Pejgamberi Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, u dërgua me mesazhin e Islamit në një botë krejtësisht të errët dhe të korruptuar. Njerëzit në atë kohë besonin në idhuj dhe ndiqnin dëshirat e tyre. Pejgamberi Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kërkonte t’i sillte njerëzit në adhurimin e Allahut.

I vetëm, ai ishte si një i huaj në një shoqëri të korruptuar. Megjithatë, ai besonte që Allahu do ta forconte atë në përhapjen e mesazhit islam në botë. Kështu, ai punoi me shokët e tij për të përhapur Islamin. Megjithatë, ata ishin në fillim të dobët në vetë komunitetin e tyre dhe të huaj (guraba) edhe midis njerëzve të tyre. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe shokët e tij u munduan shumë derisa vendosën shtetin e parë në Medine dhe më vonë në gjithë Gadishullin Arabik.

Muslimanët sot po jetojnë si të huaj dhe kanë nevojë të mësojnë nga jeta dhe historia e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, të zbrapsin huajsinë e Islamit dhe të ringjallin fuqinë në trupin e popullit musliman.

Ebu Hurejra ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Islami ka filluar si diçka e huaj dhe do të kthehet në pozicionin e fundit si i huaj, e përgëzoni të huajt.” [Muslim, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi]

Kjo thënie e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tregon që Islami filloi i dobët e i huaj, pastaj u bë i fuqishëm dhe do të kalojë në një gjendje të dytë të dobët në një kohë dhe vend të caktuar.

Muslimanët të cilët kapen fuqishëm në fenë e tyre do të kenë shumë kundërshtarë dhe shumë pak përkrahës. Besimtarët në atë kohë do të bëhen si të huaj ose të tjetërsuar, madje edhe nëse ata janë në vetë vendin e tyre. Gjenden dy tipe të huajsisë që muslimanët do t’i kalojnë gjatë këtyre kohërave:

 

1. Largimi i muslimanëve nga ndjekësit e feve të tjera

 

Abdullah Ibn Mesud ka transmetuar: “Gjatë kohës kur ne ishim në shoqërinë e Pejgamberit në një tendë, ai tha: ‘A do t’ju pëlqente që ju të jeni një e katërta e njerëzve në Xhennet?’ Ne i thamë: ‘Po’. Ai tha: ‘A do t’ju pëlqente që ju të jeni një e treta e njerëzve të Xhennetit?’ Ne i thamë: ‘Po’. Ai tha: ‘A do t’ju pëlqente që ju të jeni gjysma e Parajsës?’ Ne i thamë: ‘Po’.”

Pastaj ai tha: “Unë shpresoj që ju do të jeni gjysma e Xhennetit (banorëve të saj), askush nuk do të hyjë në Xhennet përveç një shpirti muslimani dhe ju në krahasim me njerëzit të cilët i shoqërojnë të tjerë në adhurim Allahut, jeni si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi ose si një qime e zezë mbi lëkurën e një kau të kuq.” [Buhari]

Kjo thënie paraqet që konflikti midis muslimanëve dhe jobesimtarëve nuk do të ndalet dhe që ky konflikt nuk e ka penguar Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe shokët e tij për të përhapur Islamin.

 

2. Largimi i ndjekësve të sunetit të Pejgamberit nga fraksione tjera muslimane

 

Ky tip është më i vështirë se i pari. Kur një musliman i mbështetet sunetit të Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, huajsia e tij rritet. Ai fiton shumë kundërshtarë dhe më pak mbështetës.

Ai është një udhëtar me pak shokë, në një rrugë të gjatë. Kur ai arrin në një shkallë të lartë, disa nga shokët e tij do të largohen nga ai, derisa vetëm një numër shumë i kufizuar i tyre do të qëndrojnë të vazhdojnë udhëtimin.

Ndjekësit e Traditës së Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duhet të përhapin besimin e drejtë, metodologjinë e saktë për interpretimin e Kuranit dhe traditës së Pejgamberit dhe sjelljet e drejta islame. Ata duhet të thërrasin jo-muslimanët për në Islam kështu që ata të mos bëhen pre e paragjykimeve dhe shpikjeve të reja në fe (bidateve).

Huajsia e Islamit mund të bëhet një parim i huaj, për ndonjë vend ose kohë.

  • Me huajsinë e parimeve nënkuptohet që disa parime si lufta për hir të Allahut dhe urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja të bëhen të huaja.
  • Huajsia e vendit është kur Islami të bëhet i huaj në një vend por i fuqishëm në vende tjera.
  • Huajsia e kohës është kur Islami bëhet i huaj kudo në një periudhë kohe.

Megjithatë, do të gjendet gjithmonë një grup fitimtarësh që ndjekin sunetin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, të cilët nuk janë të ndikuar nga ata që i kundërshtojnë ata.


Selman el-Avde Përktheu: Ammar Ardit Kraja