Hyrje

Elhamdulilah, falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

O ju besimtarë, frikësojuni Allahut ashtu siç e meriton frikën dhe mos vdisni ndryshe veçse si muslimanë.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an:

(وَفِي الْأَرْضِ آيَاتٌ لِلْمُوقِنِينَ)
“Dhe në tokë ka shenja për ata që janë të bindur.” (Edh-Dharijat: 20)

Vëllezër të nderuar, toka mbi të cilën ecim nuk është thjesht një vend ku jetojmë, por është një mrekulli e madhe nga mrekullitë e Allahut. Në të ka shenja të fuqisë së Tij, urtësisë së Tij dhe mëshirës së Tij.

Shikoni rreth jush: malet e larta, detet e gjera, lumenjtë që rrjedhin, bimët që rriten… të gjitha këto janë argumente të madhështisë së Krijuesit.

Allahu thotë:

(أَلَمْ نَجْعَلِ الْأَرْضَ مِهَادًا * وَالْجِبَالَ أَوْتَادًا)
“A nuk e bëmë tokën shtrat dhe malet shtylla?” (En-Nebe: 6-7)

Toka është e qëndrueshme, edhe pse rrotullohet me shpejtësi të madhe. Ne jetojmë mbi të të qetë, hamë, pimë dhe flemë, pa ndjerë asgjë nga kjo lëvizje. Kush e mban atë? Kush e ruan që të mos devijojë?

Allahu i Lartësuar thotë:

(إِنَّ اللَّهَ يُمْسِكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ أَنْ تَزُولَا)
“Vërtet, Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken…” (Fatir: 41)

O robër të Allahut,

Prej kësaj toke është fillimi ynë dhe tek ajo është kthimi ynë:

(مِنْهَا خَلَقْنَاكُمْ وَفِيهَا نُعِيدُكُمْ وَمِنْهَا نُخْرِجُكُمْ تَارَةً أُخْرَى)
“Prej saj ju krijuam, në të do t’ju kthejmë dhe prej saj do t’ju nxjerrim përsëri.” (Ta-Ha: 55)

Ne jetojmë mbi të dhe do të varrosemi në të. Ajo është strehë për të gjallët dhe për të vdekurit.

(أَلَمْ نَجْعَلِ الْأَرْضَ كِفَاتًا * أَحْيَاءً وَأَمْوَاتًا)
“A nuk e bëmë tokën mbledhëse, për të gjallët dhe për të vdekurit?” (El-Murselat: 25-26)

 

Prej shenjave të tokës është se ajo vdes dhe ringjallet:

(وَتَرَى الْأَرْضَ هَامِدَةً فَإِذَا أَنْزَلْنَا عَلَيْهَا الْمَاءَ اهْتَزَّتْ وَرَبَتْ)
“E sheh tokën të tharë, por kur i zbresim ujë, ajo gjallërohet dhe rritet…” (El-Haxh: 5)

Kjo është një kujtesë për ne për Ditën e Kiametit. Ashtu si ringjallet toka, edhe ne do të ringjallemi.

Pjesa e dytë

O besimtarë,

Kjo tokë nuk është vetëm vendbanim, por është ara e Ahiretit. Çfarë mbjellim këtu, do ta korrim atje.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“إذا قامت الساعة وفي يد أحدكم فسيلة فإن استطاع أن لا تقوم حتى يغرسها فليغرسها”
“Nëse ndodh Kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një fidan, nëse mundet ta mbjellë para se të ndodhë, le ta mbjellë.” (Ahmedi)

Ky hadith na mëson përgjegjësinë ndaj tokës dhe ndaj mirësisë, deri në momentin e fundit.

Por sot, o vëllezër, shumë njerëz e kanë harruar këtë amanet…

Ndotja e tokës, ndotja e ujit, prerja e pemëve pa nevojë, shkatërrimi i natyrës – të gjitha këto janë të ndaluara në Islam.

Allahu i Lartësuar thotë:

(وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَاحِهَا)
“Mos bëni çrregullime në tokë pasi është rregulluar.” (El-A’raf: 56)

Dhe thotë:

(وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ الْفَسَادَ)
“Dhe Allahu nuk e do shkatërrimin.” (El-Bekare: 205)

Gjithashtu, Islami ndalon shpërdorimin:

(وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلَا تُسْرِفُوا)
“Hani dhe pini, por mos e teproni.” (El-A’raf: 31)

Përfundim

O robër të Allahut,

Kjo botë është e bukur, por është kalimtare. Allahu e përshkruan jetën e kësaj bote si:

(كَمَاءٍ أَنْزَلْنَاهُ مِنَ السَّمَاءِ فَاخْتَلَطَ بِهِ نَبَاتُ الْأَرْضِ)
“Si uji që e zbresim nga qielli dhe me të përzihet bima e tokës…” (Junus: 24)

Ajo zbukurohet, pastaj zhduket.

Prandaj, mos u mashtroni nga kjo botë, por përdoreni atë për të fituar Ahiretin.

Ruajeni tokën, sepse është amanet.
Bëni mirë, sepse do ta gjeni para Allahut.
Mbillni mirësi, sepse do ta korrni në Xhenet.

Allahu na bëftë prej atyre që e kuptojnë amanetin dhe e ruajnë atë.

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالإِحْسَانِ…
“Vërtet Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirësinë…” (En-Nahl: 90)

Faleni namazin, jepni zekatin dhe përmendni Allahun shumë që të shpëtoni.

وأقم الصلاة

 

/Solli në gjuhën shqipe: Hoxhë Besart Feka/