Pasojat e rrezikshme të të ashtuquajturit Feminizëm Islam

 

Një nga eksponentet kryesore të të ashtuquajturit “feminizëm mysliman” ka shkruar dikur se myslimanët nuk duhet të ngurrojnë t’i thonë “jo” Kuranit. Epo, mbase është koha që myslimanët të mos ngurrojnë t’i thonë “jo” feminizmit.

 

Shumë të reja myslimane e përqafojnë feminizmin fillimisht nga një dëshirë e thellë dhe e sinqertë për drejtësi. Duke qenë dëshmitare të praktikave të ashpra kulturore, dhunës apo shtypjes që shpesh u bëhet grave në emër të traditës së keqinterpretuar, ato kërkojnë me dëshpërim një mburojë për to. Feminizmi u shfaqet si një platformë e gatshme dhe tërheqëse, e cila premton barazi, mbrojtje nga lëndimi emocional e fizik, si dhe rivendosjen e dinjitetit njerëzor. Kjo shtysë buron nga një ndjeshmëri e lartë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.

Megjithatë, me kalimin e kohës dhe thellimin në këtë ideologji, shpesh lind një zhgënjim i madh. Ato fillojnë të vërejnë se rrymat e feminizmit bien shpesh ndesh me parimet thelbësore shpirtërore dhe familjare të besimit të tyre. Në vend që të sjellë harmoni, kjo ideologji jo rrallëherë nxit antagonizmin gjinor dhe një individualizëm të skajshëm. Në fund, ato e kuptojnë se drejtësia dhe mëshira e vërtetë që kërkonin me aq zjarr, gjendet pikërisht brenda thelbit të fesë së tyre, dhe se feminizmi nuk ishte ilaçi i duhur për plagët e shoqërisë.

Problemet me filozofinë e feminizmit janë të mëdha dhe të thella. Feminizmi, që në zanafillën e tij, zuri fill si një lëvizje thellësisht kundër fesë dhe institucionit të familjes. Sado e rëndë të jetë për t’u pranuar nga disa myslimanë, e vërteta është se problemet e feminizmit me besimin islam nuk shfaqen vetëm te një apo disa prej rrymave të tij, por në të gjitha rrymat e tij. Për ta konstatuar këtë, mjafton të analizohen shkrimet e teoricieneve feministe më të spikatura në histori, duke filluar nga “vala e parë” e deri tek ajo e “tretë”, dhe një konkluzion i tillë mbetet i pakundërshtueshëm (referohuni shembujve në vijim).

Është e domosdoshme që myslimanët t’i kuptojnë këto probleme me feminizmin, pasi mjaft myslimanë sot e mbajnë veten për feminist. Kjo përbën një rrezik pasi, siç edhe e konstatuam, feminizmi inkorporon në thelbin e tij parime që janë diametralisht të kundërta me Islamin dhe që cenojnë besimin. Ekzistojnë jo vetëm konflikte sipërfaqësore mes Islamit dhe feminizmit, por edhe kontradikta shume me të thella strukturore. Analiza e detajuar e këtyre problematikave është e domosdoshme, por për kontekstin mysliman, një pikënisje racionale do të ishte vlerësimi i kësaj lëvizjeje nga pasojat e saj, njëlloj siç gjykohet pema nga frutet. Duhet t’i shtrojmë vetes këtë pyetje thelbësore: Përse një numër kaq i lartë i feministeve myslimane përfundojnë duke e braktisur Islamin?

 

Shifrat

Gratë që e mbajnë veten për feministe kanë shumë më pak të ngjarë të jenë besimtare në krahasim me pjesën tjetër të grave.[1] Një studim në SHBA konstaton se në popullatën e gjerë, rreth 7 në 10 gra shprehen se i përkasin një feje të organizuar, si Judaizmi, Krishterimi, Islami, e të tjera. Kurse mes grave feministe, vetëm 1 në 10 prej tyre raporton një përkatësi të tillë. [2]

Por a tregon kjo një prirje të braktisjes së fesë nga gratë si pasojë e feminizmit? Ka statistika të tjera që e mbështesin këtë pohim. Për shembull, midis viteve 1993 dhe 2013, numri i grave jofetare u trefishua në SHBA.[3] Numri i njerëzve jofetarë në përgjithësi u rrit gjatë kësaj periudhe, por ajo që bie në sy është fakti se rritja e demografisë së grave jofetare e tejkaloi rritjen e përgjithshme.

Në vitin 1993, vetëm 16 për qind e ateistëve dhe agnostikëve ishin gra, mirëpo brenda 20 vjetësh, kjo shifër pothuajse u trefishua duke arritur në 43 për qind.[4] Analistët argumentojnë se është pikërisht përhapja e ideologjisë feministe dhe laike përmes medias masive, si dhe gjithnjë e më tepër përmes internetit e rrjeteve sociale, ajo që fshihet pas këtij hovi të braktisjes së fesë.[5]

Përtej shifrave, shumë prej nesh i kanë parë me sytë e tyre këto prirje kudo në komunitetin mysliman, aq sa kjo gjë është kthyer tashmë në një klishe. Sot, burra dhe gra që kanë braktisur fenë islame shkruajnë hapur për arsyet që i shtynë drejt apostazisë, andaj s’kemi as pse të hamendësojmë për shkaqet.[6] Ata e shprehin troç: Islami, Kurani dhe Profeti ﷺ u hapin rrugë patriarkalitetit dhe shtypjes. Thënë ndryshe, meqë Islami nuk është feminist, si mundet atëherë një feministe të jetë myslimane?

Reagim !

Individët e vetëidentifikuar si feministë myslimanë do ta kundërshtojnë fuqishëm pohimin se feminizmi i tyre i ka orientuar drejt braktisjes së fesë. Dhe, le të jemi të qartë, unë nuk po them se çdokush që e mban veten për feminist mysliman sot, herët a vonë do ta lërë fenë.  E ritheksoj, nuk po pretendoj se çdo individ që sot identifikohet si feminist mysliman do të përfundojë në apostazi.

Thënë ndryshe, jo kushdo që hidhet në ujëra të pushtuara nga peshkaqenët do të bjerë pre e tyre, megjithëse gjasat nuk janë në favor të shpëtimit. Notarët e shkathët mbase edhe mund të shpëtojnë, të gjakosur e të lënduar, por të paktën duke marrë frymë; kurse pjesa tjetër, pashmangshmërisht do të jetë ushqim për peshkaqenët.

Ngjashëm, feminizmi ka gllabëruar një pjesë të komuniteteve tona muslimane. Nëse na dhemb për besimin në përgjithësi, dhe për atë të gjeneratës së ardhshme në veçanti, nuk mund të mbyllim më sytë përpara këtij fenomeni.

Hapi i parë në zgjidhjen e cilitdo problem është të pranosh ekzistencën e tij. Shqetësimi im, dhe jo vetëm i imi, është se komuniteti ynë duhet ta pranojë rrezikun që përbën feminizmi për besimin tonë. Ngurrimi për ta bërë këtë lind ose nga mosnjohja e realitetit, ose ngaqë të thuash një gjë të tillë është politikisht jokorrekte dhe shkakton hidhërim te grupet që verbërisht e ndjekin këtë doktrinë.

Por, sado e pakëndshme që mund të jetë, ne duhet të përballemi me realitetin e hidhur. Heshtja duhet thyer dhe është detyrë e udhëheqësve fetarë,, imamëve dhe dijetarëve që t’i thonë gjërave troç, ashtu siç janë. Rreziqet janë të mëdha dhe pasojat e ideologjisë feministe mundet edhe të mos njihen plotësisht në momentin që po flasim. Pas dhjetë, a ndoshta edhe pesë vitesh, do të kthejmë kokën pas për të pyetur veten se ku gabuam, por atëherë mund të jetë tepër vonë. Është koha të veprojmë tani. Qëllimi im në këtë shkrim është të argumentoj se si feminizmi shërben si shteg drejt braktisjes së fesë, me shpresën që myslimanët ta kuptojnë rrezikun dhe të gjejnë frymëzimin për të ngritur zërin e për të paralajmëruar kundër kësaj të keqeje.

 

Pa u zgjatur më tej, ja pse feminizmi është shteg drejt braktisjes së fesë:

Faza 1

Gjithçka zë fill me ankesa legjitime rreth mënyrës se si një pjesë e burrave myslimanë trajtojnë gratë myslimane. Në komunitetin tonë ekziston dhuna në familje, si në forma fizike ashtu edhe emocionale. Ka xhami dhe institucione myslimane që i shpërfillin nevojat dhe hallet e grave. Në disa prej kulturave tona anëkënd botës, vajzat vuajnë nga standarde të dyfishta thellësisht të padrejta në krahasim me djemtë. Dhe e keqja më e madhe është se ndonjëherë fajtorët, nga egoizmi dhe padija, përpiqen t’i përligjin këto praktika abuzimi dhe shpërfilljeje të plotë duke u thirrur në Kuran ose në hadithe të caktuara.

Zgjidhja e këtyre problemeve nuk qëndron te feminizmi. Zgjidhja është korrigjimi i injorancës me dituri islame. Dhe kjo është një dije që buron nga dijetarët e vërtetë (ulematë), gjegjësisht ata ulema që nuk kanë rënë pre e ndikimit të modernizmit, liberalizmit dhe vetë feminizmit.

Por mjerisht, në mungesë të dijes së mirëfilltë, gratë myslimane (por edhe burrat) e kanë përdorur feminizmin si një rrugëdalje për të shfryrë zhgënjimin e tyre. Kështu, myslimanët i hyjnë rrugës së feminizmit, dhe pasojat kanë qenë një katastrofë e vërtetë.

Nëse abuzimi i grave është një sëmundje, atëherë parimet dhe etika islame janë kura natyrale, “organike”, e shëndetshme, ndërsa feminizmi është një trajtim i ashpër kimik toksik, i cili mund ta heqë qafe sëmundjen por vetëm duke e vrarë pothuajse pacientin ndërsa krijon dhjetë sëmundje të tjera në vend të saj.

Mënyra sesi feminizmi e diagnostikon burimin e sëmundjes është problematike; këtë e bën duke brohoritur e denoncuar “patriarkatin”, pra duke i denoncuar burrat si kategori (dhe gratë që e pranojnë patriarkatin). Pra, duke përdorur gjuhë demonizuese ndaj burrave dhe duke pretenduar se burrat, për nga natyra, dëshirojnë t’i sundojnë gratë, t’i keqtrajtojnë dhe t’i shfrytëzojnë ato.

Kjo është gjuhë jolegjitime e përdorur për të adresuar një problem legjitim. Por pastaj, ajo gjuhë ngadalë merr kontrollin dhe të transformon vetëdijen.

 

Faza 2

Në Fazën e Parë, problemi qëndronte tek abuzimet e prekshme të disa burrave (por edhe grave). Ndërsa në Fazën e Dytë, problemet marrin një natyrë më abstrakte dhe konceptuale.

Pse paneli në konferencën islame nuk ka asnjë grua? Pse një imam burrë mban fjalim për hixhabin dhe për mënyrën se si duhet të vishen gratë? Pse burrat myslimanë e vrasin mendjen se çfarë veshin gratë? Pse xhamia mban një ndarëse mes burrave dhe grave? Pse ndarja gjinore (e quajtur ndryshe edhe “aparteidi gjinor”) është relevante në ditët e sotme? Dhe në fund të fundit, pse po i jepet kaq rëndësi modestisë? Si guxojnë burrat të flasin për çështjet e grave! Si guxojnë burrat të japin mendim për feminizmin (ndonëse feminizmi i akuzon burrat se po shtypin sistematikisht gjysmën e popullsisë, e ndokush mund të mendojë se i akuzuari meriton të paktën një mundësi për t’u mbrojtur nga akuza kaq të rënda)? E kështu me radhë.

Fajtori dihet, si përherë: “Patriarkalizmi”!

Ndryshe nga Faza e Parë, problemet e Fazës së Dytë nuk burojnë nga një njohje e mirëfilltë e Islamit dhe e traditës së tij të normave. Ato formësohen dhe diktohen nga diskursi liberal dhe feminist perëndimor. Kjo duket qartë kur sheh se si feministet e Fazës së Dytë sulmojnë me tërbim praktika që kanë një bazë të fortë në ligjin dhe dijen islame, siç është ndarja e gjinive, modestia, rregullat e veshjes, kufizimi i shfaqjes së grave dhe i përzierjes së tyre me burra të huaj (jo-mahrem), e të tjera. Mirëpo, shpeshherë feministet e kësaj faze nuk e dinë se këto norma kanë baza të forta në traditën normative islame. E kur u bëhet e ditur se këto praktika i kanë rrënjët thellë në jurisprudencën islame, pikërisht atëherë ato kalojnë në…

Faza 3

Në Fazën e Tretë, është vetë autoriteti i dijetarëve islamë ai që vihet nën shënjestër. Në Fazën e Dytë, pakënaqësitë lidheshin me praktikat dhe sjelljet e myslimanëve të ditëve të sotme. Mirëpo tani, ky mllef zgjerohet dhe godet myslimanët ndër shekuj, e në veçanti ulematë.

Feminizmi argumenton se, nëse patriarkati, si ky sistem gjithëpërfshirës, është burimi i një shtypjeje kaq të madhe ndaj grave në ditët e sotme, atëherë logjikisht mund të themi se ky sistem shtypës ka ekzistuar njësoj edhe në të shkuarën, në mos më keq. Në këtë fazë, feministja pyet veten: dijetarët e Islamit ndër shekuj, a kanë pasur po të njëjtën mendësi mizogjene dhe po të njëjtat paragjykime që kanë dijetarët e sotëm?

Dhe kur hedhim sytë nga veprat e kolosëve të dijes islame, ato janë të stërmbushura me materiale që feminizmi i sheh si kulmin e patriarkatit dhe mizogjenisë. Në këtë fazë, gjejmë shumë myslimane që kishin nisur me zell kërkimin e dijes fetare, por me të hasur në këto tekste, tmerrohen dhe mbeten të zhgënjyer nga tradita e dijes islame; që nga ky moment, fillojnë ta shohin atë si një korpus të kontaminuar nga patriarkati.

Në këtë fazë, feministi mysliman gjen ngushëllim te mendimi se njeriu duhet të mbështetet vetëm te Kurani dhe tradita profetike, pasi ato janë të vetmet burime të papërlyera nga shtrembërimet e shëmtuara të burrave. Por pastaj, edhe kjo vihet nën shënjestër…

Faza 4

Kurani 4:34, Kurani 2:228, “dy dëshmitare”, “trashëgimia”, “nëse do t’i urdhëroja dikujt t’i binte në sexhde…” e kështu me radhë. Si mund të gjejë paqe me të gjitha këto një feministe myslimane? Si ka mundësi që shpallja e Zotit të përmbajë jo një, as dy, por një mori shprehjesh që duken si mizogjene? Kjo situatë, e cila për feministen myslimane është burim turbullirash shpirtërore, e bën atë të kërkojë një mori rrugëdaljesh e zgjidhjesh.

Sidoqoftë, ekziston mundësia që të gjitha këto elemente të jenë keqinterpretuar. Mbase, pas përpjekjesh të mjaftueshme, edhe mund ta interpretojmë këtë ajet apo atë ajet. Ndoshta mund të pajtojmë shpalljen, që u pa dhe u kuptua si kulmi i elokuencës dhe mençurisë dhe drejtësisë nga njerëzit e shekullit të 7-të (dhe të 8-të, dhe të 9-të, dhe të 10-të, …) me dërdëllitjet e studimeve gjinore të shekullit të 20-të dhe 21-të. Ndoshta, kushedi! Çdo gjë mund të ndodhë!

Një qëndrim kaq naiv mund të rezistojë vetëm përkohësisht, dhe atë vetëm falë mosnjohjes së numrit të madh të ajeteve kuranore dhe haditheve që godasin në thelb feminizmin modern. Sa më shumë njihet me këto ajete dhe hadithe feministja myslimane, aq më të mëdha janë gjasat që ajo të kalojë në Fazën 4.

Në fazën e katërt, feministja myslimane e kupton se e vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë problem, pra, për të “pajtuar” Islamin me feminizmin, është të mohojë faktin që Kurani është fjalë e Zotit dhe të hedhë poshtë vlefshmërinë e traditës profetike (Sunetit).

Në fazën e katërt, bëhet fare e lehtë të nxjerrësh blasfemi nga goja. Këtu bëhet e mundur të mbrosh hapur ide të tilla si: e drejta e grave për të prirë një xhemat të përzier gjatë faljes, e drejta e grave myslimane për t’u martuar me burra jomyslimanë, lejimi i marrëdhënieve brenda të njëjtit seks, pranimi i marrëdhënieve jashtëmartesore (zinanë), e plot të tjera si këto.  Kjo ndodh ngase personat në Fazën e Katërt jo vetëm që kanë mohuar çdo rregull të vendosur më parë nga dijetarët, por as nuk besojnë më se ekziston një Sheriat apo Sunet objektiv dhe me autoritet që mund t’i diktojë sjelljen një myslimani. E kushdo që merr guximin të flasë me autoritet se “çfarë urdhëron Zoti”, kryqëzohet menjëherë si një shtypës patriarkal (fundja, vetë “autoriteti” është një koncept patriarkal sipas tyre).

Tani, nuk mbeten shumë feministe myslimane në Fazën e Katërt, sepse bëhet pothuajse e pamundur t’i justifikosh gjithë këto gjëra e njëkohësisht ta mbash veten për myslimane. Shkalla e disonancës kognitive që duhet për të ruajtur këtë identitet është dërrmuese. Përveç kësaj, fakti që komuniteti i gjerë mysliman reagon (me plot të drejtë) ashpër ndaj blasfemisë dhe nëpërkëmbjes së simboleve islame nga ana e këtyre individëve, i mbush ato me një mllef gjithnjë e më të madh ndaj vetë faktit të të qenit myslimane. Dhe ja se si mbërrijmë tek…

 

Faza 5

Në Fazën 5, lëngata dhe tortura mendore bëhen të papërballueshme. Dhe në këtë pikë, mjafton fare pak për t’i dhënë dikujt shtytjen e fundit drejt humnerës.

Nëse Zoti nuk bën dallime mes gjinive, përse i referohet Vetvetes me “Ai” në shpallje, dhe jo si “Ajo” apo me një përemër asnjanës? Përse njeriu i parë u krijua burrë dhe jo grua? Përse pjesa dërrmuese e historive në Kuran flasin për burra dhe jo për gra? Përse i Dërguari i fundit i Zotit ishte një burrë dhe jo një grua? Përse shpallja hyjnore na mbërriti nëpërmjet një burri dhe jo një gruaje?

Ky lumë pyetjesh të thjeshta por acaruese i çon ato buzë greminës së mosbesimit (kufrit) dhe braktisjes së fesë. Dhe pastaj, i njëjti mendim që i shtyu në këtë rrugë që në fillim, u jep atyre një shtytje përfundimtare në humnerë.

E vetmja përgjigje që feminizmi mund të japë në këtë fazë, e në çfarëdo lloj faze, është : Gjithçka ishte thjesht një gënjeshtër e sajuar nga burrat për të mbajtur nën kontroll gratë.

(Vërëjtje: Ky shpjegim i ndikimit të feminizmit përmes këtyre fazave është rezultat i vrojtimit të disa studiuesve perëndimorë. Në vendet e Perëndimit, për një mori arsyesh e faktorësh, nuk janë të rralla rastet e të rejave dhe të rinjve myslimanë që i kanë kaluar të pesë fazat. Në vendin tonë, ndikimi i feminizmit në masë të madhe ka shkuar ndoshta deri te faza e dytë, në disa raste deri te faza e tretë. Por, kjo nuk do të thotë që do të ndalet aty, nëse nuk vetëdijesohemi dhe nuk ndërmarrim masat e duhura para se të jetë vonë.)

Përfundim

Rreziku i feminizmit qëndron në faktin se ai funksionon sipas efektit domino. Pasi një person futet në rrugën e shpjegimit të gjithçkaje me termat e, “Patriarkatit!”, pjesa tjetër është vetëm çështje kohe. Kjo vjen ngaqë logjika e të shpjeguarit të çdo padrejtësie duke fajësuar patriarkatin shërben si një përgjigje që gjithëpërfshirese. Feministet e Fazës së Pestë janë thjesht më të sinqerta dhe më të qëndrueshme intelektualisht sesa ato të Fazës së Parë, të Dytë, të Tretë apo të Katërt. Feministet e Fazës së Pestë i kanë ndjekur pasojat e feminizmit deri në fundin e tyre të pashmangshëm e të hidhur.

 

Që në valën e tij të parë

Lexuesi mund të ngrejë pikëpyetjen: “Cila degë, tipologji apo cili përkufizim i feminizmit përbën realisht problematikën në këtë kontekst?” E vërteta është se problemi qëndron te vetë feminizmi në thelbin dhe në tërësinë e tij. Për të bërë një krahasim, shumica prej nesh e pranon se racizmi është problem dhe se racizmi ndaj njerëzve me një ngjyrë të caktuar lëkure apo përkatësie etnike është i dëmshëm për besimin. E megjithatë, në të vërtetë, racizmi brenda ideologjisë së Ku Kluks Klanit nuk është plotësisht njëlloj me racizmin e neonazistëve apo të rrymave të ekstremit të djathtë, e kështu me radhë. Ka nuanca mes tyre. Por, a ka vërtet rëndësi kjo gjë, kur vetë racizmi është problemi, në thelbin e vet dhe në të gjitha format e manifestimit të tij?

Që në zanafillën e tij, feminizmi ka qenë një lëvizje antifetare. Në të vërtetë, figurat më në zë të secilës valë të feminizmit kanë qenë ashpërsisht kundër fesë.

Që në hapat e tij të parë në shekullin e 19-të si një lëvizje shoqërore për të drejtën e votës së grave, feminizmi në “valën e tij të parë” vuri në shënjestër fenë tradicionale si burimin e shtypjes së grave. Mendimtaret e para feministe besonin se institucionet fetare jo thjesht ndikuan në zbehjen e të drejtave të grave, por ishin pikërisht burimi fillestar nga ku mbinë bindjet dhe praktikat kundër grave. Susan B. Anthony, një nga figurat qendrore të lëvizjes feministe, theksoi: “Armiku më i madh i grave gjendet në faltore.”[7] Anthony shpesh e sulmonte me tërbim fenë tradicionale dhe njerëzit që e njihnin personalisht e konsideronin atë agnostike. Ndër deklaratat e saj për fenë ishte kjo: “Çfarë qenie e tmerrshme duhet të jetë ai Zoti i tyre, që vazhdon e sjell në jetë gojë të uritura, ndërkohë që u mban fshehur bukën për t’i ngopur!”[8] Në lidhje me idenë e fesë së organizuar në veçanti, Anthony u shpreh: “Nuk mund ta përfytyroj që një Zot i universit të lumturohet ngaqë unë bie në gjunjë dhe e quaj ‘të madhërueshëm’.”[9]

Një tjetër feministe e hershme e “valës së parë” të shekullit të 19-të, Helen H. Gardener, shkroi gjerë e gjatë rreth “krimeve” dhe “abuzimeve” të Biblës dhe Krishterimit lidhur me trajtimin e grave:

“Kjo fe dhe Bibla kërkojnë gjithçka nga gruaja, e nuk i japin asgjë në këmbim. Ato lypin mbështetjen dhe dashurinë e saj, dhe ia kthejnë me përçmim dhe shtypje … Çdo padrejtësi që ka rënduar ndonjëherë mbi gratë në një vend të krishterë, është ‘ligjëruar nga Bibla’, si dhe është ngulitur e përjetësuar nga foltorja e kishës.” [10]

Sidoqoftë, përbuzja e Gardener ndaj religjionit nuk u limitua ekskluzivisht te Krishterimi. Ajo thekson në veprën e saj Men, Women, and Gods:

“Edhe nëse një fe pretendon se ka origjinë mbinjerëzore, dhe besoj se të gjitha e bëjnë këtë, ajo duhet të testohet nga arsyeja njerëzore.  E nëse ndjenjat tona më të larta morale revoltohen kundër cilitdo prej urdhrave të saj, atëherë këta urdhra duhen hedhur poshtë. Sepse e vetmja gjë e vlefshme në çfarëdo feje është morali, dhe ky i fundit s’ka fare të bëjë me besimin. Njëri ka të bëjë me veprat e drejta në këtë botë, ndërsa tjetri lidhet me të panjohurat e botës tjetër. Njëri është nevojë e kohës, kurse tjetri një iluzion per perjetesine. Morali varet nga evolucioni i përgjithshëm i njerëzimit, ndërsa besimi te një ‘shpallje’ e veçantë. E pra, asnjë grua nuk e ka luksin të pranojë asnjë lloj “shpalljeje” që i është ofruar deri më sot kësaj bote. Fakti që Moisiu apo Konfuci, Muhamedi apo Pali, Abrahami apo Brigham Young ngulmojnë se dogma e tyre e veçantë u erdhi drejtpërdrejt nga Zoti, dhe se ky ishte një komunikim personal për njërin apo për të gjithë këta individë të zgjedhur, është një detaj që s’mund të ketë asnjë pushtet mbi ne, përveçse nëse mësimet e tyre përputhen plotësisht me mendimin tonë më të lartë, qëllimin tonë më fisnik dhe konceptimin tonë më të pastër mbi jetën. Kush prej tyre mund ta kalojë këtë provë? Asnjë ‘shpallje’ e njohur deri më sot nga njerëzimi nuk mund ta shohë drejt e në sy shekullin e nëntëmbëdhjetë e t’i thotë: ‘Unë eci paralelisht me zhvillimin tënd më të lartë; unë ende udhëheq mendimin tënd më të thellë; asnjë prej mësimeve të mia nuk e trondit ndjenjën tënde të drejtësisë.’ Asnjë e vetme.” [11]

Këtë urrejtje ndaj fesë mund ta vërejmë kudo nëpër shkrimet dhe fjalimet e shumë prej figurave më të njohura të feminizmit të valës së parë, përfshirë Elizabeth Cady Stanton, e cila i priu nismës për të shkruar librin thellësisht kontravers e blasfemik, Bibla e Grave. Nëse feministet myslimane të ditëve të sotme do të shkruanin një “Kuran të Grave”, ato thjesht do të barazoheshin me feministet e para më shumë se një shekulli, të cilat i përkisnin valës së parë – një valë që supozohej të ishte më e buta dhe më e pranueshmja nga të gjitha valët e feminizmit.

Por armiqësia ndaj fesë nuk mbaron me kaq. Le të ndalemi tek e ashtuquajtura “vala e dytë” e feminizmit. Mendimtarja për të cilën thuhet se i hapi rrugën kësaj vale është Simone de Beauvoir, e cila e shprehu kundërshtinë e saj ndaj fesë në këtë mënyrë:

“Mashkulli e gëzon privilegjin e madh që Zoti t’ia bekojë ligjet që ai vetë shkruan; dhe përderisa burri ushtron një pushtet absolut mbi gratë, është një fat i madh që ky pushtet t’i jetë dhuruar atij nga vetë Krijuesi. Për hebrenjtë, muhamedanët dhe të krishterët, mes të tjerëve, burri është padroni me të drejtë hyjnore; ndaj, frika ndaj Zotit do të ndrydhë çdo shkëndijë revolte te gruaja e shtypur”.[12]

Lidhur me fenë, një figurë tjetër e valës së dytë feministe, Gloria Steinem, pohon: “Kur e mendon thellë, është një skemë mashtrimi e pabesueshme: t’i besosh diçkaje sot, në këmbim të një jete pas vdekjes. Madje as korporatat, me gjithë skemat e tyre të shpërblimeve, nuk përpiqen t’i premtojnë shpërblimet pas vdekjes.”[13]

Në një intervistë të kohëve të fundit, Steinem u pyet: “Cili mendoni se është problemi më i madh për feminizmin sot?”, pyetje të cilës ajo iu përgjigj: “Ajo për të cilën s’po flasim aq sa duhet, është feja. Mendoj se spirtualiteti është tjetër gjë. Por feja është thjesht politikë në qiell. Mendoj se vërtet duhet ta diskutojmë këtë gjë. Sepse ajo ushqehet dhe merr fuqi pikërisht nga heshtja.”[14]

Përgjatë valës së tretë, urrejtja ndaj fesë së organizuar vetëm sa vjen e thellohet, mirëpo kjo urrejtje merr forma të ndryshme, përfshirë këtu edhe formën e një përkushtimi ndaj “besimeve alternative” dhe “spiritualitetit joreligjioz”. Profesorja e Studimeve të Gruas, Gjinisë dhe Seksualitetit, Susan Shaw, argumenton se, po të kemi parasysh institucionet tradicionale fetare si Kisha, Xhamia dhe Sinagoga, “Patriarkati është feja sunduese e këtij planeti”, dhe:

“”Bota lëngon nga një problem gjinor i përmasave fetare. Na nevojitet një reformim, mbase edhe një revolucion, për të rrafshuar altarët e ngritur në emër të pushtetit të burrave, e për të ngritur nga e para një faltore mbarëbotërore të përfshirjes, barazisë, drejtësisë, paqes dhe dashurisë.”[15]

Filozofja feministe radikale dhe lezbike, Mary Daly, besonte se feja në thelbin e saj ishte thellësisht shtypëse ndaj grave dhe e përshkroi këtë gjendje me fjalët: “Një grua që kërkon barazi në kishë është njëlloj si një person me ngjyrë që kërkon barazi në Ku Klux Klan.”[16]

Daly theksoi gjithashtu në esenë e saj provokuese “Sin Big”:

Fjala ‘mëkat’ buron nga rrënja indo-evropiane ‘es-’, e cila mbart kuptimin ‘të jesh’. Kur zbulova këtë etimologji, e kuptova vetvetiu se për një njeri të ngecur brenda patriarkatit, i cili përfaqëson fenë e mbarë planetit, ‘të jesh’ në kuptimin e vërtetë të fjalës, do të thotë ‘të mëkatosh’.” [17]

Në këtë ese, Daly i nxit gratë të gjejnë “guximin për të bërë mëkat”, sepse, sipas saj, atë që feja e konsideron mëkat, në fakt, është thjesht rebelim ndaj patriarkatit. Përmbysja e patriarkatit ecën paralelisht me përmbysjen e normave fetare. Në të vërtetë, sipas Dalyt, nuk ka asnjë dallim mes tyre, pasi feja është vetë patriarkati dhe patriarkati është vetë feja. Të shkatërrosh njërën do të thotë të shkatërrosh tjetrën.

Trashëgimia e shkrimeve feministe është e tejmbushur me pikëpamje të tilla, mjaftueshëm për të mbushur vëllime të tëra. E natyrisht, këtë lloj blasfemie e shohim të pasqyrohet edhe te vetë feministet myslimane (sidomos tek ato të Fazës së Pestë). Tek e fundit, njeriu s’ka si të jetë ndryshe veçse produkt i ideve që konsumon, qoftë kjo edhe jashtë vullnetit të tij.

Duke parë se sa e dukshme është prania e sentimentit antifetar në çdo rrymë të mendimit feminist, gjatë të gjitha valëve të tij, si mund të imagjinojmë valle që adoptimi i një ideologjie të tillë, në çfarëdo mënyre, trajte apo forme, do të bënte diçka tjetër përveçse të kalbte besimin e një myslimani?

 

Një shteg tjetër

Për këtë arsye, kushdo që e konsideron veten feminist/e, sa më parë ta kuptojë se ku të shpie kjo rrugë dhe të heqë dorë prej saj, aq më mirë është. Është vërtet më se e dhimbshme që shumë gra në shoqëritë tona vuajnë nga shtypja dhe padrejtësia, por zgjidhja nuk është feminizmi; zgjidhja është t’i kthehemi fjalës së Zotit. Ndoshta, ajo që duhet të kalibrojmë nga e para është pikërisht ndjesia jonë mbi drejtësinë dhe barazinë. Dhe ku ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë, sesa duke iu drejtuar vetë Burimit të Drejtësisë dhe të Mëshirës, përmes Fjalëve të Tij:

“Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim: ‘Besoni Zotin tuaj!’, pra ne besuam. Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i shlyej gabimet tona dhe na i merr shpirtrat bashkë me të mirët! Zoti ynë, na jep atë që na premtove përmes të dërguarve Tuaj dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit; vërtet, Ti nuk e shkel premtimin! Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt prej jush që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër ju jeni prej njëri-tjetrit. Atyre që migruan, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua shlyej patjetër veprat e tyre të këqija dhe do t’i fus në kopshte (Xhenet) nëpër të cilët rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. E shpërblimi më i mirë është te Allahu. Të mos të mashtrojë ty lëvizja (shëtitja me luks) e jobesimtarëve nëpër botë. Kjo është një kënaqësi e pakët, pastaj vendbanimi i tyre është Xhehenemi; sa vend i keq që është ai! (Kuran 3:193-197)

 

Dhe më tej, Allahu thotë: “Ne të zbritëm ty Librin (Kuranin) me të vërtetën, si vërtetues të librave të mëparshëm dhe dëshmitar (mbikëqyrës) mbi ta. Pra, gjyko midis tyre sipas asaj që ka zbritur Allahu dhe mos ndiq epshet e tyre duke u larguar nga e vërteta që të ka ardhur. Secilit prej jush Ne i caktuam një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një ummet (popull) të vetëm, por Ai dëshiron t’ju sprovojë në atë që ju ka dhënë; andaj garoni për vepra të mira. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju njoftojë për atë që kishit kundërshtime.(Kuran 5:48)

Allahu nuk do t’ia humbë mundin askujt, qoftë burrë apo grua, dhe Ai do të na gjykojë vetëm mbi bazën e asaj me të cilën na ka sprovuar, asgjë më shumë e asgjë më pak. Gratë nuk do të gjykohen për atë që u është dhënë burrave, ashtu siç burrat nuk do të gjykohen për atë që u është dhënë grave. Ky është standardi i drejtësisë gjinore që na ofron Allahu në Kuran. Nuk është e thënë që burrat dhe gratë t’i nënshtrohen pikë për pikë të njëjtit ligj. Nuk është e thënë që burrat dhe gratë të ngarkohen fiks me të njëjtat përgjegjësi. Ashtu siç nuk është e thënë që burrat dhe gratë të jenë të pajisur me po të njëjtat tipare. Ashtu siç Allahu krijoi qenie të llojllojshme engjëj, xhinë, re, male, kafshë e të tjera dhe i caktoi secilit lloj vendin dhe rolin e vet në Krijim, po ashtu Ai i ka krijuar burrat dhe gratë të ndryshëm nga njëri-tjetri, e megjithatë ata vazhdojnë të jenë “prej njëri-tjetrit”. Burrat dhe gratë myslimanë duhet t’i dalin krah njëri-tjetrit në këto kohë të turbullta e të vështira.

Për më tepër, të gjitha format e abuzimit dhe keqtrajtimit të grave, ndaj të cilave po reagojnë njerëzit e Fazës 1, mund të zgjidhen plotësisht përmes normave dhe udhëzimeve islame të përcaktuara nga Kurani dhe Suneti. Profeti ﷺ i përmbledh këto udhëzime me fjalën e tij: “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me bashkëshortet e tij, dhe unë jam më i miri ndër ju me bashkëshortet e mia.”[20] Në lidhje me dhunën fizike, Profeti ﷺ theksoi specifikisht: “Shumë gra i janë drejtuar familjes së Muhamedit për t’u ankuar për bashkëshortët e tyre. Ata që veprojnë kështu, pra, ata që nisin e rrahin gratë e tyre, nuk janë më të mirët mes jush.”[21]

Por abuzimi që përjetojnë shumë gra nuk kufizohet vetëm në anën fizike. Abuzimi emocional dhe lënia pas dore mund të jenë edhe më shkatërrimtare sesa goditjet fizike. Shumë gra myslimane nuk ndihen të vlerësuara e të dashura nga bashkëshortët e tyre, e lëre pastaj të respektuara. Disa ndihen sikur nuk janë asgjë tjetër veçse shërbëtore brenda shtëpive të tyre. E megjithatë, në Kuran, në Suren El-Muxhadile, Vetë Allahu thotë: “Allahu tashmë i ka dëgjuar fjalët e asaj që debatonte me ty [O Muhamed] lidhur me burrin e saj dhe i ankohej Allahut.”[22] Allahu, Zoti i gjithësisë, e shfaq vëmendjen dhe mëshirën e Tij duke dëgjuar ankesat e grave të keqtrajtuara. Si mundet atëherë, që një bashkëshort mysliman të jetë aq i pandjeshëm dhe zemërakull sa të shpërfillë nevojat emocionale të vetë bashkëshortes së tij? Përtej kësaj, një vështrim i hollësishëm i jetës së Profetit ﷺ dhe Sahabëve (shokëve të tij) tregon se ata në asnjë rast nuk e përdorën nënçmimin, ofendimin apo përçmimin ndaj grave, qofshin ato bashkëshortet, motrat apo vajzat e tyre. Transmetime të shumta tregojnë se si këta burra të bekuar bënin kujdes të veçantë për të qenë emocionalisht të ndjeshëm ndaj grave të tyre dhe për t’ua plotësuar atyre të drejtat me miresi, pra me përsosmëri dhe mirësi të thellë.[23]

Ka edhe shumë e shumë më tepër për të thënë rreth këtyre çështjeve. Por për momentin, si myslimanë, detyra jonë është të forcojmë thellësisht besimin tonë te fuqia e vetë Islamit, dhe jo e “Islamit feminist”, për të zgjidhur padrejtësitë. Shembulli i Profetit është modeli dhe standardi ynë i vetëm për drejtësinë gjinore, e jo përsiatjet (shpesh herë haptazi kundër fesë) të Susan B. Anthony-t, Simone de Beauvoir-it, Betty Friedan-it, Gloria Steinem-it apo Bell Hooks-it.

Për fund!

U bëj thirrje imamëve, studiuesve dhe prijësve fetarë që ta marrin shumë më seriozisht nevojën për të trajtuar tema të sikletshme si feminizmi, të cilat janë anashkaluar prej një kohe të gjatë. Shmangia e këtyre temave mund të ishte e pranueshme në epokën para internetit dhe rrjeteve sociale, kur myslimani i thjeshtë mund të jetonte pa u bombarduar nga propaganda anti-islame. Por sot, kjo shmangie vetëm sa do të ushqejë një pakënaqësi dhe zhgënjim gjithnjë e më të madh ndaj Islamit dhe institucioneve të tij të dijes.

Në vend që t’i lëmë feminizmit dorë të lirë për të bërë kërdinë në radhët e umetit, ne duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për ta kritikuar dhe çmontuar atë në rrafshin intelektual dhe akademik. Ofrimi i këtyre kritikave shkon përtej fushëveprimit të kësaj eseje të shkurtër, por, inshaAllah, ato do të vijnë në të ardhmen. Në fund të fundit, rrëzimi i feminizmit do t’u krijojë myslimanëve hapësirën e nevojshme intelektuale dhe emocionale për ta kuptuar drejt gjininë dhe marrëdhëniet gjinore në Islam, si dhe për të parë se sa pamasë më superior është ai, në rrafshin e drejtësisë dhe mëshirës, krahasuar me atë që mund të ofrojë feminizmi.

 

/Përgatiti: Osman Çekaj/

 

Referencat

[1] Aune, Kristin. “Much Less Religious, A Little More Spiritual.” Feminist Review, vol. 97, no.

1, Mar. 2011, pp. 32–55., link.springer.com/article/10.1057%2Ffr.2010.33. Accessed 16 Aug.

[2] Aune, Kristin. “Why Feminists Are Less Religious.” The Guardian, Guardian News and

Media, 29 Mar. 2011, www.theguardian.com/commentisfree/belief/2011/mar/29/why-feminists

less-religious-survey. Accessed 16 Aug. 2017.

[3] Marcotte, Amanda. “America Is Losing Religion: Why More and More Women Are

Embracing Non-Belief.” Alternet, 14 May 2015, www.alternet.org/belief/america-losing

religion-why-more-and-more-women-are-embracing-non-belief. Accessed 16 Aug. 2017.

[4] “2015 State of Atheism in America.” Barna Group, 24 Mar. 2015,

www.barna.com/research/2015-state-of-atheism-in-america/. Accessed 16 Aug. 2017.

[5] Aune, Kristin. “Why Feminists Are Less Religious.”

[6] Bolt, Andrew. “On Leaving Islam.” Herald Sun, 18 June 2017,

www.heraldsun.com.au/blogs/andrew-bolt/on-leaving-islam/news

story/c53fcdca1b98905f1f8909a9ce6323c6. Accessed 16 Aug. 2017.

[7] MicMillen, Sally as cited in: Seneca Falls and the Origins of the Women’s Rights Movements

https://www.csmonitor.com/Books/2008/0205/p17s01-bogn.html

[8] New York World, February 2, 1896, quoted in Harper (1898–1908), Vol. 2. pp. 858–60

[9] Ibid.

[10] Gardener, Helen Hamilton. Men, Women, and Gods. S.l., Forgotten Books, 2017,

infidels.org/library/historical/helen_gardener/men_women_and_gods.html. Accessed 16 Aug.

2017.#0

[11] Ibid.

[12] Beauvoir, Simone de, and H. M. Parshley. The Second Sex. South Yarra, Vic., Louis Braille

Productions, 1989.

[13] “Gloria Steinem.” Freedom From Religion Foundation,

ffrf.org/news/day/dayitems/item/14362-gloria-steinem. Accessed 12 Sept. 2017.

[14] Calloway-Hanauer, Jamie. “Is Religion the ‘Biggest Problem’ Facing Feminism Today?”

Sojourners, 6 May 2015, sojo.net/articles/religion-biggest-problem-facing-feminism-today.

Accessed 12 Sept. 2017.

[15] Shaw, Susan M. “Is Patriarchy the Religion of the Planet?” The Huffington Post,

TheHuffingtonPost.com, 1 Oct. 2015, www.huffingtonpost.com/susan-m-shaw/is-patriarchy-the

religio_b_8228710.html. Accessed 12 Sept. 2017.

[16] “Mary Daly.” Wikipedia, Wikimedia Foundation, 8 Sept. 2017,

en.wikipedia.org/wiki/Mary_Daly#cite_note-26. Accessed 12 Sept. 2017.

[17] Daly, Mary. “Sin Big.” The New Yorker, The New Yorker, 19 June 2017,

www.newyorker.com/magazine/1996/02/26/sin-big. Accessed 12 Sept. 2017.

[18] Quran 3:193-197. Sahih International Translation.

[19] Quran 4:58. Sahih International Translation.

[20] Tirmidhi. Vol. 1, Book 46, Hadith 3895.

[21] Abu Dawud. Book 1, Hadith 279.

[22] Quran 58:1. Sahih International Translation.

[23] Consider the lengthy narration where Umar (rn) describes the Prophet’s ﷺ behavior toward

his wives, where they would openly argue with him and the Prophet ﷺ did not admonish them

for that but treated them with due care and consideration. This narration can be found in Sahih

al-Bukhari, Vol. 3, Book 43, Hadith 648.