Nga bukuritë e Fesë Islame është se ajo është fe gjithëpërfshirëse. Nga dëshmitë e kësaj gjithëpërfshirjeje është fakti se Islami është kujdesur për njeriun si shpirtërisht, ashtu edhe fizikisht. Ai i ka ofruar shpirtit nevojat dhe shkaqet e lumturisë së tij, dhe në të njëjtën kohë nuk e ka neglizhuar trupin, faktorët e qëndrueshmërisë dhe forcës së tij. Kështu që ka thirrur për kujdes ndaj tij dhe për marrjen e shkaqeve të forcës dhe bazës së ndërtimit të tij. Nga fjalët e njohura të Profetit ﷺ është: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur te Allahu sesa besimtari i dobët, edhe pse në të dy ka mirësi.” ( Sahih Muslim). Ai gjithashtu ka thënë: “Edhe trupi yt ka të drejtë ndaj teje.” ( Sahih Muslim ).
Nga këtu vjen roli i sportit si një mjet efektiv për forcimin dhe rregullimin e trupit. Prandaj, sporti është një kërkesë fetare, dhe jo, siç mendojnë disa, prej gjërave nga të cilat një mysliman duhet të largohet duke e konsideruar si zbavitje që e shpërqendron nga adhurimi dhe dhikri, dhe që ul shkallën e respektit mes njerëzve. Pa dyshim, ky është një kuptim i gabuar i fesë së gjithanshme, e cila ka ardhur për të formësuar myslimanin fizikisht, mendërisht, shpirtërisht, shoqërisht dhe moralisht.
Përfitimet prej sportit
Sporti, pa dyshim, është nga shkaqet e ndërtimit dhe forcimit të trupit. Ai e ndihmon trupin në kryerjen e funksioneve të tij, rregullon qarkullimin e gjakut, përmirëson funksionin e trurit dhe zemrës, forcon muskujt dhe pengon shfryrjen e tyre, rrit elasticitetin e kyçeve dhe e bën njeriun aktiv dhe energjik. Energjia e shpenzuar në të heq dhjamin dhe yndyrat, e pastron trupin nga toksinat dhe helmet, parandalon sëmundjet dhe lufton obezitetin.
Sporti është një derë për mbushjen e kohës së lirë me atë që është e dobishme dhe e vlefshme, që koha të mos shfrytëzohet në degjenerim e prishje. Ai është gjithashtu trajtim për çrregullimet psikologjike, ankthin dhe stresin, sidomos tek të rinjtë.
Në aspektin moral, sporti zhvillon karakterin e individit, përmirëson marrëdhëniet e tij me të tjerët dhe e edukon mbi moralet e kalorësve, si forca, trimëria dhe respektimi i kundërshtarit. Ai nxit frymën e bashkëpunimit dhe garës së ndershme dhe të synuar mes individëve dhe grupeve.
Nëse kuptojmë që detyrimet fetare i presin myslimanët menjëherë pas arritjes së moshës së pjekurisë, dhe se këto detyrime kanë nevojë për trup të shëndetshëm e të fortë – siç është gjendja me namazin, agjërimin, haxhin dhe xhihadin – dhe nëse vëmë re se umeti i Islamit është një umet i ri e i fortë, detyra e të cilit është adhurimi i Allahut, përhapja e fesë së Tij dhe drejtimi i botës me këtë fe, atëherë kuptojmë se një umet i tillë duhet të jetë i fortë dhe i përgatitur për detyrat madhore që e presin. Allahu i madhëruar thotë: “Dhe përgatituni kundër tyre me aq forcë sa keni mundësi dhe me kuaj të lidhur.” (El-Enfal: …). Profeti ﷺ e ka komentuar “forcën” me “hedhje”, duke thënë: “Vini re, forca është hedhja.” Kështu kuptojmë rëndësinë e saj në jetën e njeriut dhe rolin e saj në jetën e myslimanit.
Rrjedhimisht Islami dhe Profeti i tij ﷺ kanë treguar kujdes të veçantë për sportin tek myslimanët – burra, gra dhe fëmijë.
Sporti tek fëmijët
Loja dhe sporti janë shumë të rëndësishëm për fëmijët. Edhe pse shumicën e tyre fëmija i kryen spontanisht ose për kënaqësi me shokët e tij, ato kanë rol shumë të rëndësishëm në aktivizimin e trupit dhe zemrës, në zhvillimin trupor dhe mendor. Nuk duhet parë si humbje kohe, por si domosdoshmëri, si një derë për zhvillimin e aftësive dhe talenteve të fëmijës, një derë për njohuri dhe mbledhje informacioni, si dhe për krijimin e marrëdhënieve me bashkëmoshatarët. Po ashtu, ato janë mënyrë për çlirimin e energjive dhe luftimin e shtypjes dhe izolimit.
Islami ka marrë parasysh dashurinë e fëmijëve për lojë, lëvizje dhe sport, duke e konsideruar këtë një lloj udhëzimi hyjnor në ndërtimin e trupit dhe një nevojë të rëndësishme psikologjike. Prandaj Profeti ﷺ e përfillte këtë nevojë: nganjëherë luante me ta, nganjëherë i shikonte duke luajtur dhe i linte, përderisa nuk kishte shkelje fetare. Madje ai organizonte gara mes tyre dhe i shpërblente. Në Musnedin e Ahmedit transmetohet nga Abdullahu ibnul-Harith se: “Profeti ﷺ rreshtonte Abdullahun, Ubejdin dhe Kethirin, bijtë e Abbasit, dhe thoshte: ‘Kush fiton, ka këtë e këtë…’ Ata niseshin me vrap dhe binin mbi shpinën e gjoksin e tij, dhe ai s.a.v.s. i puthte dhe i përqafonte.”
Ai bëri një ndeshje mundjeje mes Rafi ibn Hadixhit dhe Semureh ibn Xhundubit, të dy 14 vjeç, dhe Semureh e mundi Rafiun. Profeti ﷺ i pranoi të dy në ushtri pasi pa forcën e tyre, pasi Rafi ishte mjeshtër i hedhjes dhe Semureh një mundës i fortë.
Kjo tregon kujdesin e Profetit ﷺ për gjeneratën e re të myslimanëve, se ai merrej personalisht me ta, organizonte gara mes tyre pavarësisht angazhimeve të tij të shumta. Pas tij, këtë rrugë e ndoqën prijësit e umetit. Koha vazhdon të ruajë thënien e famshme të Omerit ibn el-Hattab: “Mësojani fëmijëve tuaj notin, hedhjen (me shigjetë) dhe kalërimin.”
Sporti tek gratë
Profeti ﷺ nuk i ka neglizhuar as gratë. Jeta e tij tregon qartë kujdesin ndaj tyre në këtë aspekt, ashtu si në çdo aspekt tjetër. Dëshmi për këtë është gara që ai bëri dy herë me Aishen, ku ajo e mundi një herë dhe ai e mundi më vonë, dhe i tha: “Kjo është për atë (herën e kaluar).”
Gratë në kohën e tij merrnin pjesë ndonjëherë në luftë bashkë me të: u jepnin ujë të eturve, mejkonin të plagosurit, trajtonin të sëmurët dhe ndoshta merrnin pjesë edhe në luftim, siç morrën pjesë në betejën e Uhudit Ummu Umara, Aisheja dhe Ummu Sulejm. Është e qartë se gjëra të tilla kërkojnë shkathtësi, energji dhe forcë, të cilat nuk arrihen me plogështi, gjumë dhe mbipeshë, por me ushtrim, aktivitet dhe sport.
Në përgjithësi, sporti për gratë është i lejuar nëse respektohen rregullat fetare: mos-përzierja, mos-zbulimi, mos imitimi i burrave, mos shpërqendrimi nga detyrimet fetare dhe mosdevijimi nga natyra e tyre femërore.
Sporti tek burrat
Sa i përket sportit tek të rriturit dhe kujdesit të Islamit për të, kjo është diçka që nuk kalon pa u parë, pa u dëgjuar dhe pa u kuptuar. Profeti ﷺ i edukonte shokët e tij me forcë, burrëri, trimëri, duke i përgatitur për jetë dhe për xhihad. Ai organizonte gara, ndeshje mundjeje dhe ai vetë ishte shembull: ai u ndesh me Rukanen, një nga burrat më të fortë të kohës së injorancës, dhe e mundi.
Hadithet sahih tregojnë se Profeti ﷺ organizonte gara me kuaj, me deve dhe u jepte shpërblime fituesve. Imam Ahmedi ka transmetuar nga Abdullah ibn Umeri se “Profeti ﷺ garoi me kuaj dhe vuri bast (pra vendosi shpërblim për garën)”, dhe në një transmetim tjetër: “Ai garoi me kuaj dhe i dha shpërblim fituesit”. Në hadithin sahih, Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka garë (të lejuar) përveçse në shigjetim, në garat e deveve dhe në garat e kuajve” (e transmeton Tirmidhiu dhe është i mirë – hasen).
Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Profeti ﷺ organizonte gara mes kuajve të stërvitur dhe atyre të pastërvitur. Nga Ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet: “Profeti ﷺ i vuri të garojnë kuajt e stërvitur nga Hafja deri në Thenijetul-Ueda’, dhe i vuri të garojnë kuajt e pastërvitur nga Thenija deri te xhamia e Benu Zurejkëve.” Sufjani tha: “Nga Hafjahu deri në Thenijetul-Veda’ janë pesë ose gjashtë milje, ndërsa nga Thenija deri te xhamia e Benu Zurejkëve është një milje.” Ibn Umeri tha: “Edhe unë isha ndër garuesit, dhe kali im kërceu mbi një mur e iu dola përpara garuesve.”
Dijetari Ibn Haxheri thotë në “Feth el-Bari”: “Ky hadith tregon se gara është e ligjshme, nuk është zbavitje e papranueshme, por një lloj sporti i lavdëruar që çon në përftimin e aftësive të nevojshme në luftë dhe që mund të shfrytëzohet kur ka nevojë.”
Profeti ﷺ i nxiste myslimanët në hedhje me shigjetë, i urdhëronte të mësonin dhe i ndalonte ta braktisnin atë pas zotërimit të saj. Ai tha: “Hidhni, o bijtë e Ismailit, se babai juaj ishte hedhës.” Dhe tha: “Forca është hedhja, forca është hedhja, forca është hedhja.” si dhe tha : “Kush e mëson hedhjen dhe e braktis atë, nuk është prej nesh.”
Disa rregulla që duhen respektuar
• Veshja e hijshme gjatë sportit – nuk lejohet zbulimi i pjesëve të turpshme me justifikimin e sportit.
• Sporti nuk duhet të shpërqendrojë nga adhurimetdhe detyrimet fetare, sidomos nga namazi dhe agjërimi.
• Mos-përzierja mes gjinive gjatë ushtrimit fizik, secila gjini duhet të ketë mjedisin e vet.
• Mos shndërrimi i garave sportive në mjet për fitim të ndaluar si bastet dhe kumari.
• Mosdëmtimi i krijesave, qoftë njerëz apo kafshë, si përdorimi i shpezëve sobjektiv për hedhje, torturimi i kafshëve, nxitja e tyre të luftojnë mes vete (si ndeshjet e demave) apo sporte ku dëmtohet qëllimisht njeriu. Këto janë të ndaluara.
• Sporti duhet të jetë i ligjshëm dhe të mos rrezikojë jetën.
• Të mos nxisë fanatizmin, ndarjen dhe armiqësinë e pajustifikuar midis njerëzve.



