Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Të nderuar muslimanë!

Kini frikë Allahun e Lartësuar duke e respektuar Atë. Falënderoni Krijuesin për të mirat që ua dhuroi. Lavdëroni sinqerisht Allahun, i Cili ju udhëzoi në dritën e besimit islam. Gjithashtu kujtoni fjalën e Tij, kur thotë:
“Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.”1

Kërkimi i famës, namit, autoritetit, pozitës, pasurisë, është dëshirë dhe prirje e brendshme për shumicën e njerëzve. Ata harxhojnë energji, bëjnë të pamundurën për t’i përvetësuar ato. Fama është një dehje që kapërcen edhe rakinë. Autoriteti është përgjërim i llojit të vet. Pra, me këto tipare njihen dhe dallohen njerëzit, përmenden, përfitojnë, etj..

Njeriu i do vetitë e lartpërmendura dhe dëshiron të lavdërohet e të mburret, edhe pse ai është i krijuar nga lëngu i prodhuar nga gjëndrat e mashkullit, që quhet spermë. Fundi i tij pas vdekjes do të jetë pjesë e kalbur në tokë. Kujto fjalët e Allahut të Lartësuar kur thotë:

“A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!”2

“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!”3

Nëse mendojmë për tekstet e haditheve, mësojmë se njeriu vepron mirë edhe duke mos pasur për qëllim kënaqësinë e Allahut të lartësuar, por vetëm të përmendet e të zihen në gojën në mesin e njerëzve. Hadithi na tregon kështu:

“Njeriu lufton për t’u përmendur dhe njeriu lufton për ta parë vendin e vet (pozitën)”. Hadithi profetik na rrëfen haberin e tre njerëzve që do të tërhiqen nga fytyrat për në zjarr të xhehenemit. Mësojmë se muxhahidit i thuhet: “ke luftuar që të thuhet se je guximtar”. Dijetarit i thuhet: “ke studiuar që të njihesh si dijetarë, ke lexuar Kuranin të njihesh si lexues.” Kurse dorëdhënësit i thuhet: “ke ndihmuar që të thuhet se je bujar.”

Po të jetë besimtari pak i mendueshëm në këto citate profetike, vëren shumë qartë dobësinë e njeriut para autoriteti dhe famës. Ai sakrifikon gjithçka për veten e tij, mbledh edhe pasuri për ta shpenzuar vetëm të përmendet. Dijetari harxhon ymrin në dituri duke u lodhur e vuajtur dhe në fund kjo të bëhet vetëm për famë e pozitë dhe për autoritet e përmendje!

Njeriu në këtë botë gjatë veprimeve që kryen e dëshiron nga të tjerët lavdërimin dhe falënderimin për atë që ka bërë, po edhe atë që nuk kanë bë. Pa dyshim që kjo është një e metë serioze që i korrupton njerëzit në forma të ndryshme dhe përulësia në zemrat e tyre dobësohet.

Kujtimi dhe falënderimi janë cilësi të veçanta të Allahut të Lartësuar dhe Ai dëshiron nga robërit që ta kujtojnë dhe ta ndiejnë nënshtrimin e përulësinë ndaj Krijuesit duke e kujtuar me format e ligjshme. Ai i cili është i angazhuar në kujtimin e Allahut nuk vuan që të kujtohet prej njerëzve, nuk ngarend për famë, njohje. Por ai synon vetëm kujtimin nga ana e Allahut.

“Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!”4

Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij thotë: “Unë jam te mendimi i mirë i robit Tim për Mua, andaj le të mendojë çka të dojë për Mua.”5

“Unë jam te mendimi i mirë i robit Tim për Mua, nëse mendon mirë, këtë e fiton, nëse mendon keq, këtë e fiton.”6

Lavdidashësi i cili pret lavdërimet e njerëzve duke bërë punë të mira vetëm karshi njerëzve, ai këtë do ta përjetojë pa dyshim, por edhe do të shantazhohet e poshtërohet. Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ai që u flet njerëzve qëllimisht për të fituar lavdërimet e tyre, Allahu do t’ua bëjë atyre të njohur qëllimin e tij të vërtetë Ditën e Ringjalljes; edhe ai që bën punë të mira karshi njerëzve për t’u dukur dhe për të fituar lavdërimet e tyre, Allahu do ta nxjerrë në shesh qëllimin e tij të vërtetë dhe (do ta poshtërojë).”7

Të nderuar besimtarë!

Besimtari i mirë duhet të punojë dhe ajo të bëhet vetëm për hir të Allahut të Lartësuar e jo për ndonjë qëllim tjetër afatshkurtër. Të adhurohet Ai me format e ligjshme në formë të ligjshme. Çdo gjë të bëhet vetëm për Të e jo për njerëzit. Të jetohet në rrugën e Tij e jo nëpër rrugica e humnera. Qëllimi final është vetëm kënaqësia e Allahut të Lartësuar dhe përfundimi i kënaqshëm në xhenetin e Tij.

O njeri!

Nënshtroju vetëm Allahut dhe bëhu rob i Tij, në këtë mënyrë nuk do të jesh rob i robërve të Tij. Punën që bën mos e ekspozo, mundohu ta fshehësh, se Allahu kështu e donë robin e Vet. I Dërguari i Allahut thotë: “Pa dyshim që Allahu e do robin e devotshëm, të pasur e të fshehtë (i cili nuk i shfaq veprat).”8

Atëherë, o njeri, ki kujdes që të mos sprovohesh me nam dhe autoritet! Allahu i Lartësuar karshi njerëzve të bën që ti të përmendesh e të lavdërohesh. Gjithashtu mos harro se Ai do t’i nxjerrë në shesh qëllimet e tua të vërteta dhe ti do të jesh i poshtëruar në këtë botë dhe botën tjetër.

Shpejto dhe përqafo ihlasin (sinqeritetin) dhe respekto Allahun duke shpresuar shpërblimin vetëm prej Allahut duke pasur në konsideratë dënimin e Tij. Përgëzohu me fjalët e Allahut të Lartësuar: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.”9

Ulvi Fejzullahu

1 Ibrahim, 34.
2 Merem, 67.
3 Insan, 1.
4 Bekare, 152.
5 Buhariu dhe Muslimi
6 Transmeton Ahmedi.
7 Transmeton Buhariu.
8 Transmeton Muslimi.
9 Junus, 62-64.