Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, dhe vetëm prej Tij  ndihmë e falje kërkojmë. Dëshmojmë se nuk ka meritor për  t’a adhuruar me të drejtë  përveç Allahut, Një dhe i Pashoq, ndërsa Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

O besimtarë!

Ju porosis veten dhe juve me devotshmëri ndaj Allahut, sepse ajo është furnizimi më i mirë për këtë botë dhe për botën tjetër.

Një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut është koha. Pasuria mund të humbasë e të fitohet përsëri, shëndeti mund të dobësohet e të rikthehet, por koha që kalon nuk kthehet më kurrë. Çdo ditë që lind është një pjesë e jetës sonë që largohet përgjithmonë.

Me fillimin e pushimeve verore, shumë njerëz ndiejnë lehtësim pas përfundimit të vitit shkollor ose të angazhimeve të punës. Pushimi është një nevojë e natyrshme dhe Islami nuk e ndalon çlodhjen e lejuar. Mirëpo, pushimi nuk do të thotë pushim nga përgjegjësia, nuk do të thotë pushim nga adhurimi dhe as nga llogaria para Allahut.

Pushimet janë pjesë e jetës sonë dhe, si çdo pjesë tjetër e saj, do të pyetemi për to.

Allahu i Madhëruar thotë: “Pastaj, atë Ditë, pa dyshim do të pyeteni për mirësitë që ju janë dhënë.” (Tekathur: 8)

Profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për jetën e tij se si e kaloi, për dijen e tij çfarë bëri me të, për pasurinë e tij nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe për trupin e tij se në çfarë e konsumoi.”  (Essilsiletu Ssahihah: 946)

Në një hadith tjetër ai na kujton një të vërtetë që shumica e njerëzve e harrojnë:

“Dy janë mirësitë në të cilat shumë njerëz dalin të humbur: shëndeti dhe koha e lirë.” ( Sahihul Buhariu: 6412)

Shumë njerëz e kuptojnë vlerën e kohës vetëm kur ajo u ka ikur. I riu e kupton vlerën e rinisë kur plaket, i shëndetshmi e kupton shëndetin kur sëmuret dhe njeriu e kupton vlerën e jetës kur i afrohet vdekja.

Prandaj koha e lirë është një mirësi e madhe, por ajo mund të shndërrohet në një ndëshkim nëse nuk shfrytëzohet si duhet.

Allahu i Madhëruar e udhëzoi Profetin e Tij me fjalët: Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)  dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!   ( Inshirah: 7-8)

Besimtari nuk e njeh kotësinë. Ai kalon nga një punë e dobishme në një tjetër, nga një adhurim në një tjetër, nga një përgjegjësi në një tjetër. Prandaj Kur e përfundon një angazhim, mos e mbush kohën me përtaci e kotësi, por zëvendësoje me një punë tjetër që të afron te Allahu. Besimtari nuk jeton pa qëllim dhe nuk e kalon jetën në zbrazëti; ai kalon nga një e mirë në një tjetër, nga një adhurim në një adhurim tjetër dhe nga një vepër e dobishme në një vepër edhe më të vlefshme, derisa ta takojë Krijuesin e tij. Në këtë mënyrë, koha e lirë bëhet një bekim që e ngre njeriun në gradë, e jo një fatkeqësi që e lë me pendim e humbje në Ditën e Llogarisë.

Prandaj dijetarët e brezave të parë nuk e pëlqenin ta shihnin një njeri pa asnjë angazhim, as në çështjet e fesë dhe as në çështjet e kësaj bote.

Në këtë pikë, mirësia e kohës së lirë mund të kthehet në ndëshkim. Me të drejtë është thënë :

“Rinia, koha e lirë dhe pasuria janë shkaqet më të mëdha të prishjes së njeriut.”

Vëllezër të nderuar!

Nëse dikur njerëzit e humbnin kohën nëpër rrugë e kafene, e ndeja të kota sot koha humbet kryesisht përmes telefonit që secili mban në dorë.

Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Në vetvete ato nuk janë domosdoshmërisht të këqija, sepse mund të përdoren edhe për dije, komunikim dhe dobi. Por mënyra se si përdoren sot nga shumica e njerëzve ka sjellë pasoja të rënda.

Dëmi i tyre nuk është vetëm humbja e kohës.

Ato krijojnë varësi, derisa shumë njerëz nuk arrijnë të kalojnë as disa minuta pa kontrolluar telefonin.

Ato e dobësojnë përqendrimin dhe aftësinë për të lexuar, për të menduar dhe për t’u thelluar në dije.

Ato nxisin krahasimin e vazhdueshëm me jetën e të tjerëve, gjë që prodhon pakënaqësi, stres, ankth dhe ulje të vetëvlerësimit.

Ato ndikojnë në marrëdhëniet familjare; secili është pranë tjetrit fizikisht, por larg shpirtërisht. Familjet ulen së bashku, por secili është i zhytur në ekranin e vet.

Ato cenojnë shëndetin fizik për shkak të mungesës së lëvizjes, qëndrimit të gjatë ulur, dëmtimit të shikimit dhe çrregullimit të gjumit, sidomos nga përdorimi i telefonit deri vonë gjatë natës.

Por rreziku më i madh është mbi fëmijët dhe të rinjtë.

Ata ndodhen në fazën e formimit të personalitetit, të karakterit dhe të sistemit të vlerave. Çdo gjë që shohin, dëgjojnë dhe përsërisin lë gjurmë në mendjen dhe zemrën e tyre.

Kur një fëmijë kalon orë të tëra përpara ekranit, ai nuk humbet vetëm kohën; ai humbet mundësinë për të zhvilluar aftësitë e komunikimit, për të lexuar, për të menduar, për të luajtur, për të krijuar dhe për të ndërtuar një personalitet të shëndoshë.

Shumë studime tregojnë se përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale dhe pajisjeve elektronike lidhet me shtimin e ankthit, depresionit, izolimit shoqëror, çrregullimeve të gjumit, dobësimit të kujtesës dhe uljes së suksesit në mësime.

Prandaj përgjegjësia e prindërve sot nuk është vetëm të sigurojnë ushqim dhe veshmbathje për fëmijët e tyre, por edhe të mbrojnë mendjen, moralin dhe zemrën e tyre nga ajo që konsumojnë çdo ditë.

Të dashur besimtarë!

Pushimet nuk janë vetëm një sfidë; ato janë edhe një mundësi e artë.

Në shumë xhami të vendit tonë organizohen kurse verore për fëmijë dhe të rinj. Këto nuk janë thjesht vende ku mësohet leximi i Kuranit. Ato janë shkolla edukimi, morali dhe formimi.

Aty fëmijët mësojnë Kuranin, mësojnë fenë e tyre, edukohen me sjellje të mira, krijojnë shoqëri të shëndoshë dhe kalojnë kohën në një mjedis të sigurt, larg shumë prej rreziqeve që i presin në rrugë ose në botën virtuale.

Prandaj, dërgimi i fëmijëve në këto kurse është një nga investimet më të mira që prindërit mund të bëjnë për të ardhmen e tyre.

Një kurs veror mund të ndryshojë drejtimin e jetës së një fëmije. Një ajet i mësuar, një hadith i kuptuar, një shok i mirë ose një edukator i sinqertë mund të lërë gjurmë që zgjasin gjithë jetën.

Mos i lini fëmijët peng të telefonit, tabletit apo rrjeteve sociale, ndërkohë që dyert e xhamive janë të hapura dhe u ofrojnë dije, edukatë dhe shoqëri të mirë.

Hasan el-Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kam takuar njerëz që ishin më të kujdesshëm për kohën e tyre sesa ju për floririn dhe argjendin tuaj.”

Ndërsa njëri prej dijetarëve ka thënë: “Nëse më kalon një ditë pa përfituar udhëzim ose pa shtuar dije, ajo ditë nuk llogaritet nga jeta ime.”

Kjo ishte gjendja e të parëve tanë. Ata e matnin jetën me atë që kishin fituar prej saj, jo me atë që kishin humbur në kotësi.

Prandaj, le t’i shndërrojmë këto pushime në një mundësi për t’u afruar më shumë me Allahun, për të forcuar lidhjet familjare, për të lexuar, për të mësuar, për të vizituar të afërmit, për të bërë vepra të mira dhe për të edukuar fëmijët tanë.

Le të mos harrojmë se koha është jeta jonë. Çdo ditë që kalon nuk është thjesht një ditë më pak në kalendar; është një ditë më pak nga jeta jonë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besuan, bënë vepra të mira, e këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe e këshilluan njëri-tjetrin për durim.” ( Elasr: 1-3)

Prandaj, le ta ruajmë këtë mirësi para se të na merret, sepse koha që kaloi nuk kthehet më, ndërsa dita kur do të japim llogari për të po afrohet çdo ditë.

 

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve