Shenjtëria e Mekes në Kur’an dhe Sunnet

Falënderimi i takon All-llahut, subhanehu ve teala, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e All-llahut, mbi krijesën më të zgjedhur, atë të cilin All-llahu e zgjodhi dhe ia besoi shpalljen e fundit, mbi pejgamberin dhe imamin tonë Muhammedin, mbi familjën e tij, shokët e tij dhe gjithë ata të cilët e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e gjykimit.

All-llahun e falënderoj që më mundësoi të takohem me vëllezërit e mi në këtë vend me qëllim të këshillimit dhe përkujtimit të ndërsjellë. All-llahun e lus që të përmirëson gjendjen e zemrave tona, veprat tona dhe e lus që të na mundësojë kuptimin e drejtë të fesë Islame. Atij i drejtohem me lutje që të na i forcojë këmbët në fenë Islame dhe të ndihmojë fenë e Tij duke e bërë fjalën e Tij më të lartë.

O Zot! Përmirësoje gjendjen e muslimanëve në çdo vend, bëji sunduesit e tyre më të zgjedhurit. O Zot! Sundimtarët e muslimanëve drejtoi në rrugën e drejtë dhe mundësou që të zbatojnë ligjin tënd në tokë. All-llahu është i Fuqishëm dhe i Fortë.

Nga ky vend me falënderim gjithashtu i drejtohem vëllezërve që mbikëqyrin këtë qendër shkencore në krye me vëllaun Dr. Rashid Er-Raxhih, rektorin e universitetit Ummul Kura në Mekke, të cilit më mundësuan që në këtë vend të flas për temën:


Shenjtëria e Mek-kes në Kur’an dhe Sunnet

Vëllezër të dashur, nuk ka dyshim se njeriu i cili posedon nivelin më të ulët të dijes është i vetëdijshëm për shenjtërinë e Mekkes dhe për shenjtërinë e Shtëpisë së lashtë (Qabes) që gjendet në të.

All-llahu, subhanehu ve teala, na e ka bërë të qartë këtë në shumë ajete të Librit të Tij, dhe po ashtu edhe i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka folur për këtë në shumë hadithe.

Edhe pse kjo gjë mund të jetë e njohur për ju, nuk ka pengesë që të përkujtojmë njëri-tjetrin për këtë çështje, në mënyrë që të respektojmë sa më mirë rregullat që All-llahu i ka vendosur për këtë vend të shenjtë.


Ajetet kur’anore për Mekken

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt…”
(Ali Imran: 96–97)

Në këtë ajet All-llahu sqaron se:

  • Ajo është shtëpia e parë e ndërtuar për njerëz;

  • Është e bekuar dhe udhërrëfyese për gjithë njerëzinë;

  • Në të ka shenja të qarta si vendi i Ibrahimit;

  • Kush hyn aty gjen siguri;

  • Vizita është obligim për ata që kanë mundësi.


Hadithi i Ebu Dherrit për shtëpitë e ndërtuara për adhurim

Ebu Dherri, radijall-llahu anhu, tregon:

“E pyeta të Dërguarin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për shtëpinë e parë të ndërtuar në tokë? Ai tha: ‘Mesxhidul Harami’. Pastaj pyeta për të dytën dhe tha: ‘Mesxhidul Aksa’. Pyeta sa kohë ka mes tyre dhe tha: ‘Dyzet vjet’. Pastaj më tha: ‘Kudo që të zë koha e namazit, faleje, sepse ai vend është xhami.’”
(Transmetojnë: Buhari, Muslim, Nesai, Ibn Maxhe)


Ndërtimi i Qabes dhe urdhëri për pastrimin e saj

Qabeja është shtëpia e parë për ibadet, e ndërtuar nga Ibrahimi, alejhi selam, me ndihmën e Ismailit, alejhi selam.

“Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit…”
(Bekare: 125)

“Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde.”
(Haxh: 26)


Rregullat dhe ndalimet në Mekke

Ky vend është i shenjtë prej ditës që All-llahu ka krijuar qiejt dhe tokën. Në të:

  • Nuk lejohet gjuetia;

  • Nuk lejohet prerja e drunjve apo kositja e barit;

  • Nuk lejohet derdhja e gjakut, përjashtimisht me drejtësi;

  • Nuk lejohet marrja e gjërave të humbura, përveç për lajmërim.


Shenjtëria dhe siguria e Mekkes

“…dhe kush hyn në te, ai është i sigurt.”
(Ali Imran: 97)

Madje edhe mushrikët e njohin shenjtërinë e saj. Respektimi i këtij vendi përfshin largimin nga mëkatet dhe ruajtjen nga padrejtësitë, sepse mëkatet në këtë vend janë më të rënda.

“…kushdo që të përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat, Ne kemi për t’ua shijuar një dënim të idhët.”
(Haxh: 25)


Shenjat e Ibrahimit dhe ndjekja e rrugës së tij

“Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit…”
(Ali Imran: 97)

Këto janë vende ku Ibrahimi ka bërë ibadet: Arefat, Muzdelife, Mina dhe Mekamu Ibrahim, të cilat shërbejnë si përkujtim për muslimanët.

“Pastaj, ty të shpallëm: ‘Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit…’”
(Nahl: 123)


Detyrimi për të ruajtur shenjtërinë

Ne si muslimanë jemi të detyruar të:

  • Respektojmë shenjtërinë e Mekkes;

  • Ndihmojmë njëri-tjetrin në vepra të mira;

  • Largojmë çdo gjë që dëmton shenjtërinë e saj.


Lutje për muslimanët

All-llahun e lus me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e tij të larta:

  • T’ju japë muslimanëve mbështetje në veprat e mira;

  • T’ua përmirësojë zemrat dhe veprat;

  • T’i largojë nga veprat e këqija;

  • T’ua mundësojë kuptimin e fesë;

  • T’iu ndihmojë sunduesve në zbatimin e ligjit të Tij;

  • T’i shkatërrojë kurthet e atyre që duan të dëmtojnë Islamin.


Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mbi shokët dhe familjen e tij.

Abdul Aziz ibën Abdull-llah ibën Baz