Tashmë është punë orësh dhe ne hyjmë në një periudhë të bekuar hënore kohore të bojkotit të ushqimit, pijes dhe epshit që cenon paprekshmërinë e begatisë së këtij muaji të Zotit, që i kushtohet vetëm Zotit. Krahas bojkotit ditor të atyre nevojave trupore të natyrshme dhe legjitime për të jetuar, ky muaj na edukon se duhet të bojkotojmë për hir të Krijuesit dhe kënaqësisë së Tij e padyshim edhe dobisë sonë, çdo ligësi që del nga gjuha, dora, këmba, syri dhe veshi ynë, e madje edhe nga zemra e mendja jonë.
Ky është agjërimi.
Por në këtë muaj të bojkotit të ushqimit dhe ligësive njerëzore, duhet bojkotuar edhe shtirja e hipokrizia, reklama dhe publiciteti i tepruar i adhurimeve, që në thelb janë marrëdhënie vetjake me Krijuesin. Lërini krijesat e tjera të Zotit ta shohin adhurimin tonë pa qenë nevoja që të jemi ne që e reklamojmë atë.
Bojkotoni pompozitetet që nuk i shkojnë për shtat modestisë dhe përulësisë që kërkon ky muaj, bojkotoni iftaret e çmendura të luksit dhe shpenzimeve shpërdoruese, ndërkohë që iftarit i mjafton ajo urtësia popullore “bukë e kripë e zemër të mirë”.
Dhe bojkoti në këtë muaj nuk mund të jetë i plotë dhe frytdhënës nëse nuk braktisen edhe iftaret e atyre që sofrën e tij e kanë kthyer në karrem votash dhe mbajtje apo marrje pushteti. Do të marrim ftesa pafund nga politikanë që befas kujtohen jo për Zotin, për të Cilin ne agjërojmë, por për të mbushur barkun tonë që t’i përjetësojmë më pas ata në pushtetin, zullumin dhe premtimet hipokrite të tyre.
Bojkotoni ata njerëz që me amoralitetin e tyre politik e kanë harruar Zotin dhe kujtohen vetëm për barqet tuaja, kurrsesi për të kënaqur Zotin, por për të vazhduar në zullumin dhe ligësinë e tyre politike, për ta rrjepur, mashtruar dhe keqqeverisur këtë popull.
Bojkotoni iftaret e atyre njerëzve që ditën për diell ngihen si derrat me djersën e këtij populli dhe në darkë kujtohen se ju ekzistoni.
Bojkotoni ata hipokritë të korruptuar ose jo, që mendojnë se duke iu mashtruar ju si njerëz me një pjatë ushqim mund të mashtrojnë edhe besimin tuaj.
Njerëz që e kanë harruar Zotin dhe moralin që Ai kërkon prej tyre, nuk e meritojnë t’ua bekosh ushqimin duke ua konsumuar atë për iftar.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli