Zgjatja e lutjes dhe ekzagjerimi në përmendjen e hollësive
Udhëzimi i Profetit ﷺ në lutje ka qenë të kufizohej me lutjet e përmbledhura, të cilat përfshijnë të mirat e dynjasë dhe të ahiretit dhe mbrojnë nga të këqijat e tyre. Siç ka thënë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ﷺ:
“Preferonte lutjet e përmbledhura dhe linte të tjerat përveç kësaj,” ( Sahih Ebi Davuud, nr. 1482) që do të thotë se ai nuk përdorte lutje të gjata e të detajuara, për të shmangur tejkalimin në lutje.
Për këtë arsye, një nga lutjet që ai ﷺ bënte më shpesh ishte:
“O Allah, na jep të mirë në këtë botë dhe të mirë në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit.” ( Sahihul Buharij, nr. 4522) Siç ka transmetuar Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të.
Gjithashtu, Profeti ﷺ i thoshte Aishës, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Oj Aishe, përmbaju lutjeve të përmbledhura dhe gjithëpërfshirëse…”
dhe thuaj:
“O Allah, unë të kërkoj gjithë të mirat, të shpejtat dhe të vonshmet, ato që unë i di dhe ato që nuk i di. Dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga gjithë të këqijat, të shpejtat dhe të vonshmet, ato që unë i di dhe ato që nuk i di. Të kërkoj Xhenetin dhe çdo fjalë apo vepër që afron tek ai. Dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga zjarri dhe çdo fjalë apo vepër që afron tek ai.” ( Sahih Ibn Maxheh, nr. 3116)
Ebu Hamid el-Gazali me të drejtë ka thënë :
“Është më e udhës për atë që lutet të mos i kalojë lutjet e transmetuara nga Profeti ﷺ, sepse mund të bëjë tejkalim në lutjen e tij dhe të kërkojë diçka që nuk i sjell dobi.”
Për këtë arsye, dijetarët e mëdhenj të muslimanëve që nga sahabët e deri te dijetarët pas tyre kanë parë se teprimi i fjalëve në lutje dhe hyrja në hollësi të tepërta në kërkesë është një formë e tejkalimit, të cilën duhet ta shmangim.
Kjo ilustrohet edhe me ndodhinë e njohur kur Sa‘d ibn Ebi Vekkas,r.a. shok i nderuar i Profetit ﷺ, dëgjoi djalin e tij duke bërë këtë lutje:
“O Allah, të kërkoj Xhenetin, kënaqësinë, hijeshinë e tij dhe këtë dhe atë… Dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga zjarri, zinxhirët e prangat e tij dhe këtë dhe këtë…”
Atëherë Sa‘di i tha: “O biri im! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: ‘Do të ketë njerëz që do të tejkalojnë në lutje. Pra, ruaju që të mos jesh prej tyre. Nëse je prej atyre që i jepet Xheneti, do të marrësh gjithçka që ka në të. Dhe nëse je prej atyre që mbrohet nga Zjarri, do të mbrohesh edhe nga gjithçka e keqe që është në të.”
Një ngjarje e ngjashme u përsërit edhe me një tjetër sahabi, Abdullah ibn Mugafel r.a., i cili dëgjoi djalin e tij duke bërë këtë lutje:
“O Allah, të kërkoj pallatin e bardhë në të djathtë të Xhenetit.”
Atëherë ai i tha:
“O biri im! Kur të lutesh, kërko Xhenetin dhe kërko mbrojtje nga zjarri, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
‘Në fund të kohës do të shfaqen njerëz që do të tejkalojnë në lutje dhe në pastrim (abdest).’”
Ajo që kuptohet nga këto ngjarje është se zgjatja e tepruar në lutje ose shndërrimi i lutjes në një lloj ligjërate apo këshille, në të cilën përpiqesh të prekësh zemrat me përshkrime emocionale dhe gjëra që bëjnë për të qarë, është në kundërshtim me udhëzimin profetik, dhe sipas dijetarëve, kjo llogaritet si tejkalim në lutje (i‘tidā’).
Lloji i tretë: Tejkalimi në formën e jashtme gjatë lutjes
Nga etikat e lutjes që lidhen me sjelljen e jashtme janë: të kthyerit nga kibla, ngritja e duarve, përulja, përgjërimi, frikërespekti dhe të bërit e lutjes me zë të ulët. Kështu ka urdhëruar edhe Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij:
”Luteni Zotin tuaj me përulje dhe në heshtje. Vërtet Ai nuk i do ata që tejkalojnë.” [el-A‘raf: 55]
Megjithatë, ndodhin disa veprime apo gjendje gjatë lutjes që hyjnë në kategorinë e tejkalimit, ose afrohen shumë me të. Ndër shembujt e kësaj është:
Ekzagjerimi në ngritjen e zërit gjatë lutjes
Ngritja e zërit në kohën e lutjes dhe shprehja e kërkesës me zë të lartë është diçka që bie ndesh me edukatën ndaj Allahut të Lartësuar, dhe është në kundërshtim me urdhrin e Tij.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë në komentimin e fjalës së Allahut:
”Mos e ngrit zërin shumë në faljen tënde (namazin tënd), e as mos e bëj shumë të fshehtë, por kërko një rrugë të mesme. [el-Isra: 110] se ky ajet është zbritur për lutjen.
El-Alusi rh.a. ka thënë: “Do të shohësh shumë nga njerëzit e kohës sate që e mbështesin lutjen e tyre në të bërtitur, veçanërisht nëpër xhami, derisa zëri i lartë të bëhet i bujshëm dhe i zhurmshëm, dhe veshët të mbushen dhe të lodhen prej tij, pa e kuptuar se ata në të vërtetë janë duke bashkuar dy bidate (risi të urryera):
Ngritjen e zërit gjatë lutjes, dhe kryerjen e kësaj brenda xhamisë.
Ibn Xheriri rh.a. ka transmetuar nga Ibn Xhurejxh se ngritja e zërit në lutje është prej tejkalimit të përmendur në fjalën e Allahut të Madhëruar: ”Vërtet, Ai nuk i do ata që tejkalojnë” [el-A‘raf: 55].
Prandaj, kritika e ashpër e të Dërguarit të Allahut ﷺ ndaj sahabëve erdhi kur ata e ngritën zërin në përmendjen e Allahut. Ai tha:
“O njerëz, më qetë me veten tuaj! Ju nuk po thirrni një të shurdhër apo një që është larg. Ai është me ju, Ai është Dëgjues, i Afërt. Qoftë i bekuar emri i Tij dhe e lartësuar madhështia e Tij.” ( Sahih Muslim, 2704)
Në një transmetim tjetër te Imam Muslimit:
“Ai që po e lutni është më afër ndonjërit prej jush se sa është qafa e kafshës së tij.”
Hafidh Ibn Haxheri në shpjegimin e hadithit ka thënë :
Taberiu ka thënë: Në këtë hadith ka argument për urdhrin për të mos ngritur zërin gjatë lutjes dhe përmendjes së Allahut, dhe këtë mendim e kanë mbështetur shumica e dijetarëve të hershëm nga sahabët dhe tabiinët.
Është transmetuar nga Kajs ibn Abad se ai ka thënë:
“Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ e urrenin ngritjen e zërit në tri raste: gjatë luftës, në praninë e xhenazes dhe gjatë përmendjes së Allahut.”
Gjithashtu, Hasan el-Basriu ka transmetuar praktikën e muslimanëve të parë, duke thënë: “Diferenca ndërmjet lutjes me zë të ulët dhe asaj me zë të lartë është shtatëdhjetë herë (në vlerë). Muslimanët e parë ishin shumë të përkushtuar në lutje, dhe nuk u dëgjohej zëri, vetëm një pëshpëritje mes tyre dhe Zotit të tyre.”
Ata e bënin këtë nga respekti dhe edukata ndaj Allahut të Madhëruar, gjë që tregon se thirrjet me zë të lartë, bërtitjet apo ngritja e zërit në lutje janë gjëra që nuk i përshtaten gjendjes së një robi që i drejtohet Zotit të vet, së paku është mungesë edukate, e në rastin më të keq, mund të jetë formë e tejkalimit në lutje (i‘tidā).
Melodizimi dhe këndimi i lutjes – duasë
Të kënduarit e lutjes dhe ta bësh atë me melodi (si recitim i tingëlluar) ishte prej zakoneve të pasuesve të librave të mëparshëm (hebrenjve dhe të krishterëve), dhe nuk është pjesë e udhëzimit profetik, i cili është udhëzimi më i mirë.
Edhe pse përmirësimi i zërit në lutje (pa ekzagjerim) nuk është i ndaluar, gjithmonë me kusht që të mos kalojë kufijtë e lejueshëm nga feja, sepse gjendja e duhur për njeriun gjatë lutjes është që ai të jetë në një gjendje të përulësisë, nënshtrimit dhe thyerjes së krenarisë përpara Allahut të Lartësuar, dhe t’i drejtohet Atij me zërin e zakonshëm, pa këndim, pa melodizim – në përputhje me udhëzimin e Profetit ﷺ.
Për më tepër, siç është përmendur më herët, dijetarët e fesë kanë kritikuar ngritjen e zërit në lutje, madje disa prej tyre e kanë konsideruar si një formë të tejkalimit të ndaluar.
Atëherë nuk ka dyshim se melodizimi dhe të kënduarit me stil në lutje është më e dënueshme, më e largët nga përulësia dhe më afër formës së tejkalimit që ndalohet.
Ibn ul-Hemam el-Hanefi rh.a. ka thënë: “Ajo që është bërë zakon në kohët tona nga zgjatja e tepërt, britmat dhe angazhimi me përzgjedhje të tonit të zërit në mënyrë që të shfaqet mjeshtëria muzikore, e jo për ta forcuar adhurimin ndaj Allahut e një gjë e tillë nuk është prej shkaqeve që e sjellin pranimin e lutjes, por përkundrazi, është prej shkaqeve që bëjnë që ajo të refuzohet.”
Lëkundja dhe tundja gjatë lutjes dhe përmendjes së Allahut
Lëvizjet e trupit gjatë përmendjes së Allahut apo lutjes, nën bindjen se: “Lëvizja sjell bereqet” ose “Lëvizjet e jashtme sjellin ndriçim të brendshëm”, janë prej çështjeve të shpikura (bidateve), që nuk kanë asnjë bazë në udhëzimin profetik, as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.
Këto veprime nuk janë të njohura as nga sahabët, as nga pasuesit e tyre me mirësi – Tabiinët.
Lutja ose përmendja e Allahut me lëkundje, kërcime, rrotullime apo ngjashëm, janë prej formave të tejkalimit të qortuar, të cilat shkelin edukatën me Allahun e Madhëruar.
Thelbi i temës është se Lutja është një adhurim madhështor, dhe çdo adhurim ka dy kushte për t’u pranuar:
Sinqeriteti –ihlasi për Allahun e Lartësuar;
Përputhshmëria me udhëzimin e të Dërguarit ﷺ.
Përputhshmëria në lutje nënkupton që fjalët, ndërtimi dhe kuptimi i lutjeve të jenë të qarta, të pastra, dhe të shmangin shtirjen, zbukurimin artificial apo çfarëdo që e largon lutësin nga thelbi i përuljes, përgjërimit dhe thirrjes së sinqertë ndaj Allahut.



