Haxhi është një adhurim gjithëpërfshirës, një udhëtim mbrojtës, një fryt i pjekur dhe një tubim madhështor, ku mblidhen muslimanët nga çdo anë dhe drejtim, nga skajet e botës, nën petkun e Ihramit me kokat e pambuluara, të barabartë si dhëmbët e krehrit; ministri pranë rojës, i vogli me të madhin, i pasuri pranë të varfrit. Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as i bardhi ndaj të ziut, përveçse me devotshmëri, sinqeritet dhe vepra të mira. I shtyn një shpresë e vetme, i bashkon një rrugë e vetme dhe i nxit një qëllim i vetëm: kënaqësia e të Vetmit. Ata e ngrejnë telbijen: “Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk, inne-l hamde ue-n ni’mete leke ue-l mulk, la sherike lek”, si përgjigje ndaj thirrjes së përjetshme: “ Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta,
që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara…..” (El-Haxh: 27-28). Ata i vlerësojnë vendet e shenjta dhe i madhërojnë simbolet fetare: “E kush i madhëron simbolet e Allahut, ajo është prej devotshmërisë së zemrave.” (El-Haxh: 32). Ata e madhërojnë Shtëpinë: “O Allah, shtoja kësaj Shtëpie madhështinë, nderin, respektin dhe mirësinë, dhe shtoja atij që e viziton prej haxhinjve ose umrexhinjve madhështinë, nderin dhe respektin.” Ata e puthin gurin: “E di se ti je një gur që nuk sjell as dobi e as dëm, dhe po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke të puthur, nuk do të të puthja.” [Muttefekun alejhi]
Ata falen pranë Mekamit: “Dhe merreni Mekamin e Ibrahimit vend faljeje.” (El-Bekare: 125). Ata bëjnë tavaf rreth Qabes në tokë në një rend të njëjtë me tavafin e melaikeve në qiell: “Pastaj le t’i kryejnë detyrimet e tyre, le t’i përmbushin zotimet e tyre dhe le të bëjnë tavaf rreth Shtëpisë së Lashtë.” (El-Haxh: 29)
Ata ecin ndërmjet Safas dhe Merves, duke marrë shkaqet, duke kërkuar furnizim dhe duke shpresuar bereqet: “Vërtet, Safa dhe Merve janë prej simboleve të Allahut. Kush e bën haxhin ose umren në Shtëpinë e shenjtë, nuk ka gjynah të sillet ndërmjet tyre. E kush bën vullnetarisht mirësi, Allahu është Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare: 158)
Ata puthin një gur dhe gjuajnë një tjetër; në bindje ndaj Allahut dhe pasim të të Dërguarit të Allahut, jo për filozofinë e mendjes dhe as për fanatizmin e mendimit, por për kërkesat e besimit dhe udhëzimin e Kuranit.
Ky është obligimi i bekuar, frymëzimi i mëshirshëm dhe udhëtimi i begatë, në të cilin njerëzit bëjnë haxh drejt tokës më të pastër në tokë dhe vendeve më të ndershme të kësaj bote; asaj toke mbi të cilën eci i Dërguari i Allahut dhe ku zbriti shpallja e Allahut. Ajo dëshmoi zbritjen e Kuranit, ishte vendi ku zbrisnin profetët, vendi ku zbrisnin melaiket, burim i devotshmërisë dhe burim i besimit. Kjo është toka për të cilën Allahu i Madhëruar e urdhëroi mikun e Tij Ibrahim a.s. që ta merrte birin e tij Ismailin dhe ta linte aty, foshnjë pa fuqi e pa mundësi, që të rritej dhe më pas ta ndihmonte në ndërtimin e Xhamisë së Shenjtë të Allahut në këtë tokë, që kjo xhami të bëhej kibla e të gjithë muslimanëve në tubimet e tyre, në namazet e tyre dhe në haxhin e tyre: “Dhe kur Ibrahimi ngrinte themelet e Shtëpisë bashkë me Ismailin: ‘Zoti ynë, pranoje prej nesh! Vërtet, Ti je Dëgjuesi, i Dijshmi.’” (El-Bekare: 127)
Ky është riti i pastër që Allahu i Madhëruar ua ka bërë obligim robërve të Tij muslimanë, që të jetë një udhëtim shpirtëror, një mënyrë profetike, një ligj hyjnor dhe një adhurim ndriçues mbi të cilin bashkohen të gjithë muslimanët dhe japin përpjekje për kryerjen e tij, të njëjtë në shtyllat e tij dhe të gëzuar me obligimet e tij. Ai ua ndriçon rrugën, ua pastron zemrat dhe ua fal mëkatet: “Kush bën haxh dhe nuk flet fjalë të pahijshme e nuk bën mëkate, kthehet nga haxhi si ditën që e lindi nëna e tij.”
Ky është obligimi që Allahu i Madhëruar ua ka ligjësuar robërve të Tij muslimanë që të jetë kusht për plotësimin e Islamit, përkryerjen e fesë dhe plotësimin e mirësisë për çdo të aftë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, jua plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha për ju Islamin si fe.” (El-Maide: 3)
Ai është mjet për shkatërrimin e dallimeve të jetës dhe ngritje mbi të gjitha kënaqësitë e kësaj bote. Nuk ka dallim mes të pasurit dhe të varfrit, as mes sunduesit dhe të sunduarit, as mes zotërinjve dhe robërve, as mes të veçantëve dhe të zakonshmëve. Të gjithë aty praktikojnë durimin, ndjekin rrugën e drejtë në përpjekje dhe përballimin e vështirësive, që të dëshmojnë dobi për veten e tyre në fenë dhe jetën e tyre.
Ai është adhurimi që bashkon muslimanët dhe unifikon besimtarët. Ata lexojnë një Libër të vetëm, Kuranin Fisnik; ndjekin një Profet të vetëm, Muhamedin besnik e të sinqertë; adhurojnë një Zot të vetëm, Allahun Mëshirues dhe Mëshirëplotë; dhe drejtohen drejt një kible të vetme, Qabes fisnike në Shtëpinë e Lashtë.
Nëse namazi është adhurim shpirtëror dhe trupi ka pjesë në të, “miraxh drejt botës së lartë larg peshës së tokës dhe tërheqjeve të jetës”, dhe agjërimi është adhurim shpirtëror dhe zekati është adhurim shpirtëror ku pastrimi ka pjesë në të: “Merr prej pasurive të tyre sadaka që t’i pastrosh dhe t’i dëlirësh me të.” (Et-Teube: 103), atëherë haxhi është adhurim shpirtëror që përfshin të gjitha adhurimet; në të ka namaz, agjërim dhe zekat. Po ashtu, haxhi është adhurim shoqëror ku mblidhen turma të mëdha muslimanësh nga lindja dhe perëndimi i tokës, me gjuhë, ngjyra dhe pamje të ndryshme, ndërsa të gjithë e marrin Qaben si drejtim të vetëm.
Për më tepër, haxhi është adhurim shpirtëror me dhikër dhe lutje, adhurim ekonomik me shitblerje, adhurim politik me konsultim dhe marrje mendimesh, dhe adhurim shoqëror me dashuri dhe vëllazëri.
Ritet e haxhit përzihen me shpirtëroren, me bereqetin, udhëzimin dhe devotshmërinë, në Shtëpinë e Lashtë të Allahut dhe në vendin e tij fisnik.
Ekziston një studim i Ez’herit që ka arritur në përfundimin se Qabja përfaqëson një aparat për trajtim shpirtëror, si pajisjet e trajtimit me rreze. Ata që e ngritën Qaben në formën që është, ishin melaiket e Allahut me urdhër hyjnor. Ai është që bëri një re të hijëzonte Ibrahimin dhe Ismailin dhe t’u përcaktonte kufijtë e Shtëpisë themelet e së cilës ata i ngritën. Qabja është në formë dhome katrore, dhe pranë kufirit të saj verior gjendet një gjysmërreth, Hixhri i Ismailit, i rrethuar me një mur me lartësi një metër e tridhjetë centimetra.
Haxhi i ushqen shpirtrat e lodhur, i hap dyert e mbyllura, e largon varfërinë e skajshme dhe i fshin mëkatet e grumbulluara, ashtu si farka largon papastërtitë e arit dhe hekurit; në zbatim të fjalës së të Dërguarit: “Vazhdoni mes haxhit dhe umres, sepse ato e largojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu si farka largon papastërtitë e hekurit, arit dhe argjendit. Dhe për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.”
Haxhi ka kohë të caktuar “muajt e haxhit”, vend të caktuar “Shtëpinë e Lashtë” dhe njerëz të caktuar “atë që ka mundësi materiale, siguri dhe shëndet”.
Profeti ﷺ doli nga Medina pasi e fali aty namazin e drekës, pastaj zbriti në Dhu-l Hulejfe dhe e fali aty ikindinë dy rekate. Pastaj kaloi natën aty dhe fali akshamin, jacinë, sabahun dhe drekën. Më pas bëri guslin e ihramit, veshi izarin dhe ridanë, u parfumos, hipi mbi devenë e tij në Bejda dhe bëri nijetin për haxh dhe umre.
Kjo është shpirtërorja e haxhit, ku pasojnë ajetet, takohen kujtimet, bashkohen mësimet dhe mblidhen adhurimet në vendin më të mirë që njohu toka, që e madhëroi bota, e zbukuroi feja, e shkroi historia, e përjetësoi Kurani dhe e nderoi Mëshiruesi. Në të gjenden shenjat: “Në të ka shenja të qarta: Mekami i Ibrahimit. Kush hyn në të është i sigurt. Dhe për hir të Allahut, njerëzit e kanë për detyrë të bëjnë haxhin në Shtëpi, kush ka mundësi të arrijë tek ajo. E kush mohon, Allahu nuk ka nevojë për gjithë asnjë nga botët.” (Ali Imran: 97). Në të ka siguri dhe pastërti: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”.” (El-Bekare: 125)
Aspekti shpirtëror i haxhit e tejkalon vetveten dhe na jep ndjenja që nuk përshkruhen, emocione që nuk shkruhen dhe rite që nuk tregohen. Ato i shijon vetëm ai që i kryen, i ndien ai që merr pjesë në to dhe i përjeton ai që i përgjigjet thirrjes së tyre. Ai shikon Qaben, përqafon gurin, falet pranë Mekamit, ecën siç eci Haxherja, bindet siç u bind Ismaili, sakrifikon siç sakrifikoi Ibrahimi a .s. dhe bën tavaf siç bëri tavaf Muhamedi a.s.v.s. dhe e puth gurin siç e puthi Omeri r.a. vetëm nga dashuria, dëshira dhe sinqeriteti, me shpresën që një hap të vijë në vend të një hapi, një tavaf në vend të një tavafi dhe një ecje në vend të një ecjeje, e kështu të shtohet besimi, të zbresë falja, të përhapet siguria dhe të vijë paqja.
O Allah, na dhuro haxh të pranuar, mëkat të falur dhe përpjekje të shpërblyer.
Hamis Enekib
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



