Beteja e Hunejnit 

Mësime & reflektime 

1/ Nevoja që muslimanët t’i përmbahen Kuranit dhe Sunetit 2/ Gaza, Hunejni dhe ngjarjet që ndodhën aty 3/ Disa mësime dhe përfitime të nxjerra nga beteja e Hunejnit

Vëllezër besimtar! Sa shumë ka nevojë Ymmeti  ynë, pasi që është i ekspozuar ndaj fatkeqësive të shumta, vuan nga sprova të rënda, është i vuajtur nga mërzi të shumta e pikëllime të mëdha, dhe në një kohë kur armiqtë e sulmojnë nga të gjitha anët, ia marrin burimet, pushtojnë atdheun e tij dhe ia plaçkitin paratë, derisa dëshpërimi ka depërtuar në zemrat e shumë prej tyre. Ymmeti ynë ka nevojë të kërkoj rrugën e daljes, të shohë dhe të njohë parimin e forcës, arsyen e krenarisë dhe rrugën drejt dinjitetit, të cilën ia shpjegoi dhe ia bëri të qartë Profeti i saj – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – kur tha: “Kam lënë mes jush atë që, nëse i përmbaheni, nuk do të humbni kurrë pas meje: Librin e Zotit dhe Sunetin tim.”

Sa shumë ka nevojë ummeti  ynë të njohë historinë e tij, të shkruar me ar, plot krenari, dinjitet dhe udhëheqje. Në jetëshkrimin e të Dërguarit Fisnik – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – dhe në betejat e tij, ekziston materia më e madhe për to  dhe mësimi më i mirë që duhet të mësojë për t’u ngritur nga rënia dhe për t’u zgjuar nga gjumi. Në vitin e tetë të hixhretit, pasi Zoti e madhëroi fenë e Tij dhe nderoi  të Dërguarin e Tij duke çliruar  Mekën, e shpëtoi vendin e Tij nga jobesimtarët dhe e pastroi Shtëpinë e Tij nga papastërtia e injorancës dhe politeizmit. Po këtë vit  u zhvillua Beteja e Hunejnit, në të cilën fiset Hevazin, Thekif etj.  u dakorduan t’i sulmojnë muslimanët  para se shtyllat e fitores së tyre të forcoheshin dhe  trupat çliruese të përhapeshin. Malik ibn Avfi, prijësi i Havazinit, doli me popullin e tij duke marrë me vete gra, pasuri dhe fëmijë, në mënyrë që asnjëri prej tyre të mos ikte nga fushëbeteja  e të braktiste familjen dhe pasurinë e tij. Kur Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi këtë, tha: “Ajo do të jetë plaçka e muslimanëve nesër, në dashtë Zoti”. Malik ibn Avf zbriti duke synuar të shkonte në Mekë u fortifikua në luginën e Hunejnit, dhjetë milje nga drejtimi i Arafatit. Pejgamberi, alejhi selam, doli ta takojë me një ushtri të madhe, që numëronte dymbëdhjetë mijë, e cila ishte ushtria më e madhe islame që doli gjatë jetës së të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kur muslimanët e panë numrin e madh të tyre, disa prej tyre u fascionuan, derisa thanë: “Ne sot nuk do të mposhtemi nga mungesa e numrit”.

Të dy palët u rreshtuan për luftë dhe  ballafaqimi filloi. Malik ibn Avf vendosi të merrte iniciativën  përderisa disa nga njerëzit me të Dërguarin – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – nxituan vërsulën nga të posaudhëzuarit  dhe të rinjtë që hynë në betejë pa pasur pajisjen e plotë të një luftëtari, kështu që armiqët filluan ti godasin me shigjeta, e fisi Havazin shquheshin për saktësi  nuk humbnin asnjë shigjetë. Ata ishin pozicionuar nga ku po u lëshonin rrebesh shigjetash dhe nuk shkoj gjatë e i mposhtën të gjithë ata euforikë të cilët dhe  ikën  nga beteja, ndërsa  Pejgamberi – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – mori anën e djathtë, e vetëm disa nga muhaxhirët dhe familja e tij mbetën me të. Aty edhe një herë u shfaq  guximi i tij  i lartë  dhe besimi i tij i madh në Zotin e tij, ndërsa ai hipi në mushkë drejt armikut, duke thënë: “Unë jam Pejgamber, jo gënjeshtër, unë jam i biri i Abdulmuatlibit”.  Ai i kishte hipur një mushke e cila  nuk ishte përshtatshme as për vërsulje e as për tërhjekje. Edhe pse  Ushtria e tij ishte ekspozuar dhe shumica e shokëve të tij kishin ikur, dhe përkundër kësaj, ai e bëri atë të galopojë drejt armikut dhe e duke proklamuar emrin e tij, i sigurt në fitoren e Zotit të tij e duke u mbështetur tek Ai, pastaj zbret prej saj dhe kërkon fitoren e Zotit të tij, duke thënë: “O Zot, zbrit fitoren tënde”.

Ai e urdhëroi xhaxhain e tij Abasin, i cili kishte zë të lartë, t’i thërriste njerëzit, duke i nxitur ata të qëndrojnë të palëkundur dhe t’i thërrasin besimtarët dhe njerëzit e sakrificës, sepse ata janë të cilët   bartin mesazhet dhe mbi ta ngriten kauzat  dhe me duart e tyre arrihet fitorja. U ngritën britmat e Al-Abasit, duke jehuar tërë luginën:  O shokët e Pemës! O njerëzit e  Betimit të Pemës?!  Kur e dëgjuan thirrjen, nxituan drejt tij dhe e rrethuan. Batalionet myslimane vijuan njëri pas tjetrit. Beteja ishte e ashpër dhe të dy palët zhvilluan  një betejë të madhe. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, luftoi ashpër dhe sahabët luftuan duke u mbrojtur me të  nga armiku për shkak të guximit dhe qëndrueshmërisë së tij të jashtëzakonshme, siç e kishte zakon. Ai në atë rast kur pa se beteja po intensifikohej thoshte: “Ky është momenti kur nxehet saçi”. 

Pastaj mori një grusht dheu dhe e hodhi në fytyrat e jobesimtarëve, duke thënë: “U shpërfytyrofshin fytyrat tuaja!” 

Zoti nuk krijoi asnjë njeri në mesin e tyre, përveç se ia mbushi sytë me pluhur nga ai grusht. Zoti i Lartmadhëruar tha: Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e (luftës së) Hunejnit, kur ju ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka ju duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur. Pastaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit.  [Et-Teube: 25-26], kështu që ata u kthyen prapa, duke ikur dhe mposhtur.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) filloi të mbledhë plaçkën. Havazini iku në Avtas, kështu që Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dërgoi një grup pas tyre derisa ata u mundën. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i ndoqi ata deri në Taif dhe i rrethoi në kështjellën e tyre për një kohë të gjatë. Ata refuzuan të zbrisnin nga kalaja, kështu që Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i la ata dhe u kthye në El-Xhirana. Plaçkat ishin mbledhur dhe ishin të mëdha madje  shumë të mëdha. Muslimanët kurrë nuk kishin kapur diçka të tillë më parë. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) priti me ditë të tëra, duke shpresuar se do të vinin banorët e Taifit. Kur ata nuk erdhën, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ndau plaçkën dhe ua dha atyre që ishin posaudhëzuar dhe atyre që duhej përfituar zemrat dhe u dha një numër muhaxhirësh dhe beduinësh, por ensarëve nuk u dha asgjë.

Pastaj Pejgamberi – lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – shkoi dhe hyri në ihram për umre në  El-Xhirana, Ai kreu umren, e më pas  u nis për në Medine dhe hyri në të në fund të Dhul-Kides, fitimtar, triumfues.

Allahu Ekber! Është një mësim optimizmi e përgëzimi, që i jepet Ummetit tonë, pasi vuan fatkeqësitë dhe digjet nga luftërat dhe uritë. Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, hyn në Medine, i gëzuar e i  përgëzuar, i nderuar dhe trijumfues. Ai vetëm disa vite më parë kishte ardhur në të si një emigrant,  i dëbuar, dhe i frikësuar, si një i huaj e i vetmuar, ku kërkoj unitet dhe mbështetje. Ensarët e nderuan, e strehuan dhe e përkrahën. Ata ndoqën dritën që u zbrit me të dhe për hir të tij përçmuan armiqësinë e të gjithë njerëzve. Ja ku po hyn në të pas tetë vitesh, për t’u mirëpritur edhe një herë ndërsa  Meka i është nënshtruar atij duke  hedhur krenarinë dhe injorancën e saj nën këmbët e tij. Zoti i dha pushtet mbi krenarët dhe udhëheqësit e  saj, për ta nderuar atë me Islam dhe për t’ua falur mëkatin fillestar: Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve. (Jusuf: 90)

Beteja e Hunejnit ishte ballafaqimi i fundit mes muslimanëve dhe politeistëve të arabëve, pas së cilës fuqia e tyre u shterua, shigjetat e tyre u hargjuan dhe forcat e tyre u poshtëruan. Pas kësaj, arabët hynë në fenë e Zotit grupe grupe dhe  erdhën delegacione për t’i paraqitur  besnikëri Profetit – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – ndaj Islamit. Ai ishte viti i njohur si viti i delegacioneve: Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,  atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.[En-Nasr: 1-3].

Vëllezër besimtar! Kjo betejë vendimtare në historinë e Islamit përmban mësime të shumta dhe vlera unike. Aty përshkruhet sëmundja dhe zbulohet kurimi. Nëse duam një rrugëdalje nga rrethanat tona të vështira dhe një litar shpëtimi për atë që po përballen vëllezërit tanë, atëherë duhet të marrim frymëzim nga mësimet e saj dhe të kuptojmë përfitimet prej saj. 

Më i madhi nga këto mësime është se dobësia e besimit dhe dështimi i tij për të kontrolluar zemrat është një prej  arsyeve kryesore që muslimanët të ekspozohen ndaj dominimit të armiqve, sundimit të tyre mbi tokat e tyre dhe kontrollit të tyre madje edhe mbi jetesën e tyre. Muslimanët fillimisht u mundën në ditën e Hunejnit anise prijësi i tyre ishte vet i Dërguari i Zotit – lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe në mesin e tyre ishin Ebu Bekri dhe Omeri dhe prijësit e sahabëve të ndershëm. Kur sahabët u nisën për në Havazin, ata kaluan pranë një peme të madhe në të cilën mushrikët varnin armët duke shpresuar  bekimet e saj, ku  ata thernin kurbanët e tyre dhe luteshin, ajo quhej Dhatu Anvat. O i Dërguari i Zotit, na bëj një Dhat Envat edhe neve siç kanë ata një Dhat Envat?! I thanë disa prej shoqërueseve të tij.  Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u zemërua dhe tha: “Allahu Ekber!  Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju sapo thatë atë që i thanë beni israilët Musait: “Na bëj një zot ashtu siç kanë ata zota.” Ai tha: “Vërtet, ju jeni një popull që silleni me injorancë.”  Edhe Ju do të ndiqni rrugët e atyre që erdhën para jush.”

Dihet se këto fjalë nuk i thanë sahabët e vjetër, por ata që i thanë ishin muslimanët e posaçlirimit. Pra, çfarë mund të themi në këto kohë në të cilat politeizmi është përhapur dhe dominues, dhe adhurimi i varreve e tavafi rreth tyre është bërë një praktikë e zakonshme mbi të cilën bazohen vendet dhe qeveritë po sponsorizojnë në shumë vende të botës islame?! 

Vëllezër besimtar!  Prej dobive që përmban kjo betejë është se kur i Dërguari – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – mësoi për ushtrinë Havazin dhe se ata kishin marshuar me pasurinë, fëmijët dhe gratë e tyre, u gëzua për këtë dhe tha: “Kjo do të jetë plaçka e luftës për muslimanët nesër, në dashtë Allahu”. Pra, udhëzimi i të Dërguarit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në kohë fatkeqësie ishte optimizmi, besimi në fitoren e Allahut dhe përkrahjen e Tij ndaj miqve të Tij, dhe se përfundimi i mirë është për ta, edhe nëse zgjatet koha e fatkeqësisë, apo komploti i armiqve është i fortë. Kështu i pa i dashuri dhe profeti ynë – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – parathëniet e fitores përmes reve të mundimit dhe priti të ardhmen e ndritur të kësaj feje dhe kjo është ajo mbi të cilën çdo musliman duhet të ngrihet dhe të rrisë ata që janë nën kujdesin e tij.

Një nga mësimet e mëdha në këtë betejë është të mos mashtrohesh nga numrat e as të fascionohesh prej tyre. Sot, muslimanët janë afër dy miliardë, megjithatë ata janë si llumi i një vërshimi, të paaftë për të mbështetur vëllezërit e tyre dhe për të siguruar të drejtat e tyre. Ata shohin gjakun e muslimanëve duke u derdhur, nderin e tyre duke u shkelur dhe tokat e tyre duke u pushtuar, por ata nuk kanë fuqi apo ndikim mbi ta. Synimi nuk është me numra dhe kjo është e qartë në shumë ajete të Kur’anit famëlartë:  “Disa prej tyre janë të matur, por shumë prej tyre bëjnë vepra të këqija.” (El-Maide: 66). Zoti i Madhëruar po ashtu thotë: “Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.” (El-En’am: 116). Ai gjithashtu thotë: “ Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.” [Jusuf: 103], sepse turma shpesh mund të ketë qenë fatkeqësi për popullin e saj, ashtu siç ishte fatkeqësi për të Dërguarin e Zotit – lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe shokët e tij në ditën e Hunejnit. Masa e vërtetë përcaktuese  është përkushtimi ndaj fesë, besimi në fitoren e Zotit të botëve, uniteti i fjalës, bashkimi në Sunet dhe shmangia e sekteve dhe tekave e parullave përqarëse  të cilat nuk bëjnë asnjë lloj dobije.

Vëllezër të nderuar! Një nga dobitë e betejës së Hunejnit, e cila e shpërfaq njërën  nga arsyet e humbjes, është nxitimi i të rinjve. Një burrë i tha El-Bera’ bin Azibit: O Ebu Ammarah, u zbrapsët në ditën e Hunejnit! Ai tha: Jo, pasha Zotin, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk u largua, por të rinjtë e shokëve të tij dolën fshehurazi, pa përgaditje dhe para një populli shigjetarë që i mbuluan me një breshëri shigjetash të cilat nuk ja huqnin.

Problemet më të shpeshta nga të cilat vuajnë thirrjet fetare, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, janë: nxitimi, entuziazmi dhe emocionet. Rezultati është dështimi i thirrjeve dhe disfata e mbështetësve të tyre.

Përgjatë kësaj beteje, Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) kaloi pranë një grua që ishte vrarë dhe njerëzit ishin grumbulluar rreth saj. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kjo grua nuk duhej vrarë”. Atë ditë ai ndaloi vrasjen e grave, fëmijëve, punëtorëve dhe kujtdo që nuk mbante armë. Kjo është feja e Islamit dhe ky është udhëzimi i Zotit të Njerëzimit, i cili ndalon vrasjen e grave, fëmijëve dhe pleqve, edhe nëse ata janë të pafe dhe njerëzit e tyre janë në luftë! Po në lidhje me vrasjen, shënjestrimin dhe goditjen me snajper të grave muslimane, siç raportohet nga mediat, po turmat e bombave e raketave të cilat në shënjestër kanë civilët e gjorë e fëmijët e pambrojtur. Kjo tashmë ka dal sheshazi dhe pa asnjë maskë duke mos hezituar para tërë botës përdorimin e armëve të shkatërrimit masiv mbi masat civile dhe popullatën e pafajshme. Por ky është zakoni  i tiranëve dhe tradita e tyre në vazhdimësi. 

Vëllezër të nderuar! Xhihadi në rrugën e Allahut është urdhëruar për t’i thirrur njerëzit në Islam, për t’i udhëzuar ata në rrugën e drejtë dhe për t’i drejtuar ata në fenë e vërtetë. Nuk ka qenë kurrë një luftë për përfitime materiale, zaptimi i tokës, kontrolli i burimeve të energjisë, nënshtrimi i tregjeve globale ndaj një monedhe të caktuar dhe dhënia e investimeve të mëdha për kompani të veçanta. Kjo nuk është feja islame, por është karakteristikë e tiranëve të botës, gjakpirësve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore. Këtë e dëshmojnë fjalët e Profetit – salallahu alejhi ue selem – drejtuar Malik ibn Avfit, i cili ishte nxitësi i kësaj beteje dhe organizatori  i saj, tregoni atij  tha se: Nëse vjen si musliman, do t’ia kthej familjen dhe pasurinë dhe do t’i jap edhe  njëqind deve. Ata e informuan Malikun për këtë, kështu që ai erdhi për t’iu  bindur  Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – ia ktheu familjen dhe pasurinë dhe i dha njëqind deve. Ai hyri  në Islam dhe u bë musliman i mirë. 

SubhanaAllah! Morali i të gjithëve, përveç disa muslimanëve, u dobësua dhe shumica e ushtrisë filloi të largohej nga fusha e betejës, duke mos qenë taktikë lufte e as ripozicionim, prandaj ishte një tronditje shumë e ashpër.

Kjo tronditje e Hunejnit është më e rëndë se tronditja e Uhudit. Në betejën e Uhudit, disa nga harkëtarët thyen urdhërin, përderisa  disa të tjerë qëndruan të vendosur, dhe muslimanët qëndruan të patundur ku një numër prej tyre ranë edhe  shehid. Megjithatë, këtu, vetëm dhjetë nga muslimanët qëndruan të vendosur, nga dymbëdhjetë mijë luftëtarë. Kjo do të thotë, përqindja e qëndrueshmërisë në ushtrinë islame në Hunejn ishte një në një mijë. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rrezikshme. Myslimanët mendonin se toka e gjerë ishte bërë shumë e ngushtë, pasi armiku i rrethonte nga të gjitha anët. Allahu e përshkroi gjendjen e ushtrisë islame në momentet e para të Ditës së Hunejnit, duke thënë: ““Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e (luftës së) Hunejnit, kur ju ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka ju duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur”. [Et-Teube: 25].

Vëllezër muslimanë!  Qëndrueshmëria e të Dërguarit – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – ishte arsyeja më e madhe e fitores së muslimanëve në Ditën e Hunejnit. Pra, përgatituni për qëndrueshmëri, veçanërisht në dritën e këtyre ndryshimeve dhe vuajtjeve të shumta që po i ndodhin muslimanit gjatë ditës dhe natës së tij. Ruaju rrëshqitjes dhe merre personalitetin e të Dërguarit tënd – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – si model dhe shembull në të gjitha punët e tua. Mësoni biografinë e tij, mësojini fëmijët tuaj dhe përmbajuni asaj në të gjitha punët tuaja. Komuniteti musliman le të ngrihet në këtë rast siç bëri i Dërguari i Zotit – lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – duke kuptuar se si të përballet me armiqtë e tij, duke mos qenë pre në duart e tyre! Duke ditur natyrën e armikut të tij dhe çfarë dëshiron prej tij? Le të jetë shoqëria e rreshtuar në një saf të fortë rreth fjalës së Allahut  një njësi e vetme: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” [El-Enfal: 46].