Allahu i Lartësuar thotë: “Ne po ta tregojmë ty rrëfimin e tyre me të vërtetë. Vërtet, ata ishin djem të rinj që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam udhëzimin.” [El-Kehf: 13]
O vëllezër, kjo është hutbja e dytë në serinë “Çështjet e të rinjve”, dhe tashmë e kemi përmendur më parë se me termin “të rinj” nënkuptojmë si meshkujt ashtu edhe femrat që janë ndërmjet moshës së pjekurisë (pubertetit) dhe moshës dyzet vjeç.
Titulli i hutbes së parë ishte: “Pse kjo seri?”
Ndërsa titulli i hutbes së sotme është: “Të rinjtë në Kuranin Famëlartë.”
O vëllezër të rinj!
Pasi që ne myslimanët jemi pasues të një Libri të zbritur nga qielli, ne në çështjet tona shikojmë lart e jo poshtë, dhe parimet tona i marrim nga të vërtetat e Kuranit, e jo nga teoritë e njerëzve. Ne i studiojmë çështjet tona duke u mbështetur në fuqinë e qiellit, e jo të mbështetur në epshet e tokës. Për këtë arsye, unë në fillim të kësaj serie u drejtova menjëherë te Kurani Famëlartë për të kërkuar çfarë thuhet për të rinjtë; kërkova në mësimet e qiellit për të rinjtë; kërkova në botën e lartë engjëllore për të rinjtë. Dhe gjeta një përmendje të gjatë për ta, por nga ato që lexova, zgjodha për ju vetëm një ajet dhe një shembull, sa lejon koha.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu është Ai që ju krijoi nga dobësia, pastaj pas dobësisë ju dha forcë, e pastaj pas forcës (ju dha) dobësi dhe pleqëri. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Dijshëm, i Plotfuqishëm.” [Err-Rum: 54]
Fjala e Tij “Allahu është Ai që ju krijoi nga dobësia” ka kuptimin: dobësia e fetusit, e të porsalindurit dhe e fëmijës.
Ndërsa fjala “pastaj pas dobësisë ju dha forcë” ka kuptimin: fuqia e rinisë.
Fjala “dobësi” ka dy lexime-kiraete të pranuara nga Lexuesit e Kuranit : “da‘f” me zanore a pas shkronjës dad- fet’ha si dhe “du‘f” me zanore u. Disa gjuhëtarë kanë thënë se “da‘f” (me a) përdoret për dobësinë në mendje, ndërsa “du‘f” (me u) për dobësinë në trup. Bazuar në këtë, përshkrimi i rinisë në Kuran si “fuqi” ka kuptimin e një fuqie si në mendje ashtu edhe në trup.
Po, o vëllezër, kështu e sheh Kurani i Madhërishëm rininë: si një fuqi në trup dhe një forcë në mendje.
Forcë në mendje me të cilën mban barrët e rënda të umetit, dhe forcë në trup që e ndihmon në realizimin e shpresave dhe qëllimeve. Dhe nuk është çudi për këtë, sepse bartësit e shpalljeve hyjnore kanë qenë gjithmonë të rinj, të cilët qëndruan me ndihmën e Allahut dhe pastaj me fuqinë e mendjes dhe trupit të tyre përballë tundimeve dhe frikërave të jetës, për të arritur lumturinë e njeriut mbi këtë tokë.
Ndërsa armiqtë e myslimanëve kanë dashur ta paraqesin të riun si të dobët përballë dëshirave të tij, të dobët përballë joshjes së parave dhe grave, që rrëzohet para një kupe (alkooli) dhe një gruaje joshëse, e që bie në dyert e lokaleve dhe bareve.
Muhamed Ikbali, filozofi i Islamit, ka shkruar: “Unë dëshiroj për Islamin një brez të ri nga të rinjtë e Kuranit, të rinjtë e tij të pastër, të virtytshëm, që goditja e tyre është e fuqishme dhe e dhimbshme; nëse janë luftë, atëherë në sulmin e tyre janë si luani i shkretëtirës, e nëse është paqe, atëherë në butësinë e tyre janë si gazela e mbrojtur. Rini që bashkon ëmbëlsinë e mjaltit dhe hidhësinë e pelimit, këtë me armiqtë dhe atë me miqtë.
Nëse flet, është i butë dhe i sjellshëm; ndërsa kur përpiqet me seriozitet në kërkesën e tij, është i ashpër dhe i vendosur…
Kur është mes miqve, është i butë si mëndafshi, e në mesin e armiqve, është i fortë si hekuri…
Bashkon madhështinë e besimit të Ebu Bekrit, forcën e Aliut, asketizmin e Ebu Dherrit dhe sinqeritetin e Selmanit; bindja e tij, mes iluzioneve të kohës, është si llamba e murgut në errësirat e shkretëtirës.
Njihet në rrethin e tij për mençurinë dhe zgjuarsinë e tij, dhe për ezanin në syfyr; kap yjet, gjuan luanët dhe sfidon engjëjt.
Ngre vlerën e vet dhe rrit çmimin e tij derisa të mos mund ta blejë askush tjetër veç Zotit të tij.”
Të rinjtë në Kuran: forcë në mendje, forcë në trup, forcë në besim dhe forcë në parime.
Romakët e zunë rob Abdullah ibn Hudhafe es-Sehmiun, shokun i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Atëherë tirani, Cezari – madhështori i Romakëve i tha: “Bëhu i krishterë, përndryshe do të të hedh në kazan që ishte një enë prej bronzi (bakri) ku vendosej vaj, ndizej zjarri nën të derisa të valoj. Abdullahu tha: “Larg kësaj… Vdekja është më e dashur për mua një mijë herë se ajo për të cilën më thërret ti”.
Atëherë ai urdhëroi të sillnin kazanin dhe një burrë nga të burgosurit myslimanë. I ofroi të bëhej i krishterë, por ai refuzoi, dhe e hodhi në kazan. Abdullahu e pa se si vetëm kockat e tij dolën mbi sipërfaqe.
Cezari i tha Abdullahut: “Bëhu i krishterë!” Ai tha: “Nuk e bëj kurrë!” Atëherë urdhëroi që të hidhej në kazan, e atij i rrodhën disa lotë!
Cezari tha: “Kthejeni!” Abdullahu tha: “Mos mendo se kam qarë nga frika e asaj që dëshiron të bësh me mua, por kam qarë sepse nuk kam veçse një shpirt të vetëm që mund ta flijoi për Allahun. Do të dëshiroja të kisha aq shpirtra sa qimet në trupin tim, pastaj të mund t’i vë në dispozicion dhe të përjetoi me të gjithë.”
Tirani u mahnit prej tij dhe i tha: “Bëhu i krishterë, dhe do të të martoj me vajzën time, e do ta ndaj me ty mbretërinë time.”
Abdullahu tha: “Pasha Allahun, sikur të m’i jepje të gjitha ato që zotëron ti dhe të gjitha ato që zotërojnë persët, që unë të kthehesha nga feja e Muhamedit ﷺ qoftë edhe për një të çast të syrit, nuk do të kthehesha.”
Tirani i tha: “Atëherë, puthma kokën, dhe do të të liroj ty dhe me ty edhe tetëdhjetë myslimanë.”
Ai tha: “Sa për këtë, po.”
Atëherë ia puthi kokën dhe e liroi, bashkë me tetëdhjetë myslimanë. Kur u kthyen te Omeri ibn el-Hattabi, Omeri u ngrit dhe ia puthi kokën. Pastaj shokët e të Dërguarit ﷺ e merrnin në shaka Abdullahun dhe i thoshin: “Ia puthe kokën një të huaji?” Ai u thoshte: “Me atë puthje, Allahu liroi tetëdhjetë myslimanë.” 1
Krahasojeni atë me këtë ngjarje:
Ra telefoni i shtëpisë në orën tre pas mesnate. U ngrita me nxitim drejt tij dhe ja ku një i ri pyet: “A jeni ju profesor Muhamed Hajri?”
Thashë: “Po.” Ai tha: “O profesor, unë jam filan filani. Kam qenë me ju në xhami në mësimet e Kuranit para pesë vitesh dhe më pas ju lashë. A më mbani mend?”
Thashë: “Po.” Ai ishte një i ri tani në moshën njëzet e tre vjeçare, pastaj i thashë: “Mirë, çfarë ka ndodhur?”
Tha: “Unë kam shumë nevojë për ju, o profesor”, dhe pastaj filloi të qajë! U frikësova për të dhe mendova se ndodhej në spital apo në burg.
I thashë: “Mirë, mos ki frikë, do të jem me ty dhe do të të ndihmoj. Ku je tani?”
Tha: “Në shtëpi.” Kur e tha këtë, më qetësoi.
I thashë: “Mirë, çfarë është çështja?”
Tha: “U dashurova me një vajzë dhe u lidha për të, dhe dua të martohem me të, por babai im nuk pajtohet, dhe vajza do të fejohet këto dy ditë. Të lutem, nuk ka askush që mund ta bindë babanë tim përveç teje.” Dhe u kthye përsëri në të qarë.
E qetësova dhe ia largova shqetësimin duke i thënë: “Nuk ka problem, tani është shumë vonë, shko fli dhe nesër në orën njëmbëdhjetë paradite do të takohemi në xhami.” Tha: “Po.”
Të nesërmen, hyra në xhami në kohën e caktuar dhe posa ai më pa, erdhi me nxitim dhe më përqafoi si i mbyturi që kapet pas shpëtimtarit të tij, dhe filloi të qajë. Pasha Allahun, o vëllezër, gati sa nuk ra përtokë. I thashë: “Qetësohu… njerëzit janë rreth nesh.” Atëherë u qetësua dhe u ul.
I thashë: “Më trego, kush është vajza? Çfarë studion? Kush është babai i saj? Cili është besimi i saj? Si është morali i saj? Sa vjeçe është?”
Rezultoi se ajo ishte një shitëse e imoralitetit, që e kishte joshur me shikimet e saj, e me fjalët e saj, pastaj me mesazhet dhe thirrjet e saj telefonike. Ajo nuk ishte aspak e përshtatshme as në moshë, as në moral, as në familje, as në dije, as në pozitë.
Me shumë vështirësi dhe pas një përpjekjeje të madhe nga ana ime dhe e familjes së tij, arritëm ta largonim prej saj dhe ta largonim atë prej tij.
Të rinjtë në Kuran janë forcë në mendje, trup, besim dhe vendosmëri.
Ky është ajeti që e kam zgjedhur për ju nga Kurani për të folur rreth të rinjve.
Sa i përket shembullit, ai është një grup të rinjsh, të cilët Allahu i Lartësuar në Kuranin e Tij na ka ftuar të ndjekim shembullin e tyre dhe të ecim në rrugën e tyre. Për shkak të lartësisë së pozitës së tyre dhe madhështisë së gradës së tyre, Allahu e bëri historinë e tyre ajete që do të lexohen në Kuran deri në Ditën e Kiametit, madje edhe në Xhenet.
Ata janë djemtë e shpellës –Ashab el-Kehf.
Historia e tyre është e njohur për ju… Ata ishin të rinj nga bijtë e fisnikëve të Romës dhe të begatuarit e saj. Ata braktisën adhurimin e idhujve me të cilin ishte sprovuar populli i tyre dhe lanë pas mëkatet e mëdha me të cilat ishte zhytur shoqëria e tyre. Kur u desh të keqtrajtoheshin, ata ikën për hir të fesë së tyre dhe u drejtuan tek Zoti i tyre, pa u kthyer drejt kënaqësive, pa u ndalur tek dëshirat dhe pa iu frikësuar qortimit të askujt. Atëherë Allahu i forcoi dhe i bëri shenjë për mbarë botën.
Ajo që më bëri të ndalem në këtë shembull është fjala e Allahut të Lartësuar:
”Vërtet, ata ishin djem që besuan te Zoti i tyre dhe Ne ua shtuam udhëzimin. Dhe Ne ua forcuam zemrat” [El-Kehf: 13–14].
Kur besuan, Allahu ua shtoi udhëzimin.
Kur e përmbushën besën ndaj Allahut, Allahu e përmbushi besën ndaj tyre.
Kur e ndihmuan Allahun, Allahu i ndihmoi ata.
Kur iu drejtuan Allahut, Allahu u kthye kah ta .
Madje Allahu u dha edhe më shumë dhe ua forcoi zemrat.
Dijetarët kanë thënë: “Dhe Ne ua forcuam zemrat” – do të thotë: i forcuam me durim, kështu që nuk i tundën stuhitë e ndarjes nga vendlindja, largimi nga familja, begatitë dhe shokët, dhe nuk i frikësoi as mbreti i tyre tiran, as numri i madh i jobesimtarëve.
Sikur të rinjtë e shpellës të lajthitnin, Allahu do t’i devijonte zemrat e tyre; sikur ta harronin Allahun, Ai do t’i harronte ata; sikur të bënin hile, Ai do t’ua kthente me hile.
Një punonjës në një institucion, që e vizitojnë shumë njerëz çdo ditë, dëshiron t’u marrë ryshfet, por e di që është haram. Djalli i tij me dinakërinë e tij e udhëzuan në një gjë: vendosi mbi tryezën e tij një kuti me stilolapsa blu që nuk kushtonin më shumë se pesë lira siriane secili; kur vinte ndonjë klient, punonjësi i thoshte: “Bli një stilolaps nga këta për të shkruar kërkesën e dëshiruar”.
Klienti i thoshte: “Nuk kam nevojë, kam stilolaps”.
Punonjësi: “Duhet të blesh që të përfundojë procedura!” – “Mirë, sa kushton stilolapsi?”
Punonjësi: “Njëqind lira siriane”.
Kur e pyeti shoku i tij pse bënte këtë, ai tha: “O vëlla, kjo është tregti, shitje dhe blerje”.
Vëllezër, të rinjtë e shpellës u udhëzuan, prandaj Allahu ua shtoi udhëzimin dhe ua dha devotshmërinë e tyre.
“Vërtet ata ishin djem që besuan tek Zoti i tyre, dhe Ne ua shtuam atyre udhëzimin . Dhe Ne ua forcuam zemrat”.
Mos thuaj: është shtuar devijimi, është shtuar e kota, dhe pushtuan sprovat; sepse kush e do të mirën, e arrin atë, dhe kush e do të keqen, i jepet ajo.
Ka thënë Jezid ibn Mejsera: “Vërtet Allahu thotë: O i ri që le pas epshin tënd për Mua, që e shpenzon rininë tënde për Mua, ti je për Mua si disa prej engjëjve të Mi”.
Dhe nga Shurejh ibn Mesrukut, i atribuohet të ketë thënë: “Nuk ka ndonjë i ri që lë kënaqësinë e dunjasë dhe argëtimin e saj, dhe e shfrytëzon rininë e tij për Allahun, veçse Allahu i jep shpërblimin e shtatëdhjetë e dy të sinqertëve”.
Përmbledhja e kësaj hytbeje është dy gjëra:
Ti o i ri, ashtu si në Kur’an je i fortë, prandaj mos u dobëso; je i nderuar, prandaj mos u poshtëro; je i madh, prandaj mos u zvogëlo; je i fortë me të vërtetën, mos u dobëso; i nderuar me bindje, mos u nënçmo; i madh me dije dhe punë, mos u zvogëlo.
Ti o i ri – ashtu si në Kur’an – nëse kapesh fort pas Islamit, Allahu do të të shtojë udhëzimin dhe do të forcojë zemrën tënde.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
__________
1) Shënim: Rrëfimi gjendet në “Usd ul-Ghabe fi Ma’rifet es-Sahabe” 3/213-214 nga “Tarih Dimeshk” i Ibn Asakirit 27/359-360, me ngjashmëri; e ka transmetuar edhe Edh-Dhebiu në “Sijer A’lam en-Nubela” 2/14-15 në formë të shkurtuar, duke përmendur se i liroi treqind robër dhe e shpërbleu me tridhjetë mijë dinarë, tridhjetë skllave femra dhe tridhjetë skllevër meshkuj. Më pas ka thënë: “Mund të jetë që ky mbret të ketë pranuar Islamin fshehurazi, dhe për këtë dëshmon teprimi i tij në nderimin e Ibn Hudhafes.”
Dr. Muhamed Hajr Sheaal
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



