Tkurrja e pranisë shoqëri

Një faktor tjetër që e thellon këtë tërheqje dhe e dobëson ndikimin është angazhimi i elitave dhe i udhëheqësve fetarë kryesisht në nivelet dhe qarqet e larta të punëve teorike, qoftë në administrim apo në mendim, larg fushave ku njerëzit jetojnë dhe veprojnë drejtpërdrejt. Kur kjo shoqërohet me një qasje të ngurtë, pasojat e saj bien mbi vetë udhëheqësit, duke u shkaktuar një lloj tkurrjeje shoqërore, duke i privuar nga fryma e veprimit praktik dhe duke i kufizuar në korridoret e seminareve, konferencave, këshillave të larta drejtuese dhe diskutimeve teorike e konceptuale. Si pasojë, veprimtarët që punojnë në terren mbeten pa kontakt dhe bashkëveprim të drejtpërdrejtë me ta.

Ndoshta për këtë gjendje ekzistojnë arsye që duken logjike nga këndvështrimi i hierarkisë së detyrave dhe përgjegjësive, por ngurtësia në mënyrën e të menduarit dhe të zbatimit çon, në fund, në pasoja negative.

Në fushën edukative, për shembull, institucionet dhe hapësirat e formimit shpesh vuajnë nga mungesa e figurave të specializuara dhe me përvojë të thellë në edukim. Shumë prej tyre mjaftohen me paraqitjen e ideve dhe me shkrimin e teorive, duke qëndruar larg praktikës së drejtpërdrejtë në terren, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme.

Kjo gjë ka pasoja negative për të dy palët: të edukuarit privohen nga kontakti me figura të rralla edukuese që mund t’ua shkurtojnë rrugën e formimit dhe t’ua forcojnë bazat që në fillim, ndërsa vetë edukatorët, duke u larguar nga terreni, shndërrohen gradualisht në, thjesht, teoricienë të edukimit dhe jo më edukatorë të vërtetë. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e distancës nga realiteti, edhe vetë teoritë e tyre fillojnë të humbasin saktësinë, freskinë dhe realizmin e tyre praktik. Në këtë mënyrë humbasim si edukatorët praktikë, ashtu edhe mendimtarët e fushës, dhe ky është një fenomen që mund të shihet në shumë fusha të tjera.

Në këtë kontekst është e rëndësishme të theksohet se ajo që mund të jetë e pranueshme për shumicën e elitave, si prirja për t’u kufizuar në role thjesht teorike, nuk është e pranueshme për elitat dhe udhëheqësit fetarë apo misionarë në përgjithësi. Vlerësimi i dobisë dhe i interesit më të madh duhet të jetë forca drejtuese e tyre, ndërsa dimensioni i tyre misionar duhet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si veprojnë dhe sa ndikim kanë në realitet, duke i shtyrë ndonjëherë të tejkalojnë edhe disa rregulla të ngurta që mund të vendosen nga teoritë dhe qasjet e ndryshme administrative.

E gjithë kjo kërkon që në programin e tyre të ketë hapësirë për vepra të drejtpërdrejta të mirësisë: mësim të dijes, angazhim në thirrje të drejtpërdrejtë në terren, mësimdhënie të Librit të Zotit, si dhe forma të tjera të veprave të mira praktike. Disa prej tyre mund të mendojnë se i kanë tejkaluar këto etapa dhe se ato u takojnë fillestarëve në rrugën e thirrjes, por shpesh pikërisht në këto veprime gjendet një edukim i brendshëm i shpirtit që i jep zemrës dhe kohës së tyre një gjallëri të re.

Në të kaluarën, dijetari shpesh lavdërohej si “njeri i masës”, pra si dikush i lidhur me njerëzit e zakonshëm dhe nevojat e tyre. Transmetohet për Is’hak el-Fazarij se ka thënë: “Nuk kam parë si el-Euza’i dhe eth-Theuri. El-Euza’i ishte njeri i masës, ndërsa eth-Theuri ishte njeri i vetes së tij. Po të më jepej zgjedhja për këtë ummet, do të zgjidhja el-Euza’in.”

Ky krahasim nuk merret në mënyrë absolute, sepse secili ka rolin dhe fushën e tij, por kuptohet brenda kontekstit të vet.

Shpesh, teprimi në rolet teorike sjell një lloj zbehjeje shpirtërore që njeriu e ndien në vetvete dhe që nuk mund të ripërtërihet veçse duke u rikthyer në veprimin praktik që e pastron nga izolimi i teorisë dhe e lidh sërish me jetën reale.

Në këtë dritë mund të kuptohen edhe disa prej veprimeve të hershme të Umerit dhe Uthmanit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, si bartja e ushqimit për njerëzit edhe pse ishin në krye të udhëheqjes, si dhe veprimtaria e Umer el-Muhtarit, i cili jepte mësim në hallkat e Kur’anit deri në fillimin e revolucionit kundër kolonizatorit italian, ku ai më pas u bë një nga figurat kryesore të tij.

Tërheqja brenda interesave personale

Misionarët e sinqertë dhe njerëzit e reformës shpesh heqin dorë nga një pjesë e interesave të tyre personale në këmbim të interesit të përgjithshëm të umetit. Kjo kërkon afrim të vazhdueshëm me shoqërinë dhe me shqetësimet e saj, si dhe një frymë vetëllogaritjeje që vëzhgon vendet e së mirës për t’i forcuar dhe vendet e mangësisë për t’i përmirësuar, duke mbajtur mbi supe pasoja të shumta.

Këto pasoja nuk kufizohen vetëm në reagimet e pushtetit, sepse përballja me gjuhën e njerëzve të thjeshtë ndonjëherë nuk është më e lehtë se përballja me autoritetet. Po ashtu, guximi për t’u përballur me dëshirat dhe pritshmëritë e masës nuk është më i vogël se guximi për t’u përballur me elitën.

Arritjet dhe përfitimet personale të elitave thirrëse, nëse nuk shoqërohen me investim në rrugën e reformës, mund të kthehen në barrë morale për ta, jo në meritë. Prandaj, angazhimi në ndërtimin e famës personale, prestigjit apo pozitës nuk duhet të jetë kurrë qëllim i elitave; dija, diploma, pasuria, posti dhe autoriteti duhet të jenë vetëm mjete për reformë.

Elitat kanë nevojë të thellë për përvetësimin e virtytit të fisnikërisë morale. Sa më shumë që ngrihet njeriu, aq më shumë rriten pritjet ndaj tij dhe aq më i rëndë bëhet zhgënjimi nëse ai dështon. Nuk ka për ta mbajtur në rrugën e tij asgjë më mirë se fisnikëria: që e mban të përulur edhe kur ngrihet, të përgjegjshëm edhe kur lirohet nga barrat, bujar edhe kur përballet me mosmirënjohje, dhe të aftë për të tejkaluar interesin e vet personal në favor të interesit të përgjithshëm.

Në këtë kuptim, ata ngjasojnë me profetin Jusuf, alejhi selam, i cili ua interpretonte ëndrrat njerëzve dhe i udhëzonte drejt zgjidhjes së krizave të tyre, ndërkohë që vetë ndodhej i burgosur padrejtësisht. Kjo është një nga shenjat e pararendësve dhe reformatorëve gjatë historisë.

Gjuha elitare

Teprimi në përdorimin e një gjuhe tepër të ndërlikuar letrare e cila për një pjesë të madhe të njerëzve është  e largët dhe e vështirë për t’u kuptuar,  fatkeqësisht mund të përbëjë një pengesë psikologjike mes elitave fetare dhe publikut të gjerë, duke kontribuar në tkurrjen e ndikimit të tyre.

Në fjalën e Profetit ﷺ vërehet qartësia e kuptimit dhe thjeshtësia e shprehjes, ndërsa Kurani, megjithëse është libër legjislacioni universal, ka zbritur në mënyra të ndryshme gjuhësore për t’iu afruar më shumë njerëzve dhe për t’u bërë i kuptueshëm për ta.

Po ashtu, në përvojën e reformatorëve dhe mendimtarëve të historisë vërehet se ndikimi i tyre më i madh është arritur kur kanë përdorur një gjuhë të thjeshtë në formë, por të thellë në përmbajtje. Kjo është ajo që i lejon mesazhit të tyre të arrijë shtresa të gjera të shoqërisë, gjë që është thelbësore për çdo projekt reformues.

Megjithatë, kjo detyrë është e vështirë: të shprehësh ide të thella në një gjuhë të thjeshtë pa e humbur përmbajtjen kërkon aftësi dhe përvojë të madhe. Disa ia kanë dalë, ndërsa të tjerë kanë hasur vështirësi, gjë që ka ndikuar negativisht në efikasitetin e mesazhit të tyre.

Nga këndvështrimi historik, mund të vërehet se, përballë  një ligjërimi fetar të shpërndarë dhe të pashoqëruar me rregullsi metodologjike që mbizotëronte në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, u shfaq një ligjërim daveti me bazë të fortë metodologjike, i cili u kujdes për dokumentimin dhe mbështetjen në burime. Si rezultat, u formuan drejtime shkencore që arritën të paraqesin një diskurs të rregullt, duke kufizuar hapësirat e improvizimit në shumicën e çështjeve të sheriatit.

Megjithatë, transferimi dhe imitimi i kësaj gjuhe akademike në fushat e thirrjes, shoqërisë dhe moralit tek disa prej elitave ka bërë që ky ligjërim të humbasë pjesërisht tërheqjen e tij. Madje, në disa raste, ai ka krijuar një pengesë psikologjike midis bartësve të tij dhe masës së gjerë të njerëzve. Kjo ndodh sepse shumica e njerëzve nuk janë të njohur me terminologjinë e këtij diskursi të specializuar, si referencat teknike të hadithit apo ndarjet e hollësishme shkencore, ndërkohë që ata kanë nevojë për një ligjërim të bazuar, të qartë dhe të drejtpërdrejtë, por pa u rënduar me terma specialistikë.

Nuk është e fshehtë se teprimi në aplikimin e metodës akademike në gjykimin e çështjeve edukative dhe të këshillës morale, duke i trajtuar ato me të njëjtën mënyrë si çështjet e fikhut dhe akides, ka çuar në ngushtimin e rrethit të përfitimit prej tyre dhe ka krijuar një formë të tërheqjes së detyruar, qoftë te disa individë apo te vetë produkti i tyre.

Ky hendek midis elitave dhe njerëzve të zakonshëm thellohet edhe më shumë kur i shtohen dallimet e tjera, si mënyra e veçantë e veshjes që ndryshon nga shoqëria e gjerë, si dhe disa shenja të dukshme të praktikimit fetar që fatkeqësisht janë bërë të huaja për rrugën e zakonshme të shoqërisë muslimane. E gjithë kjo e shton distancën psikologjike dhe ndjesinë e dallimit që ekziston që në fillim.

Në anën tjetër, disa figura bashkëkohore kanë dhënë shembuj të ligjërimit të thjeshtë në formë, të thellë në përmbajtje dhe të rregullt në metodologji, si shejh Ali el-Tantavi në çështjet shoqërore, shejh Muhamed Muteveli esh-Sha’ravi në afrimin e kuptimeve të Kuranit, si dhe ligjërimi reformues dhe publik i Hasen el-Bennas dhe Ibn Badisit.

Në fund, aftësia për të formuluar një ligjërim me gjuhë të afërt me dëgjuesit dhe me shtresa të ndryshme shoqërore mbetet një detyrë e vështirë pa dyshim, dhe një aftësi që e zotërojnë vetëm pak njerëz. Kush e zotëron këtë aftësi, arrin përmes saj ndikim të gjerë dhe të thellë.

Sprova e elitarizmit

Në fund, është me rëndësi të tërhiqet vëmendja ndaj disa prirjeve të fshehta psikologjike që mund të shoqërojnë sjellje të caktuara dhe të forcojnë ndjenjën e veçantisë, rëndësisë dhe dallimit nga njerëzit e tjerë. Këto prirje, nëse nuk vihen re me kujdes, mund të çojnë gradualisht në tërheqje dhe izolim, duke u perceptuar si shenjë superioriteti apo si dallim i dëshiruar nga masa e njerëzve.

Kjo është një derë e padukshme që kërkon vetëvëzhgim të sinqertë. Sepse dallimi i njerëzve të veçantë nga të tjerët nuk është qëllim në vetvete, por rezultat i natyrshëm i punës dhe ndikimit. Vlera nuk qëndron te mjetet apo te mënyra e shfaqjes së vetes, por te frytet dhe rezultatet. Përndryshe, qëllimi deformohet dhe nijeti prishet.

Historia e dijetarëve të hershëm tregon qartë se ata kërkonin përhapjen e dijes dhe të dobisë pa kërkuar për veten famë apo pozitë. Prej tyre është fjala e imam Shafiut: “Do të doja që njerëzit ta mësonin këtë dije, pa u përmendur asgjë prej meje”.

Në përmbyllje
Thirrësit dhe njerëzit e angazhuar në shërbim të fesë nuk janë njerëz të zakonshëm. Ata mbajnë një përgjegjësi të madhe dhe trashëgojnë një mision të lartë, prandaj nuk u përshtatet kërkimi i rehatisë apo mbyllja në hapësira të sigurta dhe të ngushta. Sa më e madhe të jetë pozita e tyre, aq më e rëndë bëhet përgjegjësia që mbajnë.

Prandaj, ata kanë nevojë për forcim të vazhdueshëm të besimit, për kujdes ndaj adhurimit dhe për vetëdije të lartë shpirtërore, në mënyrë që zemra të mos ndikohet nga sprovat e dukshme apo të fshehta që vijnë me famën, ndjekësit apo pasurinë. Këto nuk janë gjë tjetër veçse forma të ndryshme të sprovës, jo më të lehta se sprovat e vështirësive dhe presionit.

Gjithashtu, thirrësi duhet të ketë vizion të qartë dhe rrugë të drejtë, të jetë i qëndrueshëm dhe i balancuar, të veprojë me urtësi dhe fleksibilitet, të përballojë vështirësitë pa u tërhequr dhe pa u ngritur mbi njerëzit me mendjemadhësi për shkak të pozitës së tij. Ai duhet të heqë çdo pengesë që e ndan nga njerëzit, qoftë formale apo gjuhësore, në mënyrë që mesazhi i tij të arrijë tek ata në formën më të thjeshtë, të butë dhe të qartë.

________________

[1] Termat “elita”, “simbolet” dhe “udhëheqësit” janë nocione mes të cilave ekziston raport i përgjithshmërisë dhe veçantisë. Në përdorim të zakonshëm, këto terma janë shpesh relativë: “elita” dhe “simbolet” përdoren për referencat teorike dhe orientuese, ndërsa “udhëheqësit” përdoren për referencat praktike dhe në terren.

[2] E transmeton Ahmedi (12642), Tirmidhiu (518) dhe Abd bin Humejd (1249).

[3] E transmeton Muslimi (2326).

[4] E transmeton Buhariu (7047).

[5] Për më shumë shih artikullin “ Kane rexhule ammetin- Ai ishte njeri i masës” – Dr. Fejsal el-Badani, revista “el-Bejan”, 13.07.2011.

[6] “Tevalij et-te’sis li meali Muhamed bin Idris”, i Ibn Haxher el-Askalani, f. 106.

 

Velid er-Rifai

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve