Dr. Muhamed Hajr Sheaal
Lavdërimi i takon Allahut, vetëm Atë e falënderojmë , dhe vetëm prej Tij ndihmë, udhëzim dhe dritë kërkojmë. Poashtu kërkojmë mbrojtje te Allahu nga të këqijat e vetes dhe veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta humbasë, ndërsa atë që Ai e lë të humbur, nuk do të gjeshë për të ndihmës dhe udhëzues.
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, e i pa shok në pushtet. Si dhe dëshmoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i dërguar i Tij, i zgjedhuri dhe i dashuri i Tij, profeti më i mirë që Ai ka zgjedhur, dhe dërguar si udhërrëfyes dhe mëshirë për botët.
E dërgoi atë me udhëzim dhe fenë e vërtetë për ta bërë atë të triumfojë mbi të gjitha fetë, edhe nëse e urrejnë jobesimtarët, edhe nëse e urrejnë idhujtarët, edhe nëse e urrejnë ata që e urrejnë.
O Allah, dërgo salavate mbi Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, dhe jepu atyre paqe të plotë.
E më pas: O robër të Allahut!
Ju këshilloj, ashtu siç këshilloj edhe veten time, që të keni frikë e devotshmëri ndaj Allahut të Madhërishëm.
Ju nxis dhe veten time që t’i bindemi Atij, dhe e filloj këtë Hutbe me atë që është më e mira, Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë:
“Dhe Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, humbja e pasurisë, e jetëve dhe e frutave, por jepu lajmin e mirë durimtarëve, ata që kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi’. Të tillët janë ata mbi të cilët janë bekimet dhe mëshira e Zotit të tyre, dhe ata janë të udhëzuarit.” [El-Bekare: 155–157]
Imam Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Abdullahi ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë:
“Muslimani është vëllai i muslimanit. Ai nuk i bën padrejtësi atij e as nuk e braktis. Allahu është në ndihmën e atij që është në ndihmën e vëllait të tij. E Kush ia largon një shqetësim një muslimani, Allahu do t’ia largojë atij një shqetësim nga shqetësimet e Ditës së Kiametit. Si dhe kush e mbulon një musliman (mbulon të metat e tij), Allahu do ta mbulojë atë Ditën e Kiametit.”
Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, në komentim të hadithit ka thënë : “Nuk e braktis– لا يُسلِمُه ” do të thotë: nuk e lë atë në duart e atij që i bën dëm dhe nuk e lë në gjendje që të dëmtohet, por e ndihmon dhe e mbron.”
Ndërsa Ibn Ethiri ka thënë: “Kjo shprehje: ‘e ka braktisur filani filanin’, do të thotë se nuk e mbrojti nga armiku dhe e la në shkatërrim.”
Tema e hutbes së sotme:
“Gaza është në shib (rrethim), prandaj mos e braktisni!”
O vëllezër besimtarë,
Në librat e sirës profetike – siç janë “EsSiretul Halebije” dhe “Sirja” e dijetarit Ebu Hasen en-Nedvi – thuhet:
Kur jobesimtarët e Kurejshit panë ndikimin që kishte Islami dhe i Dërguari i Allahut ﷺ në jetën e njerëzve, ata u mblodhën dhe vendosën ta vrasin Profetin ﷺ. Thanë mes tyre: “Ky njeri na ka prishur djemtë dhe gratë tona, na ka ndarë familjet dhe na ka vënë përballë njëri-tjetrit.” Pastaj iu drejtuan fisit të Profetit ﷺ, duke thënë: “Merrni prej nesh një shumë të madhe parash, më shumë se sa vlen çdo shpërblim gjaku- dyfishin e Dijes së gjakut, dhe le ta vrasë ndonjë burrë prej nesh, që të qetësohemi prej tij dhe edhe ju të shpëtoni.” Por fisi i Profetit ﷺ, refuzoi me vendosmëri.
Atëherë, kurejshitët u bashkuan në një vendim edhe më të ashpër: të ndërprisnin çdo lidhje me fisin Benu Hashim dhe Benu Muttalib, t’i nxirrnin ata nga Meka dhe t’i izolonin në një vend të shkretë dhe të mbyllur, të quajtur “Shibi i Ebu Talibit”. Aty i rrethuan, duke i futur në një bllokadë të plotë. Vendosën të mos lejonin asnjë tregtar të bënte tregti me ta, të mos i martonin as të martoheshin me ta, të mos u shisnin as t’u blinin asgjë, të mos pranonin marrëveshje apo paqe me ta, dhe të mos ndienin mëshirë për askënd prej tyre derisa ta dorëzonin Muhamedin ﷺ për ta vrarë.
Për ta bërë këtë vendim sa më të fortë dhe të pandryshueshëm, ata e shënuan marrëveshjen në një dokument të shkruar, të cilin e varën në Qabe, brenda faltores së shenjtë.
Kur kurejshitët e morën këtë hap, fisi Benu Hashim dhe Benu Muttalib u bashkuan me Ebu Talibin xhaxhain mbrojtës të Profetit ﷺ dhe hynë me të në Shibin e tij. Kjo ndodhi në muajin Muharrem, në vitin e shtatë të shpalljes së profetësisë.
Nga fisi Benu Hashim, vetëm Ebu Lehebi, edhe pse ishte xhaxhai i Profetit ﷺ nuk qëndroi me ta, por u bashkua me kurejshitët dhe qëndroi në anën e kundërt.
Pjestarët e Benu Hashimit qëndruan nën atë rrethim të ashpër për një kohë të gjatë, derisa u kapluan nga uria dhe varfëria e skajshme. Ata u detyruan të hanin gjethe pemësh dhe bimë të egra për të mbijetuar. Kurejshitët ndalonin çdo tregtar të furnizonte me mall këtë fis, dhe nëse ndonjë karvan hynte në Mekë me ushqime ose mallra, kurejshitët i blinin të gjitha mallrat menjëherë dhe ia shtonin çmimin shumëfish, vetëm për të penguar që ato të përfundonin në duart e të rrethuarve.
Nëse ndonjë burrë nga fisi i Profetit ﷺ shkonte në treg për të blerë diçka që t’ua çonte fëmijëve për t’i ushqyer, dilte Ebu Lehebi dhe thoshte me zë të lartë: “O ju tregtarë! Rritini çmimet për ndjekësit e Muhamedit, që të mos kenë mundësi të blejnë asgjë nga ju! Ju e dini mirë se unë kam pasuri dhe i mbaj premtimet që jap.” Kështu që tregtarët ua shtrenjonin mallrat aq shumë, saqë ai burrë kthehej te fëmijët e tij, të cilët qanin nga uria, pa asgjë në duar për t’i ushqyer ose ngushëlluar.
Më pas, tregtarët shkonin te Ebu Lehebi për të marrë shpërblimin, dhe ai u jepte përfitim nga pasuria e tij për këtë që bënin kundër myslimanëve.
Ata qëndruan në atë gjendje për afërsisht tre vjet, pa iu lejuar të merrnin asgjë, përveçse fshehurazi nga ndonjëri prej kurejshitëve që ende kishte dëshirë t’i ndihmonte. I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdoi, në gjithë këtë kohë, t’i thërriste njerëzit te feja e Allahut, natën e ditën, fshehurazi dhe haptazi, ndërsa fisi Benu Hashim qëndroi i durueshëm dhe i përkushtuar, duke shpresuar shpërblimin tek Allahu për atë që po përballonin.
Disa njerëz nga fisi Kurejsh, burra me fisnikëri dhe ndërgjegje të pastër, nuk mundën ta durojnë këtë marrëveshje të padrejtë; ajo ua neveriti shpirtin dhe u ngjalli turp. Ata u ngritën dhe thanë:
“O ju banorë të Mekës! A është e pranueshme që ne të hamë e të vishemi, ndërkohë që fisi Benu Hashim po shkon drejt shuarjes nga uria? Nuk mund të blejnë as të shesin? Pasha Allahun, nuk do të ndalemi derisa kjo letër e padrejtësisë të shqyhet dhe të zhduket!”
Ndërsa Ebu Xhehli ndërhyri në këtë bisedë për ta ndaluar këtë lëvizje të drejtë, por fjalët e tij nuk patën ndikim. Atëherë, u ngrit Mut’im bin Adij dhe shkoi drejt letrës së marrëveshjes së varur në Qabe, me qëllim ta shqyente. Kur e hapi, pa që insektet e kishin ngrënë të gjithë dokumentin, përveç fjalëve: “Bismike Allahumme” – “Me Emrin Tënd, o Allah”.
I Dërguari i Allahut ﷺ e kishte njoftuar Ebu Talibin për këtë ndodhi të jashtëzakonshme para se të ndodhte, dhe vërtet, kjo u bë një shenjë e Allahut. Kështu, letra u shqye dhe gjithçka që ishte shkruar në të u anulua dhe u shpall e pavlefshme.
Ndërsa sot, o vëllezër të dashur, Gaza po jeton të njëjtin rrethim si ai i Shibit të dikurshëm. Ajo është e rrethuar, siç u rrethuan dikur besimtarët. Ajo po luftohet, siç u luftuan ata. Ushqimi dhe uji po i ndalohen fëmijëve, grave dhe burrave të saj, jo për ndonjë mëkat, por vetëm që të heqin dorë nga mbrojtja e së vërtetës, të dorëzohen nga bindja e tyre fetare dhe të nënshtrohen para të pavërtetës dhe ushtrisë së saj.
E gjithë bota dëgjon të qarat e fëmijëve të Gazës, sheh trupat e tyre të dobësuar nga uria, dhe vëzhgon vdekjen e tyre – pa vepruar. A do të ngrihet vallë ndonjë nga njerëzit me burrëri e ndërgjegje dhe të thotë:
“O ju banorë të tokës! A do të hamë e të vishemi ne, ndërkohë që njerëzit e Gazës po zhduken, pa mundur të blejnë apo të shesin asgjë? Pasha Allahun! Nuk do të rrimë duarkryq derisa ky rrethim i padrejtë të thyhet dhe të marrë fund.”
Rrethimi i Shibit, uria që iu imponua fëmijëve, grave, të moshuarve dhe të rinjve të Mekës, ishte një sprovë e madhe. Ishte një sprovë për besimtarët, të cilën ata e përballuan me durim dhe dolën të fituar. Ishte një sprovë për jobesimtarët, të cilën ata e humbën dhe u shkatërruan. Dhe ishte gjithashtu një provë për ata që kishin mundësi për të ndihmuar, sepse ai që ndihmoi fitoi, ndërsa ai që e braktisi dështoi dhe u turpërua.
Sa i përket shpërblimit të durimit të besimtarëve në rrethimin e Shibit, dijeni, o vëllezër të nderuar, se kur Profeti Muhamed ﷺ u ngrit në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, një vit pas përfundimit të rrethimit, udhëtimi i tij filloi pikërisht nga ai vend, nga vetë Shibi i Ebu Talibit.
Në librin Essiretul Halebije, thuhet: “Profeti ﷺ ka thënë: ‘Me erdhi Xhibrili,’ dhe në një transmetim tjetër: ‘Mu bë Israja mua nga Shibi i Ebu Talibit.’”
Dijeni gjithashtu, o vëllezër, se kur myslimanët e çliruan Mekën, Profeti ﷺ hyri në Mekë nga po ajo anë prej nga ishte rrethuar më parë, nga Shibi ku kishin vuajtur për tre vite, dhe pikërisht aty u ngrit flamuri i fitores.
Transmetohet nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se kur Profeti ﷺ pa shtëpitë e Mekës, ndaloi, falënderoi dhe lavdëroi Allahun, dhe pastaj hodhi sytë nga vendi ku ishte ngritur çadra e tij gjatë rrethimit, dhe tha: “Ky është vendi ynë, o Xhabir, ku Kurejshitët u ndanë kundër nesh.”
Xhabiri shton: “Aty më kujtohet një hadith që e kisha dëgjuar nga Profeti ﷺ më herët në Medinë:
”Vendi ynë, kur Allahu do të na e japë fitoren ndaj Mekës, do të jetë në vendin e Kinanës, ku ata u bashkuan kundër besimit.”
Kjo sepse Kurejshit dhe fisi i Kinanës ishin bashkuar për të bojkotuar Benu Hashimin dhe Benu Muttalibin, duke mos i martuar, mos u shitur e blerë gjë, dhe as nuk pranonin paqe, derisa t’ua dorëzonin Profetin ﷺ për ta vrarë.
Prandaj, përgëzohu, oj Gaza besimtare dhe durimtare! Sepse lartësimi yt dhe fitorja e madhe e umetit do të nisë nga toka jote, me lejen e Allahut.
Vërtet, askush nuk punon për hir të Allahut, pa u shpërblyer me ngritje në këtë botë dhe me triumf në të dyja botët.
Sa i përket ndëshkimit të jobesimtarëve të prishur zullumqarë, ata që morën pjesë aktivisht në rrethimin mizor, së bashku me jobesimtarët e Kurejshit, e në krye të tyre ishin Ebu Lehebi dhe Ebu Xhehli. Ndërsa ai që e shkroi dokumentin e bojkotit ishte Mensur bin Ikrime.
E çfarë ndodhi me ta?
Mansurit iu paralizua dora me të cilën kishte shkruar faqen e padrejtësisë.
Ebu Xhehli u vra në betejën e Bedrit dhe Profeti ﷺ tha për të: “Falënderimi i qoftë Allahut, ky ishte faraoni i këtij umeti.”
Ndërsa Ebu Lehebi u godit nga një sëmundje vdekjeprurëse ngjitëse një plagë që përngjan me murtajën dhe nuk jetoi më shumë se shtatë ditë, derisa vdiq në vuajtje.
Dy djemtë e tij e braktisën trupin e tij të pajetë në shtëpi për tre ditë pa e varrosur, derisa trupi filloi të lëshonte erë të rëndë. Kurejshitët e kishin frikë atë plagë sikurse i frikësoheshin murtajës. Një burrë nga Kurejshitët iu tha atyre:
“Mjerë për ju! A nuk ndiheni të turpëruar? Babai juaj po kalbet në shtëpi dhe ju nuk e varrosni!” Ata u përgjigjën: “Frikësohemi se mos na infekton kjo plagë.”
Ai tha:
“Ejani, se unë do t’ju ndihmoj.”
Pasha Allahun, ata nuk e lanë atë, por vetëm e spërkatën me ujë nga larg, pa iu afruar fare. Më pas e morën dhe e çuan në pjesën e sipërme të Mekës, e mbështetën për një mur dhe hodhën gurë mbi të, derisa e mbuluan. [Kështu përmendet në Delailun-Nubuvveh të Bejhekijut.]
E le të përgatiten udhëheqësit e entitetit kriminel dhe ata që i mbështesin ata për një fund të ngjashëm me fundin e Ebu Lehebit, Ebu Xhehlit dhe Mensur bin Ikrimes.
Ndërsa sa për shpërblimin e atyre që ndihmuan banorët e Gazës nga ata që kanë mundësi, kujtojmë Hakim bin Hizamin, i cili edhe pse ishte ende në shirk, fuste fshehurazi ushqim për muslimanët gjatë rrethimit në Shib. Allahu e nderoi atë me Islam dhe ai e pranoi Islamin ditën e çlirimit të Mekës. Ai ishte nga njerëzit më fisnikë të Kurejshitëve, në kohën e injorancës dhe pas Islamit. Jetoi 120 vjet, 60 vjet në injorancë dhe 60 vjet në Islam.
Po ashtu edhe Hisham bin Amr bin Rebiah, i cili kishte një pozitë të lartë në fisin e tij. Ai ishte i pari që ndërmori veprime për të anuluar dokumentin e padrejtë të bojkotit, dhe Allahu e nderoi me Islamin ditën e çlirimit të Mekës.
Ashtu edhe Zuhejr bin Ebi Umeje, Allahu e nderoi me Islam.
Prandaj, le të gëzohet e përgëzohet çdo njeri që ka ndihmuar banorët e Gazës qoftë edhe me dua në përpjekjet për të thyer këtë rrethim të padrejtë, me begatinë e madhe që e pret. Dhe le të dridhet çdo njeri që i ka braktisur ata ndërkohë që ka pasur mundësi për t’i ndihmuar, sepse e pret shkatërrimi dhe humbja.
O vëllezër të dashur,
Nëse Gaza sot është duke mbrojtur nderin e kësaj umeti, atëherë është detyrë e këtij umeti që të mbrojë Gazën. Ebu Davudi transmeton nga Xhabir bin Abdullahu dhe Ebu Talha, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nuk ka ndonjë mysliman që braktis një vëlla mysliman në një vend ku po i nëpërkëmbet nderi dhe po i shkelet dinjiteti, vetëmse Allahu do ta braktisë atë në një vend ku ai do të kishte dëshiruar më së shumti ndihmën e Tij. Dhe nuk ka ndonjë mysliman që ndihmon një vëlla mysliman në një vend ku po i nëpërkëmbet nderi dhe po i shkelet dinjiteti, vetëmse Allahu do ta ndihmojë atë në një vend ku ai do ta ketë më së shumti nevojën për ndihmë.”
Falënderimi i qoftë vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



