Kethir ibën Murrete thotë: “Nëse e përjetoj këtë ditë do të lutesha: na sill vasha të stolisura”.

Begatitë e xhennetit dhe gëzimet që janë aty nuk mund të përshkruhen e as të fantazohen. Asgjë nga kjo dynja nuk mund të krahasohet me ato begati. Pema Tuba nuk gjendet kësisoj në dynja, përshkrimi i kësaj peme të le pa mend.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Në xhennet ka një pemë që kalorësi ecë në hijen e saj një qind vjet pa u ndalur, lexoni nëse doni ajetin: “Nën hije të gjëra (përhershme).”. (Muslimi).

Kurse Imam Ahmedi, rahimehull-llah, regjistron një hadith në “Musnedin” e tij, se erdhi një njeri te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, e tha: çfarë është Tuba? Tha: Është pemë në xhennet, mund të ecësh në hijen e saj njëqind vjet, kurse nga degët e saj dalin rrobat e xhennetlive”.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, nuk ka lërë pa sqarime as cilësitë dhe vetitë e xhennetlive, moshën, ngjyrën, gjatësinë, etj.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Xhennetlitë hynë në xhennet të zhveshur, qose, të bardhë, me flokë pak si kaçurrela dhe me sy të ngjyrosur, në moshë tredhjet e tre vjeçare. Të gjithë do të jenë në gjatësinë e Ademit, alejhisselam, i cili ka qenë i gjatë gjashtëdhjetë llërë (30 metra përafërsisht), kurse të gjerë shtatë llërë”. (Ahmedi).

Imam Ibën Kethiri, rahimehull-llah, thotë: “Në këtë gjatësi, gjerësi dhe moshë ka urtësi të qarta, sepse në këtë formë njeriu arrin kulmin e kënaqësisë, pasi që janë bashkuar vitet e fuqisë me mjetet e mëdha të kënaqësisë. Kur të grumbullohen këto dy gjëra arrihet kënaqësia e plotë dhe e fuqishme saqë një njeri ka mundësi të ketë marrëdhënie me një qind vajza beqare. Tregohet në hadithe se erdhi një njeri nga ithtarët e Librit dhe e pyeti Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, duke i thënë: je duke pretenduar se xhennetlitë hanë dhe pinë? Tha: “Po, pasha Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, xhenetlive u jepet fuqia e njëqind njeriut në ngrënie, pirje dhe marrëdhënie”. Përsëri i tha: Ai që ha dhe pi duhet të kryejë nevojën, kurse xhenneti është i pastër, nuk ka në të ndytësira? Tha: kryerja e nevojës ndodh me djersitje e cila ka aromë misku”. (Daremiu).

A kanë pyetur Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, a do të kemi marrëdhënie me gratë tona në xhennet? Ka thënë:

“Po, pasha Atë që në Dorë të Tij është shpirti im, një njeri për një ditë do të ketë marrëdhënie me një qind beqare”. (Taberaniu).

Madje ka ardhur na hadithe se:

“Xhennetlitë kur të kenë marrëdhënie intime me gratë e tyre në xhennet, ato sërish rikthehen beqare”. (Taberaniu).

Pra, burrat me gratë e tyre në xhennet do të përjetojnë kulmin e dëshirave dhe sigurisë. All-llahun e lusim të na i shtojë mirësitë e Tija.

Xhenetlive u shtohet fuqia, u shndrit fytyra, kanë pamje të bukur, jetë të këndshme dhe kjo nuk ndalet asnjëherë.

“E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”. (El-Mutafifin: 26).

“Për një shpërblim të këtillë le të veprojnë vepruesit”. (Es-Saffat: 61).

Për të patur jetë të këndshme duhet të kanë edhe moral të mirë. All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar”. (El-Hixhr: 47).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, na ka treguar: “Nuk ka dallime mes tyre e as hidhërime. Zemrat i kanë një, e lavdërojnë All-llahun në mëngjes dhe mbrëmje”. (Buhariu).

Aroma e këndshme që gjendet në xhennet përhapet anembanë xhennetit me një shpejtësi shumë të madhe dhe secili xhenetli kënaqet duke e nuhatur këtë aromë.

Frytet e xhennetit nuk janë sikur frytet e dynjasë, sepse frytet e dynjasë vijnë në sezon të caktuar, kurse frytet e xhennetit i ke në çdo kohë. Pemët në dynja herë kanë gjethe e herë nuk kanë, kurse pemët e ahiretit çdo herë kanë gjethe dhe fryte.

“Shembulli (atributi) i xhennetit që u është premtuar të devotshëmve është: që nën (pallatet) të rrjedhin lumenj, që ushqimi në të dhe hija në të është e përhershme. Ai është përjetim i lumtur i atyre që ishin të ruajtur, e përfundimi i jobesimtarëve është zjarri”. (Er-Rad: 35).

Frytet e xhenneti e ke shumë lehtë t’i vjelësh edhe nëse ato gjinden në majën e pemës, sepse vet pema afrohet dhe të bie fryti në dorë.

“Hijet e tyre (të pemëve) janë afër mbi ta dhe kalaveshët e pemëve janë të qasur shumë afër”. (El-Insan: 14).

Secila pemë e xhennetit e ka trungun prej ari, dheu është nga shafrani dhe misku, paramendoni se çfarë fryte mund të japë ky lloj i pemës, sigurisht se do të dalin fryte të mrekullueshme dhe të këndshme.

Xhenetlitë në xhennet do të kenë edhe çadra të cilët në asgjë nuk u ngjajnë çadrave të dynjasë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Besimtari do të ketë çadër nga margaritari bosh, i gjatë gjashtëdhjetë milë. Besimtari aty do të ketë gratë, do ti viziton ato, kurse aq e madhe është saqë nuk do të shohin njëri tjetrin”. (Buhariu).

Nuk ka dyshim se dhurata dhe begatia më e madhe e xhenetlive, ajo që i mahnitë tërësisht dhe i mallëngjen edhe më shumë shpirtrat e tyre është momenti kur All-llahu e largon perden dhe u mundëson banorëve të xhennetit që ta shohin. Kur ta shohin xhenetlitë All-llahun, subhanehu ue teala, do t’i harrojnë të gjitha kënaqësitë dhe lezetet që i kanë përjetuar në xhennet dhe do të shikojnë madhërinë e All-llahut, Zotit të botëve, subhanehu ue teala.

Imam Ibën Kethiri, rahimehull-llah, tregon nga Ebul-Meali El-Xhuvejni, se kur All-llahu, xhel-le shanuhu t’u zbulohet xhenetlive, do të gurgullohet uji i lumenjve të xhennetit, do të radhiten pemët, do të shtohet gëzimi dhe galdimi, do të këndojnë shpezët dhe do të shndrisin edhe më shumë hyritë, mirëpo tërë kjo nuk do të largojë shikimin e xhennetlive nga All-llahu, subhanehu ue teala, sepse kjo është kënaqësia më e madhe. E lusim All-llahun e madh që të na dhurojë kënaqësinë e shikimit në Fytyrën e Tij Fisnike.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Kur xhenetlitë të hyjnë në xhenet dhe xhehenemlitë në xhehenem, do të bërtet një thirrës: o xhenetli, te All-llahu keni një premtim të cilin dëshiron t’ua realizojë. Do të thonë: çka është ai premtim? A nuk na e rëndoi peshojën, a nuk na e zbardhi fytyrën dhe na shtiu në xhennet dhe na mbrojti nga zjarri? Atëherë All-llahu do ta largojë perden dhe do të shikojnë në Të. pasha All-llahun, nuk u ka dhënë All-llahu gjë më të dashur e as më të këndshme për syrin tyre se sa shikimi në Të”. (Sahih, Ahmedi).

All-llahu, azze ue xhel-le, thotë: “Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet)”. (El-Kehf: 108).

Nuk ka dyshim se kjo kënaqësi do të arrijë kulmin e vet kur ta marrin vesh xhenetlitë se qëndrimi i tyre në xhennet do të jetë pa fund.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, na tregon: “Do të sillet vdekja në formën e dashit të majmë dhe do të vendoset mes xhennetit dhe xhehenemit e do të thuhet: o ju xhennetli, e ata do të zgjasin kokën dhe do të shikojnë. Do të thotë: o ju xhehenemli, e ata do të zgjasin kokën dhe do të shikojnë. Mendojnë se u ka ardhur shpëtimit. Do të theret vdekja dhe do të thuhet: o ju xhennetli, amshueshmëri dhe nuk ka vdekje, o ju xhehenemli, amshueshmëri dhe nuk ka vdekje. Xhenetlive do t’u shtohet gëzimi edhe më shumë, kurse xhehenemlive do t’u shtohet mërzia edhe më shumë”. (Buhariu). Kurse në transmetimin e Ibën Ebi Dynajsë qëndron: “Do të sigurohen të parët dhe do të humbin shpresën përfundimisht të dytët”.

Dijë vëlla i dashur se xhenneti nuk fitohet me shpresa të kota dhe pasim të epshit, kurse rruga e vetme që na shpie deri atje është respektimi i All-llahut dhe Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “I gjithë ummeti im do të hyjë në xhennet, përpos atij që refuzon. Thanë: kush do të refuzon o i Dërguar i All-llahut? Tha: ai që më respekton do të hyjë në xhennet, kurse ai që nuk më respekton vetëm se ka refuzuar”.

Kujdes nga nepsi yt, sepse ky është pengesa kryesore në rrugën tënde drejt All-llahut, subhanehu ue teala, sidomos për ata që ecin në mbrëmje. Nëse njeriu nuk ka me vete nozull të imanit dhe llambë të bindjes, nuk do t’ia arrijë t’i tejkaloj këto barriera.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Ai që frikësohet ecën herët në mëngjes, kurse ai që del herët në mëngjes arrin në destinacionin e tij. Dijeni se malli i All-llahut është i shtrenjtë, dijeni se malli i All-llahut është xhenneti”. (sahih, Tirmidhiu).

Sa më lart hipën udhëtari aq më shumë shtohen britmat, tradhtitë dhe frikësimet, e nëse nuk ua vendon veshin dhe vazhdon në rrugën e tij, tërë këto vështirësi dhe frikësime shndërrohen në siguri dhe rrugë e gjerë, e cila e shpie deri te shtëpitë më të larta, aty ka shenja dhe vendpushime që i ka përgatitur All-llahu, tebareke ue teala, për robërit e Tij. Mes këtij vendi dhe mes teje është vetëm vendosmëria e fuqishme, durimi për çaste të caktuara, trimëria dhe lutja e gjatë.

I mençur është ai që e llogarit veten dhe punon për pas vdekjes, kurse i paaftë është ai që e pason epshin e tij dhe mbahet me shpresa të kota.

Dije se malli i All-llahut është i shtrenjtë dhe se për të arritur deri te ky mall duhet të përjetosh trishtime, brenga dhe pikëllime.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: ” Xhenneti është rrethuar me gjëra të vështira, kurse xhehenemi me epshe”.

Xhenneti qenka i rrethuar me gjëra të urryera, me vepra të vështira, me ikje nga harami, mirëpo përbrenda tyre ka kënaqësi dhe gëzime që nuk mund ti paramendosh. Kurse xhehenemi është i rrethuar me epshe, epshe të zullumit, të barkut, të epshit, të devijimit, të sprovave, etj. janë të lehta, mirëpo përbrenda kanë dëme dhe dënime të trishtueshme.

E lusim All-llahun, xhel-le shanuhu, që të na japë nga frika ndaj Tij aq sa të na largojë nga mëkati, të na dhurojë respekt ndaj Tij aq sa të arrijmë te xhenneti i Tij, të na dhurojë kënaqësinë e shikimit në Fytyrën e Tij, mallëngjimin për takimin me Të, duke mos përjetuar ndonjë fatkeqësi dëmtuese e as ndonjë fitne devijuese dhe të na furnizojë Kënaqësinë e Tij të madhe dhe firdeusin e lartë. Amin.

Bekir Halimi,
2.9.2005