Allahun e falënderoj prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi, biri i Abdullahit dhe robi i Allahut, është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që i përcjellin me të mira deri Ditën e Kiametit.

Zbukurimi në kufijtë e të lejuarës është çështje e kërkuar për arsye se Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Zbukurimi bëhet në përmisimin e trupit me marrjen e asaj që duhet të merret dhe me lënien e asaj që duhet të lihet.

Ajo çka duhet të merret nga trupi e qartësoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith të cilin na e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër):
Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve),  bërja synet (rrethprerja), shkurtimi i mustaqeve, mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat,
shkurtimi i thonjve
“.

Këto pesë gjëra janë nga traditat e vjetra të cilat i zgjodhën të Dërguarit dhe në të u pajtuan të gjitha legjislacionet, për arsye se me lënien e këtyre gjërave shëmtohet dhe deformohet trupi dhe i përngjan kafshëve dhe jobesimtarëve dhe është shkak për mbledhjen e fëlliqësirave dhe prezencën e erës së keqe. Me pastrim të vendeve të turpshme nënkuptojmë mënjanimin e qimeve nga pjesët intime të trupit dhe është e lejuar të përdoret çfarëdo forme vetëm që të arrihet qëllimi dhe mos të jetë e dëmshme për trupin, prandaj lejohet shkulja, prerja rruajtja ose ndonjë formë tjetër.  Me bërjen synet është për qëllim prerja e lafshës që mbulon organin e mashkullit për arsye se mbetja e saj bën që të mblidhen papastërti përreth organit dhe me atë të shkaktohen sëmundje të ndryshme. Me shkurtim të mustaqeve është për qëllim shkurtimi i tyre e jo rruajtja e tyre. Me shkulje të qimeve të sqetullave është për qëllim mënjanimi i qimeve nga sqetullat dhe lejohet shkulja, rruajtja apo prerja e tyre. Me prerjen e thonjve është për qëllim prerja apo shkurtimi i tyre.

Ajo që ligjësohet të mbetet është mjekra ashtu siç ka ardhur në librat e imam Buharit dhe Muslimit, Allahu i mëshiroftë, se i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Prisni ( shkurtoni ) mustaqet tuaja dhe lëshoni ( rrisni ) mjekrat tuaja, ndryshoni nga idhujtarët”. Me një transmetim tjetër: ““Shkurtoni mustaqet tuaja dhe lëshoni mjekrat tuaja, ndryshoni nga zjarrputistët”, dhe me një transmetim tjetër: “Kundërshtoni jobesimtarët, shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat”.  Të gjitha transmetimit aludojnë se lëshimi i mjekrës është detyrim kurse rruajtja e saj haram, ashtu siç është shkurtimi i mustaqeve detyrim dhe zgjatja e tyre haram, mirëpo shejtani ua zbukuroi shumicës së njerëzve imitimin e jobesimtarëve në këtë vepër dhe kundërshtimin e traditës së të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe filluan t’i rruajnë mjekrat e tyre dhe t’i zgjasin mustaqet e tyre. Poashtu një grup njerëzish e kundërshtojnë traditën e të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, sa i përket ngjyrosjes së mjekrës dhe qimeve të bardha në të. Prej Synetit është që mjekra mos të ngjyroset me ngjyrë të zezë po të ngjyroset me ngjyra tjera dhe ngjyrosja me ngjyrë të zezë është e ndaluar dhe është një lloj mashtrimi për arsye se dëshiron të paraqitesh më i ri në moshë në sytë e të tjerëve.

Disa grave shejtani ua zbukuron rruajtjen e vetullave kurse këtë e ka ndaluar rreptësisht i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe e ka mallkuar atë që e vepron dhe atë që ia vepron ndokujt tjetër ashtu siç ceket edhe në një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka mallkuar të gjithë ato femra që i shkulin vetullat dhe ato që kërkojnë me ua shkul të tjerët vetullat. Ato pretendojnë se me shkuljen e vetullave zbukurohen a në fakt kjo është ndryshim i krijesës së Allahut dhe kjo është një nga veprat që urdhëron shejtani për t’i vepruar ashtu siç e cekë edhe Allahu në Kuran: “e pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut”. Nisa 119. Poashtu shejtani ua zbukuroi disa grave dhe disa të rinjve zgjatjen e thonjve, vepër e cila bie në kundërshtim me traditën e pastër të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ku tradita e tij ka qenë shkurtimi i thonjve. Të gjitha këto vepra që i veprojnë duke filluar nga rruajtja e mjekrës, zgjatja e mustaqeve, rritja e thonjve, shkulja e vetullave, ngjyrosja e mjekrës me ngjyrë të zezë, ata mendojnë se janë nga zbukurimi a në fakt ajo është shëmtim dhe deformim i pamjes së birit të Ademit dhe kundërshtim me natyrshmërinë, mirëpo shejtani ua zbukuroi këto vepra dhe ua bërë t’iu duket sikurse janë të mira ashtu siç tha Allahu në Kuran: “A është ai, që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)?”. Fatir 8.

Nga zbukurimi që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Ti, alejhi salatu ue selam, është zbukurimi në rroba dhe veshje. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë”. Earaf 26.  Allahu në këtë ajet na bëri me dije se robërve të Tij u dërgoi rroba që të mbulojnë vendet e turpshme si dhe për ta zbukuruar pamjen e jashtme të tyre dhe ua rikujtoi se petku i devotshmërisë i cili ia zbukuron robit pamjen e jashtme dhe të brendshme është petku më i mirë dhe tha. “por, petku i devotshmërisë është më i miri“. Earaf 26. Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër tha: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!”. Earaf 31, dhe na bëri me dije se besimtarët janë të urdhëruar që t’i veshin rrobat më të bukura dhe më të mira kur të dalin para Allahut në namaz.

Burrave u ndalohet veshja e mëndafshit dhe arit. I Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: Ari dhe mëndafshi janë lejuar për gratë (femrat) e Ummetit tim dhe janë ndaluar për burrat”.Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se Pejgamberi,alejhi salatu ue selam, një ditë shikon në dorën e njërit prej shokëve të tij një unazë floriri, pasi ia heq nga dora dhe ia hedh në tokë thotë:“Njëri nga ju ka vendosur në gishtin e tij një rreth prej zjarri dhe ka ardhur këtu në mesin tonë”. Pasi që shkoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i thanë njeriut që ta merr unazën dhe përfiton diçka tjetër nga ai, mirëpo ai u përgjigj: “Jo pasha Allahun, nuk e marr më kurrë pasi që e gjuajti   i Dërguari i Allahut”.

Sot shumë nga burrat i pasojnë verbërisht traditat e popullit dhe rrethit ku jetojnë dhe në duart e tyre mbajnë unaza nga ari edhe pse i lexojnë apo i dëgjojnë argumentet se ajo në duart e tyre është zjarr i xhehenemit, mirëpo shejtani ua zbukuron këtë vepër të ligë ashtu siç ua zbukuron edhe shumë grave veshjen e rrobave të shkurta apo të ngushta ose të tejdukshme të cilat nuk e mbulojnë trupin dhe i paraqesin pjesët e trupit të tyre. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: “Ka dy lloje të banorëve të Zjarrit që ende nuk i kam parë: njerëz me kamxhik si bishti i lopës, me të cilin i rrahin njerëzit dhe gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese) dhe me diçka në kokat e tyre që duken si gungat e devesë, të anuara në një anë. Ata nuk do të hyjnë në Parajsë (Xhenet) dhe as që do ta nuhatin aromën e saj, edhe pse aroma e saj mund të nuhatet prej sa e sa larg”.   

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, rreth kuptimit të fjalës “të veshura, mirëpo të zhveshura”, thotë se qëllimi është për ato gra që veshin rroba që ia përshkruan lëkurën ose i paraqet disa pjesë të trupit të saj, ato janë të veshura me rroba mirëpo në realitet të zhveshura. Kjo i shëmbëllen plot nga grave të sotit bashkëkohore të cilat veshin rroba të tejdukshme, të ngushta, të shkurta dhe i paraqesin bukuritë dhe trupat e tyre para burrave të huaj, Allahu na ruajt.

O ju burra, frikojuni Allahut për gratë e juaja për arsye se ju jeni kryefamiljar dhe përgjegjës për to dhe do të llogariteni para Allahut. Dhe o ju gra, frikojuni Allahut se edhe ju do të llogariteni para Allahut.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit

O ju njerëz, pastrimi dhe zbukurimi i trupit dhe i rrobave janë nga çështjet e kërkuara dhe të preferuara me Islam dhe i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, e përshkroi rrugën e kërkuar në to me fjalë dhe me vepra. Allahu i Madhëruar tha: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm”. Ahzab 21. Neve nuk na lejohet që ta përshkruajmë për vetveten apo të importojnë nga jobesimtarët traditat dhe adetet të cilat e kundërshtojnë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut,alejhi salatu ue selam, ashtu siç edhe veprojnë shumë nga ata që i përngjasojnë jobesimtarët në traditat, adhurimet dhe adetet e tyre. Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte që t’i shkurton mustaqet dhe ta lëshon mjekrën dhe Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell dhe thotë se: “Na ka kufizuar Resulullahu,salallahu alejhi ue selem, në shkurtimin e mustaqeve, në rruajtjen e qimeve nga pjesët intime, në shkuljen e qimeve nga sqetullat dhe në prerjen e thonjve që të mos i lëmë ato më shumë se dyzet ditë”.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e pëlqente misvakun dhe e përdorte atë edhe kur ishte agjërueshëm, edhe kur merrte abdes, edhe para namazi, edhe kur hynte në shtëpi. I donte shumë parfumet dhe miskun dhe i përdoret shumë ato dhe ndaloi ngrënien e ushqimeve që japin erë të keqe si hudhrën, qepën, etj, para se të shkon muslimani në xhami.

E ligjësoi pastrimin e trupit ditën e Xhuma me qëllim të largimit të erës së keqe nga djersët dhe gjërave tjera, dhe zakonisht ai, alejhi salatu ue selam, dhe shokët e tij i vishnin rrobat që thureshin nga pambuku, e ndoshta edhe nga leshi dhe liri. Udhëzimi i tij në veshje ka qenë që të vesh atë që kishte mundësi ta vesh nga rrobat e pambukut nganjëherë, e nga leshi dhe liri herëve tjera. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Ata që ia ndalojnë vetvetes atë që ua ka lejuar Allahu nga veshjet, pijet dhe gratë me qëllim asketizmi dhe adhurimi, dhe poashtu në anën e kundërt ata që nuk veshin vetëm se rroba të mira dhe të shtrenjta dhe nuk hanë vetëm se ushqimet më të mira dhe i braktisin rrobat dhe ushqimet e dobëta nga mendjemadhësia dhe kryelartësia, këto dy grupe e kundërshtojnë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam“.

Për këtë arsye disa nga selefi thonin se i urrenin rrobat e famës qofshin ato të  shtrenjta apo të lira. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush e vesh një rrobë fame në dynja, Allahu do t’ia vesh ditën e Gjykimit një rrobë poshtërimi dhe do të ja kall zjarrin asaj”. Ky dënim vjen për arsye se veshja e tyre ka qenë për famë dhe mendjemadhësi dhe kryelartësi, si dhe veshja e rrobave të lira nëse vishet me qëllim fame pronari i saj do të dënohet, kurse nëse vishet me qëllim modestie atëherë kjo është e lavdërueshme. E njëjta vlen edhe për rrobat e shtrenjta, nëse ajo vishet me qëllim zbukurimi dhe paraqitjes së begatisë së Allahut atëherë bëhet e lavdërueshme. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith të cilin e përcjell ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,thotë: “S’do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi sa një thermi (apo sa pesha e një milingone). Një burrë reagoi: “Vërtet që burri ka dëshirë ta ketë veshjen dhe mbathjet e mira”. Pejgamberi,alejhi salatu ue selam, tha: “Vërtet, Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësi është të refuzosh të vërtetën dhe të përçmosh njerëzit”.

O ju robër të Allahut, shejtani luajti me të bijtë e Ademit sa i takon çështjes së veshjes dhe i bëri të bien në kundërshtime me parimet fetare duke ia bërë një grupit të dashur zhveshjen në emër të qytetërimit dhe përparimit ashtu siç ua zbukuroi mushrikëve tavafin në Qabe duke qenë lakuriq dhe se ajo është adhurim që do të shpërblehen për të dhe se Allahu i urdhëroi që ashtu të veprojnë ashtu siç tha edhe Allahu në Kuran: “Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu”. Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?“.Earaf 28.

Allahu ua ktheu atyre duke ua bërë me dije se zbulimi i vendeve të turpshme është imoralitet të cilën Allahu e urren.

Një grupit tjetër shejtani ua zbukuroi zbulimin e auretit gjatë lojërave sportive duke e konsideruar këtë si art dhe filluan t’i zbulojnë këmbët dhe vendet e turpshme të tyre.

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe kapuni për litarin e Islamit i cili nuk këputet kurrë dhe mos i imitoni jobesimtarët në traditat dhe adetet e tyre për arsye se ato e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU