Autor: Bassam Zawadi
Përktheu: Osman Çekaj

Sot, më shumë se kurrë, dëgjon njerëz të thonë gjëra si: “Jam pro spiritualitetit, por jo pro religjionit,” “S’kam problem me besimin në Zot, por me religjionin e organizuar,” dhe “Unë e adhuroj Zotin në mënyrën time, ritualet fetare janë të panatyrshme dhe të dala mode,” e kështu me radhë.

Gjetjet e fundit tregojnë se kjo frymë është në rritje çdo ditë e më shumë[1], dhe nuk ka ndonjë tregues të zbehjes së saj në një të ardhme të afërt.

Si shpjegohet kjo dukuri? Pse njerëzit po i kundërvihen kaq ashpër vetë konceptit të fesë si e tillë, në vend që të refuzojnë vetëm ato fe të caktuara që nuk u pëlqejnë? Për këtë janë dhënë disa shpjegime [2], si:

  • Një ndjenjë e theksuar e autonomisë individuale. Shumë njerëz po mësohen të “mendojnë për veten e tyre”, edhe nëse kjo rezulton në shkëputjen nga tradita dhe feja. Si rrjedhojë, teksa gjithnjë e më shumë njerëz marrin guximin të vënë në pikëpyetje bindjet e tyre, një pjesë e mirë përfundojnë duke e braktisur besimin fetar krejtësisht.
  • Faktorë socialë. Ka studime që dëshmojnë një lidhje të qartë mes përqafimit të pikëpamjeve jofetare dhe rritjes në një familje me besime të ndryshme[3], krijimit të miqësive me persona të papërkatësuar fetarisht [4], apo lidhjeve martesore me partnerë jofetarë, e të tjera.
  • Polarizimi politik. Dikur, feja shërbente për t’i bërë bashkë njerëzit dhe për të përcaktuar identitetin e tyre politik, por sot kjo gjë nuk ndodh, të paktën jo në të njëjtat përmasa. [5] Për pasojë, njerëzit po e lënë mënjanë fenë, duke u dhënë përparësi atyre faktorëve që nxisin mobilizimin politik.
  • Përpjekja për të qenë autentik. Shumëkush nuk dëshiron të ndihet i kufizuar brenda një besimi të caktuar fetar, pasi një gjë e tillë e bën të ndihet më pak autentik dhe jo i sinqertë me veten. Ndaj, ata preferojnë të ndjekin një rrugë që u përshtatet plotësisht në rrafshin personal.
    • Rritja e mosbesimit ndaj institucioneve. Në disa vende, si SHBA-ja, dyshimet që njerëzit kanë për fenë e organizuar dhe klerikët e saj lidhen ngushtë me rritjen e skepticizmit të përgjithshëm ndaj institucioneve të tjera kryesore, si qeveria, media, bizneset e mëdha, etj.
    • Rritja e nivelit të arsimimit. Ka zëra që argumentojnë se arsimimi i lartë ka bërë që mjaft njerëz ta shohin fenë si gjithnjë e më pak të rëndësishme në jetën e tyre, veçanërisht nëse kanë prirje drejt studimit të shkencave. Kjo ndodh pasi mendja e njeriut formësohet në atë mënyrë që të mos “besojë verbërisht” në asgjë dhe të hedhë poshtë mbinatyroren.
  • Kureshtja intelektuale. Disa njerëz mendojnë se asnjë fe e vetme nuk i përfaqëson plotësisht, prandaj zgjedhin të provojnë rite të ndryshme nga disa fe njëherësh, derisa të gjejnë diçka që u bën sens dhe i përshtatet “personalitetit të tyre shpirtëror”.
  • Zhvendosja e fokusit drejt koncepteve më humaniste. Iluminizmi promovoi aspekte të caktuara të fesë, duke përfshirë nocione si morali, progresi i kësaj bote, dhe vullneti i lirë, ndërsa hodhi poshtë të tjerat. Si rezultat, ritet fetare dhe shqetësimi se çfarë ndodh me ne pas vdekjes filluan të shiheshin si gjëra të prapambetura ose të parëndësishme.
  • Prirja egalitare. Të udhëhequr nga idealet e barazisë, shumëkush e ka të vështirë të pranojë idenë e një sistemi klerikal, kjo ndodh sepse u lë përshtypjen sikur klerikët e mbajnë veten shpirtërisht ‘superiorë’.

Arsye të tjera janë dëshira për të ndjekur trendin në rritje të të qenit joreligjioz,ekspozimin ndaj diversitetit më të madh kulturor,  ndikimi i thellë i një kulture laike, hipokrizia e vërejtur te një sërë njerëzish ‘besimtarë’, si dhe mospërputhjet morale e intelektuale me doktrinat fetare, e të tjera.

Nuk dëshiroj që aty për aty t’i hedh poshtë të gjitha këto shqetësime si krejtësisht të paarsyeshme. Pa dyshim, përvojat me fenë ndryshojnë nga njëri njeri te tjetri, dhe disa ankesa ndaj besimeve të caktuara mund të jenë mëse të përligjura.

Sidoqoftë, mendoj se disa prej çështjeve të ngritura nuk duhen marrë edhe aq seriozisht. Për shembull, rasti i shqetësimit që njerëzit kanë lidhur me besimtarët hipokritë. Sigurisht, jo të gjithë njerëzit fetarë janë hipokritë, ashtu siç edhe vetë fetë nuk i mësojnë njerëzit të jenë të tillë. Prandaj, është e padrejtë ta gjykosh fenë duke u bazuar te sjellja e disa ndjekësve të saj, të cilët në fakt as nuk i zbatojnë siç duhet rregullat e fesë të cilën pretendojnë se e ndjekin.

Le të marrim gjithashtu dy shembuj të tjerë, “autonominë” dhe “kureshtjen intelektuale”. Të qenit autonomë dhe kureshtarë intelektualisht nuk do të thotë që doemos të na çojë drejt braktisjes së fesë në tërësi. Një person mund të jetë shumë i pavarur dhe kureshtar, por sërish të zgjedhë të ndërrojë fe, ose të bindet edhe më shumë te feja që ka. Jo çdokush që i qëndron besnik fesë ku ka lindur është domosdoshmërisht një ndjekës i verbër i saj. shtu siç nuk mund të themi se çdo njeri që e lë fenë për të jetuar pa të, është me patjetër një “njeri mendjehapur” (mendimtar i lirë).

Për më tepër, t’i përmbahesh një feje nuk do të thotë detyrimisht të jesh më pak autentik apo i pavërtetë me vetveten. Në Islam, si shembull, ndeshim një korpus të pasur e të gjerë diskutimesh akademike që ofrojnë mendime të larmishme në disiplina të shumta, mes të cilave muslimani është i lirë të përzgjedhë. Një musliman mund të vazhdojë të ndihet ‘autentik’ duke përqafuar cilindo nga mendimet e vlefshme fetare që ka në dispozicion, edhe pse këtë e bën brenda kornizave të gjera të fesë islame.

Gjithashtu, besimi te mbinatyrshmja nuk e bën një person fetar “joshkencor”, sepse shkenca si metodë studimi merret vetëm me atë që është e prekshme dhe natyrore. Përveç kësaj, feja mund të luajë një rol pozitiv duke shërbyer si një plotësuese e shkencës. [6]

Pavarësisht ankesave që dikush mund të ketë ndaj fesë nga përvojat e tij personale, ato duhen vënë në peshore me avantazhet e shumta pozitive që sjell besimi.Disa prej këtyre dobive do t’i shqyrtojmë në vijim.

Dobitë e Fesë

Kur flas për fenë nënkuptoj, në vijë të përgjithshme, një sistem bindjesh dhe praktikash të përbashkëta që shërbejnë si udhë për rritjen shpirtërore të individit. Këtu përfshihen si fetë teiste (si Islami, Krishterimi etj.), ashtu edhe ato joteiste (si Budizmi).

. Disa [7] studiues kanë renditur disa prej dobisë që sjell feja, si për shembull:

  • Rritja e lumturisë dhe përmirësimi i shëndetit mendor. Një sërë studimesh kanë nxjerrë në pah një lidhje të fortë pozitive mes mirëqenies shpirtërore dhe përkushtimit fetar. Shumë kërkime tregojnë se njerëzit fetarë priren të kenë një gjendje më të mirë shpirtërore. Kjo ndodh sepse feja të lidh me një rreth të gjerë shoqëror që të mbështet, përmirëson shëndetin mendor përmes optimizmit për të ardhmen, si dhe të heq barrën e rëndë të kërkimit të kuptimit të jetës apo vdekjes, çliron dikë nga stresi i përballjes me pyetjet ekzistenciale, etj.
  • Përforcimi i kohezionit shoqëror. Feja ka aftësinë të krijojë dhe të mbrojë me efikasitet unitetin e shoqërisë, falë besimeve dhe riteve që njerëzit ndajnë së bashku.
    • Nxitja e faljes. Disa studiues tregojnë se të gjitha fetë kryesore në botë janë ndërtuar me qëllimin e qartë për t’i nxitur njerëzit që të falin njëri-tjetrin.
  • Forcimi i institucionit te familjës. Disa kërkime tregojnë se sa e qëndrueshme është një martesë lidhet ngushtë me faktin se sa fetarë janë bashkëshortët. Pra, besimi fetar shërben si tregues që martesa do të jetë e suksesshme.
  • Rregullimi i shoqërisë. Feja ka potencialin të bëjë të mundur dhe të lehtësojë zbatimin e kodeve morale në rrafshin shoqëror.
  • Imunizimi kundër problemeve sociale. Studimet kanë dëshmuar se rritja e praktikimit fetar shërben gjerësisht si një mburojë parandaluese kundër sëmundjeve sociale, të tilla si abuzimi me lëndët narkotike, lindjet jashtë kurorës, vetëvrasjet, alkoolizmi, e të tjera.

Disa nga të mirat e tjera që përmenden janë mbrojtja nga depresioni, shanse më të mira për t’u shëruar kur je i sëmurë, rritja e besimit te vetja, e kështu me radhë.

Megjithatë, dikush mund të kundërshtojë duke thënë se disa nga këto pika nuk janë doemos tipare ekskluzive të fesë (si për shembull, kohezioni shoqëror). Për më tepër, disa nga këto avantazhe varen shumë nga fakti se sa e drejtë dhe e mirë është vetë feja që po praktikohet (p.sh., rregullat e sjelljes). Pavarësisht kësaj, kur i mbledhim të gjitha këto pika së bashku, ato kanë vërtet peshë, edhe pse kërkojnë disa sqarime shtesë.

Pavarësisht gjithë këtyre, unë do të argumentoja se këto nuk përfaqësojnë dobitë parësore të fesë, e posaçërisht të feve teiste. Përkundrazi, vlera thelbësore e fesë qëndron në faktin se ajo përbën mjetin më të përsosur, përmes të cilit njeriu mund të përshkojë një rrugëtim shpirtëror drejt Zotit.

Feja si Korniza Ideale për Spiritualitetin

David McPherson e përshkruan spiritualitetin në këtë mënyrë:

“Një orientim praktik i jetës, e cila udhëhiqet nga një qëllim më i madh se vetja jonë, i shoqëruar me norma strikte, përfshirë këtu kërkesa ndaj asaj që konsiderohet e shenjtë apo e denjë për t’u nderuar…Rrjedhimisht, shpirtërorja në kuptimin e saj më të thellë përfaqëson diçka më tepër sesa thjesht besimin në Zot, në një forcë kozmike (“fati”, “destini” etj.), apo pranimin e ekzistencës së diçkaje të shenjtë. Pra, shpirtërorja kërkon veprime konkrete për një transformim shpirtëror, që ka për synim përmbushjen e plotë shpirtërore. Është ai proces ku njeriu përpiqet të ketë një lidhje të saktë, me zemër dhe me vepra, me Krijuesin apo me atë që është e shenjtë. Thënë thjesht, njeriu përpiqet të fitojë virtyte dhe t’i ngjajë sa më shumë Zotit në mirësi, duke jetuar një jetë që udhëhiqet nga vlerat shpirtërore.” [8]

Duke u mbështetur në pikëpamjet e teologëve klasikë islamë[9] dhe filozofëve bashkëkohorë perëndimorë, [10] do të shtjelloj arsyet pse adoptimi i një feje teiste është mënyra më e mirë e realizimit shpirtëror.

Ne duhet të marrim në konsideratë rëndësinë jetike të besimeve dhe doktrinave teologjike, të cilat sistemet spirtuale jofetare rëndom i anashkalojnë. Një teologji e mirëfilltë është me rëndësi thelbësore për disa arsye, si për shembull:

  • Shtimi i dashurisë për Zotin, përmes njohjes së Cilësive të Tij. Përtej faktit që Ai është Krijuesi ynë, çfarë dimë tjetër për Zotin? Ashtu siç dashuria për njerëzit thellohet kur arrijmë t’i njohim më mirë, e njëjta vlen edhe në raport me Zotin; nëse aspirojmë të ndërtojmë një raport me Të, i cili është i mbushur me dashuri dhe spiritualitet, patjetër duhet ta njohim Atë. Njohja e Zotit kërkon domosdoshmërisht që të thellohemi e të meditojmë mbi atributet e Tij të madhërishme si mëshira, drejtësia, lavdia, e kështu me radhë. Sidoqoftë, në mungesë të një teologjie të mirëfilltë ku të mund të mbështetemi, një përpjekje e tillë do të mbetej pa asnjë themel të qëndrueshëm.


  • Feja na mëson se si duhet të jetë lidhja jonë me Zotin. A jemi ne njerëzit miqtë e Zotit, armiq, fëmijët shpirtërorë, shërbëtorët, apo thjesht kukullat e Tij? A jemi pak nga të gjitha këto, apo asnjëra prej tyre? Në rast se jemi disa apo të gjitha njëherësh, a jemi të tillë në mënyrë të kushtëzuar apo të pakushtëzuar?   Cili është saktësisht pozicioni i qenieve njerëzore në raport me Zotin? Të kuptuarit e kësaj të vërtete është thelbësor, sepse vetë natyra e marrëdhënies që kemi me Të do të diktonte doemos formën e adhurimit dhe nderimit tonë ndaj Tij.  Pa udhëzimet e doktrinave teologjike që na përcillen përmes shpalljes hyjnore, nuk do të na mbetej gjë tjetër veçse të spekulonim rreth përgjigjes së kësaj pyetjeje thelbësore.


  • Feja e qartëson qëllimin tonë në jetë. Çfarë do të thotë vërtet të kesh besim në Zot? A do të thotë thjesht të pranosh kognitivisht që Zoti ekziston, apo do të thotë edhe t’i bindesh dhe t’i nënshtrohesh Atij? A do Zoti që ne ta adhurojmë, apo ata që i luten thjesht po harxhojnë kohën kot? Për më tepër, kush e ka përcaktuar se qëllimi i jetës vërtitet domosdoshmërisht rreth “rrugëtimeve tona vetiake shpirtërore”? Ndoshta jeta ka një qëllim shumë më të madh sesa thjesht të ndjekim ca synime private vetëm për t’u “ndier mirë me veten” tonë? Ne nuk gëzojmë asnjë tagër për ta ngritur veten në pozitën e arbitrit, që përcakton se kush është Zoti dhe çfarë kërkon Ai prej nesh.


  • Feja e drejton adhurimin tonë tonë  dhe i jep atij kuptim. Ne e adhurojmë Zotin me zemrat, fjalët dhe gjymtyrët tona. Përmes zemrës, ne e duam dhe përvëlohemi nga dëshira për ta parë Atë. Ne i druhemi Atij, e megjithatë jemi thellësisht mirënjohës për të mirat që na ka falur. Ndërsa me gjymtyrët tona, ne përkulemi dhe biem në sexhde para Tij, si shprehja më sipërore të nënshtrimit. Mënyra se si ndihemi, shprehemi e veprojmë, teksa dëshmojmë nderimin tonë ndaj Zotit, mbetet ngushtësisht e ndërthurur dhe e udhëhequr nga bindjet tona teologjike rreth Tij. Për shembull, gjithë këto lutje e adhurime do të ishin një humbje kohe nëse Zoti do të ishte thjesht një krijues që nuk ndërhyn më në jetën tonë (siç besojnë deistët). [11]


  • Feja i jep kuptim dhe domethënie botës në të cilën jetojmë. Si ndërvepron Zoti me gjithësinë? A ekziston vërtet fati? A na ka lënë Zoti të lirë të zgjedhim vetë, apo jo? A ka një jetë tjetër pas vdekjes apo një rrugë që të çon drejt shpëtimit? E nëse po, a është kjo jetë një sprovë e thurur me vështirësi, të cilat Zoti pret që t’i përballojmë me durim, si pjesë e një plani të Tij më të madh për ne? Spiritualiteti jofetar nuk e ka kapacitetin për të ofruar ato përgjigje thelbësore që i ofron feja. Kur i dimë këto gjëra, vetë bota dhe gjithçka që ndodh në të fillojnë të kenë më shumë kuptim.


  • Feja na jep një mjet për të diskutuar dhe gjykuar saktë praktikat e ndryshme shpirtërore. Nëpërmjet fesë, ne jemi në gjendje të ndërtojmë një botëkuptim sistematik dhe koherent rreth asaj që besojmë rreth Zotit dhe mënyrës se si rrekemi shpirtërisht për të ngritur një urë dashurie me Të. Nëpërmjet fesë, ne jemi në gjendje të ndërtojmë një botëkuptim sistematik rreth mënyrës se si e besojmë Zotin dhe mënyrës se si rrekemi shpirtërisht për të ngritur një urë dashurie me Të. Kjo na e bën më të lehtë të flasim e të diskutojmë me të tjerët në lidhje me besimet tona. Kjo na e bën më të lehtë të flasim e të diskutojmë me të tjerët në lidhje me besimet tona. Gjithashtu, na ndihmon të vlerësojmë me sy kritik praktika shpirtërore që mund të jenë të dëmshme ose mashtruese (si për shembull rrahja e vetvetes apo përdorimi i kristaleve për shërim), të cilat kohë pas kohe mbështillen me vellon e misterit për t’i shpëtuar syrit kritik.


  • Feja na ofron qartësi morale. A është Zoti një qenie moralisht e përsosur, i cili u jep qenieve njerëzore urdhëresa morale për t’i zbatuar? A e dikton rendi i universit ku jetojmë detyrimin për t’iu bindur Krijuesit? A mbartim ne, si qenie njerëzore, një vlerë të qenësishme morale që na ngre më lart se krijesat e tjera, siç janë kafshët apo insektet? A ekzistojnë vallë vlera morale që ia vlen të mishërohen, e madje edhe të luftohet për to? Si mund t’i korrigjojmë gjykimet tona morale? Një kornizë e shëndoshë teologjike bart përgjigjet e duhura për këto pyetje thelbësore.

 

Zoti është Madhështor, [12] tejet madhështor për t’u kuptuar duke u bazuar në përshtypjet tona subjektive. Përkundrazi, Zoti manifeston nderimin dhe dashurinë e Tij për ne, duke komunikuar me ne përmes shpalljeve të qarta e të kuptueshme (librave të shenjtë).

 

Praktikat shpirtërore duhet të nxisin zhvillimin e një vetveteje më të mire. Qëllimi kryesor i tyre është të na mësojnë si të kujdesemi për shpirtin tonë duke e pastruar atë nga gabimet dhe mëkatet, e jo thjesht të na ndihmojnë të zhytemi në ndjenja oqeanike qetësie apo të ndihemi mirë me veten.  Për këto të fundit, ekzistojnë “zgjidhje të shpejta”, të tilla si qetësuesit apo lëndët narkotike.

Të qenit shpirtëror nuk do të thotë thjesht të heqësh dorë nga gjërat materiale, por është një rrugë e vërtetë për ta kënaqur Zotin dhe për t’u lidhur me Të. Zoti është burimi më i lartë i të gjitha vlerave dhe ia vlen thellësisht të përpiqemi të lidhemi me Të, dhe vetëm nëpërmjet kësaj lidhjeje jetët tona arrijnë përmbushjen absolute, e zemrat tona gjejnë prehjen e vërtetë.

Ajo çka spiritualistët modernë nuk arrijnë të kuptojnë është fakti se, pavarësisht pasionit fillestar të njeriut për t’u lidhur me hyjnoren, me kalimin e kohës praktikat shpirtërore priren të shndërrohen në rutinë dhe organizime të ngurta pa shpirt. Kjo ndodh sepse, me kalimin e kohës, këto praktika provohen dhe njerëzit e shohin nese ato vërtet ndihmojnë në rritjen e tyre shpirtërore.

 

A janë ritet fetare në hap me kohën?

Në Islam, adhurimi përfaqëson një mënyrë jetese gjithëpërfshirëse që shtrihet përtej ritualeve. Ibn Tejmije thotë: “Adhurimi (Al-‘Ibadah) është një term gjithëpërfshirës që përfshin gjithçka që Allahu e do dhe me të cilën është i kënaqur, qofshin thënie apo veprime, si të jashtme ashtu edhe të brendshme.” [13] Kështu që, adhurim mund të jetë çdo gjë e mirë që bëjmë, qoftë kjo bindje ndaj prindërve tanë, dhënia e lëmoshës, vizita e të sëmurëve, ndihma ndaj të tjerëve, vendosja e lidhjeve farefisnore, të qenit të ndershëm në marrëdhëniet tona të biznesit, mbrojtja e të shtypurve, ushqyerja e të uriturve, mbrojtja e mjedisit, etj., adhurim konsiderohet çdo vepër që Zoti e do, kur ajo kryhet me qëllimin e dëlirë për të fituar kënaqësinë e Tij.

Pra, “ritet” fetare mbeten një pjesë tejet e rëndësishme e adhurimit në Islam. Ka një grup njerëzish që ritet fetare i shohin si diçka arkaike e jo relevante për kohën; kjo qasje, thënë butë, është e çuditshme. Ato nuk janë thjesht detyra që duhen kryer shkel e shko, nuk janë thjesht zakone, ato kërkojnë prezencën bashkë me vetëdijen tonë. Përfshirja në këto rite lyp domosdoshmërisht një nivel të caktuar qëllimi, vullneti, përkushtimi dhe energjie. Nëse i bëjmë pa e kuptuar pse po i bëjmë dhe pa u dhënë vlerë, ato kthehen në detyrime të bezdisshme që mezi presim t’i mbarojmë. Pra, problemi në këtë rast nuk është te vetë riti, por te fakti se si ne e kuptojmë dhe si e praktikojmë atë.

Rëndësia e riteve manifestohet edhe me faktin se ne kemi rite në pothuajse çdo aspekt të jetës sonë. Për shembull, në vendin e punës ritet ndihmojnë shumë për të krijuar një frymë të mirë grupi. Ato lidhin njerëzit, krijojnë zakone të forta, i bëjnë punonjësit më të përkushtuar dhe e bëjnë më të lehtë trajnimin dhe futjen e njerëzve të rinj në punë. [14] Gjithashtu, studimet tregojnë se ritet na ndihmojnë të kalojmë dhimbjen kur humbim dikë të dashur. Ato ulin stresin dhe ankthin, dhe na japin më shumë vetëbesim kur kemi për të bërë diçka të rëndësishme, duke ndikuar për mirë në atë që mendojmë, ndiejmë dhe bëjmë. [15] Ne i praktikojmë ritet po ashtu për t’i dhënë trajtë dhe rregull përditshmërisë sonë, për të kremtuar çaste gëzimi, për të përkujtuar ngjarje historike me qëllim ruajtjen e lidhjes me të shkuarën, për të mbajtur gjallë identitetin e komunitetit duke farkëtuar lidhje përmes traditave të përbashkëta, për të shënuar ngjarje e faza jetësore, etj. Duke pasur parasysh të gjitha këto, nëse ritet janë kaq të dobishme dhe ndihmojnë kaq shumë në fusha të ndryshme të jetës, pse është kaq e vështirë ta kuptojmë vlerën e tyre pozitive edhe kur bëhet fjalë për fenë? Parë nga këndvështrimi islam, dijetarët muslimanë kanë shkruar gjerësisht mbi dobitë e thella shpirtërore, fiziologjike dhe shoqërore, të cilat qëndrojnë në themel të urtësisë së riteve të tilla si Namazi, Agjërimi, Haxhi, etj.  Për të mos e zgjatur tepër këtë artikull, nuk do të futem në detaje këtu, por mjafton të bëni një kërkim në Google nëse jeni kuriozë dhe doni të lexoni më shumë rreth tyre.

Pa pikë dyshimi, këto rite e humbasin plotësisht vlerën dhe kuptimin e tyre kur personi i praktikon ato, në mënyrë të pavetëdijshme, si shprehi të rëndomta, duke u mjaftuar vetëm me përsëritjen mekanike të lëvizjeve. Megjithatë, ne nuk mund ta fajësojmë konceptin e riteve në vetvete, thjesht sepse një numër i caktuar njerëzish (apo qoftë edhe një shumicë e tyre) ndjekin një qasje të gabuar gjatë praktikimit të tyre.

Është e vërtetë që njerëzit praktikojnë plot rite të dëmshme, si për shembull rrahja e vetvetes (vetëfshikullimi).  E megjithatë, a do të ishte vallë e drejtë që t’i gjykojmë të gjitha ritet vetëm sepse ekzistojnë disa (ose madje shumë) prej tyre që janë të dëmshme? Padyshim që jo, andaj një lajthitje e tillë logjike do të duhej të shmangej.

Me pak fjalë, të kesh dhe të praktikosh rite fetare nuk është aspak diçka e pallogjikshme apo arkaike.

 

Përfundim

Si një musliman që beson thellësisht se Islami është e vetmja fe e vërtetë, kuptohet që nuk do t’i mbroj të gjitha fetë, doktrinat apo praktikat, por po mbroj thjesht idenë e rëndësisë së fesë në vetvete. Nuk mendoj se të gjitha të mirat që përmendëm për fenë mund të gjenden apo zbatohen në çdo fe pa përjashtim. Për më tepër, unë besoj se fetë teiste (si p.sh., Islami, Krishterimi, etj.), si koncepte, gezojnë një epërsi të dukshme kundrejt feve joteiste (si p.sh., Budizmi), ngase fetë teiste ofrojnë një kornizë teologjike shumë më të qëndrueshme, e cila shërben si themel për praktikën shpirtërore. Si një musliman, unë madje do të shkoja më tej duke argumentuar se Islami është superior ndaj të gjitha feve.

Fetë, në tërësinë e tyre, ofrojnë një truall shumë më të frytshëm e optimal, ku mund të lulëzojë përndritja shpirtërore. Ai lloj spiritualiteti popullor për të cilin diskutuam, ku gjithsecili e përcakton vetë natyrën e rrugëtimit të tij shpirtëror, nuk mund të quhet një spiritualitet i mirëfilltë, pasi i mungon tërësisht baza dhe koherenca teologjike mbi të cilën duhet të ngrihet. Andaj, kushdo që mbron idenë se feja është diçka që ka dalë jashtë mode dhe është jorelevante për kohën tonë, e lus që ta rishqyrtojë këtë qëndrim me më shumë kujdes.

 

Referencat

[1] Shih: Hogan, M. 2019. The Rise of the “Nones”: The Next Step in the Evolution of Religion. E disponueshme online: https://medium.com/swlh/the-rise-of-the-nones-127c4cccaeca.

[2] Shih: See: Mercandante, L. 2020. Spiritual Struggles of Nones and ‘Spiritual but Not Religious’ (SBNRs), Religions, 11(10), p. 513; Fuller, R.C. 2001. Spiritual, But Not Religious: Understanding Unchurched America, Oxford: Oxford University Press; Schneiders, S.M. 2003. Religion vs. Spirituality: A Contemporary Conundrum, Spiritus, 3(2), pp. 163-185; and Newport, F. 2019, Why Are Americans Losing Confidence in Organized Religion? Gallup, e disponueshme online: https://news.gallup.com/opinion/polling-matters/260738/why-americans-losing-confidence-organized-religion.aspx.

[3] Kjo mbase shpjegon edhe arsyen se përse ka dijetarë islamë, të cilët i gjykojnë martesa të kësaj natyre si të pakëshillueshme.

[4] Kjo na ndihmon të kuptojmë më qartë atë hadith të famshëm të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), i cili thotë: “Njeriu ndikohet nga feja (rruga) e shokut të tij; prandaj, secili duhet ta shikojë mirë se me kë shoqërohet.” [Sunen Ebi Davud dhe Tirmidhiu]

[5] Unë mendoj se nuk duhet ta bëjmë këtë gjë të përgjithshme, sepse kjo ndodh vetëm pjesërisht, në disa shtete të caktuara dhe vlen vetëm për disa grupe specifike njerëzish.

[6] Shih: Craig, W. What is the Relation between Science and Religion? E disponueshme online: https://www.reasonablefaith.org/writings/popular-writings/science-theology/what-is-the-relation-between-science-and-religion.

[7] Shih: Lock, S. 2013. Happiness. In: Taliaferro, C., Harrison, V.S., & Goetz, S. ed. The Routledge Companion to Theism, New York: Routledge, pp. 666-677; McCullough, M. E., Bono, G. & Root, L.M. 2005. Religion and Forgiveness. In: Paloutzian, R. F. & Park, C. L. ed. Handbook of the Psychology of Religion and Spirituality, New York: The Guilford Press, pp. 394-411; Boundless Courses, The Functionalist Perspective on Religion, e disponueshme online: https://www.coursesidekick.com/sociology/study-guides/boundless-sociology;  Fagan, P. 1996. Why Religion Matters: The Impact of Religious Practice on Social Stability, The Heritage Foundation, e disponueshme online: https://www.heritage.org/civil-society/report/why-religion-matters-the-impact-religious-practice-social-stability.

[8] McPherson, D. 2017. Homo Religiosus: Does Spirituality Have a Place in Neo-Aristotelian Virtue Ethics? In: McPherson, D. ed. Spirituality and the Good Life: Philosophical Approaches, Cambridge: Cambridge University Press, fq. 64.

[9] Shih: See: Al-Ghazālī, M. 1975. Maʻārij al-Quds fī Madārij Maʻrifat an-Nafs, 2nd edition, Beirut: Dār al- Āfāq al-Jadīdah; Al-Ghazālī, M. 2003. Al-Iqtiṣād fī al-‘Itiqād, Ramaḍān, I. ed., 1st edition, Beirut: Dār al-Kotaiba; Al-Āmidī, S. 2004. Abkār al-Afkār fī Uṣūl ad-Dīn, al-Mahdī, A. ed., 2nd edition, Cairo: Dār al-Kutub wal-Wathāiq al-Qawmīyyah; Al-Busnawī, K. 2007. Ishārāt al-Marām min ‘Ibārāt al-Imām Abī Hanīfah an-Nu’mān fī Uṣūl ad-Dīn, al-Mizyadī, A. ed., 1st edition, Beirut: Dār al-Kutub al-‘Ilmīyyah; Al-Fihrī, S. 2010. Sharḥ Ma’ālim Uṣūl ad-Dīn lil-Imām Fakhruddīn ar-Rāzī, Ḥammādī, A. ed., 1st edition, Amman: Dār al-Fatḥ; Al-Jawzīyyah, I. 2011. Miftāḥ Dār as-Sa’ādah wa-Manshūr Wilāyat al-‘Ilm wal-Irādah, Qāid, A. ed., 1st edition, Makkah: ‘Ālam al-Fawāid; An-Nasafī, M. 2011. Tabṣirat al-Adillah fī Uṣūl ad-Dīn, Īsa, M. 1st edition, Cairo: al-Jazīra.

[10] Shih: Schneiders, S.M. 2003. Religion vs. Spirituality: A Contemporary Conundrum, Spiritus, 3(2), pp. 163-185; Cottingham, J. 2005. The Spiritual Dimension: Religion, Philosophy, and Human Value, Cambridge: Cambridge University Press; Cottingham, J. 2014. Philosophy of Religion: Towards a More Humane Approach, Cambridge: Cambridge University Press; Cottingham, J. 2017. Philosophy, Religion, and Spirituality, In: McPherson, D. ed. Spirituality and the Good Life: Philosophical Approaches, Cambridge: Cambridge University Press, pp. 11-28; Cottingham, J. 2017. The Spiritual and the Sacred, In: Carroll, A. & Norman, R. ed. Religion and Atheism Beyond the Divide, New York: Routledge, pp. 130-140; Park, C. L. 2005. Religion and Meaning. In: Paloutzian, R. F. & Park, C. L. ed. Handbook of the Psychology of Religion and Spirituality, New York: The Guilford Press, pp. 295-314; McPherson, D., op. cit.

[11] Për një kritikë më të thelluar kritike ndaj deizmit, shih: Zawadi, B. 2019, A Critique of Deism, i diponuëshm online: https://www.academia.edu/40166753/A_Critique_of_Deism; gjithashtu edhe i përkthyer në shqip: https://erasmusi.org/2023/09/26/kritike-ndaj-deizmit-2/.

[12] Freddie deBoer e shpjegon shumë bukur këtë: “Nëse Zoti ekziston, atëherë ky përbën faktin absolutisht më madhor në mbarë historinë e krijimit, kurorën e të cilit nuk do të mund t’ia rrëmbejë kurrë askush e asgjë. Mendojeni pak: nëse ekziston një qenie (sado e pakuptueshme për ne) që krijoi botën ku jetojmë, që ndodhet kudo, që vendosi ligjet e natyrës dhe rregullat se çfarë është e mirë e çfarë e keqe, që sheh gjithçka, që na gjykon për besimin dhe veprat tona dhe na shpërblen apo ndëshkon sipas tyre, atëherë, është e qartë se kjo e vërtetë lë pas çdo të vërtetë tjetër që njohim.” (deBoer, F. What Became of Atheism, Part One: Wearing the Uniform, I disponueshem online: https://freddiedeboer.substack.com/p/what-became-of-atheism-part-one-wearing).

[13] Ibn Taymiyyah, A. 1995. Majmu’ al-Fātawá, Qāṣim, A. ed., Medina: King Fahd Complex, vol. 10, fq. 19.

[14] Coleman, C. 5 Powerful Ways Rituals Improve Corporate Culture, Culture Wise, Available online: https://culturewise.com/blog/corporate-culture-rituals;  Loehr, J. & Schwartz, T. 2003. The Power of Full Engagement, New York: The Free Press, pp. 162-182

[15] Gino, F. & Norton, M.I. 2013, Why Rituals Work, Scientific American, i disponueshem online: https://www.scientificamerican.com/article/why-rituals-work/.