(Pjesa 1)

Lavdërimi është për Allahun, i Cili nuk e prish atë që ka ngritur, nuk e ndalon atë që ka dhuruar, nuk e kthen atë që ka gjykuar, nuk e publikon atë që ka mbuluar dhe nuk e humb atë që ka udhëzuar.
I lavdëruar qoftë Ai që krijoi gjithësinë dhe çdo gjë me fuqinë e Tij dhe e ruan me mirësinë e Tij.
I lavdëruar qoftë Ai që krijoi Ademin, e vendosi për banim afër Tij, e urdhëroi ashtu si dëshiroi dhe e ndaloi. Ishte caktimi i Tij kur Ademi pasoi epshin e tij dhe mëkatoi, ndërsa Mëshirëploti e pranoi pendimin e tij.

I lavdëruar qoftë Ai që e krijoi Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, e zgjodhi për Pejgamber, e afroi Ai afër Vetes sa dy harqe dhe e inspiroi dhe i premtoi pozitë të lartë.
I lavdëruar qoftë Ai që nëpërmjet Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na udhëzoi e na nderoi me Kuran dhe na e mësoi atë.
I lavdëruar qoftë Allahu. I lavdëruar qoftë Allahu. I lavdëruar qoftë Allahu.
Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut. Gjithashtu, dëshmoj se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

 

Të nderuar besimtarë!
Shumë njerëz nuk e dinë vlerën e pendimit, “teubes”, e lëre më të marrin një hap drejt tij.
Allahu im!
Erdha te mjekët e robërve të Tu,
Gabimin tim ata ta kurojnë,
Por të gjithë te Ti më udhëzuan.

Në një rast bëra një bisedë me veten:
Si e njeh Allahun, i pranon të gjitha të mirat e Tij, por mëkaton pa ndërprerë, ditën e natën?!
A nuk po frikësohesh nga dënimi?
Pse nuk po synon xhenetin dhe të mirat e pakufishme që nuk mbarojnë? Pse nuk po ikën nga zjarri dhe i ftohti i xhehenemit, i cili nuk ka të mbaruar?
Dhe më pas i thashë vetes: -Ke mundësinë e zgjedhjes!
Kurse vetja më tha: -Një ditë do të pendohem tek Allahu!
I thashë: -Atëherë vepro!
Më tha vetja: Më trego rrugën. E, si të pendohem?!

 

Vëlla i penduar!

Fillimisht duhet ta dish se fillimi i rrugës është qëndrimi, ecja gjatë rrugës është veprimi dhe furnizimi i saj është pendimi.
Dije se vdekja të vjen befas. Allahu i Lartësuar thotë:
قل يعبادي الذين أسرفوا على أنفسهم لا تقنطوا من رحمة الله، إن الله يغفر الذنوب جميعا، إنه هو الغفور الرحيم* وأنيبوا الى ربكم وأسلموا له من قبل أن يأتيكم العذاب ثم لا تنصرون* واتّبعوا أحسن ما أنزل اليكم من ربكم من قبل أن يأتيكم العذاب بغتة وأنتم لا تشعرون* أن تقول نفس يحسرتي على ما فرّطت في جنب الله وإن كنت لمن الساخرين* أو تقول لو أنّ الله هداني لكنت من المتقين* أو تقول حين ترى العذاب لو أن لي كرّة فأكون من المحسنين* بلى قد جاءتك آياتي فكذبت بها واستكبرت وكنت من الكافرين.
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm.” Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë!” (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë.” (Zumer, 53-59)

 

Vëlla i penduar!
Mëso se ti që po kërkon lumturinë, ke nevojë për shpëtim, shpreson te falja. Allahu i Lartësuar thotë:
وإني لغفّار لمن تاب وعمل صالحا ثم اهتدى
“Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Taha, 82)
Pendimi! Pendimi! Vëlla i penduar, pendimi është thelbi i çështjes, ringjallje e jetës, kusht i shpëtimit tënd.
Ibnul Kajjimi thotë: “Pozita e teubes është destinacioni i parë, i mesëm dhe i fundit. Nuk ndahet prej njeriut deri në vdekje, edhe kur shpërngulet në banesën e ahiretit e shoqëron dhe zbret me të. Teubeja është fillimi për të, nevoja e tij e domosdoshme.”
Allahu i Lartësuar thotë:
وتوبوا الى الله جميعا أيها المؤمنون لعلكم تفلحون
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur 31)
Ky ajet i takon sures medinase, kur Allahu i Lartësuar i drejtohet besimtarëve, më të zgjedhurve të krijesave të Tij, që të pendohen tek Ai pasi kanë besuar, kanë bërë durim, shpërngulje dhe xhihad. Shpëtimin e ka bërë të varur nga teubja, ku është lidhur shkaktari me shkakun e tij. Kështu parafjala “leal-le”është treguese e shpresës. Pra, kjo është një shenjë që nëse ju pendoheni, ndoshta do ta përjetoni shpresën e shpëtimit, se ndjenjën e shpëtimit e kanë vetëm të shpëtuarit. Allahu na bëftë prej tyre!

 

Pse të pendohemi?

Kjo është një çështje e nevojshme dhe është rezultat i padijes së njerëzve për fenë në këtë shekull, rezultat i injorancës së tyre për mëkatet që bëjnë. Kuptimi i gjynahut është një domethënie e madhe që ngërthen shumë gjëra, për dallim prej asaj që njerëzit mendojnë se është e lejuar.
Ndoshta një grua e zbuluar pyet: “Pse të pendohem?! Jam e bukur, pse të mbulohem?!”
Një pyetje të tillë e bën edhe një i ri: “Kënaqësinë e gjej te cigarja, pse ta lë? Kënaqem kur shikoj televizor, si ta braktis atë? Unë nuk dua detyrime dhe përkufizime! Nuk pranoj të detyrohem me orarin e kohëve të namazit! Vallë, a nuk duhet njeriu të bëjë atë që e bën të lumtur? E mua më lumturon ajo që ju e quani mëkat, ndërsa unë nuk e pranoj këtë emërtim. Atëherë, pse të pendohem? Për çfarë të pendohem?”
Kjo është pyetja që dëgjohet shpesh: Pse të pendohemi?

 

Të nderuar besimtarë!
Patjetër i duhet dhënë përgjigje kësaj pyetjeje dhe me lejen e Allahut në hytben e ardhshme do të mësojmë diçka më tepër për nijetin e pendimit.
Allahu im! Na e bëj risk pendimin, sinqeritetin në fjalët dhe veprat tona të dukshme dhe të padukshme!
Vazhdon…

 

Ulvi Fejzullahu