Përgjegjësia e fjalës në rrjetet social

Njeriu është i përgjegjshëm për atë që shkruan, ashtu siç është i përgjegjshëm për atë që flet
 Pamje nga sjelljet e ndaluara në rrjetet sociale
 Ai që përcjell (shpërndan) në rrjetet sociale është bashkëpunëtor i shkruesit
Çfarë duhet shmangur në përdorimin e “hashtag”-ve
 Vënia e rrjeteve sociale në shërbim të së mirës
Falënderimi i takon Allahut, mëshiruesit dhe mëshirëplotit, që mësoi Kuranin, krijoi njeriun dhe i mësoi atij të shprehë mendimin. E falënderoj dhe e lavdëroj aq shumë sa Ai e pëlqen dhe është i kënaqur; e lavdëroj Atë në çdo gjendje, ndërsa çdo ditë Ai është në veprim.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, pa shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Allahu e dërgoi atë para Ditës së Kiametit si përgëzues dhe paralajmërues, që të thërrasë te Allahu me lejen e Tij dhe si dritë ndriçuese. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas:
Frikësojuni Allahut, o muslimanë! Frikësojuni Allahut me të vërtetë, siç na ka porositur: “Ne u kemi porositur atyre që u dhamë Librin para jush, por edhe juve, që t’i frikësoheni Allahut.” (En-Nisa: 131). Dhe Ai thotë: “O ju që besuat! Frikësojuni Allahut dhe thoni fjalë të drejta, që Ai t’ju përmirësojë veprat dhe t’ju falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij ka arritur shpëtim të madh.” (El-Ahzab: 70-71).
Njeriu është i përgjegjshëm për atë që shkruan, ashtu si edhe për atë që flet
O robër të Allahut! Zoti ynë na ka treguar se me çdo njeri ka caktuar dy engjëj që regjistrojnë çdo fjalë që ai thotë dhe çdo vepër që ai bën. Allahu thotë: “Kur dy marrësit (regjistruesit) marrin (fjalët e njeriut), njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë, ulur.” (Kaf: 17). Janë dy engjëj: njëri në të djathtë, tjetri në të majtë. “Nuk shqipton ai asnjë fjalë, veçse pranë tij është një roje i gatshëm.” (Kaf: 18). Po ashtu Allahu thotë: “Me siguri mbi ju ka ruajtës, të nderuar dhe shkrues, që dinë çfarë bëni.” (El-Infitar: 10-12). Ndërsa Profeti ﷺ ka thënë: “Njeriu mund të thotë një fjalë pa menduar për të, por për shkak të saj bie në zjarr më larg se lindja nga perëndimi.” (Muslimi).
O robër të Allahut! Shkrimi është si të folurit; kush shkruan diçka, mbahet përgjegjës për të, njësoj si ta kishte thënë me gojë.
Juristët islam  kanë theksuar se nëse një burrë shkruan: “Gruaja ime është e ndarë (e divorcuar)”, atëherë divorci realizohet me këtë shkrim.
Prandaj gjithçka që njeriu shkruan, mbahet përgjegjës për të, sikur ta ketë shqiptuar me gojë.
Në kohën e sotme shprehja e mendimeve është zhvendosur nga gjuha te gishtat që shkruajnë në rrjetet sociale nga telefonat, kompjuterët dhe platformat e komunikimit si Twitter, Facebook, WhatsApp etj.
Tema e rrjeteve sociale është e gjerë, por ne do të ndalemi tek përgjegjësia e asaj që shkruajmë në këto platforma.
Njeriu është plotësisht përgjegjës për çdo gjë që poston nëpër këto rrjete dhe do të japë llogari për to Ditën e Gjykimit. Ndjesia e kësaj përgjegjësie bën që ai të mendojë mijëra herë para se të shkruajë një postim a një koment, dhe ta pyesë veten: “A përmban ky shkrim mëkat për mua? A më sjell dëm?” Nëse ka gjasa që të jetë mëkat, le të tërhiqet.
Pastaj të pyesë veten: “A ka dobi ky shkrim? A ka të mirë në të?” Nëse nuk ka ndonjë të mirë, le të mos e shkruajë. Siç ka thënë Profeti ﷺ: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose të heshtë.”
Ndjeshmëria ndaj fjalës duhet të ekzistojë jo vetëm në atë që shqiptojmë, por edhe në atë që shkruajmë në rrjetet sociale.
Pamje nga sjelljet e ndaluara në rrjetet sociale
Njeriu çuditet kur sheh profile në rrjetet sociale ku mbizotërojnë sharjet, fyerjet, talljet, përgojimet, shpifjet dhe fjalët e pahijshme.
E çuditshme është se këta janë muslimanë që falin xhumatë e namazet, agjërojnë, japin zekat, bëjnë bamirësi, madje kryejnë haxhin. Por përgjegjësia ndaj fjalës në rrjetet sociale tek ata është dobësuar ose humbur. Sa e madhe është fatkeqësia e tyre para Allahut! Sa e madhe do të jetë pendesa e tyre Ditën e Gjykimit, kur të shohin se shpërblimet e tyre të namazit, agjërimit dhe bamirësive u janë transferuar të tjerëve për shkak të fyerjeve e shkrimeve të tyre të këqija!
Muslimi ka transmetuar nga Ebu Hurejreja se Profeti ﷺ ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar? I falimentuar ndër ne është ai që nuk ka para e as pasuri.” Profeti ﷺ tha: “I falimentuar nga umeti im është ai që vjen Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim e zekat, por ka sharë këtë, ka shpifur për atë, ka ngrënë pasurinë e këtij, ka derdhur gjakun e atij, ka rrahur tjetrin; e kështu i jepen këtij nga veprat e mira, tjetrit nga veprat e mira. Dhe nëse i mbarohen veprat e mira para se të përfundojë shlyerja, atëherë i merren mëkatet e tyre dhe i hidhen atij, pastaj hidhet në zjarr.”
Ndër sjelljet e ndaluara në rrjetet sociale është përhapja e gënjeshtrave, thashethemeve dhe lajmeve të rreme. Dikush mund të postojë një tweet ose të shpërndajë një foto të falsifikuar që përmban gënjeshtra, dhe brenda minutave kjo gënjeshtër arrin në çdo cep të botës, duke dëmtuar njerëz të pafajshëm. Sa i rëndë është mëkati i atij që përhap gënjeshtra!
Profeti ﷺ, në një ëndërr të vërtetë profetike, pa një burrë që shtrihej dhe një tjetër që i shqyente fytyrën me një grep hekuri, derisa fytyra kthehej si më parë,  pastaj ai e përsëriste nga ana tjetër. I thanë: “Ky është njeriu që del nga shtëpia e tij dhe thotë një gënjeshtër që përhapet nëpër botë.”
Përcjellësi (shpërndarësi) në rrjetet sociale është bashkëpunëtor i publikuesit
Duhet ditur se ai që shpërndan një shkrim të keq në rrjetet sociale është bashkëfajtor me autorin. Qoftë duke bërë “retweet”, qoftë duke shpërndarë  postim apo video ai merr pjesë në mëkat. Edhe përcjellësi është përgjegjës, ashtu si shkruesi.
Allahu nuk i justifikoi as shokët e Profetit që përcollën lajmin e rremë për Aishen r.a., edhe pse vetëm e dëgjuan dhe e përcollën, pa e shpikur vetë. Ai thotë: “ Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe..” (En-Nur: 15).
Profeti ﷺ i ndëshkoi disa prej shokëve, madje edhe prej atyre që kishin marrë pjesë në Bedër, me dënimin e shpifjes (80 kamxhikë), sepse ata thjesht e përcollën atë që dëgjuan.
Nuk e shpëton njeriun nga përgjegjësia fakti që shkruan “e huazuar nga dikush tjetër”. Ashtu si të folurit e shkrimi janë përgjegjësi, po ashtu është edhe shpërndarja.
Ai që është pjesë e një grupi në rrjete sociale duhet të ndalojë të keqen që sheh atje, ose të largohet nga grupi.
Grupi elektronik është si një mbledhje- kuvend njerëzish. Nëse në një mbledhje dëgjon diçka të keqe, duhet ta ndalosh ose të largohesh; përndryshe je bashkëpjesëmarrës në mëkat. Allahu thotë: “Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.” (En-Nisa: 140).
Çfarë duhet shmangur në përdorimin e “hashtag”-eve
Ndër çështjet që lidhen me shkrimin në rrjetet sociale është krijimi i një “hashtag”-u. Dikush e krijon një hashtag dhe ai jetësohet për të gjithë, dhe mund të arrijë mijëra postime.
Nëse hashtag-u lidhet me një person, njerëzit mund të shkruajnë aty fyerje, tallje dhe shpifje për të. Krijuesi i hashtag-ut merr mëkate sa të gjithë ata që shkruajnë gjëra të këqija aty, sepse ai është shkaktari fillestar.
Profeti ﷺ ka thënë: “Kush thërret në ndonjë devijim, ka prej mëkatit aq sa të gjithë ata që e ndjekin, pa u pakësuar prej mëkateve të tyre.” (Muslimi).
Dijetarët kanë kuptuar nga ky hadith se kush bëhet shkak që të tjerët të bien në mëkat, ai merr pjesë në të njëjtin mëkat.
Frikësojuni Allahut, o muslimanë! Ndjeni përgjegjësinë e fjalës që shqiptoni, shkruani dhe shpërndani. Kujtoni gjithnjë fjalën e Allahut: Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf: 17-18).
Allahu më  bekoftë  mua dhe juve me  Kuranin fisnik dhe na bëftë dobi me ajetet e tij.
Unë thashë këtë që dëgjuat   dhe i kërkoj falje Allahut për veten time dhe për ju, dhe për të gjithë muslimanët nga çdo mëkat. Kërkoni falje dhe pendohuni para Tij, sepse Ai është mëshirues dhe pranon pendimin.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut për mirësinë e Tij, dhe lavdërimi takon Atij për udhëzimin dhe dhuntitë e Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, pa shok, madhëruar qoftë emri i Tij. Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, ai që thërret drejt kënaqësisë së Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij dhe shokët e tij.
E më pas:
Vërtet, fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ, ndërsa punët më të këqija janë risitë dhe çdo se çdo risi është bidat.
Vënia e rrjeteve sociale në shërbim të së mirës
O robër të Allahut! Nëse rrjetet sociale kanë anë të errët dhe të keqe në shoqëri, ato kanë edhe anën e tyre  të ndritshme dhe të dobishme, nëse shfrytëzohen si duhet. Ato mund të bëhen ndër mjetet më të fuqishme të davetit te Allahu, sepse kanë ndikim të madh, shtrirje të gjerë dhe përhapen shumë lehtë.
Prandaj thirrësit drejt Allahut duhet të përfitojnë nga këto mjete për t’i ftuar njerëzit te Allahu, për të përhapur dijen e dobishme dhe për të vetëdijësuar njerëzit për çështjet që u bëjnë dobi në fenë e tyre.
Sot, mejetet  e rrjeteve sociale janë në duart e pothuajse të gjithë shtresave të shoqërisë; kështu që është e mundur të këshillosh dhe t’iu përkujtosh njerëzve përmes tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Kujtoji (këshilloji), sepse këshilla u bën dobi besimtarëve.” (Dharijat: 55).
Sot këshillat, mësimet dhe videot fetare mund t’u arrijnë njerëzve kudo, madje edhe në shtëpitë e tyre. Allahu thotë: “Kush është më i mirë në fjalë sesa ai që thërret te Allahu, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Vërtet unë jam prej muslimanëve.’” (Fusilet: 33).
Shembuj të ndritshëm të shfrytëzimit të rrjeteve sociale
Nga përdorimet e mira të rrjeteve sociale është krijimi i grupeve për të forcuar lidhjet familjare, për të rritur komunikimin midis të afërmve, fqinjëve, kolegëve etj. Pjesëmarrja në këto grupe është një formë e re komunikimi.
Kështu, kush hyn në një grup me të afërmit e tij për qëllimin e mbajtjes së lidhjes farefisnore, dhe komunikon me ta përmes mesazheve të dobishme, video të lejuara dhe të mira që u sjellin gëzim dhe afërsi, ai hyn në kategorinë e “ruajtjes së lidhjes farefisnore”. Lidhja e farefisit realizohet me çdo gjë të lejuar që u sjell gëzim të afërmve.
E njëjta gjë vlen edhe për fqinjët: të qenit i mirë me ta përfshin edhe sjelljen e gëzimit dhe qetësisë shpirtërore përmes gjërave të lejuara, videove ose shkrimeve të dobishme. Kush bën këtë me qëllim të mirë, shpërblehet nga Allahu.
Zgjedhja e fjalës së mirë edhe në internet
O robër të Allahut! Ashtu siç njeriu duhet të zgjedhë fjalën më të mirë kur flet, po ashtu duhet të zgjedhë fjalën më të mirë edhe kur shkruan apo shpërndan në rrjetet sociale. Duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e shkrimit dhe shpërndarjes, njësoj siç është për përgjegjësinë e fjalës së folur.
Allahu thotë: “Thuaju robërve të Mi të thonë fjalën më të mirë! Shejtani nxit armiqësi mes tyre; vërtet ai është armik i hapur i njeriut.” (El-Isra: 53).
Shtoni salavatet dhe selamet mbi përgëzuesin dhe paralajmëruesin, dritën ndriçuese – Profetin Muhamed ﷺ. Allahu ju ka urdhëruar për këtë, duke thënë: “Allahu dhe engjëjt e Tij e nderojnë Profetin. O ju që besuat!Nderojeni me salate  edhe ju dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab: 56).
O Allah! Dërgo  salavate dhe bekime mbi robin dhe të Dërguarin Tënd, Muhamedin.
O Allah! Ji i kënaqur me shokët e tij  tërësi, me tabiinët dhe me të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri Ditën e Kiametit. O Allah, na përfshi edhe ne me mirësinë dhe faljen Tënde, o Zot i botëve.
O Allah! Lartëso islamin dhe muslimanët, poshtëro kufrin dhe mohuesit.
O Allah! Lehtësoja Umetit  islamit udhën e drejtë, ku  nderohen besimtarët,  udhëzohen mëkatarët,  praktikohet e mira dhe ndalohet e keqja, o i Gjalli, o i Përjetshmi, o Zot i madhërisë dhe bujarisë.
O Allah! Përmirëso gjendjen e muslimanëve kudo që ndodhen.
Shejh dr. Sad ibn Turkij Elhathlan
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve